Fratelli tutti – Të gjithë vëllezër IV – Kronologjia dhe përmbajtja e Enciklikës

Oct 31 • Opinion, Res socialis

Nga Don Mikel Sopi

 

Kreu 3: Përsiatjet dhe arritja/realizimi i botës së hapur

Zoti është dashuri universale dhe për sa kohë që ne jemi pjesë e kësaj dashurie dhe e ndajmë atë, ne jemi thirrur drejt vëllazërisë universale, që do të thotë në hapje të sinqertë ndaj vëllezërve. Në këtë vështrim nuk mund të flasim dhe nuk ka “të tjerët” ose “ata”, por vetëm “ne”. Qenia jonë njerëzore mund të zhvillohet dhe të gjejë plotësinë e saj vetëm me anë të dhurimit të sinqertë të vetvetes për të tjerët. Njeriu madje nuk do të jetë në gjendje të njohë plotësisht të vërtetën e tij përveçse në takimin e tij me të tjerët. Askush nuk mund ta përjetojë vlerën e jetës pa dashuruar fytyrat specifike dhe konkrete (FT 87).

Jeta ekziston atje ku ka marrëdhënie të vërteta dhe lidhje besnikërie, aty ku ka bashkësi dhe vëllazëri; sepse në atë ambient jeta është më e fortë se vdekja. Çdo marrëdhënie e shëndetshme dhe autentike na hap përpara të tjerëve, ne nuk mund ta zvogëlojmë jetën tonë as që ta bëjmë më të varfër duke u strukur në një grup të ngushtë dhe të vogël (FT 89-90). Mikpritja është një mënyrë konkrete e hapjes dhe e takimit të frytshëm ndërnjerëzor dhe ndërkulturor. Statusi shpirtëror i ekzistencës njerëzore përcakton dashurinë, kriterin për vendimin përfundimtar mbi vlerën e jetës njerëzore.

Rreziku më i madh është mungesa apo refuzimi i dashurisë (FT 92). Dashuria është më shumë se një seri bamirësish; ato lindin nga një lidhje që gjithnjë e më shumë i drejtohet tjetrit, duke e konsideruar atë të çmuar, të vlefshëm, të vlerësuar dhe të bukur. Vetëm kjo mënyrë e marrëdhënies mundëson një miqësi shoqërore që nuk përjashton askënd dhe një vëllazëri të hapur për të gjithë (FT 94). Ne shohim një thirrje për të krijuar një komunitet të përbërë nga vëllezër që përshëndesin njëri-tjetrin dhe kujdesen për njëri-tjetrin (FT 96).

Hapja universale nuk është gjeografike, por ekzistenciale: është një aftësi e përditshme për të zgjeruar rrethin tim, për të arritur në periferi, ata që nuk ndihen pjesë e botës time të interesit, edhe pse janë afër meje. Çdo vëlla që vuan, i braktisur ose i injoruar nga shoqëria ime, është një i huaj ekzistencial. Ka vëllezër që trajtohen si “të mërguar të maskuar”, njerëz me aftësi të kufizuara që ekzistojnë pa përkatësi dhe pjesëmarrje; shumë njerëzve u është mohuar “shtetësia e plotë” (FT 97-98). Dashuria që përhapet përtej kufijve bazohet në “miqësi shoqërore”, dhe kjo përbënë një parakusht për mundësinë e hapjes universale. E ardhmja nuk është monotone: familja jonë njerëzore duhet të mësojë të jetojë së bashku në harmoni dhe paqe pa pasur nevojë që të gjithë të jenë njësoj (FT 99-100).

Vëllazëria nuk është vetëm rezultat i kushteve për respektimin e lirive individuale, as barazia nuk merret nga një përkufizim abstrakt se të gjitha qeniet njerëzore janë të barabarta, por që vëllazëria dhe barazia ndodhin vetëm si rezultat i edukimit të vetëdijshëm dhe pedagogjik të vëllazërisë (FT 104). Për të ecur drejt miqësisë shoqërore dhe vëllazërisë universale, është e nevojshme të njohësh se sa vlen një qenie njerëzore, gjithmonë dhe në çdo rrethanë (FT 106); çdo njeri është i çmuar dhe ka të drejtë të jetojë me dinjitet dhe të zhvillohet plotësisht. Kjo e drejtë themelore nuk mund të mohohet nga asnjë vend (FT 110). Për këtë qëllim, Papa Françesku apelon që të promovojmë të mirën, për veten tonë por edhe për gjithë njerëzimin. Në fakt ne jemi duke ecur drejt rritjes së vërtetë dhe holistike.

