Fratelli tutti – Të gjithë vëllezër II – Vështrime mbi Enciklikën më të re të Papa Françeskut

Oct 17 • Kisha në botë, Res socialis

Nga Don Mikel Sopi

 

Tetë vjet pas zgjedhjes së tij, papa Françesku shkruan këtë enciklikë të re, e cila përfaqëson pikën e bashkimit të një pjese të madhe të mësimit të tij. Në fakt vëllazëria ishte tema e parë të cilës papa Bergoglio iu referua kur filloi papatin e tij, kur ai me përvujtëri, para masës së tubuar në Sheshin e Shën Pjetrit u paraqit si bari i ri në krye të Kishës Katolike. Që atëherë ai përcaktoi, madje edhe marrëdhëniet ipeshkëv-popull si një “rrugë vëllazërie” duke shprehur njëherit këtë dëshirë: Gjithmonë të lutemi për veten tonë, të lutemi për njëri-tjetrin. Të lutemi për gjithë botën, që të ketë një vëllazërim të madh.

Siç është bërë e ditur, titulli i enciklikës është një citim i drejtpërdrejtë nga aktet e Shën Françeskut (Ammonizioni di san Francesco, Fratelli tutti) dhe kjo tregon një vëllazëri që shtrihet jo vetëm mes qenieve njerëzore, por që efektet e saja shprehen edhe më gjerë: në tokë, në natyrë… duke dëshmuar kështu kontinuitetin dhe harmoninë e plotë me enciklikën e mëhershme të tij  Laudato si’.

 

Problematikat, temat e trajtuara

Para se t’i qasemi në mënyrë kronologjike enciklikës Fratelli tutti (tash e tutje shkurt TF) do të hedhim një shikim të shkurtër problematikave kyçe dhe aktuale të kohës sonë dhe që Ati Shenjtë me kujdes i ka trajtuar në këtë dokument. Duke shkruar mbi bashkësinë universale (me përqendrim në sfidën e pandemisë së koronavirusit) papa Bergoglio është frymëzuar sidomos nga Deklarata e Vëllazërisë Njerëzore për Paqen dhe Bashkëjetesën Botërore, të cilën ai e nënshkroi në Abu Dhabi në shkurtin e vitit 2019, së bashku me imamin e madh të Xhamisë Al-Azhar Ahmed Al-Tajib. Papa në mënyrë të përsëritur iu është referuar në TF këtij dokumenti, i cili thotë se Zoti krijoi të gjitha qeniet njerëzore të barabarta në të drejta, detyra dhe dinjitet dhe i thirri ata që të jetojnë së bashku si vëllezër dhe motra.

Gjithashtu vihen në dukje problemet kryesore që pengojnë bashkimin midis njerëzve dhe ofrohen receta se si ta realizojnë atë. Disa nga pengesat e realizimit të një vëllazërimi të mirëfilltë mes njerëzve, Ati i Shenjtë e sheh tek problemet që pasojnë:

 

a) Aborti dhe eutanazia

Në fillim të enciklikës, papa Françesku vë në dukje “kulturën e refuzimit” si një nga pengesat e mëdha. Kështu në nr. 18 të enciklikës, ai shkruan: “Disa pjesë të familjes njerëzore, me sa duket, mund të flijohen lehtë për nevojat e të tjerëve që konsiderohen të denjë për një ekzistencë të lumtur. Më në fund, njerëzit nuk konsiderohen më si vlera më e madhe për t’u ushqyer dhe respektuar, veçanërisht nëse janë të varfër, me aftësi të kufizuara, nëse ‘nuk janë ende të dobishëm’ – si i palinduri, ose ‘nuk ka më nevojë’ – si i vjetri. Ne jemi bërë indiferentë ndaj të gjitha formave të mbeturinave, përfshirë mbetjet ushqimore, gjë që është jashtëzakonisht për të ardhur keq”.

Në fakt normalizimi i abortit dhe i eutanazisë konfirmon dhe përhapë kulturë dhe qytetërim të vdekjes dhe zhdukjes.

 

b) Qëndrimi ndaj migrantëve

Pjesa e dytë dhe i gjithë kapitulli i katërt i enciklikës u kushtohen temave të migrimit. Papa përsëriti që migrantët që largohen nga luftërat, persekutimet, katastrofat natyrore duhet të pranohen, mbrohen, ndihmohen dhe integrohen. Sidoqoftë, Papa thekson këtu se “migrimi i panevojshëm” duhet të shmanget (nr. 129) duke krijuar mundësi konkrete për jetën në vendet nga vijnë këta njerëz. Sa për një zgjidhje të drejtë, ai thekson se duhet gjetur ekuilibri i duhur midis mbrojtjes së të drejtave civile dhe pranimit dhe ndihmës së garantuar për migrantët. Para së gjithash, ne kemi nevojë për udhëheqje globale, bashkëpunim ndërkombëtar mbi migracionin, i cili do të përfshijë planifikim afatgjatë për të kapërcyer situatat individuale të krizës. Vendet duhet ta konsiderojnë veten pjesë të një “familjeje njerëzore” më të madhe (nr. 141). Ata që janë ndryshe nga ne përfaqësojnë një dhuratë dhe pasuri për të gjithë, sepse ndryshimet përfaqësojnë një mundësi për t’u rritur në respekt të ndërsjellë.

 

c) Racizmi

Një nga temat kryesore të vitit 2020 – çështja e racizmit – gjithashtu ka gjetur vendin e saj në enciklikën TF. Papa Françesku thekson se racizmi mbetet një kërcënim, duke e krahasuar atë me një “virus që lëvizë shpejt dhe, në vend që të zhduket, fshihet dhe rri në pritë” (nr. 97). Shembuj të racizmit vazhdojnë të na bëjnë të turpëruar, sepse ata tregojnë se progresi ynë i pretenduar shoqëror nuk është aq i vërtetë dhe i përfunduar sa mendojmë (nr. 20).

 

d) Tregu dhe politika

Papa Françesku vazhdon me vërejtjet e tija ndaj tregut të lirë, duke theksuar se tregu “në vetvete nuk mund të zgjidhë çdo problem”, pasi ai pretendon “dogmën e besimit neoliberal” në të cilin ne jemi thirrur të besojmë (nr. 168). “Pavarësisht nga sfida, kjo shkollë e varfër dhe e përsëritur e mendimit gjithmonë ofron të njëjtat receta” pa zgjidhje të drejta.

Prandaj, papa Bergoglio u bën thirrje politikanëve që të gjejnë “zgjidhje efektive” ndaj fenomenit të ekskluzivitetit shoqëror dhe ekonomik dhe pasojave të tyre të tmerrshme: trafikimi njerëzor, indet njerëzore dhe tregjet e organeve, shfrytëzimi seksual i djemve dhe vajzave, çështja e skllevërve, përfshirë prostitucionin, trafikimin e armëve dhe drogës, terrorizmin dhe krimin e organizuar.

 

e) Rrjetet sociale dhe dialogu

Tema e dialogut është njëra nga shqyrtimet kryesoret te enciklikës, ndërsa kundërshton që ajo të diskutohet nëpër rrjete sociale.

Në nr. 200 të enciklikës Papa flet për rreziqet e devijimit nga dialogu i sinqertë dhe efektiv. “Dialogu shpesh ngatërrohet me diçka krejt të ndryshme: shkëmbime të zjarrta mendimesh në rrjetet sociale, shpesh të bazuara në informacione mediatike që nuk janë gjithmonë të besueshme. Këto diskutime janë thjesht monologë paralelë“. Ndërsa monologu nuk përfshinë askënd dhe nuk i shërbejnë të mirës së njerëzve as të bashkësive.

 

f) Lufta e drejtë dhe armët

Enciklika TF trajton edhe fenomenin e “luftës së drejtë” (nr. 258) duke theksuar se “në dekadat e kaluara, çdo luftë individuale është shpallur” e justifikuar “. Megjithëse, shkruan Papa, Katekizmi i Kishës Katolike njeh mundësinë e “mbrojtjes legjitime”, përfshirë edhe me forcë ushtarake, kjo e drejtë e mundshme për interesa të ndryshëm, ndodhë që të interpretohet edhe ndryshe nga realiteti.

