Dhurimi i madh i Zotit

Oct 24 • Meditimi i ditës

24 tetor 2020 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 4, 7-16; Ps 122, 1-5; Lk 13, 1-9)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja, në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit, dhe që të jem thjesht me Zotin, këtu dhe tani.

 

Liria

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?

Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund ta vëreja këtë?

Lutem për hirin e shenjtë të lirohem nga brengat vetjake

dhe për të qenë i/e hapur se çka dëshiron Zoti të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj te të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin ndaj meje.

 

Fjala

Tani e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me mend e zemër dhe lejoj që ajo të gjejë jehonë në brendësinë time.

 

Lk 13, 1-9

1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 2 Jezusi iu përgjigj:

“A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”

6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ 8 Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Jezusi erdhi për të na ndihmuar në mënyrë që të kemi një marrëdhënie të drejtë me Hyjin. Nëse e dëgjojmë fjalën e tij dhe përpiqemi t`i korrigjojmë gabimet në mënyrën tonë të jetesës, jemi në rrugën e duhur drejt kënaqësisë së brendshme.
  • Edhe në kohën tonë, raportimet, rrëfimet e shkatërrimeve dhe vuajtjeve e preokupojnë vëmendjen tonë. Jezusi i komenton ngjarjet e reja, zhvillimet e kohës së tij. Gjatë kohës që e dëgjoj edhe një herë pjesën e ungjillit, vë re se koha që i është dhënë fikut për të dhënë fryt dëshmon për durimin e Zotit me të gjithë ne.

 

Bashkëbisedimi 

Si gjithmonë, Jezusi po na thotë që mos të ndalemi te dukja – duke shikuar jashtë, por kërkon që ta hedhim shikimin brenda. Ai është i shqetësuar jo vetëm me atë që ndodh në kokat tona, por dëshiron që të shikojmë se çfarë po ndodh në zemrat tona dhe na pyet se si Hyji është duke na hapur ndaj dhembshurisë, duke na nxitur që të pendohemi dhe duke na çuar në jetë.

 

Përmbyllja 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Jezusi përdor dy raste të tragjedisë si një mundësi për të thirrur në pendim dhe të kthim. Askush nuk mund të parashikojë se çka sjell e ardhmja, por mund të përcaktojë deri në një masë se çfarë po ndodh sot. Siç thotë Shën Pali: “Ja, pra, tani koha e volitshme, ja, pra, dita e shpëtimit!” (2 Kor 6,2).

Këtu jemi paraqitur me dy pamje të kundërta. Pronari e sheh vetëm që fiku shterpë po zë vend ​​dhe po e shfrytëzon hapësirën e vlefshme. Por kopshtari, i cili ishte më ekspert, më i aftë në këtë çështje, e do pemën dhe e sheh se ajo ka potencial nëse i kushtohet një kujdes dhe vëmendje e duhur; dëshiron t`i japë një shans të dytë. Kopshtari përfaqëson mëshirën e Zotit dhe aktivitetin e tij në jetën time, që dëshiron që unë të lulëzoj. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«