Solidariteti lufton kundër shkaqeve strukturore të varfërisë, pabarazisë, mungesës së punës, tokës dhe shtëpisë, mohimit të të drejtave sociale dhe të punës (FT116). Të gjitha të drejtat për mallrat e nevojshme për realizimin e plotë të të drejtave të personave, përfshirë ato të pronës private dhe lehtësimin procedural për realizimin e tyre (FT 120-121). Askush nuk duhet të përjashtohet në rrugën e zhvillimit por që duhet të sigurohen të drejtat njerëzore, personale dhe sociale, ekonomike dhe politike, përfshirë të drejtat e kombeve dhe të popujve (FT 122).

Aktiviteti sipërmarrës duhet të përqendrohet në përparimin e njerëzve të tjerë dhe në kapërcimin e mjerimit (FT 123). Ne do të kemi paqe vetëm kur toka, shtëpia dhe puna të sigurohen për të gjithë. Paqja do të zgjasë vetëm në bazë të një etike globale solidariteti dhe bashkëpunimi në shërbim të familjes njerëzore (FT 127).

 

Kreu 4: Zemra e hapur për tërë botën

Ne jetojmë miqësi shoqërore dhe kërkojmë të mirën morale dhe etikën shoqërore, sepse e dimë që jemi pjesë e një vëllazërie universale. Jemi të ftuar në takim, në solidaritet dhe në dhurim. Pohimi se të gjitha qeniet njerëzore janë vëllezër dhe motra na detyron të kemi perspektiva të reja dhe të zhvillojmë përgjigje të reja (FT 128). Kur i afërmi është migrant, kjo përfshin sfida komplekse. Derisa të ketë përparim në shmangien e migrimit të panevojshëm dhe në këtë drejtim të krijohen kushte më të mira në vendet e origjinës së tyre, për zhvillimin e tyre të plotë; është detyra jonë të respektojmë të drejtën e çdo qenie njerëzore për të gjetur një vend ku ai ose ajo mund të plotësojë nevojat e tij ose të saj primare (FT 129).

Duhet të përpiqemi që t’i pranojmë, t’i mbrojmë, t’i promovojmë por që edhe të integrohemi në këto procese të vëllazërimit. Në këtë drejtim, është thelbësore, të rritet dhe thjeshtohet dhënia e vizave, të miratohen programe sponsorizimi, korridore të hapura humanitare, strehimi të jetë më i efektshëm, të ngritët niveli i sigurisë, ndihmat dhe shërbimet këshilluese, etj. (FT 130). Ardhja e njerëzve të ndryshëm siç janë migrantët, kthehet në një dhuratë kur i mirëpresim ata nga zemra dhe kur atyre u lejohet të bëhen pjesë e jonë (FT 134).

Dhurimi për të tjerë/për të afërm është aftësi për të bërë gjëra të pakrahasueshme, sepse ato janë të mira në vetvete, pa asnjë pritje për të arritur diçka në kthim (FT 139). Vetëm një kulturë shoqërore dhe politike që përfshin pranimin falas mund të ketë një të ardhme (FT 141). Midis globalizimit dhe lokalizimit duhet të krijohet një relacion i shëndetshëm; na duhet një dimension global për të shmangur rënien në mjerimin e përditshëm dhe një dimension lokal për të ecur me këmbë mbi tokë (FT 142).

Nuk është e mundur që në planin lokal të jesh i shëndetshëm pa një hapje të sinqertë ndaj universales. Takimi me universalen pasuron, bënë që vetvetiu të sfidohesh nga ato që po ndodhin diku tjetër, duke lejuar kështu pasurimin nga kulturat e tjera. Çdo kulturë e shëndetshme është e hapur dhe mikpritëse (FT 146). Bota rritet dhe mbushet me bukuri falë sintezave që lindin midis kulturave të hapura (FT 148). Madje çdo qenie njerëzore është një qenie fqinje që nuk ka kufij (FT 150).

 

Kreu 5: Më e mira politikë

Politika më e mirë është në shërbim të së mirës së përbashkët dhe të mirës së përgjithshme, ajo është për njerëzit dhe me njerëzit, domethënë është e popullit, me bamirësi dhe me të mira të ndryshme sociale. Si e tillë ajo kërkon mbrojtjen dhe respektimin e dinjitetit njerëzor dhe atë mund ta drejtojnë dhe aplikojnë burra dhe gra, të cilët, me dashuri politike, e integrojnë ekonominë në shoqëri, në projekte politike kulturore dhe popullore. Për të mundësuar zhvillimin e komunitetit botëror të aftë për të arritur vëllazërimin, duke filluar nga popujt dhe shtetet që jetojnë miqësi shoqërore, është e nevojshme politika më e mirë. Politika e vendosur në shërbim të së mirës së vërtetë të përbashkët (FT 154).

Politika e tillë dallon nga popullizmi, e cila politikë ndodhë të lind dhe krijon udhëheqës politikë që shfrytëzojnë kulturën popullore, në emër dhe me shenja ideologjike, duke manipuluar sikur për pasurime personale ashtu edhe për projekte mallverëzuese në ruajtjen e pushtetin (FT 159). Ajo që me të vërtetë është e popullit, janë përpjekjet e sinqerta që promovojnë të mirën e njerëzve dhe u sigurojnë të gjithëve mundësinë që të mbijë tek ata fara që Zoti e ka vendosur në secilin njeri (FT 162). Ndihma për të varfërit duhet t’u mundësojë atyre që të jetojnë një jetë dinjitoze përmes punës; nuk ka varfëri më të keqe se ajo që privon punën dhe dinjitetin. Bamirësia shprehet në takime mes personave, kur bëhet fjalë për një vëlla ose motër të largët dhe të lënë pas dore, të cilit i shtrihet dora e ndihmës vëllazërore.

Gjithashtu,është e nevojshme të inkurajohet misticizmi i vëllazërisë, kurse organizata botërore të jet më efektive në zgjidhjen e problemeve të rënda të të braktisurve që vuajnë dhe vdesin në vendet e varfra (FT 165). Bota ka nevojë për një politikë që vendos dinjitetin njerëzor në qendër dhe në këtë shtyllë të ndërtojë struktura alternative shoqërore (FT 168). Është e nevojshme të merret në konsideratë përfshirja e lëvizjeve popullore që gjallërojnë strukturat qeveritare me energjie ciladel nga pjesëmarrja e të përjashtuarve në ndërtimin e një fati të përbashkët gjithënjerëzorë. Duhet të kapërcehet ideja e një politike shoqërore ndaj të varfërve, por pa të varfërit (FT 169).

Shtrohet nevoja edhe e një reforme të Kombeve të Bashkuara si dhe arkitektura ekonomike dhe financiare ndërkombëtare në mënyrë që koncepti i familjes së kombeve të bëhet vërtetë konkret. Drejtësia është kusht i domosdoshëm për arritjen e vëllazërisë universale (FT 173). Politika nuk duhet t’i nënshtrohet ekonomisë dhe ekonomia nuk duhet t’i nënshtrohet diktateve dhe paradigmave të efikasitetit të teknokracisë (FT 177). Madhështia politike tregohet kur dikush vepron në bazë të parimeve të mëdha dhe kur mendon për të mirën e përbashkët afatgjate (FT 178). Ati Shenjtë na fton në një rend shoqëror dhe politik shpirti i të cilit është bamirësia shoqërore. Na fton të rishikojmë politikën, një nga format më të çmuara të bamirësisë, sepse kërkon të mirën e përbashkët (FT 180).

Kjo bamirësi politike presupozon një ndjenjë shoqërore që na çon të kërkojmë të mirën e të gjithë njerëzve (FT 182). Duke filluar nga “dashuria shoqërore”, është e mundur të përparohet drejt civilizimit të dashurisë, në të cilin civilizim të gjithë jemi të thirrur (FT 183). Kjo paraqet një forcë të aftë që të zgjojë mënyra të reja për të trajtuar problemet botërore dhe rinovimin e thellë të strukturave, organizatave shoqërore dhe të sistemeve ligjore (FT 183). Ndërkaq bamirësia ka nevojë për dritën e së vërtetës, dritën e arsyes dhe të besimit/fesë (FT 185). Politikanët janë të thirrur në kujdes ndaj njerëzve dhe popujve të brishtëdhe ndaj atyre me nevoja të veçanta (FT 188). Politikani është krijues, ndërtues me qëllime të mëdha, i gjerë, realist dhe pragmatik në dukje, madje edhe jashtë vendit të tij (FT 188).

Politikani është thirrur të bëjë sakrifica që lejojnë takime dhe kërkon të përqendrohet në tema specifike (FT 190).Edhe në politikë ka vend për butësi, madje edhe për dashuri e cila bëhet e afërt dhe konkrete. Kjo paraqet lëvizje një lloj lëvizje që fillon nga zemra dhe rruga që ndjekin burrat dhe gratë më të guximshëm dhe më të fortë (FT 194). Politikani duhet t’i bëjë vetes pyetjet vijuese: Sa dashuri kam investuar në punën time? Si i kam bërë njerëzit të përparojnë? Çfarë përshtypje lashë në jetën e shoqërisë? Çfarë lidhje reale kam krijuar? Çfarë forcash pozitive kam lëshuar? Sa paqe dhe qetësi shoqërore kam mbjellë? Çfarë kam prodhuar në vendin që më është besuar? (FT 197)./drita.info

– v a zh d o n –

Shpërndaje

Comments are closed.

«