Portreti i Shën Abrahamit – shembull i Bariut të mirë

Oct 9 • Këndvështrime

Nga Don Marjan  Sh. Uka*

 

Abrahami, ati ynë në fe, pa farë dyshimi, është një shëmbëlltyrë e mirëfilltë e Bariut të mirë. Formimi i tij prej bariu kaloi nëpër një proces të vështirë sprove dhe pjekurie, proces ky i përcjellë me shumë dyshime, frikë, pasiguri, zhgënjime, në të cilin na paraqitet gjithmonë si një njeri që është “duke shpresuar kundër çdo shprese” (Rom 4, 18). Abrahami është personi i parë në Shkrimin e shenjtë; i cili i besoi Hyjit trinitar dhe bisedoi me Të (krh. Zan 18). Por, para se ta arrinte këtë, ai duhej të kalonte nëpër ‘furrën e zjarrtë’ të shkretëtirës, të dyshimeve dhe të pasigurisë, rrugë kjo e ngjashme me atë që përshkon një enë e poçarit deri sa të piqet në furrë. Kjo rrugë kërkon prej tij jo vetëm sakrificë, por edhe vetëmohim (krh. Zan 12, 1; 21, 12; 22, 1-18) dhe gjak (krh. Zan 15, 9-11; Zan 17). Vetëm pas një procesi të tillë Abrahami do të jetë në gjendje të hyjë në një besëlidhje përfundimtare me Hyjin. Në ‘furrën e zjarrtë’ të jetës së tij Abrahami do ta njohë dhe do ta dëshmojë Hyjit trinitar. Kjo ‘furrë e zjarrtë’ do ta pjekë për dëshmi të mëtejshme. Kjo ‘furrë e zjarrtë’, e llojit të veçantë, ‘e skuqur shtatë herë më shumë se sa për të tjerët’, do t’i djegë të gjithë armiqtë e tij (krh. Dan 3, 22; Zan 14, 14-16; Vap 9, 4; Vap 12, 6-11; 2 Tim 4, 17), ndërsa Abrahamin nuk do ta dëmtojë, por vetëm do t’ia djegë hallkat e krenarisë dhe të ligështisë, që do ta pengonin për ta njohur dhe zbatuar në gjithçka dhe deri në fund vullnetin e Hyjit. Bariu që nuk është në gjendje të kalojë nëpër një ‘furrë’ të tillë, nuk mund të jetë bari i Krishtit. Bariu, i cili nuk është në gjendje në ‘furrën e ndezur’ të jetës së tij ta shohë dhe ta dallojë Jezusin (krh. Dan 3, 92-94), i cili e shoqëron atë drejt rrugës së Emausit (Lk 24, 13-35) dhe ta përjetojë se pikërisht Jezisi e ka në dorë jetën e tij, nuk është bari i mirë. Zëri i atyre që i luten dhe i këndojnë Zotit në një ‘furrë’ të tillë të ndezur nga urrejtja dhe smira – për fat të keq, shpeshherë edhe e bashkëpunëtorëve më të ngushtë – (krh. Dan 3, 51-90), është i vetmi zë, të cilin me ëndje e dëgjon Zoti, është i vetmi zë që depërton thellë dhe e prekë zemrën e Hyjit, është i vetmi zë që guxon të rragatet me Të (krh. Zan 18, 16-33; 35, 2), është i vetmi zë që mund të shërojë e të ngallë të vdekurit (krh. Mk 5, 41; Mt 9, 5; Mk 2, 9; Lk 5, 23; Gjn 5, 8; 11, 43; Vap 3, 6), është i vetmi zë që flet me autoritetin e Krishtit (krh. Is 31, 6; Oz 6, 1; Jl 1, 13; Jon 3, 4; Sof 1, 14-18; 2, 1-3; Mal 3, 19-21; Mt, 3, 2-3; Gjn 1, 23; 14, 12; Vap 2, 14-41 ).

Prandaj, kur është fjala për Abrahamin, e shoh të rëndësishme të them diçka më shumë për jetën e tij, pa u ndalur në momente kulmore dhe vendimtare të jetës së tij, të cilat nuk janë objekt i këtij studimi.

Abrami, para se ta dëgjonte thirrjen e Zotit, jetonte në një vend të begatë, mes lumit Eufrat dhe Tigris, në një ndër qytetet më të lashta të historisë së njerëzimit, në Ur të Kaldesë, me kushte ideale për bujqësi e blegtori. Babai i Abramit, Tareu, i cili u shërbente hyjnive të huaja (krh. Joz 24, 2), së bashku me Abrahamin, Sarajën e Lotin, u nisën drejt Kanaanit dhe ndaluan në Harran (krh. Zan 11, 31). Bibla na mëson se gjithçka që është krijuar e ka fillimin e vet në fjalën e Hyjit. Kjo do të thotë se Hyji biblik është Hyj i gjallë, Hyj që komunikon, Hyj që thërret, Hyj në kërkim të njeriut. Hyji e thirri Abramin, ia tregoi rrugën që duhet ndjekur dhe e sprovoi për t’u vërtetuar a do ta dëgjojë zërin e Tij. Kjo tregon se feja lind nga dëgjimi; feja është besim, e jo matematikë dhe si e tillë ajo është plot sfida. Abrami pranoi të sfidohej, u nis në drejtim të panjohur dhe arriti në Kanaan. Vendi ishte i banuar dhe Abrami nuk mund ta kuptonte a ishte, vërtet, ky vendi që ia premtoi Zoti, të cilin do ta merrte në posedim, apo jo. Ai duhej të besonte në mënyrë të verbër, kundër çdo shprese (krh. Rom 4, 18).

