Lumnimi i Carlo Acutis: I pari milenial i shpallur i lumë

Oct 12 • Kisha në botë

Nga Courtney Mares, CNA

 

Me lumnimin e Carlo Acutis në Asizi këtë të shtunë (10 tetor 2020), Kisha Katolike për herë të parë do ta ketë  “të lumë” dikë që e donte ‘Super Mario’ dhe ‘Pokemon’, por jo aq sa e donte praninë e vërtetë të Jezusit në Eukaristi.

“Të jem gjithmonë i bashkuar me Jezusin, ky është programi im i jetës”, shkroi Carlo Acutis në moshën shtatë vjeçare.

I riu italian, mjeshtër kompjuterik, i cili vdiq nga leukemia në moshën 15 vjeçare, duke ofruar vuajtjet e tij për Papën dhe Kishën, u shpall i lumë më 10 tetor në një Meshë në Bazilikën e Shën Françeskut të Asisit.

I lindur në vitin 1991, Acutis është i pari milenial i shpallur i lum nga Kisha Katolike. Tinejxheri, i cili kishte zotësi të madhe për programim kompjuterik, tani është afër kanonizimit.

“Që kur ishte fëmijë… ai e kishte shikimin e drejtuar kah Jezusi. Dashuria për Eukaristinë ishte themeli që e mbajti gjallë marrëdhënien e tij me Zotin. Ai shpesh thoshte ‘Eukaristia është autostrada ime për në parajsë,’ tha Kardinali Agostino Vallini në homelinë e lumnimit të tij.

“Carlo ndjeu nevojën e fuqishme për t’iu ndihmuar njerëzve që ta zbulonin se Zoti është afër nesh dhe se është e bukur të jesh me të dhe ta shijosh miqësinë dhe hirin e tij,” tha Vallini.

Gjatë meshës së lumnimit, prindërit e Acutis-it bartën në procesion një relikt të zemrës së birit të tyre, i cili qe vendosur afër altarit. Letra apostolike e Papa Françeskut u lexua publikisht, në të cilën Papa deklaroi se festa e Carlo Acutis do të festohet çdo vit më 12 tetor, në përvjetorin e vdekjes së tij në Milano, në vitin 2006.

Shtegtarët me maska u shpërndanë përpara Bazilikës së Shën Françeskut dhe nëpër sheshe të ndryshme në Asisi për ta ndjekur Meshën në ekranet e mëdha, sepse vetëm një numër i kufizuar i njerëzve u lejuan të hynin brenda.

Lumnim i Acutis-it bashkoi rreth 3,000 njerëz në Asizi, duke përfshirë edhe ata që personalisht e njihnin dhe shumë të rinj e të reja të tjerë të frymëzuar nga dëshmia e tij.

Mattia Pastorelli, 28 vjeç, ishte mik i fëmijërisë së Acutis-it, i cili e takoi për herë të parë kur të dy ishin rreth moshës pesë vjeçare. Ai kujton kohën e kaluar me Carlon luanin video lojëra, përfshirë lojën ‘Halo’ (aureola). (Nëna e Acutis-it tha për CNA se ‘Super Mario’ dhe ‘Pokemon’ ishin të preferuarat e tij.)

“Ta kesh një mik, i cili do të bëhet shenjt është një emocion shumë i çuditshëm,” i tha Pastorelli CNA-së më 10 tetor. “E dija se ai ishte ndryshe nga të tjerët, por tani e kuptoj se sa i veçantë ishte”.

“E pashë atë ndërsa programonte faqet e internetit… Ishte me të vërtetë një talent i jashtëzakonshëm,” shtoi ai.

Në homelinë e tij, Kardinali Vallini, legati papnor për Bazilikën e Shën Françeskut, e quajti Acutis-in një model se si të rinjtë mund ta shfrytëzojnë teknologjinë në shërbim të Ungjillit, për të “arritur sa më shumë njerëz që është e mundur dhe për t’u ndihmuar që ta njohin bukurinë e miqësisë me Zotin.”

Për Carlon, Jezusi ishte “fuqia e jetës së tij dhe qëllimi i gjithçkaje që bëri”, tha kardinali.

