“Fratelli tutti” – Të gjithë vëllezër (I)

Oct 10 • Res socialis, Uncategorized

Vështrime mbi Enciklikën më të re të Papa Françeskut

 

Nga Don Mikel Sopi

 

Kohë më parë, në portalin e Ipeshkvisë sonë Prizren-Prishtinë, «Drita», është paralajmëruar enciklika e re e Papa Françeskut, ndërsa më 4 tetor (në ditën e publikimit të saj) gjithashtu është paraqitur publikimi i këtij dokumenti.

Enciklika Fratelli tutti, është me karakter shoqëror ashtu si paraardhësja e saj Laudato si’. Në këtë dokument Papa Françesku flet mbi temat e vëllazërisë dhe miqësisë shoqërore në botë pas pandemisë së koronavirusit. Temat në dokument trajtojnë rrugët e tejkalimit të konflikteve të ndryshme personale dhe shoqërore si dhe rëndësinë e dialogut midis kulturave dhe besimeve fetare.

Titulli i enciklikës (Fratelli tutti që në fillim ishte bërë temë diskutimi për disa aspekte) është nxjerrur nga tekstet e Shën Françeskut nga Asizi dhe që mesazhi i tij paraqet një ftesë për gjithë njerëzit, që mes veti të trajtohen si vëllezër dhe motra.Megjithatë, shprehja Fratelli tutti, për dikë mund të krijojë edhe një lloj hutie; ngase si shprehje nuk është as e re dhe as e panjohur per ideologji dhe besime tjera. E veçanta e kësaj shprehje qëndron në përmbajtje: shkëlqimi i plotë dhe mirëfilli i kësaj shprehje qëndron në personin e Jezu Krishtit, në atë çka ai shpalli, jetoi dhe dëshmoi!

Pas 206 viteve, kjo është enciklika e parë që është nënshkruar jashtë Romës. Herën e fundit kjo u bë nga Papa Piu VII i cili nënshkroi enciklikën Il trionfo në qytetin italian të Cesena, në vitin 1814. (Në fakt edhe enciklika e parë e papa Bergoglio është nënshkruar jashtë Romës, por që u korrigjua më pas). Fratelli tutti menjëherë është botuar në tetë gjuhë të botës: anglisht, arabisht, frangjisht, gjermanisht, italisht, polonisht, portugalisht dhe spanjollisht.

 

Struktura e enciklikës

Megjithëse për temat dhe përmbajtjen e enciklikës do të flasim në vazhdime tjera, tani po e hedhim një shiqim të shkurtër mbi kapitujt e këtij dokumenti. Tutti fratelli është e ndarë në një hyrje të shkurtër dhe tetë kapituj, me 287 paragrafë apo numra dhe me 288 referenca apo citate. E tërë enciklika përmban shumë fragmente nga fjalimet, letrat dhe dokumentet e Papa Françeskut mbi vëllazërinë dhe miqësinë shoqërore midis njerëzve, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare, racore, fetare ose ideologjike.

Kreu i parë është i titulluar: Hijet e një bote të mbyllur, në të cilin kapitull, siç shprehet Papa, nuk pretendon të kryej ndonjë analizë shteruese ose të marr në konsideratë të gjitha aspektet e realitetit në të cilin jetojmë, por që propozon t’i kushtohet vëmendje disa trendeve të botës aktuale që pengojnë zhvillimin e vëllazërisë universale.

Kreu i dytë është titulluar: Një i huaj në rrugë, thirret në tregimin e samaritanit të mirë nga Ungjilli i Lukës (10, 25-37). Papa vë në dukje, siç shprehet: gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e njerëzve të ditëve tona, veçanërisht të varfërve si dhe nevojën e mirëkuptimit, të altruizmit dhe të kujdesit tonë për fatin e vëllezërve dhe motrave pa dallim. Në këto virtyte jemi të ftuar të gjithë, pavarësisht nga bindjet tona fetare.

Në kreun e tretë me titull: Mendimi dhe krijimi i një bote të hapur, Ati Shenjtë vë në dukje nevojën e patjetërsueshme te bashkpunimit mes njerëzve dhe kulturave. Njeriu i ditëve tona ndodhë që mos ta kuptojë vetveten, të mos zhvillohet dhe të mos e gjejë plotësinë e tij. Njeriu nuk arrin ta njohë plotësisht të vërtetën e tij përveçse në takimin me të tjerët, njeriu komunikon me veten e vet në atë masë, vetëm sa në të vërtetë komunikon me tjetrin (nr. 87). Këtu edhe qëndron një sekret i ekzistencës autentike njerëzore, sepse “jeta ekziston atje ku ka lidhje, bashkësi, vëllazëri; dhe është një jetë më e fortë se vdekja kur ndërtohet mbi marrëdhënie të vërteta dhe lidhje besnikërie. Përkundrazi, nuk ka jetë ku dikush pretendon se i përket vetëm vetvetes dhe se jeton si një lloj ishulli. Ne jemi krijuar për dashuri dhe ka në secilin prej nesh një lloj ligji të daljessonë nga vetja për të gjetur tek të tjerët një rritje të qenies sonë.

Në kreun e katërt, Nje zemër e hapur në tërë boten, fillon jo nga një abstraksion por nga fakti se si qenie njerëzore ne të gjithë jemi vëllezër dhe motra. Kur fqinji është migrant… shtohen pyetjet dhe lindin kontestimet. Pa dyshim se ideale do të ishte shmangia e migrimit të panevojshëm dhe për këtë qëllim rruga është që të krijohet në vendet e origjinës mundësia konkrete për të jetuar dhe rritur me dinjitet, në mënyrë që aty të gjenden kushtet për zhvillimin integral të dikujt. Por, për aq kohë sa nuk ka progres serioz në këtë drejtim, është detyra jonë të respektojmë të drejtën e çdo njeriu për të gjetur një vend ku ai jo vetëm të plotësojë nevojat e tij themelore dhe të familjes së tij, por edhe të përmbushë veten plotësisht si person. Përpjekjet tona drejt migrantëve të ardhur, vlerëson papa Bergoglio, mund të përmblidhen në katër folje: mirëseardhja, mbrojtja, promovimi dhe integrimi.

Në kreun e pest, në përpjekje për të arritur tek politika më e mirë e mundshme, Papa potencon nevojën e zhvillimit të një komuniteti botëror, të aftë për të realizuar vëllazërimin, duke filluar nga popujt dhe kombet që jetojnë miqësi shoqërore. Ndërsa qëllim i këtij komuniteti të përbashkët botëror, duhet të jetë në shërbimidrejt të mirës së përbashkët. Për fat të keq, megjithatë, politika sot shpeshëherë merr forma që pengojnë rrugën drejt një bote tjetër. E mira e përbashkët – edhe kësaj radhe i veçon Papa – medoemos duhet t’i përfshijë më të dobëtit dhe të respektojë kulturat e ndryshme.

Në kreun e gjashtë, pashqyrohen përsiatjet për dialog dhe miqësi shoqërore. Dialogu dhe miqësia sociale, duhet të krijojë dispozita për një kulturë të re të dialogut dhe bashkëjetesës ndërnjerëzore, ndërfetare dhe ndërkombëtare. Këtë kulturë të re duhet ndërtuar së bashku, duke i përfillur nevojat dhe interesat e përbashkët të të gjithëve, duke patur parasysh që rregullat moral t’i vendosin jo të fuqishmit, por e vërteta objektive. 

Kreu i shtetë i enciklikës Fratelli tutti, shqyrton zhvillimet për një takim të ri, që do të nënkuptonte fillimin e një procesi për shërimin e plagëve të ndryshme. Shërimi i palgëve në shumë pjesë të botës, duhet filluar nga e vërteta. Takim i ri nuk do të thotë kthim prapa në një kohë para konflikteve (nr. 228). Me kalimin e kohës të gjithë kemi ndryshuar, ngase dhimbja dhe kundërshtimi na kanë transformuar, na kanë bërë më të pasur me përvoja. Nga ana tjetër, procesi i paqes kërkon kohë. Paqa duhet të jetë bindje e njerëzve dhe jo imponim apo ndonjë formë e manipulimit. Marrëveshjet e paqes në letër kurrë nuk janë të mjaftueshme, por që është e nevojshme të shkohet më tej, deri tek origjina e krizës.

