A mos je i/e mbërthyer në liri?

Oct 13 • Meditimi i ditës

13 tetor 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gal 5, 1-6; Ps 119, 41.43-45.47-48; Lk 11, 37-41)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti, kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të dua ty sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do

I vështroj të gjitha gjërat që më ka ndodhur ditën e kaluar,

Nga momenti i tashëm në mënyrë retrospektive, hap pas hapi.

E sjell në mend gjithë atë çka ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe falënderoj për këtë.

I vërej edhe hijet/anët e dobëta dhe e pyes veten çfarë më flasin; lus për shërim, përforcim, falje.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Gal 5,1-6

 

1 Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë!

2 Ja, unë, Pali, po ju them: në qoftë se rrethpriteni, Krishti më s’do t’ju vlejë asgjë! 3 Përsëri dua t’ju vë në dijeni: çdo njeri që rrethpritet, e detyron vetveten ta zbatojë mbarë Ligjin. 4 I këputët marrëdhëniet me Krishtin, ju që e themeloni shfajësimin në Ligj: keni rënë nga hiri. 5 Sepse ne nëpër Shpirtin Shenjt e presim me anë të fesë drejtësinë që e shpresojmë. 6 E njëmend, në Jezu Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por ‑ feja që vepron me dashuri.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Disa nga hebrenjtë që u bënë të krishterë ishin (akoma) më tepër të lidhur me rrethprerjen. Ata mendonin se çdo njeri që u bë i krishterë duhet t’i nënshtrohej procedurës për të përmbushur ligjin hebre. Pali nuk ka asgjë prej saj. Pikëpamja e tij është se kjo nuk është e nevojshme për të qenë një ndjekës i Krishtit. E rëndësishme është feja që vepron përmes dashurisë. Pali shpesh e vë besimin në Krishtin kundër besimit në përpjekjet tona për vetë-shfajësim. Hiri është një dhuratë falas dhe jo diçka që ne e fitojmë. Kaloje një moment duke e lënë Zotin të të dojë ashtu siç je …
  • Për Shën Injacin, ashtu si për Palin, dashuria e Zotit e treguar në Krishtin është gjithmonë e para. Fryti i kësaj dashurie është mirënjohja dhe një dëshirë bujare për t’iu përgjigjur. Si përshtatet kjo ide me “fenë e Palit që vepron me dashuri”?
  • A e shoh nganjëherë veten duke u përpjekur ta fitoj dashurinë e Zotit? Merre parasysh nëse kjo mënyrë e të menduarit ndonjëherë funksionon tek ti …
  • Duke e dëgjuar përsëri fragmentin biblik, shiko nëse mund ta kuptosh teologjinë e Palit për hirin.

 

Bashkëbisedimi

Te secili prej nesh ekziston një farise, i vogël apo i madh, i cili preferon pastrimin e jashtëm të kupës sesa pastrimin e brendshëm të lakmisë dhe ligësisë. Mënyra e vetme për ta zgjidhur këtë është ta bësh lutjen tënde si atë të lutjes së tagrambledhësit në Tempull: “Ki mëshirë për mua, se jam mëkatar”.

Çka po dëshiron Zoti që të ta zbulojë sot përmes lutjes?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty. Liria e vërtetë është një dhuratë e mrekullueshme. Shumë lehtë mund të biesh në grackën e të jetuarit vetëm sipas pritjeve të të tjerëve. Atëherë nuk e zhvillojmë jetën tonë të brendshme që na ndihmon që mos të jetojmë thjesht duke iu përshtatur rrethanave që shihen përjashta.

O Zot, ma jep dhuratën e vërtetë të lirisë së brendshëm, sepse vetëm prej saj dalin vendime të mira. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim,

ashtu tash e përgjithmonë e jetës.

Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«