Fratelli tutti – Të gjithë vëllezër (III) – Vështrime mbi Enciklikën më të re të papa Françeskut

Oct 24 • Kisha në botë, Res socialis

Nga Don Mikel Sopi

 

Pasqyrimi kronologjik i enciklikës

Me enciklikën Fratelli tutti që në hyrjen e saj, papa Françesku, na jep një propozim për një formë të jetës me një shije të Ungjillit që konsiston në dashuri për tjetrin si për vëllain/motrën, kushdo qoftë ai: afër apo larg nesh. Me këtë dokument Papa bënë një thirrje për të hapur vëllazërinë, për të njohur dhe dashuruar çdo person me dashuri pa kufij, i cili shkon për të takuar të tjerët dhe është në gjendje të kapërcejë të gjitha distancat dhe tundimet e grindjeve, imponimeve dhe dorëzimeve (FT 3). Enciklika FT nuk është vetëm një përmbledhje e doktrinave të dashurisë vëllazërore, por mbi të gjitha, ajo paraqet një nxitje drejt dimensionit të saj universal (khs. FT 6).

Për një kohë, Covid-19 e ndërpreu redaktimin e kësaj enciklike, gjë që në fakt kjo pandemi zbuloi sigurinë tonë të rreme dhe zbuloi paaftësinë tonë për të vepruar së bashku, duke dalur në sipërfaqe aspektet shpërfillëse ndaj nevojtarëve dhe ndarjen mes njerëzve. Përballë mënyrave të ndryshme të largimit ose injorimit të të tjerëve, enciklika na fton të përgjigjemi me një ëndërr të re për vëllazëri dhe miqësi shoqërore. Ati i Shenjtë na fton që në këtë kohë të jetës tokësore që na është dhënë, ta jetojmë në mënyrë që duke njohur dinjitetin e çdo personi njerëzor, të mund të gjenerojmë një aspiratë të kësaj bote për vëllazërim mes të gjithëve (FT 8).

Tani do t’iu qasemi tetë kapitujve veç e veç për t’i përthekuar përsiatjet e papa Françeskut mbi mënyrën e kapërcimit të lëndimeve të njeriut bashkëkohor, lëndime këto që vijnë nga jetesa jo adekuate, apo nga mungesa e vlerave njerëzore dhe shpirtërore, nga padrejtësitë e imponuara sociale, etj. Nga ana tjetër, Papa cyt shpresën reale për kapërcimin e depresioneve të shfaqura në jetën e njeriut të ditëve tona në shumë rrafshe të jetës.

 

Kreu 1: Hijet e një bote të mbyllur

Kapitulli i parë flet mbi hijet e një bote të mbyllur që pengojnë zhvillimin e vëllazërisë universale (FT 9) dhe që përhapet në të gjithë botën. Bëhet fjalë për rrethanat e njerëzve që janë të lënduar, në rrugë dhe që mbeten të përjashtuar dhe të refuzuar. Edhe këto hije të kohës sonë po e hedhin njerëzimin në konfuzion, në vetmi dhe në zbrazëti. Për më tepër, ëndrrat për një Evropë të bashkuar dhe integrimin e Amerikës Latine janë shkatërruar. Ndërsa nacionalizmat e mbyllur po shfaqen, egoizmi po rritet dhe humbja e ndjeshmërisë sociale po thellohet (FT 10-11).

Ekonomia dhe financat kanë miratuar terma të tillë si “hapja ndaj botës”. Në këto rrethana është imponuar një kulturë që vërtetë e bashkon botën, por që nga ana tjetër, kjo kulturë po i ndan njerëzit dhe kombet. Njerëzit po peshohen në saje të konsumatorëve dhe të vëzhguesve. Kështu që jemi duke jetuar në një shoqëri të globalizuar e cila po na afron në disa forma dhe mënyra, por ajo nuk na bën më vëllezër (FT 12). Njeriu i ditëve tona gjithë e më shumë ndjehet i vetmuar më shumë se kurrë.

Njohjet dhe arritjet gjatë historisë zhyten në hije, në emër të lirisë, njeriu i ditëve tona pretendon një fillim të ri me dëshirë që të ndërtojë gjithçka të veçantë. Jemi të detyruar të konsumojmë pa kufi dhe të jetojmë jetën individualiste pa përmbajtje, duke ironizuar dhe përçmuar historinë. Format e reja të kolonizimit kulturor po përhapen; popujt e tërë nëpërkëmbën në traditat e tyre, përçmohen në dinjitet njerëzor, shpirtëror dhe kulturor, duke denigruar fizionominë e tyre shpirtërore dhe qëndrueshmërinë morale (khs. FT 13-14). Në hijen e kësaj bote gjithnjë e më të mbyllur, fjalë të mëdha si demokracia, liria, drejtësia dhe uniteti bëhen të zbrazëta dhe me këta terma përmbajtësorë manipulohen. Në këtë mënyrë dhe me këto procese politika bëhet vetëm një lloj marketingu (FT 15). Gjendja e pashpresë dhe mosbesimi, inati, polarizimi dhe lajthitjet tjera kulturore dhe socio-ekonomike janë në shërbim të një strategjie për dominim.

