A je i/e pasur në Krishtin?

Nov 7 • Meditimi i ditës

7 nëntor 2020 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fil 4, 10-19; Ps 112, 1-2.5-6.8a.9; Lk 16, 9-15)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.
Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.
Ma kujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment (nëse je në dhomë). Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 16, 9-15

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

9 Ndërsa unë po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.
10 Kush është besnik në gjëra të vogla, është besnik edhe në gjëra të mëdha; e kush nuk është besnik në gjëra të vogla, ai nuk është besnik as në gjëra të mëdha. 11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rreme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? 12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve:
Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”

14 Të gjitha këto po i dëgjonin farisenjtë që s’i ngin gjë me para dhe e përqeshnin. 15 Jezusi u tha:

“Ju dini të paraqiteni para njerëzve të drejtë, porse Hyji i njeh zemrat tuaja! Veçse, çka është e madhërueshme para njerëzve, është ndyrësi para Hyjit.

 

Çka po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Aforizmi që mban bashkë këtë sërë deklarimesh thotë: “Ju nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.” Nëse përpiqemi ta bëjmë këtë, do të jemi të shqyer, të copëtuar. Duhet të zgjedhim njërën ose tjetrën.
  • Edhe një herë jemi të ballafaquar me çështjen e prioriteteve. A është shërbimi ndaj Hyjit kuptimi përfundimtar i jetës sonë, qëllimi i saj përfundimtar? Në të vërtetë, a është vetë Hyji dashuria supreme e jetës sonë?
  • Kur ta dëgjoj përsëri pjesën e ungjillit, do ta kem para sysh se “pasurinë” mund ta kuptojmë fjalë për fjalë, por ajo mund të ketë edhe një kuptim metaforik. Ajo mund të nënkuptojë çdo gjë që na largon nga shërbimi i Hyjit. Mund të jetë çdo gjë që mund të bëhet një zëvendësim për Hyjin, çdo gjë që mund të na ngashënjejë si një dashnor/e i/e rrem/e dhe mashtrues/e.

 

Bashkëbisedimi

Ky fragment i ungjillit është një ndërthurje e aspekteve të ndryshme të jetës. Pas tyre është një theks në cilësinë e jetës që jetojmë. Është e rëndësishme që nganjëherë të gjejmë kohë për të menduar për ekuilibrin që kërkohet midis rritjes sonë shpirtërore dhe rrethanave të jetës. Ne lehtë mund të dështojmë në vlerat e vërteta të jetës nëse e lejojmë veten të kapemi në rrjetat e mentalitetit të kësaj bote.

Një formë e dobishme e lutjes është të mendosh për përparimin tënd në jetë. Ku jam unë? Kah po shkoj? Do të flas për këtë me Jezusin në lutjen e sotme.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Kush është besnik në gjëra të vogla do të jetë besnik edhe në gjëra të mëdha. O Zot, po më fton të synoj heqjen e plotë të pandershmërisë, gjysmë të vërtetave dhe kënaqësive të pista.
Terezja e Lizjës (e Jezusit Fëmijë) rrugën e saj të vogël e kishte bazuar në këtë: besnikëria është lule dashurie për të cilën asgjë s`është e vogël. Kur e përgatis një dhuratë për atë që e dua çdo detal është i rëndësishëm – dhe e bëj këtë me gëzim. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »