Skenat e përditshme të jetës

Oct 27 • Meditimi i ditës

27 tetor 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 5, 21-33; Ps 128, 1-5; Lk 13, 18-21)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.
Ja ku jam, o Zot.
Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.
Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë
që t`i harroj të gjitha brengat vetjake,
që të jem i/e hapur ndaj asaj që kërkon Hyji prej meje,
që t`i dorëzohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha të mirat që m`i ke bërë.
E ndafsha këtë bekim gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutjeje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment (nëse je në dhomë). Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 13, 18-21

 

18 Atëherë /Jezusi/ u tha:

“Me çka është e ngjashme Mbretëria e Hyjit? Me çka ta krahasoj? 19 Është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në kopsht të vet. Ajo me kohë u zhvillua e u bë pemë dhe shpendët e qiellit bënë çerdhe në degët e saj.”

20 Dhe vijoi:

“Me çka tjetër ta krahasoj Mbretërinë e Hyjit? 21 Ajo i përngjan tharmit, të cilin e mori gruaja, e përzjeu me tri masë miell, derisa u mbrua krejt.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime lidhur me pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Përdore imagjinatën tënde ndërsa vendosesh në këtë skenë. Ec me Jezusin dhe dëgjoje duke folur, mbase ka një pemë sinapi afër, ose ndoshta, e shikon një kopshtar që mbjell farat e sinapit. Merri farat në dorë. Shikoji sa të vogla janë ato. Zgjidhe një farë të vetme dhe mrekullohu se sa e imët është … Jezusi vetë e tregon pemën e sinapit. Shiko dhe mrekullohu se si është rritur nga një copëz e vogël e një fare në një bimë të fortë të shëndetshme. Madje ka zogj që ndërtojnë çerdhe në pemë tani.
  • Çfarë mund të ndodhë nëse e lejon që Mbretëria e Zotit të mbillet si një farë e vogël dhe të kultivohet në jetën tënde? Si mund të rritesh? A mundesh thjesht ta lësh dhe të lejosh të ndodhë? Çfarë mund të të pengojë?
  • Kthehu përsëri në skenë me Jezusin dhe shikoje me Të një furrtar në punë me 20 kg apo më shumë miell dhe vetëm një masë të vogël tharmi. Merri erë aromës së tharmit dhe mbase merre një copë bukë. Ndaje atë dhe shijoje cilësinë dhe ndjeje shijen e saj. Çfarë roli ka luajtur tharmi në ngritjen e brumit?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin biblik, mbaje këtë ndjenjë të Mbretërisë së Hyjit siç e përshkruan Jezusi në këto skena të jetës së përditshme të thjeshtë.

 

Bashkëbisedimi 

A mund ta dallosh Mbretërinë e Zotit në vetvete? A ka ndonjë farë të ndonjë gjëje në ty për të cilën ke nevojë, në fakt që ti shumë dëshiron ta shohësh duke u rritur? Ndoshta fillin e një ideje, apo të një qëndrimi të ri që mund të të transformojë?

Bisedo me Zotin, si një shok që flet me shokun e vet, për atë që ti e dëshiron më së thelli në këtë, udhëtimin tënd të besimit.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj disa momente vetëm me ty. Do t`i rishikoj sot detyrat e mia të përditshme të jetës sime. A paraqesin ato një sfidë për mua? A bëhem i/e dekurajuar, a më lëshon zemra kur s`i shoh menjëherë rezultatet, kur ato s`ekzistojnë?

O Zot, më mëso ta njoh farën e shndërrimit që e ke mbjellë brenda meje. Më ndihmo që ta kuptoj se Mbretëria jote është tani duke u rritur në mua, dhe se je i/e pranishëm në gjëra të vogla dhe të mëdha në jetën time të përditshme. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

«