Disa pjesë të njerëzimit (kombe apo shtete) trajtohen si të harxhueshme, që të fuqishmit i  konsiderojnë dhe i vejnë në shërbim për disa qarqe të caktuara oligarkike. Shkapërderdhja dhe refuzimi i atyre që nuk konsiderohen më të dobishëm ose nuk janë më të nevojshëm, janë karakteristikat e një kulture të refuzimit (FT 18) që mbretëron në hijen e botës së mbyllur, duke gjeneruar pastaj pabarazi në të drejta dhe forma të reja të skllavërisë. Në këtë mënyrë, pjesërishtë jemi duke jetuar “Luftën e Tretë Botërore” (FT 25). Nuk ka horizonte që mund të na bashkojnë, konfliktet dhe frika rishfaqen dhe gjejnë shprehje në krijimin e mureve për të shmangur takimin (FT 26-27).

Përkeqësimi i programuar në fushën e etikës dhe moralit, dobësimi apo goditja në vlera shpirtërore dhe mungesa e ndjenjës së përgjegjësive, dukshëm e kanë rritur ndjenjën e zhgënjimit, të vetmisë dhe të dëshpërimit. Njeriu i ditëve tona është bërë viktimë e iluzionit të besimit se jemi të gjithëfuqishëm dhe harrojmë se të gjithë jemi në të njëjtën anije (khs. FT 29-30). Kufijtë shtetëror qartas tregojnë një mungesë dhe neglizhencë të humanitetit, përballë realitetit të mijëra njerëzve që ikin nga zonat e luftërave, persekutimeve dhe katastrofave natyrore në kërkim të mundësive më të mira për veten dhe për familjet e tyre. Në të njëjtën kohë, regjimet politike përpiqen me çdo kusht të shmangin ardhjen e migrantëve, të cilët konsiderohen si jo aq të vlefshëm (FT 37 dhe 39). Përballë gjithë kësaj, ne jemi të tunduar të izolojmë veten dhe të mbyllemi në vete, në interesin tonë. Në këtë mënyrë nuk mund të kthehet shpresa.

Pandemia Covid-19 në mënyrë indirekte na detyroi të zbulonim se i përkisnim vëllezërve. Në misionin e jetës sonë jemi të thirrur që ta rimendojmë mënyrën tonë të jetesës, marrëdhëniet tona, organizimin e shoqërive tona si dhe kuptimin e ekzistencës sonë (FT 32-33). Në botën digjitale, respekti për tjetrin po shembet, ne ndjehemi të fuqishëm për të injoruar, për të mbajtur distancën dhe për të sulmuar jetën e tij/të saj pa asnjë turp. Nga hijet, nga devijimi i njerëzores lindin lëvizjet digjitale të urrejtjes dhe shkatërrimit, ndërsa agresioni jetohet dhe gjithnjë promovohet pa turp (FT 42-44), kurse gënjeshtrat dhe manipulimet janë në rritje të vazhdueshme, duke theksuar së fundi njëherit se protagonistët e fanatizmave shkatërrues ndodhen edhe në mesin e personave fetarë në forma personale por edhe në mënyra të organizuara (FT 46).

Pavarësisht nga këto hije të rënda, ne duhet të jemi një jehonë e kaq shumë shtigjeve të shpresës: Zoti vazhdon të mbjellë farërat e së mirës në njerëzim. Papa Françesku na kujton se mirësia, dashuria, drejtësia dhe solidariteti nuk arrihen njëherë e përgjithmonë, por që ato duhet të pushtohen për çdo ditë, ai e fton botën e ditëve tona në shpresë reale. Burrat dhe gratë janë të etur, janë të dhënë pas përsosmërisë, pas jetës e cila e mbush zemrën dhe e ngre shpirtin drejt gjërave të mëdha, si: e vërteta, mirësia, bukuria, drejtësia dhe dashuria (krhs. FT 55). Shpresa është në gjendje të shikojë përtej komoditetit, përtej sigurisë dhe kompensimit të cilat na mbyllin, derisa shpresa na ndihmon për t’u hapur përpara idealeve të mëdha.

 

Kreu 2: I huaji në rrugë

Njeriu i ditëve tona ndjehet në rrugë si një i huaj, i plagosur dhe i përjashtuar nga hija e një bote të mbyllur. Përballë këtij realiteti, ne mund të marrim dy pozicione, shprehet Papa: të vazhdojmë ose të ndalemi. Përfshirja ose përjashtimi do të përcaktojë se çfarë lloj personi apo projekti politik, shoqëror dhe fetar jemi. Papa Françesku na paraqet shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë (shih Lk 10,25-37) si dritë kundrejt hijes. Nga sfondi i kësaj shëmbëlltyre nxjerrim pyetjen: Ku është vëllai im ndaj të cilit nuk më lejohet të jam indiferent (Zan 4,9). Hyji vë në pikëpyetje çdo determinizëm ose fatalizëm që kërkon të justifikojë indiferencën. Ky kujdes/kjo pyetje e vet Krijuesit na fton të krijojmë një kulturë në të cilën kujdesemi për njëri-tjetrin (FT 56-57) sepse të gjithë kemi të njëjtin Krijues dhe të drejtat dhe detyrat tona bazohen tek Ai.

