I përvuajtur dhe i lartësuar

Nov 3 • Meditimi i ditës

3 nëntor 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fil 2, 5-11; Ps 22, 26b-28.30-32; Lk 14, 15-24)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“, thotë Zoti.

Ndalu një çast për të hyrë në praninë e dashur të Krishtit ndërsa po e fillon këtë meditim sot.

Mund t`i përdorësh këto ose fjalë të ngjashme: Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lutem për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit Shenjt që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

Si jam duke u sjellë me Zotin? Me të tjerët?
A ekziston diçka për ç` gjë duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të them: faleminderit.
Ekziston diçka për të cilën gjë do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që t`u përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Fil 2, 5-11

 

5 Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus:

6 i cili, edhe pse me natyrë Hyj,

barazinë e vet me Të

nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

7 por ia mohoi vetvetes

e mori natyrën e shërbëtorit

dhe u bë i ngjashëm me njerëz

dhe, për kah pamja e jashtme,

dukej vetëm njeri.

8 E përuli vetveten

duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,

mu deri në vdekjen në kryq.

9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve

dhe i dha emrin që është mbi çdo emër

10 që në Emër të Jezusit

të përkulet çdo gju

i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë:

‘Jezu Krishti është Zot!’

Në nder të Hyjit Atë.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi i Shenjtë:

 

  • Ky është një pasazh me dy gjysma. Në gjysmën e parën, Biri i Zotit bëhet njeri, e merr gjendjen e një skllavi, dhe madje vdes në një mënyrë të dhimbshme, të turpshme. A je në gjendje ta kuptosh se si duhet të ketë qenë kjo për Jezusin?
  • Në gjysmën e dytë të fragmentit, Zoti Atë e ngrit Jezusin lart, duke e sjellë përsëri në vendin e tij të duhur. Çka do të thotë për ty të flasësh për Jezu Krishtin si Zot? Pasazhi hapet duke thënë “Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus.”
  • Ndërsa e dëgjon përsëri, vë re se çka do të thotë për ty të kesh po ato ndjenja siç ishin në Krishtin, siç zbulohet këtu.

 

Bashkëbisedimi

Bisedo me Hyjin një ose dy momente për ndonjë mënyrë në të cilën mund të kesh nevojë t`ia mohosh vetvetes, ta zbrazësh veten, në mënyrë që të jesh në gjendje t`i pranosh të mirat e Zotit e t’i shërbesh Atij më mirë, më me zemër.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Zoti vazhdimisht na fton në një jetë me të – edhe tani. Hapësira dhe koha në të cilat e takojmë Jezusin dhe fshehtësinë e Zotit është tash. Vetëm e tashmja është e gjallë; e kaluara është e pakthyeshme, kurse e ardhmja e pasigurt. Lutja është hyrje në të tashmen e Zotit. Momenti i tanishëm është sakrament i pranisë së Hyjit ndër ne. Çdo frymëmarrje që e bëjmë është dhuratë e jetës dhe dashurisë së Zotit, në momentet e lutjes dhe çdo ditë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«