Feja, ajo që ka rëndësi

Oct 9 • Meditimi i ditës

9 tetor 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Jl 1,13-15; 2,1-2; Ps 9,2-3.6.16.8-9; Lk 11,15-26)

 

Prania e Hyjit

Gjatë kohës që jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Ktheje përqendrimin tënd tani te dashuria që Krishti ka për ty…

Ai e tregoi këtë duke vdekur në kryq për ty…

Kaloje një moment duke pushuar me këto mendime ndërsa përgatitesh për ta dëgjuar Fjalën e Zotit.

 

Fjala

E dëgjoj Fjalën e Zotit me mend e zemër,

dhe vërej se cila fjalë apo ngjarje po më flet, po më lë mbresa.

 

Gal 3, 7-14

 

7 Dijeni, pra, mirë: ata që besojnë janë bijtë e vërtetë të Abrahamit. 8 E Shkrimi shenjtë, duke paraparë se Hyji do t’i shfajësojë paganët me anë të fesë, që më parë ia dha Abrahamit këtë lajm të gëzueshëm: ‘Në ty do të jenë të bekuar të gjithë popujt!’ 9 Kështu, pra, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me Abrahamin besimtar.

10 E njëmend, ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse Shkrimi shenjtë thotë: “Qoftë mallkuar secili që nuk mban e nuk zbaton gjithçka është shkruar në Librin e Ligjit!” 11 E se askush s’mund të shfajësohet para Hyjit me anë të Ligjit është e qartë, sepse: “I drejti do të jetojë me anë të fesë.” 12 Tashti Ligji nuk është prej fesë, por: “Kush e mban në të do të gjejë jetën.”

13 Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit duke u bërë Ai vetë Mallkim ‑ sepse është shkruar: “I mallkuar është gjithkush varet në kryq”, ‑ 14 që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit në Krishtin Jezus: që Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt ‑ ta marrim me anë të fesë.

 

Çfarë po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Siç bëri në leximin e djeshëm, Pali këmbëngul përsëri dhe përsëri në fe, jo ​​në Ligj, duke qenë baza e jetës së krishterë. Dhe ai thotë se ne që besojmë jemi pasardhës të Abrahamit – jo me anë të gjakut, por me anë të fesë – sepse ne besuam, ashtu siç besoi ai. Çka do të thotë për ty të quhesh bir apo bijë e Abrahamit? – që Abrahami të jetë “ati yt në fe”?
  • Pali vështirë se mund të shprehte më fort këtu kundërshtimin e tij ndaj Ligjit që u imponohet njerëzve – ndaj një mënyre të veçantë të sjelljes, një grupi të veçantë rregullash, duke u bërë fillimi e mbarimi i të gjithave. Jo, thotë ai, feja është ajo që ka rëndësi. Si reagon ndaj këtij mesazhi? A është sfidues për ty? Çlirues? Apo çfarë?
  • Duke i dëgjuar fjalët e Palit, ndoshta mund të gjesh gabime në to, mund të mendosh se ai po shtyn një argument të veçantë pak me zor, ndoshta, por ndërsa e dëgjon përsëri, cili është thelbi i mesazhit të tij? Cila është çështja, e vërteta, që ai dëshiron vërtet që ne ta marrim?

 

Bashkëbisedimi

Çfarë ndjenjash të ka nxitur dëgjimi i këtyre fjalëve?

Ndoshta je paksa i/e hutuar nga argumenti i Palit, ose i/e lehtësuar, ose i/e shqetësuar për fenë tënde?

Cilado qofshin ndjenjat e tua, silli ato para Zotit tani: flit me të si një mik me mikun e vet.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Shpirti i Zotit gjithmonë do të na çojë tek e vërteta dhe jeta. Shpirtrat e tjerë mund të na mashtrojnë me premtime të rreme, por s`duhet të trembemi prej tyre derisa jemi duke e kërkuar rrugën e Zotit dhe duke i ndjekur fjalët e Jezusit.

O Zot, bëj që të mund t`i respektoj dhe t`i dua ata që e ndjekin Zotin me sinqeritet, edhe nëse janë më të ndryshëm se unë. Bëj që të jem i/e ndjeshëm ndaj çdo zëri që më pengon në rrugën time të ndjekjes së Zotit. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »