Shndritni si pishtarë në botë

Nov 4 • Meditimi i ditës

4 nëntor – E mërkurë 2020, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fil 2, 12-18; Ps 27, 1.4.13-14; Lk 14, 25-33)

 

Prania e Hyjit

“Zoti ndikon në mua.”

A je i/e vetëdijshëm për ndikimin që Zoti është duke e bërë në ty, pikërisht në këtë moment.

 

Liria

Me hirin e Hyjit më është dhuruar jeta në liri.

Lirisht kënaqem në të mirat që Ai i ka krijuar për mua.

O Zot i dashur, bëj që të mund të jetojë ashtu siç e ke paramenduar ti, me plot besim në kujdesin tënd të butë për mua.

 

Ndërgjegjësimi

Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,

Ma kujto, o Zot, se gjithmonë je pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment (nëse je në dhomë). Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Fil 2, 12-18

 

12 Kështu, pra, të dashurit e mi, ju që ishit gjithmonë të dëgjueshëm, jini, jo vetëm në praninë time, por shumë më tepër tani që nuk jam pranë jush; punoni me frikë dhe me drojë të madhe për shëlbimin tuaj. 13 Sepse Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, ndikon në ju e të doni e të veproni. 14 Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë, 15 që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në mes të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë, 16 duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës që të mund të mburrem në Ditën e Krishtit se nuk kam vrapuar kot dhe nuk jam munduar kot. 17 Mu, përkundrazi, edhe në qoftë se duhet që gjaku im të derdhet si fli njomëse e shërbesës hyjnore për fenë tuaj, jam i kënaqur dhe galdoj bashkë me ju. 18 Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe galdoni bashkë me mua!

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi i Shenjtë:

 

  • Shën Pali u thotë njerëzve të Filipit: “Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, ndikon në ju e të doni e të veproni.” Ku e dallon Zotin se ndikon në jetën tënde?
  • Ai gjithashtu flet për ata që ndriçojnë porsi pishtarë në një botë të shtrembër, të errët. Sa e sheh të vërtetën e këtij imazhi të pasqyruar në jetën tënde?
  • Ndërsa e dëgjoni përsëri fragmentin biblik, vë re se çka është ajo që e çon Palin të gëzohet dhe të galdojë.

 

Bashkëbisedimi

Në zemër të këtij leximi është ftesa për të “mbajtur lart Fjalën e Jetës”.

Në përmbyllje të këtij meditimi, kërkoji Zotit gjithë atë që të nevojitet për të të ndihmuar të qëndrosh në këtë rrugë të jetës.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty. Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot. Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën e madhe time për paqe. Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je pranë meje. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«