Mbarështues i ungjillit
21 tetor 2020 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ef 3, 2-12; Ps Is 12, 2-3.4bcd.5-6; Lk 12, 39-48)
Prania e Hyjit
Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë si jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më mirë se miku im më i mirë.
Ndalem një moment dhe e përshëndes Hyjin që më do.
Liria
Fuqia e Zotit është e pathyeshme. Mirësia e tij është e plotë. Zjarri i tij ndriçon errësirën. Hiri i tij mposht çdo të keqe.
Gjatë këtij meditimi sot, ia besoj veten atij hiri, asaj mirësie të fuqishme.
E vendos veten në duart e Zotit tim të dashur.
Ndërgjegjësimi
Në çka momentalisht në jetën time po e gjej shpresën, guximin dhe rritjen?
Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,
a jam i/e aftë ta vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryte të mira?
Nëse kam vërejtur lëmi të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.
Fjala
Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
E dëgjoj Fjalën e Zotit me mend e zemër.
Ef 3, 2-12
2 Mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, 3 [se] me zbulesë qesh vënë në njohuri të Misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni. 4 Duke e lexuar mund ta kuptoni se si unë e marr vesh Misterin e Krishtit, 5 i cili nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirt Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: 6 se paganët ‑ në Jezu Krishtin ‑ janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit, 7 mbarështuesi i të cilit u bëra me anë të dhuratës së hirit të Hyjit që m’u dha me fuqinë mrekullisht vepruese të tijën.
8 Mua, më të voglit ndër të gjithë shenjtërit, m’u dha ky hir: t’ua shpall paganëve pasurinë e pashqyrtueshme të Krishtit, 9 e të bëj të dalë në dritë [para të gjithëve] si vihet në veprim Misteri i mbajtur fshehur që prej amshimit në mendjen e Hyjit, Krijuesit të rruzullimit, 10 që tani ‑ me anë të Kishës ‑ të njoftohen Principatat e Pushtetet në qiell lidhur me dijen e shumëllojshme të Hyjit – 11 të synuar që prejamshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë. 12 Në të kemi, në saje të besimit në Të, lirinë t’ i afrohemi Hyjit me plot shpresë.
Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Çfarë do të thotë të jesh një “mbarështues i ungjillit”?
- Reflekto një moment për “hirin e Zotit” dhe “fuqinë” e Zotit? Si ndryshojnë ato? Çfarë të kërkon secila prej tyre në ty?
- Tani dëgjoje ndërsa lexohet përsëri paragrafi biblik: a mund ta shohësh se çfarë nënkuptohet me fjalën “si vihet në veprim Misteri i mbajtur fshehur që prej amshimit në mendjen e Hyjit, Krijuesit të rruzullimit“?
Bashkëbisedimi
Për ta çuar në fund këtë kohë lutjeje, pse të mos e pyesësh veten “çfarë ka ndodhur brenda meje gjatë këtij meditimi?”, dhe ta shndërrosh atë në një lutje me fjalët e tua?
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Nëpërmjet fjalës sate na fton të qëndrojmë zgjuar. Por të rrish zgjuar s`do të thotë që jetosh në një gjendje ankthi nervor. Të qëndrosh zgjuar më shumë i ngjan një stacioni të akorduar me valë të radios apo parametrave të vendosura në mënyrë të rregullt në kompjuterin tënd që është i gatshëm në çdo moment për të marrë e-mail.
O Zot, më ndihmo ta shoh nëse ka ndonjë konfigurim apo dimension në jetën time që kam nevojë ta vendos siç duhet apo gjatësinë e valës ta harmonizoj më hollë. Më jep filtra të nevojshëm që do të më ndihmojnë që mos të më pengojnë a hutojnë sinjale më pak të rëndësishme. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Kisha e përvetësuar e Shën Pjetrit dhe Palit në Ujëmirë TË RINJTË DHE DASHURIA: 2. Edukimi për dashuri të pjekur »