Ne jemi të motivuar dhe të thirrur për të zgjeruar zemrat tona në mënyrë që i huaji të mos përjashtohet, është një thirrje për dashurinë vëllazërore që bën jehonë në Besëlidhjen e Re. Dashuria thyen zinxhirët dhe ndërton ura, ajo na lejon/ndihmon të ndërtojmë një familje të madhe në të cilën të gjithë mund të ndihemi si në shtëpi, ajo njeh dhembshuri dhe ka dinjitet (FT 62). Në shëmbëlltyrë është “braktisur” vetë i plagosuri, i shtrirë në tokë buzë rrugës. Asaj rruge kalojnë njerëz të ndryshëm, por vetëm një u ndal, iu afrua, e trajtoi me duart e tij, i dhuroi para dhe u kujdes për të, duke ia falur kështu edhe kohën e tij (shih FT 63-64). Ndërsa një shoqëri e sëmurë ka tundimin shtesë që të mos interesohet për të tjerët, të mos kthehet pas tyre, t’i injorojë në forma të ndryshme dhe nuk dëshiron të humbasë kohë në problemet që janë të huaja për të.

Me këtë, papa Françesku na fton që të bëhemi thirrje për qytetarët e vendit tonë, por të cysim edhe ndërgjegjen e gjithë botës (khs. FT 66). Ai na fton të bëhemi ndërtues të marrëdhënieve të reja shoqërore, për të kuptuar se ekzistenca e gjithsecilit është e lidhur me ekzistencën e të tjerëve. Jeta nuk është vetëm një kohë që kalon, por ajo para së gjithash është një kohë takimi. Kjo na bën thirrje për të rindërtuar këtë botë që na brengos, për të rikrijuar komunitetin duke filluar me burra dhe gra që e bëjnë brishtësinë e të tjerëve si të tyren, të cilët nuk lejojnë përjashtimin, por që shprehin afërsinë, rrisin dhe ri-mundësojnë që njeriu i rënë të jetë i mirë në bashkësi me të tjerët (FT 67-69). Përfshirja ose përjashtimi i një të plagosuri në rrugë, thekson Papa, përcakton të gjitha projektet ekonomike, politike, sociale dhe fetare.

Andaj, historia e Samaritanit të Mirë nuk përket me një legjende të përmbyllur, por që mesazhi i asaj historie vazhdimisht përsëritet. Neglizhenca sociale dhe politike, mosmarrëveshjet dhe grabitjet e brendshme dhe ndërkombëtare janë të dukshme, si rezultat i të cilave të plagosurit mbeten në rrugë. Megjithatë, rimëkëmbjen shpirtërore mund ta fillojmë përsëri, edhe sot. Papa Bergoglio na fton të marrim pjesë aktive në rehabilitimin dhe mbështetjen e shoqërive të plagosura, ne duhet të ndihmojmë atë që është e mirë dhe ta vëmë veten në shërbim të së mirës (FT 77). Është e mundur të fillosh vetëm nga poshtë dhe, rast pas rasti, të luftosh për atë që është konkrete dhe lokale. Ndërkaq, vështirësitë janë një mundësi për rritje dhe për përthellim human dhe jo justifikim për t’u pikëlluar. Ne jemi të thirrur që të takohemi në “ne” që është më e fortë se shuma e individëve të vegjël. “Tërësia është më shumë se pjesëzat, dhe është gjithashtu më shumë se shuma e tyre e thjeshtë” (FT 78). Pajtimi do të na ringjallë dhe ne do të humbasim frikën e cila na kaplon.

Më në fund, Jezusi transformon mënyrën se si na udhëheq. Të pyesim veten se kush janë ata që janë afër nesh, ose “afër”. Ati Shenjtë na bën thirrje që të bëhemi dhe të qëndrojmë afër, më pranë të gjithëve, madje edhe me ata që janë larg (FT 81). Kjo paraqet një aftësi universale për dashuri, e cila na bënë të aftë të kapërcejmë paragjykimet, barrierat historike ose kulturore dhe interesat e vogla (FT 82). Është e rëndësishme që katekezat dhe predikimet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë, të përfshijnë ndjenjën shoqërore të ekzistencës, dimensionin vëllazëror të shpirtit. Lipset përfillja dhe respektimi i dinjitetit të patjetërsueshëm të secilit person, arsyet e dashurisë dhe pranimin e të gjithëve (FT 86). Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të mendojmë dhe të krijojmë një botë të hapur, duke i zhdukur kështu hijet e një bote të mbyllur./drita.info

– v a zh d o n –

Shpërndaje

Comments are closed.

«