Ati ynë

Oct 7 • Meditimi i ditës

7 tetor 2020 – E mërkurë, Zoja Rruzare, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Gal 2, 1-2.7-14; Ps 117, 1.2; Lk 11, 1-4)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

E dëgjoj fragmentin biblik, dhe lejoj të gjejë jehonë në zemrën time.

 

Lk 11, 1-4

1 Një ditë Jezusi po lutej diku në një vend. Kur e kreu lutjen, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”

2 “Kur të luteni ‑ u tha Jezusi ‑ thoni:

O Atë!

U shenjtëroftë Emri yt!

Ardhtë Mbretëria jote!

3 Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme!

4 Na i fal mëkatet tona,

sepse edhe ne i falim fajtorët tanë.

E mos lejo të biem në tundim!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Si lutesh, zakonisht? Çka pret prej saj? Nëse nuk lutesh shumë, cilat janë gjërat që të shtyjnë të lutesh?
  • Jezusi na mëson ta quajmë Zotin Atë. Ne nuk vijmë te dikush nga i cili duhet të tërheqim dhurata, por te një At që kënaqet të na plotësojë nevojat tona. Lutja është hyrje në një marrëdhënie me këtë Zot të dashur. Kështu që, ndërsa e dëgjon përsëri leximin – me rreshtat pak më të distancuara këtë herë – kaloji disa çaste duke u ndalur në secilën frazë – duke i përtypur, si të thuash, duke i shijuar fjalët.

 

Bashkëbisedimi

A ka ndonjë fjalë ose frazë të veçantë që të bie në sy, që ka një kuptim për ty sot? Për çka ke nevojë sot? Cila është buka e përditshme për të cilën lutesh sot? A ke nevojë të kërkosh falje nga dikush ose ta falësh dikë për lëndimin e shkaktuar? A mos je duke u përballur me një kohë tundimi sot? A ekziston ndonjë sfidë me të cilën duhet të përballesh dhe nuk mund ta shmangësh? Siç na ka mësuar Jezusi, silli nevojat e tua përpara Atit tënd të dashur.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Nxënësit janë të impresionuar nga fakti se Jezusi lutet, thotë uratë. Pastaj ata donin që të përfshiheshin në marrëdhënien misterioze që ai kishte me Atin. Kështu, Jezusi i mëson se si duhet të bashkëbisedojnë me Hyjin. Mund të na duket se Hyji hesht, por ai na flet nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë, sidomos në fjalët dhe veprat e Jezusit. “Momenti i Shenjtë – Lutja e përditshme” këtu na ndihmon.

O Atë qiellor, çdo ditë varem prej teje. Me besim kërkoj bukën e përditshme për familjen e veten time. E ti e jep atë me zemërgjerësi. Gjithashtu të falënderoj që më fal mëshirshëm kur të zhgënjej. Më jep një zemër që fal kur të tjerët më zhgënjejnë.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »