Festa e Engjëllit Rojës në Famullinë e Ferizajit

Oct 3 • Kisha në Kosovë

Besimtarët me gëzim u bashkuan në oborrin e Kishës së Engjëllit të Rojës në Ferizaj, të premten, në 3 tetor, për të kremtuar pajtorin e kësaj Famullie, pas një kohe të gjatë të mospjesëmarrjes fizike në të kremte liturgjike për shkak të gjendjes së pandemisë Covid-19.

Kisha në Ferizaj është e vetmja në Kosovë që i kushtohet Engjëllit Rojës, dhe është shumë e dashur për të gjithë besimtarët, posaçërisht për famullitë e kësaj zone, përkatësisht Dekanatit të Prishtinës.

Meshës solemne të festës sivjet i priu p. Ndue Kajtazi, në bashkëmeshim me meshtarë të Dioqezës sonë dhe në prani të qindra besimtarëve të famullive të Dekanatit të Prishtinës. Gjatë meshës së shenjtë, befasia e bukur për të gjithë të pranishmit ishte ndarja e sakramentit të pagëzimit për Znj. Drenusha, të cilin ai ndau famullitari i Ferizajt, Don Viktor Sopi.

Mesha u transmetua drejtpërdrejt në Radio Maria Kosovë, për të gjithë besimtarët që nuk ishin të pranishëm. Gjithashtu edhe mediet lokale ishin të pranishëm për të informuar qytetarët për këtë ngjarje të rëndësishme për qytetin e Ferizajt.

Famullitari Don Viktor Sopi, në mbarim të meshës, siç e lyp tradita, bëri falënderime Zotit dhe gjithë bashkëpunëtorëve të Kishës, që kjo e kremte e bukur u kremtua në mënyrë sa më të dinjitetshme, me njetin që Engjëlli Rojës të na prijë e të na ruaj në këtë kohë të vështirë në të cilën po kalon vendi dhe bota, për shkak të pandemisë Covid-19. 

Bashkëndarja shpirtërore vazhdoi me bashkëndarjen në sofrën vëllazërore në të cilën famullitari e feston  për çdo vit edhe ditën e emrit, me urimin e të gjithëve që të përcillet prej engjëjve në misionin e tij meshtarak./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«