“Ai ishte i bindur se dashuria dhe mirësia ndaj njerëzve kanë nevojë për ndihmën që vjen prej Zotit. Në këtë frymë ai ishte shumë i përkushtuar ndaj Zojës së Bekume”, shtoi ai.

“Dëshira e tij e zjarrtë ishte që të tërhiqte sa më shumë njerëz kah Jezusi, duke e bërë veten lajmëtar të Ungjillit, mbi të gjitha me shembullin e jetës.”

Në moshë të re, Acutis mësoi programimin dhe krijonte faqe në internet që katalogonin mrekullitë Eukaristike dhe shfaqjet e Marisë Virgjër që kanë ngjarë nëpër botë.

“Kisha gëzohet, sepse në këtë të Lumë shumë të rinj përmbushen fjalët e Zotit: ‘ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt’. Dhe Carlo ‘shkoi’ dhe solli frytin e shenjtërisë, duke e dëshmuar si një cak të arritshëm nga të gjithë e jo si diçka abstrakte dhe të rezervuar vetëm për disa”, tha kardinali.

“Ai ishte një djalë i zakonshëm, i thjeshtë, spontan, i pëlqyeshëm… ai e donte natyrën dhe kafshët, luante futboll, kishte shumë miq të moshës së tij, joshej nga mjetet moderne të komunikimit shoqëror, i pasionuar pas shkencës kompjuterike, dhe si autodidakt, ndërtoi faqe në internet për ta transmetuar  Ungjillin, për t’i komunikuar vlerat dhe bukurinë”, tha ai.

Asizi festoi lumnimin e Carlo Acutis-it me më shumë se dy javë me aktivitete të ndryshme liturgjike dhe organizime tjera (1-17 tetor). Gjatë kësaj kohe, fotografitë e të riut Acutis, që e paraqitnin atë duke qëndruar me një monstracë gjigante që mbante eukaristinë, ishin të ekspozuara para kishave nëpër gjithë qytetin e Shën Françeskut dhe Shën Klarës.

Njerëzit qëndruan në radhë për t’u lutur para varrit të Carlo Acutis, që ndodhet në Shenjtëroren e në Zhveshjes në Asizi, që gjendet në Kishën e Shën Mërisë së Madhe. Kisha zgjati orarin e hapjes deri në mesnatë, gjatë gjithë fundjavës së lumturimit, për të lejuar sa më shumë njerëz që të mund të nderojnë Acutis, duke i mbajtur masat e distancës sociale të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Atë Boniface Lopez, një kapuçin françeskan pranë kishës, tha për CNA-në se vuri në dukje shumë njerëz që vizituan varrin e Acutis, të cilët edhe e shfrytëzuan rastin për t’u rrëfyer, që mund bënin në shumë gjuhë, gjatë 17 ditëve derisa trupi i Acutis është i ekspozuar për nderim.

“Shumë njerëz po e vizitojnë Carlo-n për të kërkuar bekimin e tij… gjithashtu edhe shumë të rinj; ata vijnë për rrëfim, vijnë sepse duan të ndryshojnë jetën e tyre dhe dëshirojnë t’i afrohen dhe ta përjetojnë vërtet Zotin “, tha Atë Lopez.

Në lutjen e vigjiljes për të rinj, në mbrëmjen para lumnimit, shtegtarët u mblodhën jashtë Bazilikës së Asizit të Shën Mërisë së Engjëjve, ndërsa meshtarët ishin brenda për të rrëfyer.

Kishat në të gjithë Asizin ofruan orë shtesë të Adhurimit Eukaristik për të shënuar lumturimin e Acutis.

Atë Lopez tha se kishte hasur gjithashtu edhe shumë murgesha dhe priftërinj që shtegtonin për ta nderuar Acutis. “Rregulltarët vijnë këtu për të marr bekimin e tij që t’iu ndihmojë atyre për të ushqyer një dashuri më të madhe për Eukaristinë.”

Siç tha Acutis një herë: “Kur ekspozohemi në diell marrim ngjyrë… por kur qëndrojmë para Jezusit në Eukaristi bëhemi shenjtër”./drita.info

Burimi: www.catholicnewsagency.com

Përkthimi: Gj. T.

Shpërndaje

Comments are closed.

«