Dy fjalë mbi përmbledhjen me studime “Gjurmime filologjike mbi latinitetin dhe shkrimet e vjetra shqipe” të Prof. As. Dr. Evalda Pacit  

Oct 11 • Kulturë, Letërsi

Nga Prof. Dr. Mimoza Priku

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

 

Autorja Evalda Paci ka përmbledhur disa kontribute të realizuara në vitet e fundit të kërkimeve të saj në dy fusha të rëndësishme studimore, që kanë të bëjnë si me gjurmime mbi latinitetin dhe çështje të mësimdhënies së gjuhës latine në nivele universitare dhe pasuniversitare, ashtu dhe me shkrimet e vjetra shqipe, në veçanti me disa vepra që prej vitesh janë objekt i punës së saj studimore. Siç e thekson dhe vetë autorja në parathënien me të cilën është paraprirë shtjellimi i kësaj lënde, një pjesë e mirë e këtyre kontributeve është përvijuar në proces të angazhimit të saj me mësimdhënien e gjuhës latine në degë të veçanta studimi në Universitetin e Shkodrës, një përvojë që ajo është përpjekur ta konkretizojë dhe në pasqyrimin e shkrimeve konkrete që janë vendosur në pjesën e parë të kësaj lënde. Janë trajtuar kësisoj punime që të botuara në dekadat e para të shekullit të kaluar dhe të paracaktuara për një përdorim funksional në nivele shkollore në arsimin shqiptar të kohës, ruajnë dhe në ditët e sotme vlerën e doracakëve që i shërbejnë më së miri gramatologut, mësimdhënësit të gjuhës e të kulturës latine në universitetet shqiptare, studiuesit që kërkon të rindërtojë një panoramë diakronike në drejtim të studimeve që janë përpiluar në kohë në lidhje me studimet mbi latinitetin dhe pasqyrimin e tij në shkollat tona në vitet e kaluara. Një synim i tillë është konkretizuar në disa shkrime të kësaj përmbledhjeje, duke u shtrirë dhe në një trajtesë që ka objekt të vetin përkthimet e klasikëve nga bota greke e romake në të përkohshme kulturore të kohës, pikërisht në një kohë të përafërt me botimin e gramatikave latine të ndërmendura në shkrimet e mëparshme të cituara. Një linjë e tillë studimi është ndjekur nga autorja dhe vite më parë, duke u konkretizuar në kontribute që kanë parë dritën e botimit dhe në revista shkencore të botuara jashtë Shqipërie, apo dhe në botime në grupe autorësh që kanë pasur të njëjtën tematikë studimi. Elementet latine dhe latino-romane që bëjnë të mundur që të qasen mes tyre kultura dhe gjuhë të afërta në disa pikëpamje, qofshin dhe gjeografike janë trajtuar në një syth më vete të kësaj përmbledhjeje, duke bërë të mundur të rimerren dhe kontribute themelore në fushë të studimit të gjuhësisë së krahasuar dhe asaj romane. Kjo e fundit bëhet natyrshëm objekt studimi në këtë shkrim të autores duke qenë rumanishtja një gjuhë neolatine e përvijuar në një substrat të veçantë në shumë pikëpamje e që ka bërë të mundur realizimin e mjaft kontributeve që kanë përfshirë siç e dimë dhe albanologë e ballkanologë të mirënjohur, jo vetëm latinistë dhe studiues të gjuhësisë e të filologjisë romane. Gjurmimet mbi autorë të letërsisë së vjetër shqipe janë prej vitesh objekt i kërkimeve të autores Evalda Paci, që ka parë të arsyeshme të bëjë pjesë të kësaj lënde dhe disa kontribute që kanë në qendër të vëmendjes si letërsinë e vjetër shqipe si objekt i studimeve ndërdisiplinore, ashtu dhe vepra të veçanta që kanë tërhequr me vite vëmendjen e gjurmuesve të filologjisë së tekstit dhe të kësaj periudhe të veçantë të zhvillimit të shkrimit shqip. Një vepër komplekse në shumë pikëpamje mbetet Meshari i Gjon Buzukut, i njohur për natyrën aspak të thjeshtë të ndërtimit dhe të përmbajtjes, që ka bërë të mundur të kërkohet gjatë si për mundësinë e gjetjes së ekzemplarëve të ngjashëm me të, si për modele të arsyetimit të lëndës që përmbahet në të. Mbetet kjo e sipërcituara një pistë përherë për t’u ndjekur dhe nga autorja, duke qenë e domosdoshme për t’u sqaruar dhe mundësia e ekzistencës së një ekzemplari të vetëm për një vepër kaq unike, si libri i Buzukut.