Kohërat e thatësirës sollën zi buke në Kanaan dhe kjo e vuri Abramin në vështirësi. Ai nuk dinte a duhet të qëndronte aty për t’u përballur me urinë, apo të zbriste në Egjipt. Hyji nuk iu përgjigj Abramit, por heshti dhe Abrami u nis për Egjipt. Si gjithmonë, kush vendos pa Zotin krijon konflikt me veten e vet. Edhe Abrami u gjend në një situatë të palakmueshme, për arsye të gruas së bukur, Sarajës, për të cilën gënjeu se e kishte motër. Faraoni e mori Sarajën për grua, ndërsa, si shkëmbim për këtë, i dhuroi Abramit “bagëti të imëta e të trasha, gomarë, skllevër, shërbëtore dhe deve” (Zan 12, 16). Mëkati i Abramit nuk rezultoi i dobishëm për faraonin, gjë krejtësisht e kuptueshme, sepse nga mëkati nuk mund të përfitojë askush. “Zoti i çoi faraonit dhe familjes së tij shumë të këqija për shkak të Sarajës” (Zan 12, 17). Prandaj faraoni iu drejtua Abramit me këto fjalë: “Çka më bëre kështu? Pse nuk më tregove se është gruaja jote? Për ç’arsye the se është motra jote dhe unë e mora për grua? Tani, pra, ja, gruan tënde! Merre dhe shko! … Abrami prej Egjiptit u kthye në Nageb e bashkë me të edhe gruaja e tij me gjithë ç’kishte edhe Loti. Abrami ishte shumë i pasur. Kishte bagëti, argjend dhe ar” (Zan 12, 18-19; 13, 1-2). Rruga e tërthortë në Egjipt, për shkak të urisë në Kanaan, rezultoi e dobishme për Abramin, sepse atij do t’i duhej një bazë materiale për trashëgimtarët e vet.

Mësimi që mund të nxjerrim nga kjo situatë është se Zoti kujdeset për ne edhe në mënyra të tërthorta. “Por edhe Loti, që e përcillte Abramin kishte shumë grigja dhensh dhe shumë gjedhe e çadra: sikur të jetonin bashkë, as vendi nuk mund t’i zinte, sepse pasuritë e tyre ishin aq të mëdha sa nuk mund të qëndronin bashkë. Këndej edhe shpërtheu grindja ndërmjet barinjve të grigjave të Abramit me barinjtë e grigjave të Lotit” (Zan 13, 5-7).

Begatia shpeshherë sjell me vete edhe rrezikun e krenarisë dhe të dominimit dhe nga kjo pastaj lindin ngatërresat dhe vrasjet. Një rrezik i tillë i trokiste në derë edhe Abramit. Por ai edhe këtu u tregua i matur dhe i urtë dhe kështu bëhet shembull që duhet ndjekur. Ai nuk lejoi që interesi të dominojë mbi dashurinë as pushteti mbi shërbimin. Edhe pse më i vjetër në moshë, vendosi të ndahet në paqe, duke ia dhënë mundësinë Lotit ta zgjedhë i pari drejtimin, në të cilin dëshiron të shkojë. Loti e lakmoi luginën pjellore të Jordanit dhe u nis në drejtim të lindjes afër Sodomës dhe Gomorrës, ku ishin kullosat më të mira, ndërsa Abrami shkoi në Kanaan afër Hebronit. Pas ndarjes së tyre, Abrami merr nga Zoti premtimin e pasardhësve të shumtë dhe të pronave të mëdha në tokën Kanaan (krh. Zan 13, 15–18). Por, më vonë Sodoma dhe Gomorra u sulmuan nga ushtritë armike dhe së bashku me pesë mbretër qe rrëmbyer edhe Loti. Abramin e shohim prapë në sprovë, por ai nuk ngurroi aspak të nisej në këtë rrugë të rrezikshme, për ta lirua nipin e vet nga armiqtë.

