“Kush është i afërmi im?”

Oct 5 • Meditimi i ditës

5 tetor 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gal 1, 6-12; Ps 111, 1-2.7-10c; Lk 10, 25-37)

 

Prania e Hyjit

Po ja kujtoj vetvetes, o Zot, se jam në praninë tënde.

Do të gjej strehim te zemra jote e butë.

Ti je fuqia ime në momentet e dobësisë.

Në momentet e pikëllimit Ti je ngushëlluesi im.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të bëhem njeri i lirë nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam përnjëmend.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 10, 25-37

 

25 Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti:

“Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

26 “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?”

27 Dijetari iu përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“

28 Jezusi i tha:

“Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”

29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin:

“Kush është i afërmi im?”

30 Jezusi vazhdoi e tha:

“Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë.

31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën. 33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’

36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?”

37 Ai iu përgjigj:

“Ai që pati mëshirë për të!”

“Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi të Shenjtë:

 

  • Kur e dëgjon këtë histori, me cilin personazh identifikohesh? Me viktimën e pafat? Samaritanin, të huajin e përçmuar? Priftin apo levitin? Ndoshta me dijetarin e Ligjit që i bën Jezusit këtë pyetje? Cilin rol mund ta imagjinosh se je duke e luajtur?
  • Dijetari i ligjit e pyet Jezusin: “Kush është i afërmi im?” Ai dëshiron një përkufizim nga Jezusi, një limit të bukur, të qartë, një kufi, kështu që ai ta dijë se cilët njerëz janë të afërmit e tij dhe cilët nuk janë, cilët njerëz ai duhet t`i dojë dhe cilët mund t`i injorojë. A e vëren ndonjëherë të njëjtën dëshirë tek vetja jote?
  • Ndërsa e dëgjon fragmentin e lexuar përsëri, dëgjoje ndryshimin delikat midis pyetjes së dijetarit të ligjit “kush është i afërmi im?” dhe përgjigjen e Jezusit “kush ishte i afërmi i im?”

 

Bashkëbisedimi

Ndoshta kjo zhvendosje nga shqetësimi për limite dhe kufij në një kujdes më bujar, me zemër të hapur për të tjerët – kushdo që të jenë – është ajo që duhet të zërë vend edhe në zemrën time. Jezusi më fton të «shkoj dhe bëj po kështu»: kështu, a mund t`i kërkoj tani të më tregojë se si? – të më tregojë se kush ka nevojë që unë të jem i afërmi i tyre sot?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Jeta moderne e qytetit na “stërvit” t`i anashkalojmë gjërat, të jemi si prifti apo Leviti në kuptimin e shëmbëlltyrës. O Zot, më ndihmo që ta ruaj dhembshurinë në të cilën më thërret.

Të jesh i afërmi i dikujt do të thotë të jesh ai/ajo që tregon mëshirë. Do të mendoj sesi sillem me ata me të cilët jetoj. Do të mendoj se si do të mund të isha më i mëshirshëm me ta ashtu siç është Zoti i mëshirshëm me mua. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »