TË RINJTË DHE DASHURIA: 2. Edukimi për dashuri të pjekur

Oct 21 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Nga të qenit i dashuruar te dashuria

Vetëm të qenit i dashuruar nuk mund të jetë themel i martesës. Ajo duhet kuptuar vetëm si një kapital fillestar, pajë e fituar, dhuratë e natyrës, në të cilën duhet ndërtuar, të cilën duhet pasuruar, të cilën duhet shndërruar në një dashuri ndryshe e cila do të qëndronte, që nuk është e lëshuar në fatin e saj, dhe e cila nuk është vetëm një gjendje para të cilës nënshtrohemi, por është një akt, një veprim në të cilin jemi bashkëpunëtor aktiv dhe të vetëdijshëm.

Urtia e thellë e gjuhës na vë në dukje gjithashtu dallimin e rëndësishëm ndërmjet të qenit i/e dashuruar dhe dashurisë në martesë. Njeriu “dashurohet”, mirëpo “lidh” ose “hy” në martesë. Kjo domethënë se të dashuruarit është fat që na tejkalon, kurse lidhja martesore është arritje e themeluar në vendim personal. Është tragjike kur na tradhton dashuria, por përgjithësisht është faji ynë nëse nuk kemi sukses në martesë.[1]

Secili dëshiron të ketë sukses në martesë. Prandaj është me rëndësi që ajo të ndërtohet në themele të forta. Të qenit i/e dashuruar nuk është e mjaftueshme. Kërkohet një dashuri e fortë dhe e vërtetë. Cilat janë shenjat e kësaj dashurie “të vërtetë”? Rëndom përmenden këto katër tipare:

  1. Dashuria e vërtetë nuk është pasivitet, por aktivitet – Kjo do të thotë se kërkon mundë dhe angazhim. Dashuria është detyrë. Vetëm një dashuri e tillë aktive mund të jetë bazë e lidhjes martesore cilësore dhe jetëgjatë.
  2. Dashuria kërkon reciprocitet, dyanësi – Dashuria nuk është thjeshtë vetëm detyrë, por ajo është detyrë e përbashkët. Në këtë kuptim dashuria është mbajtje e sistemit në të cilin gjenden dytë. Švarc e argumenton këtë në mënyrë të përshtatshme: Kur mashkulli vendos të martohet, atëherë martesa bëhet detyrë që duhet kryer. Dhe tani lind diçka krejtësisht e re: burri dhe gruaja ndjejnë përgjegjësi ndaj martesës si të tillë, sikur në vetë atë proces, martesa bëhet një tërësi e re, superindividuale, që i detyron mashkullin dhe femrën të jenë në shërbim të saj. Ky detyrim mund të përballohet vetëm nëse dytë me vullnet të lirë synojnë qëllimin e saj. Kjo është përvoja që e mbështet dhe krijon karakterin e pashkatërrueshëm të gjendjes martesore.[2]
  3. Dashurisë së vërtetë nuk i pengon veçanësia dhe individualiteti i partnerit – Dashuria është lidhja e të ndryshmëve, e jo shkëputja e tyre. Për këtë arsye është gjithmonë rrezik të lidhesh në martesë, edhe me qëllimin e fshehtë, për ta ndryshuar partnerin. Ai, natyrisht, do të ndryshojë vetvetiu nën udhëheqjen e dashurisë, mirëpo ky nuk është ndryshim me qëllim, por spontan.
  4. Dashuria e vërtetë ndryshon vazhdimisht – Dashuria nuk është e ngurtë, por është fleksibile, çdo ditë e ndryshme, çdo ditë e re. Për këtë arsye vazhdimisht duhet ushqyer. Vetëm një dashuri e tillë mund të jetë garanci e një martese të rregulluar. Këtë dashuri mes bashkëshortëve nuk mund ta zëvendësojë as dashuria ndaj fëmijëve. Përkundrazi, dashuria cilësore bashkëshortore, martesore është parakusht i dashurisë cilësore prindërore. Me këtë kemi prekur në të vërtetë detyrën thelbore edukative: edukimin për dashuri.

 

Edukimi për dashuri

Miqësia heteroseksuale dhe dashuria e parë e të rinjve u përket edhe prindërve edhe edukatorëve. Prindërit, në përgjithësi, brengosen për shkak të procesit dhe të ardhmes të kësaj lidhjeje. Lidhja u duket atyre ose tepër e hershme ose e kundërshtojnë atë për shkak të personit të caktuar. Në çdo rast, shkaqet e tyre duhet t’i paraqesin qetësisht dhe urtësisht. Nuk guxojnë të bien në gabimin që mikun ose mikeshën duan ta largojnë në mënyrë jo objektive: duke shpifur, nënçmuar etj. Nuk guxojnë të krijojnë skena të forta emocionale e as situatë të tensionuar në shtëpi. Kjo më së paku do të garantonte zgjedhje. Prindërit do të silleshin urtësisht nëse e thërrasin në shtëpi mikun ose mikeshën, sepse po e kundërshtuan këtë, ka të ngjarë se do ta humbin krejtësisht mbikëqyrjen mbi të birin ose të bijën. Më i leverdishmi qëndrim në këto raste shpeshherë është – pritja. Shumica e lidhjeve të para shpërbëhen nga vetvetja pas një kohe të shkurtër. Edhe nëse nuk do të shpërbëhen nga vetvetja, prindërit nuk kanë të drejtë, në parim, t’i ndajnë të rinjtë me metoda të dhunshme dhe të përzihen në situatat përcaktuese të jetës dhe në vendimet e jetës së tyre. Aq më tepër kur për një njëzet vjeçar është e rëndësisë së veçantë që ndërmjet tyre dhe prindërve të ekzistojë një klimë besueshmërie. Prandaj, prindërit nuk duhet të nxiten nga kureshtja të pyesin për sekretet e të rinjve, – sepse kjo do të prishte gjithçka[3].

Kisha, përkatësisht katekistët, përgjegjësit e baritores rinore, gjithashtu e kanë pjesën e tyre të detyrës dhe të përgjegjësisë për të rinjtë, sepse të rinjtë shpesh ju drejtohen pikërisht atyre rreth problemeve mbi lidhjet dashurore dhe dashurinë. Ndoshta sot kemi raste më pak, por para pak viteve dëgjohej shpesh të thuhej se Kisha do të duhej të ishte më tolerante ndaj marrëdhënieve paramartesore të të rinjve të dashuruar, kurse si parim i vlerësimit do të ishte ky: “Nëse vërtetë duheni, mund të keni marrëdhënie, vetëm ruhuni nga shtatzënia!”. Ky parim, përveç se nuk është origjinal, nuk ka themele as psikologjike. Përkundrazi, marrëdhëniet paramartesore përherë janë shenjë e dashurisë gjysmake. Do të tentojmë ta riformulojmë këtë pyetje më poshtë në formën e detyrës edukative.   

Pyetja e marrëdhënieve paramartesore më së shpeshti zgjidhet në mënyrë që të pohohet se nuk janë të lejueshme. Në njëfarë mënyre, ndalohen pa dhënë justifikim për ndalesën. E ne e dimë se pikërisht ndalesa të tilla na e ngacmojnë imagjinatën. Tek të rinjtë lind pyetja spontane pse nuk mund të bëjnë diçka për të cilën janë të aftë, e të njëjtën gjë të rriturit e bëjnë tashmë. Në vend të kësaj, për praktikën edukative, së pari duhet të shpjegohet esenca e dashurisë seksuale, e pastaj të numërohen kërkesat morale.  

Të rinjtë duhet të dinë se përmbajtja në marrëdhënie paramartesore nuk kërkohet prej tyre thjeshtë për t’ju marrë diçka, për t’ju vjedh diçka apo për t’ju ndaluar, por për t’ju ndihmuar që ta arrijnë dashurinë e plotë. Lumturia martesore, afër mendsh, nuk është fryt i kënaqësisë së dëshirës seksuale, por qëndron në kontaktin e plotë personal. Dashuria e vërtetë mendon për tjetrën aq sa mendon për vete. Kësaj i shtohet edhe dëshira që të gjitha të përjetohen së bashku, të kenë gjithçka të përbashkët, dhe të gjitha vështirësitë t’i pranojnë bashkërisht. Porse, vetëm dëshira nuk është e mjaftueshme. Janë të nevojshme edhe mundësitë konkrete për ta realizuar atë dëshirë. E këto mundësi nuk zbresin nga qielli në prehër, e as nuk i sjell pjekuria seksuale: ato duhet me i krijua.

Më tej, dashuria e vërtetë dëshiron që bashkërisht të pranohen pasojat të cilat dalin nga kjo dashuri. Nga kjo del argumenti kundër marrëdhënieve paramartesore: këto janë mëkate kundër dashurisë (jo pohimi i saj), sepse partnerët, në të vërtetë, e bashkëndajnë gëzimin e lidhjes, porse barra që del prej saj ndahet në mënyrë të pabarabartë. Djaloshi, që dëshiron ta kënaq vetëm dëshirën seksuale, ai nuk e do në të vërtetë vajzën, por e do vetveten. Përveç kësaj, sillet në mënyrë egoiste kur gjithë përgjegjësinë për pasoja ia hedh vajzës. Shumë prej të rinjve nuk e kanë idenë se çfarë gjendje lind tek vajza pas marrëdhënies seksuale. Ajo me muaj ndoshta jeton nën peshën e frikës, edhe atëherë kur ajo nuk është e vetëdijshme. Të rinjve duhet t’ju shpjegohet se një vajzë kur jeton nën peshën e frikës një kohë të gjatë, ajo më vonë nuk do të jetë më e aftë të gjejë bukurinë e jetës së përbashkët.