Pas një luftimi të suksesshëm dhe ndarjes nga Loti, hasim tre burra që takohen në luginën e Mbretit: Abramin, që përfaqëson bashkësinë e Hyjit; mbretin e Sodomës, që përfaqëson njerëzit e botës të ndarë nga Hyji; Melkizedekun, mbretin e Salemit (Jerusalemit), i cili përfaqëson Krishtin, Mbretin e paqes. Emri Melkizedek do të thotë “mbreti im është drejtësi”. Në Heb 7, 1-3 lexojmë: “Në të vërtetë, ky – Melkizedeku – Mbreti i Salemit, Prifti i Hyjit të Tejetlartë, i doli para në takim Abrahamit, që po kthehej nga luftimi pasi i shfarosi mbretërit, dhe e bekoi. Këtij Abrahami i dha të dhjetën e të gjithave. Emri i tij në përkthim do të thotë më së pari: “Mbreti i drejtësisë” dhe pastaj edhe: “Mbreti i Salemit” d.m.th. “Mbreti i paqes”. Ky është pa babë, pa nënë, pa brezni; s’ka as fillim as mbarim të jetës – pra, i ngjashëm me Birin e Hyjit – mbetet prift për amshim”.

Melkizedeku ia solli bukën dhe verën Abramit jashtë qytetit, sepse ai nuk mund të hynte në qytet. Këtu Abrahamit i doli në takim vetë Jezu Krishtin, i cili si Krijuesi i gjithçkaje është Mbret që sundon mbi të gjithë. Ai është Zot që s’ka as fillim as mbarim dhe në të njëjtën kohë, Ai është Kryeprifti ynë përmes vetëmohimit të Tij vullnetar. Buka dhe vera janë simbolet e Besëlidhjes së Re. Buka simbolizon trupin e Jezusit, që bartë mëkatin tonë për ne; dhe vera është gjaku i Jezusit që derdhet për shlyerjen dhe faljen e mëkateve tona (krh. Lk 22, 19; 1 Kor 11, 24).

Melkizedeku, {“prifti i Hyjit tejet të Lartë – i solli bukë e verë, e bekoi dhe tha: “Qoftë bekuar Abrahami prej Hyjit tejet të Lartë, që krijoi qiellin e tokën”}, kjo do të thotë se Melkizedeku ia dha Abramit për ushqim trupin e Krishtit dhe për pije gjakun e Krishtit, duke e shfajësuar për vrasjet e mëparshme, të bëra në vetëmbrojtje, ndërsa Abrami ia dha Mbretit të dhjetën e të gjithave (krh. Zan 14, 18. 20). Ky takim me Melkizedekun dëshmon se Abrami veproi mirë (krh. Zan 9, 6) dhe përpos se konsiderohet si një mirënjohje për Abramin nga Mbreti më i njohur i vendit, tradita judaike këtu e njeh shtrirjen e pushtetit meshtarak në Abramin, i cili po kthehej nga një luftim, ku u derdh gjaku i atyre që kishin ardhur për të vjedhur, për të prerë e për të vrarë (krh. Nr 6, 24-26).

Abrami jo vetëm që e liroi nipin e vet Lotin, por edhe mbretin e Sodomës dhe të Gomorrës së bashku me popujt e tyre që gjendeshin në robëri. Kjo na mëson t’i ndihmojmë të gjithë njerëzit në nevojë, edhe kur ata besojnë dhe jetojnë ndryshe; kush e di, ndoshta njëherë do ta shohin dhe njohin në ne veprimin e Hyjit. Por, kjo assesi nuk do të thotë se ne guxojmë të bëjmë kompromis me të pafetë. Për këtë do të na qortojë më vonë Shën Jakobi: “Njerëz të pabesë! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Hyjin? Kushdo, prandaj, që do të jetë mik me botën, shndërrohet në armik me Hyjin” (Jak 4, 4-5).

Për ta kuptuar mirë rolin e Bariut, po e veçoj një ngjarje që ka ndodhur në Francë në vitit 451 pas Krishtit: {“Hunët, nën udhëheqjen e Atiles, të tmerrshëm, kërcënuan shkatërrimin e plotë të krahinave më të bukura në Perëndim. Ata shkatërruan të gjitha fortesat më të mira që hasën gjatë rrugës për në Orleans. Parisi u shpëtua nga Shën Genovefa virgjër. Por, edhe Troya (qytet francez v. i.) e pa veten afër rënies saj. … Ipeshkvi i shenjtë, Lupus, pa frikë i doli në takim Atiles, i cili kishte një pamje të tmerrshme. Atila ishte me madhësi mesatare, por kishte shpatullat tepër të mëdha, një gjoks të gjerë dhe një kokë jashtëzakonisht të trashë. Sytë i kishte të vegjël, por shkëlqyes; kishte një hundë të sheshtë, flokët e shprishura, ngjyrë kafe të pazakontë, ecje krenare dhe gjymtyrë që dridheshin gjatë tërë kohës. Kështu dukej burri, i cili e kishte për kënaqësi ta quanin “kamxhiku i Zotit”. Shën Lupus-i u paraqit para tij dhe e pyeti, njeriun e tmerrshëm, kush ishte dhe çka dëshironte. Ai u përgjigj: A thua vetëm ti nuk e di kush jam unë? Kamxhiku i hakmarrjes së Hyjit po e përmbush qëllimin e vet. “Por Lupus-i, emër latin që në përkthim do të thotë “ujk”, u përgjigj: “Ndërsa unë jam një ujk që ka hequr dorë nga egërsia e tij e lindur, dhe i cili u vendos për ta mbrojtur grigjën e Hyjit të mëshirshëm: kurseje delen e dobët dhe silli bariut”. Ky heroizëm i pëlqeu Atiles dhe Troja u kursye”.} (“Geschichte der Kirche Jesu Christi von Theophilus Nelk”; Regensburg und Landshut, 1836; Verlag von G. Joseph Manß, fq. 174-175) Në një version tjetër lexojmë t’i ketë thënë ipeshkvi edhe këtë: “Respektoj gjithçka që vjen nga Zoti, por nëse Ju jeni një kamxhik, me të cilën qielli po na ndëshkon, mos harroni se nuk duhet të bëni asgjë, përveç asaj që e lejon kjo dorë e Plotfuqishme, e cila ju drejton dhe ju lëviz”.

O kohëra të bekuara, që në gjirin tuaja keni kultivuar barinj të tillë! (krh. 1 Mbr. 18, 18). Të tillët Zoti i qorton sot me fjalët e Elisë profet: “Deri kur do të çaloni në të dyja anët? Nëse Zoti është Hyj, ndiqeni Atë, po në qoftë se është Baali, ndiqeni atëherë atë!” (1 Mbr 18, 20-21).

T’i rikthehemi Abramit. Atij fill pas takimit me Melkizedekun, i erdhi premtimi nga Zoti: “Abram, mos ki frikë! Unë jam mbrojtësi yt! Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh!” (Zan 15, 1). Por ai, duke parë moshën e vet të shtyrë, u zu ngushtë dhe hyri në rragatje me Zotin: {“O Zot, Hyj, ç’më duhen dhuratat e tua, pasi shkoj i shuar pa pasardhës dhe trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri prej Damaskut”. Dhe Abrami vazhdoi: “Qe po sheh se nuk më dhe pasardhës dhe ja, një rob i shtëpisë do të më trashëgojë.” Atëherë Zoti i tha këto fjalë: “Ky nuk do të jetë, trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje”. Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroj yjet, po munde!” Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu” (Zan 15, 2-5)}. Kjo besëlidhje realizohet përmes gjakut të derdhur të shtazëve, që paralajmëron Besëlidhjen e Re me gjakun e Krishtit (krh. Zan 15, 9-10; Mt 26, 26-28; Mk 14, 22-24; 1 Kor 11, 24-26).

E çka ndodhi pas një dialogu të tillë? Abrami e dëgjoi gruan e vet Sarajen dhe fjeti me shërbëtoren e vet Agarën, e cila i lindi djalë, të cilin e quajtën Ismael, që në përkthim do të thotë: Zoti dëgjon. Kush do të jetë Ismaeli dhe cili do të jetë roli i tij në histori, lexojmë në vazhdim: “Ky djalë, bishë mali do të jetë: dora e tij kundër të gjithëve do të jetë edhe dora e të gjithëve kundër tij do të jetë! Do ta ngulë çadrën kundruall të gjithë vëllezërve të vet” (Zan 16, 12).

Zoti kërkon nga Abrami (dhe nga pasardhësit e tij) përsosmëri (krh. Zan 17, 1), parakusht ky për një bashkëpunim të ngushtë dhe për një fillim të ri, në fazën e dytë të jetës së tij, që karakterizon besëlidhjen mes Zotit dhe Abramit. Si shenjë e kësaj besëlidhjeje do të shërbejë rrethprerja, e cila është vetëm një aludim i rrethprerjes së zemrës (krh. Lp 10, 11; Kol 2, 11; 3, 11), ndërsa ndryshimi i emrit nga Abram (babë madhështor) në Abraham (babë i shumë popujve) (krh. Zan 17, 5) dhe nga Sarajë (princesha ime) në Sarë (princeshë) (krh. Zan 17, 15) është aludim i sakramentit të pagëzimit, ku i pagëzuari si anëtar i Mbretërisë së Krishtit, që është Kisha, rilind në Krishtin. Tani e tutje i pagëzuari ka një identitet dhe një mision të ri (krh. Gjn 3, 3; 2 Kor 5, 17).

Periudha e re e jetës me Zotin e vuri Abrahamin para sfidave të reja. Ajo shkëndijë shprese që nuk ishte fikur asnjëherë në Abrahamin filloi të ndizej në të menjëherë pas vizitës së Zotit te Qarret e Mambres, kur Zoti ia kumtoi lajmin se Sara do të ngjizte (krh. Zan 18, 10) dhe ku Abrahami e njohu Zotin në tre persona, duke iu drejtuar Atij në numrin njëjës. Pra, ai e njohi dhe e adhuroi Hyjin trinitar. Edhe njeriu i bërë në shëmbëlltyrën e Hyjit, është një ‘trini e vogël’ me shpirt, psikik dhe trup.

