Dashuria është zemërgjerë

Oct 10 • Opinion

(Me rastin e 30-vjetorit të pajtimeve në Kosovë dhe në 100-vjetorin e lindjes së Prof. Anton Çetta)

 

Nga Gjon Ballabani

 

Veprat e dashurisë janë vepra të paqes!

Shën Nënë Tereza

 

Këto ditë më është ngulitur në kokë çdo veprimtari e mirë e popullit tonë. Po i afrohemi fundit të vitit. Disi sikur ky vit është më i ashpër se vitet e kaluara. Peshën ia shton edhe pandemia Covid-19. Ajo ka përfshi botën, por sikur ka një porosi të veçantë për ne shqiptarët, sepse flitet që, populli ynë vetëm në momente të vështira mund të bashkohet.

Ta kujtojmë periudhën e lavdishme, kur në Mesjetë Arbëria ishte në krizën e shfarosjes nga pushtuesit osmanlinj, e Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, bashkon popullin në luftë të përbashkët kundër forcave barbare për ta ruajtur truallin e të parëve.

Paraardhësit tanë kanë dhënë shumë dëshmi të tjera, por do t’i përkujtojmë dy momente të freskëta që bota na mori lakmi: a) Një grua shqiptare shtatshkurtër, por e madhe me vepra të dashurisë. Kjo vepër kurorëzohet me lumturimin dhe shenjtërimin e Nënë Tereze Bojaxhiut, dhe b) Politika paqësore e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe Pajtimet e popullit nën udhëheqjen e Prof. Anton Çetta, të përkrahur nga rinia përparimtare dhe nga udhëheqësit fetarë.

Tani ky vit që gati po kalon ruan kujtimin e 30-vjetorit të pajtimeve dhe 100-vjetorin e lindjes Anton Çetta, pa një aksion konkret.

 Natyrisht, gjatë kësaj periudhe kemi pas dëshmorë me ideale të atdhedashurisë, që derdhen gjakun në altarin e atdheut, për lirinë dhe barazinë e qenies njerëzore.

Tani si luftëtar dua t’i bëj këtë pyetje vetvetes: a ishte ëndrra ime për liri të vendit apo për grabitjen e karrierës dhe të pasurisë? A duhet t’i tregoj muskujt të tjerëve duke i frikësuar që ta mbaj pushtetin? A mos vallë duke mos dashur sa duhet popullin, i kemi shpallur luftë natyrës dhe ambientit? Me çfarë kujdesi dhe mëshire janë ruajtur apo dëmtuar pyjet dhe ambienti gjatë mandatit tim? Sa është shkatërruar, pre, djeg dhe helmuar malet dhe vendi? Sa mbeturina e plastikë janë hedhur kudo, për ta kontaminuar ajrin dhe natyrën? A nuk është kjo një papërgjegjësi globale, që na ka dënuar me pandeminë globale Covid-19.

Është e vërtetë se nuk kemi treguar kujdes as ndaj tokës as ndaj botës bimore dhe as ndaj botës shtazore, prandaj atë që kemi mbjellë, tani po e korrim. Kështu kemi prodhuar mbeturina, tani e mbyllim gojën dhe hundën që të mbrohemi prej sëmundjes dhe kundërmimit. A nuk duhet të ndalemi e të mendojmë: çka duhet të bëjmë? Dhe ja pandemia solli edhe viktima. Jemi të detyruar të mbajmë distancë. A nuk ma zgjon mallin ky largim i obliguar me atë përafrimin dhe përqafimin e pajtimeve në Kosovë? A nuk i tronditi armiqtë ky pajtim? A nuk e pushtojë botën mrekullia paqësore dhe liridashëse e popullit tonë? Tani pyes vetveten: a jemi i njëjti popull? Çka mund të bëj për dashuri ndaj Kosovës dhe popullit të saj? A është koha ta tradhtoj apo t’i rri besnik Hyjit, njeriut dhe atdheut si në periudhën e lavdishme? A është koha ta ftoj popullin për urrejtje apo në dashuri? A jam i gatshëm të fyej, apo të fal? A jam për përçarje, apo për mirëkuptim? A jam për mashtrim, apo për të vërtetën? A jam për terr, apo për dritë? Njerëzimit çka dua t’i dhuroj: pikëllim, apo gëzim? Si mund ta kthej besimin tek populli im? Ndoshta zemërngushtësia dhe interesi personal më kanë verbuar? Mjaft më, nuk dua t’i shfrytëzoj këto situata për interesa të ngushta, por për të mirën e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Ne shpesh krenohemi me emrin e Shën Nënë Terezës. Po ku janë veprat e mia dhe në çka i përngjaj asaj? Cilat janë rregullat që mund të na e mësojnë dashurinë e sinqertë? Apostulli shkruan: “Po t’i folja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon. (1 Kor 13, 1). Kjo fjali më motivon ta ndryshoj qëndrimin tim ndaj Hyjit dhe të afërmit. Nuk ka nevojë për fjalë, por për dashuri dhe zemërgjerësi. Mjaft e kam mbush vendin me fjalë boshe, por tani më duhet veprim dhe dashuri konkrete. Çka bëra për popull? Ku është kontributi im në pajtim dhe në bashkëpunim? E kot është përpjekja ime në luftë për liri, nëse nuk e gëzojnë këtë liri të gjithë. Të kota janë përpjekjet tona, po që se nuk ka paqe dhe mirëkuptim gjatë mandatit tim. Sepse tani e kam kuptuar misterin e dashurisë. Prandaj jam i vetëdijshëm se ku ka veprime të dashurisë, aty nuk ka urrejtje, nuk ka krenari. E vërteta është se dashuria nuk kërkon interesin e vet, nuk e mban në mend të keqen. Rregullat e dashurisë, na i përkujton Apostulli që predikojë në trojet e Ilirikut: “Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka.” (1 Kor 13, 7). Atëherë nëse dua ta jetësoj dashurinë që kërkohet prej Hyjit dhe prej të afërmit, njohuria nuk më mungon, sepse deri në ditët e sotme vetëm leverdia më ka penguar.

Po të isha liruar më herët nga këto dobësi, sigurisht se populli ynë do të festonte dhe do ta përkujtonim: 30-vjetorin e Pajtimeve dhe 100-vjetorin e lindjes së Prof. Anton Çetta. Pra, sekretin e Dashurisë dhe paqes, tani e kemi prioritet në ditët tona në vijim. Presidenti historik Dr Ibrahim Rugova dhe Prof Anton Çetta e kishin mësuar tek Apostulli i Ilirisë, tek heroi kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, tek Bogdani, tek Shën Frani e Shën Nënë Tereza, por e gjetën edhe në urtinë e Prizrenit, Drenicës, Rugovës… Atëherë unë, ti dhe ai t’i marrim detyrat në mënyrën vetvetore që të bëhem zemërgjerë dhe sipas lutjes dhe shembullit të Shën Franit, dhe Shën Nënë Terezës, të veprojmë: Të bëhem vegël e paqes së Zotit, për mirëqenie. Atëherë t’i përtërijmë këto virtyte dhe t’i ringjallim veprat e mira, duke shkruar këso histori të lavdishme të popullit tonë. Ashtu qoftë!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«