Famullia e Shën Abrahamit në Llapushnik kremtoi 4-vjetorin e shugurimit të Kishës 

Oct 12 • Kisha në Kosovë

Të premten, më 9 tetor 2020, në ditëfestën liturgjike të Abrahamit patriark – atit të gjithë popujve, me një meshë solemne, Famullia e Llapushnikut, shënoi katër vjetorin e shugurimit të Kishës.

Para meshës, besimtarëve të pranishëm iu drejtua famullitari Don Shtjefën Dodes, i cili ju uroi mirëseardhje të gjithë shtegtarëve që e kishin mbushur Kishën e bukur të Llapushnikut, duke vazhduar me shpjegimin e shkurtër të historikut të famullisë të Llapushnikut, e posaçërsiht duke e kujtuar ditën e paharruar të shugurimit të saj para 4 vjetëve, saktësisht më 9 tetor 2016, kur ipeshkvi ynë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, bashkë me dhjetra meshtarë e mijëra besimtarë e dashamirë, vulosi një periudhë e re të jetës kishtare në këtë kodër të Llapusnikut.  Falënderojmë Zotin për këto katër vite – tha famullitari – dhe e lusim Atë që besimtarët e kësaj famullie t’i përngjajnë Shën Abrahamit, për të vazhduar jetën me Zotin. Në këtë kodrinë të Llapushnikut, prej nga kambana thërret që t’i bashkohemi këtij tempulli për ta dëshmuar dhe për të jetuar me fenë tonë, i përgëzojmë besimtarët e famullisë dhe urojmë që të jenë shembull për të tjerët, për të marr guximin të dëshmojnë publikisht përkatësinë e tyre të krishterë.

Meshën solemne të festës e kryesoi famullitari i Budisalcit, Don Ndue Ballabani, në bashkëmeshim me meshtarët të tjerë të Dioqezës sonë, kryesisht nga Dekanati i Prishtinës dhe ai i Pejës.  

Në homelinë e tij Don Ndou, tha se Abrahami është një person kompleks, si një shkollë, dhe ka shumëçka për të na thënë edhe neve sot. Ai ishte një njeri, i dashuruar fort në Zotin, prandaj edhe i besonte Zotit edhe kur nuk arrinte të kuptonte kërkesat e tij.

Bindja e tij ndaj zërit të Zotit – tha predikatari – është shembull edhe për ne, se si t`i besojmë udhëheqjes së Krijuesit tonë, edhe kur e ardhmja duket e panjohur. Ai është shembull i shkëlqyer si jetët tona duhet me i lëshua në dorën e Zotit, si me ia besua krejtësisht udhëheqjes së tij. 

Shën Abrahami, pikërisht pse ishte i dashuruar në Zotin,- tha Don Ndue Ballabani – e kishte  guximin të merrte rrugën në drejtim të panjohur që Ai do t`ia tregonte. Zoti e shpërbleu, duke i dhuruar hire e bekime për të e për pasardhësit e tij. Don Ndou vuri në dukje që Zoti sikurse e ka shpërblyer besnikërinë e Shën Abrahamit edhe sot, të kemi besim se do ta shpërblejë me hire e bekime besnikërinë e besimtarëve të Llapushnikut dhe mbarë popullit tonë për një të ardhme të ndritshme.

Shën Abrahami është mësues i durimit – ishte njëra ndër pikat e homelisë – këtij virtyti të rëndësishëm të jetës së krishterë. Ai diti – u thksua – të mbetet besnik e i durueshëm për lejuar Zotit që ta realizojë planin e tij me të. Edhe në këtë përmasë të jetës së tij, Abrahami mbetet sot një mësues i madh i durimit dhe i besnikërisë së Zotit, se Ai do të kryej më të mirën në ne dhe në shoqërinë tonë.

Abrahami patriak, ati i fesë, ndërmjetësoftë për të gjithë ne, e posaçërisht për banorët e kësaj treve të dashur të Drenasit!/drita.info

Përgatiti: Ismet Sopi

Shpërndaje

Comments are closed.

«