Ky libër është një pikënisje për shumë studime e vëzhgime, ndër të cilat linja e qasjes me të tjera vepra të së njëjtës traditë është ndër më të rëndësishmet dhe më frytdhënëset për shumë drejtime studimi. Një linjë e tillë pasqyrohet dhe në një nga kontributet që përmbahen në këtë përmbledhje e që ka të bëjë me leksikun e liturgjisë në veprat e letërsisë së vjetër shqipe, me vëmendje të përqendruar te përdorimi sintetik Zotynë e te pasqyrimi i tij në këto vepra (shih dhe artikullin përkatës të Pacit në Hylli i Dritës, n. 3-4, 2014, f. 129-139). Ky studim më vete i autores, i rimarrë dhe në vijimësi në gjurmime të mëtejshme të saj, ka qëllim të nënvizojë dhe rëndësinë që paraqet dhe në ditët e sotme gjurmimi tekstologjik në lidhje me përdorime të veçanta në veprat e letërsisë së vjetër shqipe. Qasen mes tyre autorë si Gjon Buzuku dhe Pjetër Bogdani, ky i fundit dhe në optikën e një vështrimi të vëmendshëm që bën të mundur të vlerësohet sërish larmia e përdorimeve në fushë të liturgjisë dhe dhe të leksikut të teologjisë së krishterë. Kontribute që kanë objekt të vetin vështrimin tekstologjik në lidhje me pjesë të veçanta të librit të Gjon Buzukut dhe në veçanti një element mjaft domethënës për studimet në lidhje me të si kolofoni apo pasthënia, janë vendosur në pjesën e fundit të përmbledhjes, duke pasuar njëri-tjetrin në pikëpamje vijimësie. Është treguar vëmendje si ndaj faktit që duhej paraqitur vijimësia e gjurmimeve në lidhje me këtë argument, bashkë me terminologjinë përkatëse që e karakterizon atë nga një studiues në tjetrin, ashtu dhe ndonjë vërejtje mbi elemente të veçanta të përmbajtjes së kësaj pjese përmbyllëse të librit të Gjon Buzukut. Autorja ka përfshirë si kontribut më vete dhe një trajtesë të zgjeruar mbi mbiemrin e panyjshëm në këtë libër, duke u përpjekur dhe të realizojë qasje me ndonjë realizim të mëvonë në kohë në të cilin dhe pasqyrohen gjedhe më të veçanta të përdorimit të mbiemrit të panyjshëm në gjuhën shqipe e më në veçanti në vepra me referencë të qartë ndaj tekstit biblik dhe atij liturgjik. Mbiemri i panyjshëm mbetet një klasë që mund të trajtohet akoma më gjerësisht në studimet tona, në veçanti të morfologjisë historike të shqipes, por dhe aspekti semantik në ndonjë rast është një tjetër drejtim në të cilin mund të kryhen vëzhgime. Vëmendjen ndaj kësaj kategorie të rëndësishme jo vetëm morfologjike kolegia Paci e ka dëshmuar në artikuj të veçantë të botuar në Hyllin e Dritës (n. 1, 2010), por dhe me një punim monografik të përqendruar pikërisht mbi aspekte të gjurmimit në disa aspekte të klasave mbiemërore në shqipen e vjetër e më konkretisht në Mesharin e Gjon Buzukut (Evalda Paci: Sistemi mbiemëror në Mesharin e Gjon Buzukut, Botimet Albanologjike, Tiranë, 2011). Aparati bibliografik që lidhet me këtë lëndë të trajtuar bën të mundur të ricitohen dhe kontribute në fushë të filologjisë së tekstit, dhe në veçanti të filologjisë së studimit të tekstit biblik në shqipe dhe në gjuhë të tjera.

Përgëzojmë ngrohtësisht autoren dhe kolegen e çmuar Paci dhe për iniciativën e botimit të kësaj lënde studimore dhe i urojmë realizimin me sukses të saj./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«