PASHKIANA LETRARE

Nov 2 • Kulturë, Letërsi

Në 25-vjetorin e shkuarjes në amshim të Anton Pashkut, 31 tetor 1995 – 31 tetor 2006

 

Nga Prend Buzhala

 

Pashku tashmë është bërë Kujtesë Letrare. Kjo Kulturë e Kujtesës, kësaj radhe, na fton ta dëgjojmë mesazhin e përbashkët të Prijësit në letrat shqipe… Anton Pashku (19937-1995) që për të gjallë të tij, ishte i thadruar e i plazmuar në qenien e në qenësinë e Kohës Sonë, si vetëdije letrare e si vetëdije artistike. Në komunikimin modern letrar Pashku tashmë hyn si aktant i strukturës së ndërsjellë aktanciale (nocione simbas teoricienit frëng, A.J. Greimas: “Les Actants, les Acteurs et les Figures»). Tashmë pashkiana letrare zë e përplotësohet me transformime ndërtekstore shumëtrajtëshe…

 

Pesëdhjetë e nëntë vjet më parë, kur u botua libri “Tregime”, Anton Pashku (1937-1995) hynte në Panteonin e Letërsisë Shqipe, duke e hapur guximshëm portën e rëndë të artit. Leximi i kësaj vepre, edhe njëherë, mbas shumë dekadash, na ballafaqon me njohjen aq gjeniale të Eliotit që e shfaqi në eseun e tij “Tradita dhe talenti individual” mbi dialektikën e së kaluarës në të tashmen dhe të së tashmes në të kaluarën. Do të na ballafaqonte me atë proces të komunikimit artistik, në të cilin tipat e receptimit të veprës e të horizontit të pritjes (Jauss) riaktualizojnë gjithnjë lexime të reja, rilexime, lexime konvergjente e divergjente; do të na hidhte në vatrën e leximeve kontekstuale; do të na ballafaqonte me kontekstet shoqërore e historiko-letrare. Tregimtari i ri ende nuk i kishte mbushur të njëzetat, kur hyri në botën e letërsisë me tregimet e para të botuara më 1955. Ende i kishte të freskëta përjetimet e Luftës së Dytë Botërore dhe rrëfimet për to; ndërkohë që policia sekrete rankoviqiste shtypte e terrorizonte popullsinë shqiptare e, veçanërisht, intelektualët e idealistët e ilegales atdhetare. Gjithsesi, lexuesi i kohës, i pamësuar të lexojë letërsi të figurshme artistike moderne, i pamësuar dhe i penguar të vërë kontakte me literaturën moderne, me komunikimin modern të kulturës e të letërsisë, me format moderne të shprehjes letrare e të shkrimit përgjithësisht; do të gjendet i befasuar para një universi të ri letrar pashkian. Mbas Zekeria Rexhës, Tajar Hatipit, Hivzi Sulejmanit, Ramadan Rexhepit etj, po vinte një brez i ri prozatorësh, që, krahas Anton Pashkut, do të sillnin frymë e risi në horizontin estetik të pritjes, siç ishin Adem Demaçi, Azem Shkreli e Ramiz Kelmendi, ndërkohë që botoheshin veprat e Murat Isakut, Rexhai Surroit, Nebil Durakut e Rexhep Zogajt. Tashmë letërsia moderne shqipe, me veprën e Pashkut, po shënonte kapërcyellin në mes prozës tradicionale (të entuziazmit, realiste, socrealsite, sentimentale-iluministe, letërsisë si dokument etj) dhe të shkrimit artistik si vetëdije letrare. Këta krijues të rinj, me zërin e tyre të veçantë, po sillnin dinamizmin e formave të shprehjes e të rrathëve tematikë, të procedimorëve të rinj krijues e të prirjeve moderne e postmoderne, duke i thyer, nga ana tjetër, standardet tradicionale poetike, ashtu sikundër në krahun tjetër të kësaj letërsie po vepronin Petro Marko, Kadare, Fatos Arapi apo Dritëro Agolli. I njohur tashmë si shkrimtar i thyerjeve të mëdha, i njohur si shkrimtar i veçantë në kodin e tij letrar, Anton Pashku jo vetëm që i dha pamje Letërsisë së re Shqipe, po zuri të shtrojë edhe një ndikim të ndjeshëm në hapësirat e botës letrare shqiptare. Veprat e tij të prozës së shkurtë “Tregime” (1961), “Një pjesë e lindjes” (1965), “Kulla” (1968), “Kjasina” (1973), “Lutjet e mbrëmjes” (1978, dramat “Sinkopa” (1969), “Gof” (1976) dhe romanin “Oh” (1971) e ruajnë jo vetëm veçantinë e tyre dalluese të stilit pashkian e të shkrimit letrar, po edhe mundësinë e leximeve dhe të interpretimeve shumëdrejtimshe e shumështresore. Të përkujtojmë: Rexhep M. Shala botoi dy libra për Anton Pashkun: ”Ex libris: moderna pashkiane” (2000) dhe ”CD-libris – antidrama e autorit” (2001), Kujtim M. Shala: ”Vox-i i Anton Pashkut” (2002), ”Në mbretërinë poetike” (kritikë letrare për vepërn e Anton Pashkut), përgatitur nga Anton N. Berisha (2002) dhe Nysret Krasniqi: ”Libri i Pashkut – romani ’Oh’ – interpretim letrar” (2005). Me modernizimin e narracionit, me poetikën e monologut të brendshëm, me ambientet semantike e me rrezatimet figurative, si dhe me fenomenologjinë e vetëdijes tregimtare mbi situatën e mbi ekzistencën e tij, do të sjellë thyerje në horizontin estetik të receptimit. Identiteti i ligjërimit karakteristik pashkian do të shquhet që në fillim me trajtat e pazakonta të shprehjes, me njësitë e tëra hipotakstike e me njësitë e parataksës narrative, dhe, sidomos, me sintaksën moderne narrative. Nuk do ta kenë ndjerë veten krejtësisht të lirë e të sigurt kritikët e parë letrarë në leximin e këtij libri, kur janë gjendur para një modeli të tillë gjuhësor e narrativ, tek përpiqeshin t’ia gjejnë “gafet” autorit e jo vetvetes. Pos interpretimeve të shumta, kërkimeve të statusit tektsor e ndërtekstor, letërsia e Anton Pashkut të fut në proceset e ndërlikuara e ende të pastudiuara të të fshehtave të artit: në tipologjinë tekstore e polifonike letrare (Bakhtin), në botën e pasur letrare të Zërit të Personazhit ekstradiegjetik e heterodiegjetik, të narratorit diegjetik e homodiegjetik (Elisabeth Rolland), në kërkimet e rrëfimtarisë transgresive etj etj. Megjithëse këtu nuk është rasti të parashtrohen listat e veçorive të përbashkëta e të dukurive të veçanta, një gjë është e sigurt: se proza e Anton Pashkut, për më tepër, poetika moderne, të cilën e ka afirmuar Anton Pashku që me librat e tij të parë, është bërë poetikë mbizotëruese në kohët që pasuan. Është shenjë mbizotëruese edhe e letërsisë së sotme shqipe.

 

2.

“Janë shtatëmbëdhjetë studime monografike, doktorata e vepra tjera që i kushtohen Anton Pashkut”, kumtoi në Takimet e Gjeçovit Frrok Kristaj.

Disa (pseudo)studiues, kur duan ta zhvlerësojnë veprën e tij, e quajnë “modernist”, kundruall të ashtuquajturës “posmodernë” që përbëka vlera “më të larta” se “modernizmi”! Harrojnë se pikërisht Antoni dinte që në ato kohë më shumë se ne për postmodernen (mbaj mend më 1987, në një bisedë në “Rilindje”, kur m’i shpaloste studimet për postmodernen e leksikonët letrarë, ndër të cilët aso kohe zgjidhnin tekste për t’i botuar te “Fjala” e ku ka edhe shkrime për posmodernen). Të tjerët erdhën vonë me ato që i shquante që në ag Antoni!

E çka ishte tregimi i gjatë “Kënaqësitë e Megalopolisit”, apo romani “Oh”, përpos “modernë” edhe “posmodernë” që ngërthen shtresa të tëra të poetikës ironike të kësaj “Posmoderne” me distopinë tematike (lexo: shkrirjen e citateve distopike totalitare në narracionin e tillë)?!

Kur disa të tjerë duan të thonë se në tregime ai është autor me vlera artistike, kësisoj duan ta mohojnë dhe vënë në plan të dytë vlerën e jashtëzakonshme artistike të romanit “Oh”.

Për mendjen time, romani “Oh” është i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, kryevepër e autorit dhe ndër kryeveprat e letërsisë shqipe.

 

3.

Vepra letrare- tregime, romane dhe drama:

Tregime, Jeta e Re, Prishtinë, 1961.

Nji pjesë e lindjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965.

Kulla, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968.

Sinkopa, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1969.

Oh, roman, Rilindja, Prishtinë, 1971.

Kjasina, tregime të zgjedhura, Rilindja, Prishtinë, 1973.

Gof, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976.

Lutjet e mbrëmjes, tregime të zgjedhura, Rilaindja, Prishtinë. 1978.

Oh, roman, botimi i dytë, Rilindja, Prishtinë, 1979.

Tragjedi moderne, drama, Rilindja, Prishtinë,1982.

Vepra të përmbledhura: (1. Tregime fantastike, 2. Tragjedi moderne, 3. Oh), Rilindja, Prishtinë, 1986.

Fièvre, traduit de l’albanais par Eqrem Basha et Christiane Montecot, Petite Véhicule, Paris, 2000.

Fièvre, traduit de l’albanais par Eqrem Basha et Christiane Montecot, L’espace d’un instant, Paris, 2003.

Tregime, Camaj-Pipa, Shkodër, 2003./drita.info

 

(Varianti i parë i këtij shkrimi qe botuar te shtojca për kulturë e gazetës “Iliriapost” që e redaktonte Frrok Krsitaj, në 11-vjetorin e shkuarjes në amshim të Antonit, më 2006. Kësaj radhe publikohet me pak shtesa).

Shpërndaje

Comments are closed.

«