Imazh përvujtërie

Oct 31 • Meditimi i ditës

31 tetor 2020 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Fil 1, 18b-26; Ps 42, 2-3.5bcd; Lk 14, 1.7-11)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe mundohem të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:

Në afërsinë time, në atë çka bëj, në njerëzit që i takoj,

në rrethanat e përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

Shpirti im e do shumë praninë tënde, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,

e gjej paqen dhe pushimin.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka në jetën time momentalisht jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe zhvillimin?

Duke i reflektuar disa muaj të kaluar,

a jam i/e aftë të vërej cila janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë frytin e begatshëm?

Nëse i kam vërejtur këto fusha,

do të vendosi që në të ardhmen t`u sigurojë hapësirë dhe kohë.

 

Fjala e Zotit

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në atë mënyrë që ta kuptoj se çka dëshiron të më thotë.

E dëgjoj pjesën e ungjillit dhe lejoj të gjejë jehonë në zemrën time.

 

Lk 14,1.7-11

 

1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.

7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

8 “Kur ndokush të të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti, 9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. 10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • A sillem edhe unë si i ftuari nga shëmbëlltyra e Jezusit. Si sillem?

Thënë me mënyrën e të menduarit të Jezusit sot shumëkujt i duket qesharake kur logjika e botës flet pikërisht të kundërtën: shtyhu përpara, gjithmonë duhet qenë i pari… suksesi, karriera, t`u tregohesh të tjerëve…

  • Kurse Jezusi na mëson përvujtërinë. Cilën logjikë e ndjek unë – logjikën e botës apo logjikën e Jezusit?
  • Gjatë kohës që e dëgjon edhe një herë pjesën e ungjillit e kujtoj se „personat e famshëm“ nga bota e filmit dhe muzikës na argëtojnë për çdo ditë, por këtu nuk guxojmë ta teprojmë duke u dhënë një rëndësi të madhe. E mos të flasim pastaj për botën e pushtetit, parasë dhe politikës… A më ka ndodhur ndonjëherë që dikujt prej tyre t`ia kem pasur lakmi që ecin tepihave të kuq apo pse gjenden nën dritat shkëlqyes të reflektorëve? Përvujtëri nuk do të thotë kalim dyfytyrësh për toke, por domethënë „të jesh real“, në shërbim të të tjerëve… „Kush do të lartësohet, do të përvujtërohet, e kush të përvujtërohet, do të lartësohet!“

 

Bashkëbisedimi

 Me imazhin e gostisë dasmore, Jezusi na tërheq vëmendjen për të parë se si sillemi me të tjerët. Imazhi, ideja që kemi për vetveten si dikush që kërkon njohje të veçantë mund të jetë shkatërruese.

Kur i përdorim me kënaqësi talentet që Hyji na ka dhënë për t`iu shërbyer të tjerëve e pranojmë se Hyji është burimi i vërtetë i çdo të mire. Atëherë e kuptojmë se të gjithë ne jemi të barabartë në sytë e Hyjit.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Na pëlqen njeriu i përvuajtur. Në Jezusin shohim përvujtërinë e atij që ka qenë i vetëdijshëm “kush është” – i dashur nga Ati – dhe nga toka që t`u shërbejë të tjerëve. Ai ndër ne është si ai që shërben,  ai që i sheh nevojat e njerëzve dhe bën atë më të mirën që mundet për t`iu ndihmuar. Me fjalë dhe vepra na ka shërbyer deri në vdekje. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«