Krishti, shenja e të gjitha shenjave

Oct 12 • Meditimi i ditës

12 tetor 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gal 4, 22-24.26-27.31 – 5, 1; Ps 113, 1-5a.6-7; Lk 11, 29-32)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

duke më nxitur butësisht në gjërat që janë të mira.

Lus për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit Shenjt që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 11, 29-32

 

29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë:

“Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni! 32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Njerëzit i kërkonin, të gatshëm për të vënë re ndonjë shenjë të veprimit hyjnor, të zellshëm për të gjetur ndonjë provë se Jezusi është me të vërtetë i tillë siç paraqitej. Por problemi ishte se ata e kërkonin këtë së jashtmi.
  • Jezusi na thërret që të bëhemi të ndjeshëm ndaj veprimit të Hyjit në ne. Na thërret që të rrimë zgjuar, të jemi vigjilentë, të vëmendshëm që të perceptojmë. Na jep Shpirtin Shenjt për të na ndihmuar që ta njohim se ku është duke vepruar Hyji në zemrat tona. Shenjat rreth nesh mund të na konfirmojnë atë që Hyji është duke na mësuar, por ato nuk janë të vetmet gjëra mbi të cilat mund të mbështetemi.
  • Kur e përmend “mbretëreshën e jugut” Jezusi na kujton se mbretëresha e Sabës kishte ardhur të konsultohej me Solomonin (1 Mbretërve 10, 1-5). Nëse një njeri i pasur dhe i fuqishëm kishte qenë në gjendje ta dallonte se si Hyji po vepronte në Salomonin do ta pyes veten se  çka po më pengon mua për ta pranuar plotësisht fjalën e Jezusit në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi

Njerëzit vinin te Jezusi duke kërkuar shenja. Ai krahasohet me Solomonin dhe Jonën – ata ishin njerëz të cilët ishin shenjat e Hyjit në kohën e tyre. Por Jezusi flet me një autoritet më të madh se ata.

Cilat shenja në jetë të çojnë te Jezusi? Kush janë këshilltarët e tu dhe zërin e kujt e dëgjon kur mendon për një kuptim më të thellë të jetës?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ninivitët u nxitën të ktheheshin dhe të pendoheshin nga shenja e Jonës profet, të cilët e njohën si fjalën autentike të Zotit. Zoti më vonë e dërgon Birin e tij në botën tonë si shenjën supreme dhe të fundit të dashurisë së tij për ne.

Ti, o Zot Jezus, je shenja e të gjitha shenjave. Ata që vazhdojnë të kërkojnë përreth e pyesin veten se a të kanë parë vërtet. Tek ti gjej gjithçka më duhet që të jem njeri i plotë dhe të gjej destinacionin tim tek Zoti. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«