Pra, në vend të ndalesave parimore, të rinjve duhet t’ju shpjegohet e t’ju sqarohet që përmbajtja paramartesore nuk është një ndalesë e dashurisë, por, përkundrazi, ajo është kusht për lulëzim të plotë të dashurisë në martesë. Natyrisht, këtë njohuri nuk mund ta marrim si mbrojtje absolute. Çdo çift i dashuruar përjeton çaste kur njohuritë disi shpërbëhen. Atëherë besojmë se ju ndihmon vetëm hiri i Zotit…

Për sa i përket rolit të Kishës në edukimin e të rinjve për dashurinë, ekziston një mendim interesant, i cili nuk është i njëtrajtshëm në mesazhin e tij. Këtë mendim e ka sjell H. Helle, profesor i sociologjisë në Universitetin e Mynihut. Sipas mendimit të tij, kur fillon pjekuria seksuale, të rinjtë në mënyrë progresive e lënë familjen dhe kërkojnë kontakte shoqërore. Në këtë kërkim, nuk e kanë në plan të parë takimin me gjininë tjetër si një partner i mundshëm martesor, por ata kërkojnë tek tjerët anëtarët e humbur të familjes primare: i vlerësojnë në krahasim me atin, të ëmën, vëllezërit apo motrat. Helle mendon se kujdesi i Kishës rreth moralit të të rinjve do të duhej të drejtohej në atë mënyrë që kjo të përforcohej. Të rinjtë së pari duhet të vendosen në gjendjen e vërtetë të paramartesës, që do të thotë në gjendjen e atillë shoqërore që rrethin e tyre dhe njerëzit, mund t’i takojnë si pjesëtarë të familjes së tyre.[4]

Sado që ky mendim në shikim të parë na duket i pranueshme, madje edhe i krishterë, ai fsheh brenda vetes një rrezik. Nëse personave ju ofrohemi në rend të parë në bazë të perceptimit të cilësive vëllazërore apo mortore, një lidhje e tillë mund të ketë ngarkesa të një “incesti psikologjik” të caktuar. Zgjidhja e vërtetë e partnerit mund të fillojë atëherë kur nuk do të ekzistojë më asnjë hije e tabusë së incestit. Shenja e kësaj pjekurie është ndryshimi i perceptimit; kur tek partneri fillon ta shoh të atin, përkatësisht të ëmën e fëmijës së tyre të ardhshëm. Kjo siguron që tek partneri të mos e projekton më lidhjen e tij ndaj prindërve. Provë indirekte për ta kuptuar këtë e kemi edhe tek analiza emocionale e zhvillimit të fëmijës. Vajza nuk e ndjen vetën të plotësuar deri sa mos të përjetojë se është e dashur. Kur ta ndjen dashurinë, ajo dëshiron që lidhjen ta bëjë të qëndrueshme dhe të lind fëmijë.[5]

Kisha mundet dhe duhet t’i udhëzojë të rinjtë kah dashuria e pjekur. Mendoj se pak e mbajmë dhe e përdorim konceptin e krishterë të dashurisë. Pikënisja më e përshtatshme është definicioni i dashurisë së Shën Palit nga letra dërguar korintianëve:

            Dashuria është zemërgjerë,

            dashuria është e dhimbshme,

            dashuria nuk ka smirë,

            nuk mbahet në të madh,

            nuk krenohet,

            nuk është e panjerëzishme,

            nuk e kërkon interesin e vet,

            nuk hidhërohet,

            nuk e mban mend të keqen;

            nuk i kënaqet padrejtësisë,    

            por i gëzohet së vërtetës;                                

            arsyeton gjithçka,

            beson gjithçka,

            shpreson gjithçka,

            duron gjithçka.

Dashuria nuk mbaron kurrë. (13, 4-8a)

Teologët pohojnë se ky definicion në origjinal përmban 15 folje, që e bën shumë të vështirë përkthimin në gjuhët bashkëkohore në të njëjtën mënyrë në folje. Porse thelbi mbetet: dashuria është aktivitet, një afrim veprues ndaj partnerit. Prandaj, si tekst të pjekurisë së një dashurie do të mund ta përdorim pikërisht definicionin e dashurisë së Shën Palit. Vetëm atëherë kur një djalë dhe një vajzë do të jenë të gatshëm dhe të aftë të përgjigjen pozitivisht në të gjitha pesëmbëdhjetë kërkesat e dashurisë, mund të thuhet se janë të gatshëm për jetën e përbashkët./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë. Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Përkthimi: Don Fatmir Koliqi

 

——————————————

[1] Khs. A. A. Terruwe, Amore ed equilibrio, 21.

[2] Khs. O. Švarc, Psihologija seksualnosti, 192.

[3] Khs. H. Remplein, Die seelische Entwicklung…, 499.

[4] H. Helle, “Jugend, Familie, Sexualität, në: R. Bleistein (ed), Kirchliche Jugendarbait, Düsseldorf, 1979, 30-45.

[5] Khs. D. Miller, Adolescence, New York, 1974, 73.

Shpërndaje

Comments are closed.

«