Nga ky moment Abrahami do të shndërrohet në një Bari të guximshëm, i cili do të ndërmjetësojë për grigjën e vet, për të cilën edhe është zgjedhur nga vetë Zoti. Sodoma dhe Gomorra ishin qytete ku prishja e njerëzve kishte arritur kulmin, prandaj edhe u bënë shkas i një misioni të ri të Abrahamit.

Aktori i mirënjohur, ylli i Hollywood-it, Richard Harris, i cili luajti rolin e Abrahamit në filmin “Abraham”, thotë: “Ky film ka edhe një efekt shumë personal për mua; ai më shndërroi në një njeri krejtësisht të ri” (Shiko paraqitjen e librit të autorit Schalom Ben-Chorin me titull: “Abraham”, Dr. Heinrich Krauss, Pattloch 1995, fq. 7).

Në fillim të një interviste me të, që mund ta lexojmë në fund të këtij libri, i shtrohet kjo pyetje: “Si e keni paraqitur Abrahamin?”. Aktori përgjigjet: “Gjëja më e vështirë dhe natyrisht edhe më e rëndësishmja për mua ishte interpretimi i karakterit të tij. Hollywood-i i kishte portretizuar gjithmonë personazhet biblike si shenjtorë apo si rebelë. Mua nuk më interesonte kjo gjë. Doja ta paraqitja një Abraham dyshues … Për sa e kuptoj rolin, Abrahami është vetëm krejt në fund – pas flijimit të djalit të tij Izakut – i sigurt, se gjatë gjithë kohës e kishte dëgjuar zërin e Zotit. Jam përpjekur të riprodhoja habinë e Abrahamit, por edhe të gjitha dyshimet e tija, në lidhje me pyetjen se a do të ishte i pjekur për një detyrë të tillë, apo a do të ishte fare i denjë për një hir të tillë. Do të isha shumë krenar, nëse, pikërisht, për arsye të këtij roli do të mbetesha në kujtesën e njerëzve.”

“A është Abrahami një njeri, me të cilin do të mund të identifikoheshin njerëzit e kohës sonë?” – ishte një prej pyetjeve, në të cilën e morëm këtë përgjigje: “Natyrisht, çdokush mund të identifikohet me Abrahamin. Tani kur i kam mbushur 60 vjet, e pyes veten: Kush është Zoti? Ku gjendet Ai? Si bëhet i kuptueshëm? Sot unë e di: nëse, vërtet, do të besosh, atëherë Zoti disi do të paraqitet këtu dhe do të flasë me ty, por me vetë zërin tënd, përmes teje. Unë jam katolik dhe shpesh tërhiqem apo si e them unë, shkoj në një tërheqje shpirtërore. Në çdo diskutim që kisha me producentin apo regjisorin në lidhje me mënyrën e riprodhimit të zërit të Zotit, më kujtohej si Zoti u është përgjigjur lutjeve të mia. Ai i flet tjetrit me zërin e vetë dëgjuesit. Të njëjtën gjë e mendonte edhe regjisori Joe Sargent”.

“Atëherë roli ndikoi edhe në qëndrimin Tuaj shpirtëror?” – vazhdon pyetja e radhës. Aktori përgjigjet: “Roli i Abrahamit për mua është fillimi i një përshpirtërie të re”.

Pyetja e fundit është: “Cila është skena Juaj më e preferuara?” Aktori dha një përgjigje brilante: “Unë mendoj se ajo që më pëlqen më së shumti është skena kur unë hyj në llogari me Zotin: Zoti e kërcënon me shkatërrim Sodomën. Unë bëj pazar me Të dhe në fund arrij ta bindi Zotin që të mos e shkatërrojë qytetin, nëse do t’i gjeja në të 45 njerëz të drejtë. Pastaj vazhdoj ta pyes: 40, 35, 30, … derisa të arrijë në dhjetë. Imagjinoni njëherë një gjë të tillë: Abrahami është duke bërë një marrëveshje me Hyjin” (Ibid. fq. 157).

Sodoma dhe Gomorra u zhdukën nga faqja e dheut, por jo për fajin e Abrahamit. Ai, për fat të keq, nuk gjeti aty njerëz të gatshëm për kthim.

Se ky Bari nuk e shikoi kurrë interesin e vet, por vetëm atë të Zotit, dëshmojnë dy ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat nuk duan shumë koment. Zoti nuk mund të shërbehet me mëkatin, prandaj në rend të parë kërkoi nga Abrahami dëbimin e Ismaelit nga shtëpia e tij (krh. Zan 9-12). Në këtë mënyrë Zoti dëshiron ta ndërtojë një pasardhësi të Abrahamit në formë ligjore, të pa mëkat, e cila do të jetë e denjë për Shëlbuesin. Ismaeli është i paligjshëm, prandaj edhe i padenjë për të bashkëpunuar në planin e shëlbimit. Abrahami ishte i lirë për të vendosur. Njëri ndër psikologët më të mëdhenj deri me sot, Erich Fromm, thotë: “Njeriu  beson  se  e do  lirinë, por në  të  vërtetë  ka  shumë  frikë  prej  saj. Përse? Sepse  liria  e  detyron të  marrë  vendime  dhe  vendimet  bartin rreziqe”. 