Në kreun e tetë, Bergoglio potencon idenë se besimet fetare duhet vërë në shërbim të vëllazërmit në nivel botëror. Pikënisje e këtij qëllimi duhet të jetë njohja e vlerës së çdo personi njerëzor si një krijesë e thirrur, si një bir apo bijë e vet Zotit. Dialogu midis njerëzve me fe të ndryshme nuk bëhet vetëm nga diplomacia, mirësjellja ose toleranca. Por se, qëllimi i dialogut është vendosja e miqësisë, paqes, harmonisë dhe ndarja e vlerave dhe përvojave morale dhe shpirtërore në një frymë të së vërtetës dhe dashurisë. Pa një hapje të sinqertë ndaj Atit të të gjithëve, nuk mund të ketë arsye të qëndrueshme për vëllazërim, vetëm arsyeja është në gjendje të kuptojë barazinë midis njerëzve dhe të vendosë një bashkëjetesë qytetare midis tyre.

Realiteti njerëzorë është i thadrruar në hyjnoren. Nëse nuk ka të vërtetë transcendente (mbinatyrore) njeriu është i mangët në identitet dhe në dinjitet dhe në këtë mënyrë nuk ka asnjë parim të sigurt që garanton marrëdhënie të drejta midis njerëzve. Nëse e vërteta transcendente nuk njihet, vazhdon Papa, atëherë forca e pushtetit triumfon dhe secili tenton të përdorë plotësisht mjetet që ka në dispozicion për të imponuar interesin ose mendimin e vet, pavarësisht nga të drejtat e tjetrit.

Pas një apeli të përgjithshëm për mirëkuptim, Papa Françesku, krejt në fund të enciklikës i sjell dy lutje: njërën drejtuar Hyjit Krijues, tjetra përmbanë lutjen ekumenike dhe të dialogut krishterë. Po i sjellim tekstet e dy lutjeve shumë përmbajtësore që përmbyllin encikilikën Fratelli tutti:

 

Lutja e Krijuesit

Zot dhe Atë i njerëzimit,

që i keni krijuar të gjitha qeniet njerëzore me të njëjtin dinjitet,

rrënjos një shpirt vëllazëror në zemrat tona.

Na frymëzon me ëndrrën e një takimi të ri, të dialogut, të drejtësisë dhe paqes.

Na stimulo për të krijuar një shoqëri më të shëndetshme dhe një botë më të denjë,

pa uri, pa varfëri, pa dhunë, pa luftëra.

Zemra jonë iu hapet

të gjithë popujve dhe kombeve të tokës,

për të njohur të mirën dhe bukurinë

që keni mbjellë në secilën prej tyre,

për të krijuar lidhje uniteti, të projekteve të përbashkëta,

të shpresave të përbashkëta. Amen

 

Lutja ekumenike e krishterë

Zoti ynë, Trinia e dashurisë,

nga bashkësia e fuqishme e intimitetit hyjnor

derdhe lumin e dashurisë vëllazërore mes nesh.

Na jep dashurinë që ndodhi në gjestet e Jezusit,

në familjen e tij të Nazaretit dhe në komunitetin e parë të krishterë.

Na jep ne të krishterëve që ta jetojmë Ungjillin

dhe për ta njohur Krishtin në çdo qenie njerëzore,

për ta parë atë të kryqëzuar në ankthin e të braktisurve

dhe të harruarit e kësaj bote

dhe u ngrit në çdo vëlla që ngrihet në këmbë.

Eja o Shpirt i Shenjtë! Na trego bukurinë tënde

reflekto në të gjithë popujt e tokës,

për të zbuluar se të gjithë janë të rëndësishëm,

që të gjithë janë të nevojshëm, se ata janë fytyra të ndryshme

të të njëjtit njerëzim të dashur nga Zoti. Amen./drita.info

 

– V a zh d o n – 

Shpërndaje

Comments are closed.

«