I/e humbur e i/e gjetur
5 nëntor 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Fil 3, 3-8a; Ps 105, 2-7; Lk 15, 1-10)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.
Mendoj se si gjithçka rreth meje,
Ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,
Rrezaton praninë e Hyjit.
Liria
Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote. Ma jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis. Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.
Ndërgjegjësimi
Si po e ndjej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i qetë, i/e lumtur se ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndjej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.
Fjala
E dëgjoj Fjalën e Hyjit me mend e zemër,
dhe ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që ndërlidhet me jetën time.
Lk 15, 1-10
1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:
“Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”
3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:
4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?
5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ 7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”
8 “Ose ‑ cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ 10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.”
Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- A do t`i lije 99 delet për ta gjetur të humburën edhe me çmim që dikush të t`i vjedhë ato 99? A do t`i lije 99 monedha mbi tavolinë për ta gjetur një e cila mungon duke rrezikuar humbjen e të gjithave? Ka diçka në këtë tregim që flet se Jezusi “humbet” nga dashuria për ne, se Zoti jep gjithçka nga hyjnia e vet për ne njerëzit.
- Farisenjtë murmuritnin, gërnjiteshin. A gërnjitem, ankohem për gjithçka, i/e pakënaqur me mënyrën se si sillet Hyji?
- Kur ta dëgjoj edhe një herë tekstin biblik, do të mendoj për vlerat e vërteta. Kështu ndoshta e kuptoj që „do të më duhet sërish të kërkoj, ndoshta edhe të fshij me fshesë dhe t`i lëviz të gjitha sendet derisa t`i gjej“.
Bashkëbisedimi
Hyji na ofron dashurinë në Jezu Krishtin dhe Zoti gëzohet kur troket në zemrat tona ne ia çelim zemrën me dashuri. Lutja është çelje e gjithë personalitetit tonë ndaj dashurisë së Zotit.
Vështirësia ime më e madhe ndoshta është pikërisht ajo që thjesht s`mund t`i lejoj vetes të jem real përpara Jezusit – i/e tillë si jam – i/e prekshëm. A mund t`i lejoj atij të m`i marrë dobësitë e mia dhe t`i vë ato mbi supet e veta? A mund të lutem: “Mbartmë, o Zot?”
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Gjetja e një monedhe krijon gëzim. Me rëndësi është të kuptosh që posedimi dhe pasuria mund të më verbërojnë që mos t`i vërej gjërat e thjeshta dhe bekimet që më jepen çdo ditë.
Njerëzit rreth meje ndoshta edhe mund të dinë ç` është gjëja më e rëndësishme për mua. Duke e vështruar gruan nga tregimi i Jezusit ndoshta duhet t`ua kujtoj se ç` është për mua përnjëmend e vlefshme. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.