Sigurisht se kjo ndjenjë mbretëronte edhe në Abrahamin. Ai duhet të marrë një vendim tejet të pazakontë e të dhimbshëm. Ai gjithnjë e më tepër po bindej se i drejti dhe i miri duhet të vuajë në këtë jetë. Por, akoma nuk ka ardhur ajo më e rënda. Nga Abrahami Zoti së pari kërkoi rrethprerjen e trupit, ndërsa më vonë, me kërkesën për t’ia flijuar djalin e dëshirit, Izakun, do të kërkojë prej tij rrethprerjen e zemrës. Tani duket se Hyji po kërkon tepër nga Abrahami dhe se shpresat e Abrahamit janë duke u shuar. Shpresa e vetme që i ka mbetur është Zoti. Zoti sikur nuk kënaqej me të gjitha ato vuajtje që i pësoi Abrahami dhe ja një thirrje bombastike: {“Pas këtyre ngjarjeve Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham!” Ai i përgjigji: “Tek jam!” I tha: “Merre djalin tënd të dëshirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër malet që do të ta tregoj”} (Zan 22, 1-2).

A është e mundur që pas gjithë kësaj prapë t’i besosh një Zoti të tillë? Për ata që nuk dinë ç’është vuajtja, për bijtë e shekullit të hapur gjithmonë për kompromise, për profetë dhe barinj të rrejshëm, për skribë e farisenj, cuba dhe vjedhës, që po hyjnë në mënyrë të paligjshme dhe me dhunë në jetën tonë, për ata që nuk janë pjekur në ‘furrën e zjarrtë’, kjo është marrëzi (krh. 1 Kor 1, 18-31).

Pas një ngjarjeje të tillë lakenjtë e zotërinjve të kësaj bote do të diskutonin pa u ndalë, ndërsa Abrahami nuk e thotë asnjë fjalë goje. Ai jetonte vetëm me një dëshirë, e kjo ishte që ta kryente vullnetin e Zotit. Por, vullneti i Hyjit nuk shërbehet pa ndjenja dhe emocione (krh. Mt 26, 39; Mk 14, 36; Lk 22, 42). Vullneti i Hyjit duhet t’i përshkojë ndjenjat tona, siç përshkohet gjaku në damarët e trupit tonë për t’i mbajtur të gjalla dhe të shëndosha të gjitha gjymtyrët e trupit, siç përshkohet temperatura e furrës së zjarrtë në veglat e poçarit.

Abrahami është njeri që mediton, emocionohet, gëzohet, vuan, por gjithmonë duke e ditur arsyen përse e bën këtë. Ai dëshiron t’i rrijë besnik Hyjit dhe besnikëria ka një çmim. Ajo nuk njeh interes, frikë, kthim prapa. Prandaj, vuajtja atë nuk e demoralizoi, nuk e mposhti, nuk e mbizotëroi, por e forcoi dhe e fisnikëroi, e pjeku dhe e burrëroi. Abrahami pa kundërshtuar fare “u ngrit herët në mëngjes, e shaloi gomarin e vet, mori me vete dy shërbëtorë të vet dhe Izakun, djalin e vet. Pasi më parë i preu drutë për fli shkrumbimi, u nis për në atë vend që Hyji i kishte treguar” (Zan 22, 3). Tani Abrahami e ka një mesazh për të gjithë “barinjtë” e kësaj bote: “Oh, po të mund ta duroni pakëz marrinë time!” (2 Kor 11, 2). Oh, po të më përngjani sado pak, kurrë nuk do të kishit bërë tregti me grigjën tuaj, kurrë nuk do ta kishit keqpërdor pushtetin tuaj, kurrë nuk do të kishit bërë kompromis me të bijtë e territ (krh. 1 Gjn 2, 22; 4, 2-3), kurrë nuk do të kishit pranuar për t’u përkulur para pushtetit të errësirës (krh. Lk 22, 52; Rom 13, 12; 1 Kor 4, 5; Ef 5, 11; 6, 12; Kol 1. 13; Heb 12, 18; Jud 1, 12-13).

Vuajtja e Abrahamit nuk ishte e shkurtë as vetëm vizionare, por e gjatë dhe e vërtetë. Abrahami në rrugëtimin jetësor të tij, të gjatë e të rrezikshëm, duhej të përshkonte shkretëtira me thatësira të shumta, por më një Burim të gjallë, shpeshherë të fshehur e të padukshëm, e ky burim për të është Zoti. Sa më shumë që udhëtonte, dukej se aq më tepër largohej. Kjo dëshmohet edhe në rreshtat në vijim: “Të tretën ditë, pasi Abrahami i lartësoi sytë, e vështroi atë vend prej së largu. U tha shërbëtorëve të vet: “Ju pritni këtu me gomar. Unë e djali po shkojmë deri atje për të adhuruar dhe do të kthehemi të ju” (Zan 22, 4-5).

As në të tilla momente Abrahami nuk përkulet, nuk ndalet, nuk pushon së shpresuari. Edhe në raste të tilla ai adhuron. Shën Pali shkruan: “Feja është një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen… Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e lëshoi vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. … Me anë të fesë, Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi dhe qe një shëmbëlltyrë” (Heb 11, 1. 8. 17-19). 

Kjo do të thotë se “jeta e çdo besimtari abrameik është rrugëtim në tokën e re dhe të panjohur, në tokën ku s’ka qenë askurrë, me fjalë tjera, ky është një udhëtim drejt Hyjit” (Karl-Josef Kuschel: Spor oko Abrahama – Svejtlo Riječi, Sarajevo, 2001, fq. 12).

Luftërat e tmerrshme që i kemi përjetuar, së bashku me luftën në Kosovë dhe me luftën e tanishme kundër koronavirusit përditë na sjellin rrëfime të rrëqethshme dhe të pabesueshme, të cilat nuk na lejnë të qetë. Padyshim se një ndër momentet më të prekshme të historisë së njerëzimit është përfshirë në dialogun që zhvillohet mes Abrahamit dhe Izakut në ‘udhën e kryqit’ drejt malit Moria. Emrat biblikë kanë domethënie. Emri shpeshherë bëhet program, ai përcakton karakterin e njeriut, stilin dhe mënyrën e të jetuarit. 

Në Enciklopedinë Shkencore Biblike në internet ndër tjera lexojmë: {“Moria shfaqet dy herë në Besëlidhjen e Vjetër, në Zan 22, 2 si “trevë Moria” dhe në 2 Kro 3, 1 si “mali Moria”. “Moria” nuk është e dokumentuar në mbishkrime ose në letërsi të pavarur nga referencat biblike. … Emri duket se rrjedh ose nga folja “frikësohem” që atëherë do të ishte “treva e frikës” ose nga folja “shikoj” që do të ishte “treva e dëftimit”. Për më tepër, vijnë në konsideratë homonimet më të besueshme filologjike të rrënjës jrh “qëlloj/mësoj” (në veçanti: treva e mësuesit YHWH). …Dy foljet “frikësohem” dhe “shikoj” gjithashtu luajnë një rol kryesor në tekst; folja “shikoj” shfaqet edhe një herë në Zan 22, 14. Për sa i përket identifikimit, në  “trevën Moria” ka disa “male”. Një nga këto male është ai mbi të cilin duhej të flijohej Izaku. Ky mal natyrisht nuk është automatikisht “mali i Moria”} (https://www.bibelwissenschaft.de/ wibilex/das-bibellexikon/lexikon/sachwort/anzeigen/details/morija/ch/ 5037f19417e90216663304234c70b581/).

“Në kontekstin biblik, malet përveç se kanë një rëndësi të madhe gjeografike, ato po ashtu kanë edhe një rëndësi dhe kuptim të madh shpirtëror. Malet në Bibël janë përplot porosi dhe kanë në vete mësime të nevojshme për rritjen njerëzore, kulturore dhe shpirtërore të secilit njeri. … Duke iu referuar një studimi të biblistit me famë botërore, kardinalit Gianfranco Ravasi, kuptojmë se mali Sinai ka tri dimensione të një rëndësie të veçantë teologjike dhe shpirtërore dhe unë në këto dimensione e shoh edhe qëllimin e ndërtimit të kishës së bukur të Llapushnikut. … Malet, kodrinat, vendet e vetmuara dhe shkretëtirat e karakterizojnë jetën dhe misionin e Jezu Krishtit. Njëri ndër to është mali i ashtuquajtur i Lumturive, vendi ku Jezusi i shpalli Lumturitë (krh. Mt 5, 1-12).” (Don Anton Uka: Kisha e Llapushnikut e ngritur mbi mal: rastësi apo providencë? (www.peregrinus.al me 15.10.2016))

Dialogu mes Abrahamit dhe Izakut ka përmasa mesianike, ekleziologjike, soteriologjike dhe kristologjike: {“Ndërsa të dy po ecnin së bashku. Izaku i tha Abrahamit, babait të vet: “Baba!” Ai u përgjigj: “Çka do, biro?” “Qe – tha – zjarri e drutë, po ku është flia e shkrumbimit?” Abrahami i përgjigji: “Vetë Hyji do të gjejë flinë e shkrumbimit për vete, biri im!”}. Abrahami në shtegtimin e vet përngjatë shkretëtirës së kësaj bote gjithmonë i lartësonte sytë drejt qiellit, ndërsa në thellësi të zemrës së vet e adhuronte Zotin. Ai me tërë qenien e vet, në çdo situatë të jetës besonte dhe thoshte, si do të thotë më vonë edhe Shën Pali: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2, 20).

Abrahami ishte i lidhur me Zotin sikur shermendi me hardhinë (krh. Gjn 15, 1-8). Por, për të dhënë fryt hardhia duhet prerë dhe degët e prera duhen hidhur në zjarr. Abrahami shpresonte në Zotin dhe ishte i bekuar. Ai e dinte se hardhia e tij i kishte lëshuara rrënjët kah përroi, prandaj nuk i frikësohej thatësirës (krh. Jer 17, 7-8). Një besim i pa kompromis i një Bariut të tillë, nuk mund të mos jepte fryt. Dhe fryti erdhi pikërisht në momentin kur Abrahami “shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet. Kur, ja, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham!” Ky i përgjigji: “Urdhëro!” Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tani po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkak tim nuk e kurseve as djalin tënd të dëshirit”. Abrahami i çoi sytë lart dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit. Atë vend e quajti: “Zoti sheh” (Zan 22, 10-14).

Shën Augustini në kryeveprën e tij me tuitull “De civitate Dei” (“Mbi qytetin e Hyjit”) shkruan: “Të gjitha ngjarjet shikuar nga pikëpamja shpirtërore tregojnë në kulmin e ardhshëm të historisë në Krishtin. Kjo në mënyrë konkrete do të thotë se premtimin që Zoti ia dha Abrahamit duhet parë në një nivel tjetër – gjithsesi duhet kuptuar “trupërisht” (pas Abrahamit ekzistonte një popull hebre), por ajo “shumë më lavdishëm” flet në kuptimin shpirtëror: Abrahami është “babai i të gjithë popujve”, që “i ndjekin gjurmët e besimit të tij”. Ndërsa këta popuj janë – kjo është krejt normale për Augustinin – kombe të krishtera, pasi premtimi i bekimit të popujve përmbushet në Krishtin.

Shenja ligjore e rrethprerjes: Ajo, me Augustinin, duhet të kuptohet krejt “shpirtërisht”, në dritën e hirit. Nëse bëhet kjo, bëhet e qartë: rrethprerja nuk do të thotë asgjë tjetër, përveç një natyre të përtërirë pas braktisjes së njeriut të vjetër. Pikërisht në këtë tregon dita e tetë e rrethprerjes: Krishti u ringjall pas përfundimit të javës shtatë-ditore.

Abrahami flijon Izakun: Pikërisht kjo skenë e padëgjuar qëndron tërësisht në shenjën e premtimit të Zotit. Më që, në fakt, Izaku u shpëtua me hirin e Zotit, si i tillë ai është fëmijë i “premtimit”. Ai “premton” atë të ardhme që Hyji e ka përgatitur për më vonë. Nëse e shikojmë këtë të ardhme me sy të një të krishteri, atëherë “flijimi” i Izakut nga ana e babait mund të tregojë vetëm në misterin e Jezu Krishtit që u flijua me të vërtetë në kryq. Edhe këtu është e qartë: Tregimet  mbi Abrahamin nuk janë asgjë tjetër për Augustinin, përveç para-tregim më i thellë i jetës dhe veprës së Jezu Krishtit. Gjithçka, qysh në Besëlidhjen e Vjetër, lajmëron “risi”, dhe shihet se si në Besëlidhjen e Vjetër qëndron në hije Besëlidhja e Re” (Karl-Josef Kuschel: Spor oko Abrahama – Svejtlo Riječi, Sarajevo, 2001, fq. 163-164).

Psikologu i përmendur, Erich Fromm, thotë një të vërtetë të madhe: “Nëntëdhjetë përqind e amerikanëve deklarojnë se të gjithë njerëzit janë të barabartë para Zotit dhe ligjit, por kur t’i pyetni konkretisht a do ta martonin vajzën apo djalin e tyre me ndonjë vajzë apo djalë të tjetrës fe, racë apo klasë, atëherë pamja krejtësisht ndryshon. Nëntëdhjetë përqind me vendosmëri thonë: Jo.”

Si përfundim mund të shtoj edhe një citat të Shën Injacit nga Antiokia, i cili thotë: “Askush të mos lejojë të mashtrohet: po nuk besuan në gjakun e Krishtit, as qeniet qiellore e as engjëjt, me gjithë lavdinë e tyre, as epërsirat, e dukshme dhe të padukshme, nuk do t’i shpëtojnë gjykimit”. (Injaci, Smyrn. 6, 1. nga libri: “Anđeli i demoni” Kršćanska Sadašnjost – Zagreb, 2017, fq. 112.)

Nga kjo që u tha mësojmë se Shën Abrahami, si i tillë, vigjilon mbi fenë trinitare dhe i lufton të gjitha herezitë që e kundërshtojnë atë./drita.info

 

*Misionar katolik shqiptar në Düsseldorf

Shpërndaje

Comments are closed.

«