Ushtrimet Shpirtërore të meshtarëve të Dioqezës sonë nëpërmjet platformës ZOOM

Oct 2 • Kisha në Kosovë

Kisha Katolike ju kërkon meshtarëve të vetë, që çdo vit të tërhiqen në ushtrime shpirtërore për t’ia kushtuar një kohë të veçantë lutjes dhe meditimit. Por, sivjet gjendja e vështirë që e ka shkaktuar pandemia Covid-19, ua ka pamundësuar meshtarëve të Dioqezës sonë një organizim klasik të ushtrimeve shpirtërore, dmth. tërheqje fizike dhe të përbashkët në një vend të caktuar. Përkundër kësaj, bariu i Dioqezës sonë, Imzot Dodë Gjergji, është kujdesuar që të gjenden forma të reja të organizimit të ushtrimeve shpirtërore, duke e përdorur platformën Zoom, një formë e re dhe një mundësi e takimit virtual.

Këtë përvojë të re meshtarët e kanë bërë për tre ditë rresht, nga e diela në mbrëmje deri të mërkurën në mbrëmje. Udhëheqës i ushtrimeve shpirtërore ishte Don Lush Gjergji, me temën; “Shën Jeronimi dhe Bibla”, një temë aktuale, për faktin se, sivjet kremtohet jubileu i madh i 1600-vjetorit të kalimit në amshim të Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës në gjuhën latine, e njohur si Vulgata. Gjatë tre ditëve, meshtarët kanë pasur 2 meditime në ditë dhe një bashkëbisedim, kurse meshën, lutjet dhe meditimin e kanë bërë personalisht në famullitë e tyre.

Edhe pse ishte hera e parë që ushtrimet të bëheshin përmes kësaj platforme, në fillim u shfaqen dyshime të vogla nëse do të mund të kompensohej përvoja klasike e ushtrimeve shpirtërore, por vullneti dhe dëshira që të jemi së bashku edhe në këtë mënyrë, bëri që meshtarët të ndjehen mirë dhe të kënaqur, ndonëse u tha se është i pazëvendësueshëm takimi real dhe fizik i bashkëndarjes së lutjes dhe meditimit.  

Këto ushtrime shpirtërore të klerit tonë ishin edhe një përgatitje treditore për festën e madhe të Shën Jeronimit, këtij shenjti dalmat, përkthyes i biblës, dijetar, dhe atë i kishës. Kjo na ka ndihmuar që të meditohet dhe të reflektohet akoma më shumë mbi Fjalën e Zotit, jo vetëm si njohje teologjiko-shkencore, por mbi të gjitha, si takim me Presonin e Jezu Krishtit, si dashuri në jetën tonë, pa të cilën, bota shpirtore, do të ishte e thatë, si tokë pa ujë.

Ushtrimet shpirtërore përfunduan me Meshën e Shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, të cilës i priu bariu ynë, Imzot Dodë Gjergji, duke e falënderuar Zotin për këto ditë lutje e meditim, si dhe për dhuratën e shenjtit ilir që i ka bërë kishës dhe kulturës sonë.

 

Në vazhdim po e japim homelinë e Don Lush Gjergjit në meshën e shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza:

 

Shën Jeronimi, “luani i fesë dhe dielli i Biblës

Një ditë papritmas në oborrin e kuvendit të Shën Jeronimit u duk një luan që çalonte. Ishte i plagosur në këmbë me një ferrë të madhe. Murgjit, të frikësuar dhe të befasuar, së shpejti ikën. Mbeti vetëm Shën Jeronimi dhe luani. Shenjti iu afrua dhe ia hoqi ferrën. Nga ajo ditë lindi në miqësi dhe bashkëpunim i paparë mes luanit dhe Shën Jeronimit.

Kjo ngjarje, ndoshta është e vërtetë, ndoshta legjendë, por sido që të jetë, ka një simbolikë dhe porosi: Shën Jeronimi ishte i “plagosur” me një natyrë të egër, impulsive. Mu për këtë thoshte: “Parce mihi, Domine, quia dalamata sum”  – Më falë, o Zot, se jam dalmat, dmth. ilir.

Hiri, mëshira, falja dhe Dashuria e Zotit, atë e shndërruan në njeri, të krishterë dhe meshtar të mirë dhe të shenjtë.

Gjatë studimeve në Romë, si i ri, Jeronimi kishte studiuar retorikën dhe gramatikën, gojëtarinë dhe drejtshkrimin, për t’u bërë më vonë  “Luani i fesë”, i vendosur në mbrojtje të vlerave dhe virtyteve të krishtera, dhe “Dielli i Biblës”, në përkthim, studim, shpjegim, jetësim dhe dëshmim.

Për këtë ai thotë: “Të falënderoj, o Zot, që tash po i korri frytet që i mbolla me dhembje, lot dhe vuajtje, me uratë, pendesë, punë dhe shenjtëri”.

Jetën e tij mund ta ndajmë në tri pjesë: a) rinia dhe formimi në Romë, me argëtime, zbavitje, mëkate, studim dhe shijim të autorëve klasik. Mendonte se do të jetë i lumtur në jetën e dëfrimeve dhe në shijimin e leximeve klasike. b) Kthimi i plotë  krishterim në Lindje (372 – 381), në Antioki, në shkretëtirën Kalkis në Siri, si ecje kah feja, Zoti,   kërkimi i përsosmërisë dhe  shenjtërisë, sidomos nëpërmjet Biblës, uratës dhe pendesës së madhe, jetës rregulltarë dhe c) Shenjtërimi dhe puna e madhe gjatë 35 viteve të fundit të jetës në Betlehem.

Ai e kishte pranuar, jetësuar dhe dëshmuar Jezu Krishtin pa kushte, por, megjithatë, më lejo…, siç kërkon Ungjilli i sotshëm.

Nga jeta e bujshme dhe shenjtëria e madhe dolën shumë porosi:

Dashuria nuk njeh rregulla.

Puno, që Djalli të gjej gjithnjë të zënë me punë.

Unë jam mësuesi më i keq për vetveten.

Kush nuk dashuron, nuk jeton.

Varri i zbrazët është djepi i krishterimit.

Bibla është dialogu i vazhdueshëm i Zotit me njeriun.

Mosnjohja e Shkrimit Shenjt është mosnjohja e Krishtit.

Dera e çdo vesi është hidhërimi, urrejtja.

Duaje Biblën dhe do t’i braktisësh veset, mëkatet./drita.info

 

Përgatiti : Don Samuell Ramaj

Shpërndaje

Comments are closed.

«