“Ne nuk mund ta konsiderojmë më luftën një zgjidhje sepse rreziqet e saj pothuajse gjithmonë do të tejkalojnë përfitimet e pretenduara. Në këtë kuptim, është jashtëzakonisht e vështirë sot të kërkosh kriteret racionale të arsyetuara“ sikur në shekujt e kaluar për të konfirmuar apo arsyetuar një luftë të drejtë. Ne duhet mësuar nga përvojat e luftërave që kanë sjellë aq dëme materiale dhe shpirtërore njerëzimit. Andaj apelon Ati i Shenjtë: Kurrë më luftë!

Kreu i Kishës Katolike theksoi më tej se eliminimi i plotë i armëve bërthamore është një domosdoshmëri morale dhe humanitare (nr. 262) duke apeluar që paratë për armët dhe shpenzimet ushtarake të ridrejtohen në një “fond global” që më në fund mund t’i japë fund urisë. Kurse nga ana tjetër do të inkurajonte zhvillimin në vendet më të varfra.

Papa gjithashtu foli mbi temën e nderimit për viktimat e konfliktit, duke cituar Letrën e Konferencës së Ipeshkvijve Kroatë në përvjetorin e pesëdhjetë të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, botuar në vitin 1995 (nr. 253). Duke thënë se askush nuk mund të pretendojë se duhet të përkujtohet vetëm vuajtja e padrejtë e vetëm njërës palë, Ati i Shenjtë iu referua peshkopëve kroatë të cilët theksuan në dokument se “ne i detyrohemi respektit të barabartë ndaj çdo viktime të pafajshme” dhe se nuk mund të ketë prirje racore, kombëtar, konfesionale apo partiake për vlerësimin dhe respektimin e viktimave.

 

g) Dënimi me vdekje

Dënimi me vdekje është një temë tjetër e enciklikës FT dhe papa Françesku përsëriti se dënimi me vdekje është “i papranueshëm” dhe ne asnjë variant i arsyeshëm (nr. 263). Ai shtoi se ndëshkimet ligjore nuk duhet të jenë mizore por duhet të shërbejnë si një proces shërimi dhe riintegrimi në shoqëri (nr. 266). Personat e privuar nga liria edhe si të burgosur ata duhet t’i gëzojnë te drejtat e veta në mënyrë që edhe si të tillë t’i kenë mundësitë për përmirësim dhe avancim pozitiv.

“Të gjithë të krishterët dhe njerëzit e vullnetit të mirë janë thirrur sot jo vetëm për të mbrojtur heqjen e dënimit me vdekje, të ligjshëm ose të paligjshëm, në të gjitha format e tij, por edhe për të punuar në përmirësimin e kushteve te burgut, për të respektuar dinjitetin njerëzor të personave të privuar nga liria. Unë do ta lidhja atë me burgim të përjetshëm“(nr. 268). Megjithëse edhe burgimi i përjetshëm është një dënim i fshehtë me vdekje, vlerëson Papa.

Në fund, Ati Shenjtë tha se në shkrimin e kësaj enciklike, për temat dhe qëndrimet e saja e kishte përshkuar jeta e Shën Françeskut nga Asizi (nr. 286) por edhe disa nga vëllezërit dhe motrat tanë jo katolikë, si: Martin Luther King, Desmond Tutu, Gandhi dhe shumë të tjerë. Por ai veçanërisht vuri në dukje një person tjetër nga thesari i pasur i historisë katolike – i lumturi Charles de Foucauld – “një njeri me besim të thellë i cili, duke u mbështetur në përvojën intensive të Zotit, nisi rrugën e transformimit për t’u bërë vëlla i të gjithëve”.

Charles de Foucauld, “donte, në fund të fundit, të bëhej një vëlla universal. Por vetëm kur ai u identifikua me më të voglin, ai u bë vëllai i të gjithëve. Zoti le të na frymëzojë të gjithëve në këtë ëndërr”, përfundoi Papa Françesku./drita.info

– vazhdon –

Shpërndaje

Comments are closed.

«