Ftesa e Jezu Krishtit për gëzim dhe festë!

Oct 10 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXVIII gjatë vitit (A)

 

 

Leximi i parë   Is 25, 6-10

Profeti shpall se Zoti do të ftojë në Qytetin e Shenjtë, Jerusalemin, të gjithë popujt që të marrin pjesë në një banket të madh, simbol i të mirave që Mesia do të sjellë. Të ftuarit në tryezën e Zotit janë të fundit e shoqërisë, ata që nuk vlejnë fare, viktimat e urisë së bukës, të së vërtetës dhe të faljes.  Pikërisht këta do të jenë të mbushur nga Hyji. Por kjo shpresë ka nevojë për një vend ku të jetë shija e festës dhe gëzimi për të jetuar. Për ne ky vend është Kisha.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti. Në këtë mal Ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt. Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë. Dhe do të thuhet po atë ditë: “Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli, sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!” E për tokë do të shkelmohet në vend të vet Moabi, siç shkelmohet kashta në gropë të plehut. Fjala e Zotit

 

 

 

Psalmi  23

 

Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

————————————–

Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,

më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin. 

Ai më prin shtigjeve të drejta

në saje të dashurisë së Emrit të vet.

————————————–

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,

s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:

thupra jote dhe kërraba

për mua janë ngushëllim.

————————————-

Ti ma shtron tryezën përpara

Ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen,

gotën ma mbush plot e përplot.

————————————–

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit

derisa të jem gjallë.

—————————————

 

Leximi i dytë   Fil 4, 12-14.19-20

Shën Pali ka mësuar nga Krishti që të mos kushtëzohet nga mungesa dhe bollëku i gjërave materiale. Mungesa e këtyre gjërave të bën të kuptosh se cilët janë miqtë e tu të vërtetë. Filipianët, duke i dërguar Palit të burgosur gjithçka që kishte nevojë, i tregojnë se janë miqtë e tij të vërtetë. Ai i falënderon, duke u shpallur shpërblimin e premtuar nga Krishti atyre që ndihmojnë vëllezërit që janë në nevojë.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit drejtuar Filipianëve

Vëllezër, di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak! Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi! Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time. Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin. Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit t’ju japë Shpirtin e dijes, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mt 22, 1-14

Kjo shëmbëlltyrë e Jezusit paraqet shpëtimin, si një banket dasme. Të ftuarit e parë e refuzojnë, për kjo ftesa u bëhet disa të tjerëve. Kushti i vetëm është të kenë veshur veshjen e dasmës (vepra të mira). Ftesat janë komunikuar nga profetët dhe pastaj nga apostujt: por pak kanë qenë ata që i kanë pranuar. Judenjtë, duke ngulur këmbë për traditat e tyre kanë harruar thelbësoren dhe kanë humbur dhuratën e shpëtimit. Edhe Kisha, populli i ri i Hyjit, mund të humbë dhuratën e shpëtimit, nëse nuk angazhohet për të thirrur të gjithë njerëzit në banketin e Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati; i preva demat e mi e bagëtitë e majura! Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’ Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogj qytetin e tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’ Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar. Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: ‘Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.” Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Historia e njerëzve është si një festë dasme. Të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë në këtë festë, domethënë të vlerësojnë dhuratat e marra, për të qenë të lumtur, por shumë nuk e pranojnë.

Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet”. Mbretëria është si një festë që lind nga zemra e një Babai, që e do djalin e vet. Ajo nuk është një “gjë”, as një “vend”, por është një marrëdhënie dashurie që të çon drejt gëzimit dhe bashkimit. Festa është simbol i shpëtimit, e Jezusi inauguron festën e dasmës së Hyjit dhe të Birit të tij me njerëzimin.

Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet”. Shërbëtorët janë profetët e dërguar prej Hyjit popullit të Izraelit për të ripërtërirë besëlidhjen e tij të dashurisë. Sot janë ata që u çojnë të gjithë njerëzve të tokës ftesën e festës. Por ftesa e Hyjit për Izraelin është refuzuar e Hyji do ta braktisë Izraelin.

Dasma njëmend është gati”. Festa do të bëhet, për këtë Jezusi u drejton një ftesë të tillë të gjithë të tjerëve, mëkatarëve dhe të braktisurve, që do ta pranojnë. “Këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!”. Dashuria e Atit për Birin e vet i jep të drejtën të gjithëve të jenë të ftuar në banketin e shpëtimi. “Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar”. Duhet të veshim veshjen e dasmës (꞊ hiri i pagëzimit) që të mund të ulemi në tryezë sot e në amshim, në shtëpinë e Zotit. Veshja është simbol edhe i besnikërisë ndaj Hyjit në kryerjen e vullnetit të tij, sidomos të veprave të dashurisë vëllazërore.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Ati i thërret të gjithë në festën e amshuar në mbretërinë e Tij. Nuk mjafton të jesh i thirrur, por duhet të sjellësh veshjen e duhur që shpreh ndryshimin e mënyrës së të jetuarit sipas mësimeve të Ungjillit.

L. Të themi së bashku: Na jep, o Atë, Shpirtin tënd të Shenjtë.

L. Për Kishën, që të ndihmojë njerëzit e kohës së sotme, sidomos të rinjtë që të bëhen të varfër për Krishtin, që të lirë nga tundimi i parasë të provojnë gëzimin e dashurisë që dhurohet. Të lutemi.

Për ata që punojnë në radio-televizione, që të dinë se “në qoftë se nuk ka vend për Krishtin nuk ka vend as për njeriun”. Të lutemi.

L. Për ne të krishterët, që gjatë këtij muaji kushtuar misioneve, të mos mungojë pjesëmarrja jonë e vëmendshme dhe bujare, për një rritje njerëzore dhe të krishterë. Të lutemi.

L. Për ne të gjithë të bashkuar në emër të Krishtit, që nga Fjala dhe Eukaristia të marrim fuqinë për të qenë besnikë ndaj Zotit dhe të gatshëm për t’u shërbyer vëllezërve. Të lutemi.

M. Atë i mirë, Ti që na fton të gjithëve për të marrë pjesë në gëzimin e dasmës së Birit tënd na bëj lajmëtarë të dashurisë sate, që të gjithë njerëzit kudo të shpërndarë nëpër botë të bashkohen sa më shumë në banketin Tënd. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

«