A i tregoj Zotit se çka më pengon?

Oct 6 • Meditimi i ditës

6 tetor 2020 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jon 3,1-10; Ps 130,1-8; Lk 10,38-42)

 

Prania e Hyjit

Shpirti im shumë e dëshiron praninë tënde, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,

e gjej paqen dhe pushimin.

 

Liria

Fillo ta kthesh vështrimin tënd drejt Jezusit tani …

dhe nga ana tjetër, lëre Jezusin të të shikojë me dashuri.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha të mirat që m`i ke bërë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mund të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Dëgjo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Lk 10, 38-42

38 Tashti, gjatë udhëtimit, hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha:

“Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”

41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • “Martë, Martë, ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra.” A jam i/e brengosur apo i/e shpërqendruar tani? Ku janë zemra dhe mendimet e mia tani, ndërsa përpiqem të lutem?
  • Vërej se Jezusi nuk e dënon Martën për përpjekjen për të qenë një amvise e mirë. Ai i tregon asaj, megjithatë, se si ajo ishte bërë e shqetësuar dhe e nervozuar lidhur me shërbimin. Asaj i shpëtonte për ta parë arsyen se pse shërbente.
  • Maria është duke bërë atë që duhet: ajo është duke dëgjuar fjalën e Zotit gjatë kohës që është duke iu thënë. A mund ta dëgjoj Jezusin duke më thënë: “e nevojshme është vetëm një”? Cila është e vetmja gjë që është e nevojshme në jetën time në këtë moment?
  • A mos e kam humbur sensin për atë që është më e rëndësishmja në jetë? A jam edhe unë i/e zënë duke bërë shumë gjëra që të mos kem kohë për Zotin? A më shkakton ankth dhe nervozizëm puna për çështjen e Zotit? A mos është zhdukur dashuria?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, paramendoje veten në skenë, në shtëpinë e Martës dhe Marisë. Çka po u thotë Zoti atyre? Çka po të thotë ty?

 

Bashkëbisedimi

Nëse nuk arrij ta vërej praninë e Zotit në jetën time dhe e humbas mundësinë për të dëgjuar fjalën e Zotit duke qenë i/e zënë me gjëra të tjera, i/e brengosur, i/e shpërqendruar… a mund t’i kërkoj Zotit ndihmë? A mund ta lus Zotin të më ndihmojë ta dëgjoj fjalën e tij, të më ndihmojë të dëgjoj sa herë që ai më flet?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Është lehtë të hutohesh apo të jesh i/e shqyer nga shumë gjëra që na preokupojnë vëmendjen tonë – madje edhe ajo që është e mirë mund ta humbasë shkëlqimin e saj në qoftë se harrojmë se për çka vërtet bëhet fjalë. Duket se Marta ishte hutuar për shkak të gjërave të ndryshme që ajo duhej t`i bënte. Ajo e kishte harruar vetveten dhe atë për kë ishte duke i bërë të gjithë ato punë.

O Zot, më ndihmo që si Maria të mund të qëndroj afër teje dhe, si Marta, të jem i/e sinqertë dhe të tregoj se çka më pengon. Më ndihmoni t’i rregulloj gjërat mirë. Bëj që të mos e harroj misionin e jetës, i cili është “të duash dhe të shërbesh në të gjitha gjërat”. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »