Krishterimi vigjilent

E diela XXXII gjatë vitit – viti A

 

Leximi i parë   Urt 6,12-16

Ne jemi krenarë për zhvillimet e shkencës dhe teknikës, por zbulojmë kufijtë e tyre dhe ndjejmë që është e nevojshme diçka tjetër, dituria. Për ta gjetur nuk janë të mjaftueshme përpjekjet tona, sepse dituria u dhurohet atyre që e kërkojnë. Është vetë dituria, dhuratë e Hyjit, që na kërkon, dhe u paraprin përpjekjeve tona. Në këtë mënyrë paralajmërohet koncepti i Hirit.

 

Lexim prej Librit të Urtisë

Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet, dhe ata që e duan e shohin lehtë, ajo gjendet prej atyre që e kërkojnë. U del para atyre që e dëshirojnë që të bëhet e njohur prej tyre.  Kush ngrihet heret për ta kërkuar s’do të lodhet: do ta gjejë ndenjur para derës së vet. Sepse, edhe vetëm ta dëshirosh atë është përsosje mençurie, kush për atë rri zgjuar, shpejt do të jetë i sigurt. Ajo vetë endet andej-këndej për t’i kërkuar ata që janë të denjë për të, udhës u dëftohet me kënaqësi e në të gjitha mendimet e tyre vetë u vjen e para në takim. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   63

Ref: Shpirti im ka etje për ty, o Zot

—————————-

O Hyj, Hyji im je ti,

qysh në agim të kërkoj.

Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron trupi im,

tokë e shkretë, e thatë, e paujë.

—————————-

Kështu erdha në Shenjtëroren tënde

për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:

buzët e mia do të të lavdërojnë.

—————————-

Kështu do të të bekoj në jetën time,

e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,

me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.

—————————-

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim,

në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime,

prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

—————————-

 

Leximi i dytë   1 Sel 4, 13-18

Pali shpreh vërtetësinë themelore të të krishterëve që i përket vdekjes. Pas vdekjes është jeta.  Si do të jetë kjo jetë akoma nuk e dimë; por Krishti ka ardhur për ta shpallur, duke pranuar të vdesë si skllav, dhe duke u shfaqur pastaj i ngjallur para dishepujve të tij. Atje përtej vdekjes Krishti na pret për të na futur në jetën e tij të të ngjallurit. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Nuk duam, o vëllezër, t’ju lëmë në padijeni lidhur me ata që vdiqën, që të mos trishtoheni porsi të tjerët që nuk kanë shpresë. E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin, do t’i marrë në lumturi.  Këtë po ju themi të themeluar në fjalën e Zotit: ne që jemi gjallë, që do të ndodhim gjallë në ditën e ardhjes së Zotit, nuk kemi për të qenë para atyre që kanë vdekur. Sepse vetë Zoti – kur të jepet urdhri, në zë të kryeengjëllit, në zë të borisë së Hyjit – do të zbresë nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi ende në jetë, bashkë me ta kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin. Pra, ngushëlloni njëri tjetrin me këto fjalë! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Qëndro besnik deri në vdekje, thotë Zoti, dhe do ta jap kurorën e jetës.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Mt 25, 1-13

Kortezhi i dhjetë vajzave që shkojnë për të takuar dhëndrin tregon se pesë ishin marroqe dhe pesë të tjera të mençura. Të gjitha jetojnë së bashku, por jo të gjitha dinë të jetojnë me mençuri. Marroqet duke marrë dritëzat nuk marrin me vete vaj, të mençurat së bashku me dritëzat marrin edhe vaj tjetër. Kur vendoset që të shoqërohet dhëndri, është e nevojshme që të drejtohet gjithçka drejt Krishtit dhe të marrim mjetet e nevojshme për të qëndruar besnikë ndaj zgjedhjes së krishterë.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta dhe i dolën para dhëndrit. Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. Tashti, këto marroqet morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. Ndërsa ato të mençurat morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’ Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’ Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. Më vonë ia behën edhe virgjërat tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ Por ai u përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Nuk mjafton t’i përkasësh një familjeje katolike për të qenë i krishterë, nuk mjafton, pra, të marrësh sakramentet: është e nevojshme edhe të jesh i mençur në vepra duke u angazhuar në një shërbim bujar dhe besnik.

Shëmbëlltyra e shoqeve të nuses që presin dhëndrin na tregon se jeta është pritje e vazhdueshme e dhëndrit, e Krishtit Zot, që fshihet në fytyrën e të varfërve, të të vuajturve, të emigrantëve. Virgjërat që kanë vrapuar në momentin e fundit për të marrë vaj e kanë mbetur përjashta na kujtojnë që nuk duhet të presim momentin e fundit, nuk duhet të bëhemi dinakë e të themi… nesër! Tani të gëzojmë jetën e pastaj… të shohim në momentin e fundit nëse ka një përtej.

Takimi me Hyjin është gjithmonë i paparashikuar. Gjykimi i Hyjit nuk do të bëjë asgjë tjetër vetëm të miratojë atë që ne kemi zgjedhur. Nuk mund të shkohet në kërkim të vajit të të tjerëve: secili është thirrur të përgjigjet me lirinë dhe përgjegjësinë e vet, dhe të vendosë fatin e vet të amshuar. Mbi këtë edhe Hyji nuk mund të ndërhyjë. 

“Të vigjilosh” nuk është vetëm të mendosh për vdekjen e për jetën e amshuar, është edhe të pranosh sot “Zotin që vjen” nëpërmjet rrethanave të jetës, takimeve me njerëzit e tjerë, frymëzimeve të ndërgjegjes. Në pritjen tonë na leverdis të drejtojmë mendjen dhe zemrën drejt të Vetmit që mund të na mbushë me të vërtetë. Jezusi na thotë: nëse jeta është pritje; pritni personin e duhur, më pritni mua: jeta është një pritje dashurie.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, në këto të Diela të fundit të vitit liturgjik jemi të ftuar të mendojmë seriozisht për takimin që do të kemi me Zotin në fund të jetës sonë. T’i afrohemi Atij me besim e me mirënjohje për gjithçka që na ka dhënë.

L. Ta thërrasim me besim duke thënë: Na dëgjo, o Zot!

L. Që e gjithë bashkësia të bashkohet në falënderimin për Zotin krijues e Atë dhe të bashkëpunojë me zemërgjerësi për një progres të vërtetë në drejtësi e në paqe. Të lutemi.

L. Që puna në të gjitha shprehjet e saj të marrë dritë e forcë prej fjalës dhe shembullit të Krishtit, duke e ditur që në Të është e vërteta e njeriut. Të lutemi.

L. Që në çdo anë të botës të punohet në mënyrë më të efektshme për të eleminuar skandalin e mosushqyerjes dhe urisë, dhe të shpërndahen në mënyrë të barabartë mes popujve të gjitha të mirat e tokës. Të lutemi.

L. Që fara, e hedhur në tokë nga punëtorët e fushës, të prodhojë një mbledhje të begatshme dhe mos t’i mungojë askujt buka e përditshme. Të lutemi.

L. Për këtë bashkësi: që të ndjejë nevojën të ushqejë besimin në burimin e jetës që është Krishti, e të dijë të jetojë kohën e pranishme në mënyrë vepruese e të frytshme për të arritur mbretërinë qiellore. Të lutemi.

M. O Zot Jezus, ti na ke thënë: “Rrini zgjuar dhe lutuni përderisa nuk e dini as ditën as orën”. Bëj që ta marrim seriozisht këtë paralajmërim, që të jemi të gatshëm të të mirëpresim kur Ti të vish.  Ti që jeton e mbretëron për të gjithë shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: