Paqja e ka burimin në Dashuri

Nov 12 • Opinion

Me rastin e 100 – vjetorit të lindjes së Prof. Anton Çettës dhe 30 – vjetorit të pajtimeve

 

Nga Gjon Ballabani

 

 

“Sa të  bukura janë mbi male

këmbët e kasnecit

që sjell sihariqin e paqes,

që sjell lajm të mirë …”

(Is 52, 7a)

 

Përvjetorët shpeshherë na sjellin një freski kujtimesh, për të na frymëzuar për vepra madhore. Është fjala për sherim të plagëve shekullore, është ftesa për bashkim të popullit, është ky kushtrim që na e përkujton të gjitha periudhat e lavdishme të historisë. Është lajmi i mirë që gëzon zemrat e rinisë, është jehona e këngëve të rapsodëve, të cilët këndojnë me atë melosin aq të ëmbël të sharkisë, që shprehin dhe kulmojnë në Lendinat e Pajtimimeve.

Një përkujtim të rëndësishëm të pajtimeve 100 – vjetorin e lindjes së liderit dhe misionarit të paqes – prof. Anton Çetta. Mirëpo ky përvjetor na lidh edhe me 100-vjetorin e mikut të paharueshëm të shqiptarëve që pati dhemshuri dhe aq dashuri për popullin tonë, sepse mori obligime që të na shpëtojë nga shfarosja, duke ndërtuar ura të forta mes nesh me EU dhe me SHBA, Shën Gjon Pali II. Tani është koha t’i kthehemi të së kaluarës, për të mësuar, nga historia nga baticat dhe zbaticat për të thith nektarin e mësimeve më të drejta dhe mos t’i përbuzim të arriturat. Pra të mirat t’i shtijmë në veprim dhe dobësitë t’i largojmë nga vendi.

Është rast i mirë që në këtë vit, me rastin e këtij përvjetori të lavdishëm, të sipërshënuar t’i japim vetvetes një përgjegjësi personale, por edhe të çdo njeriut të vullnetit të mirë ta analizon bilancin vjetor që gati po përfundon: çfarë është kontributi im për paqe? Muaji tetor është edhe muaj i misioneve, tani po e pyes veten: ku janë frytet e paqes? A jam angazhuar në pajtim dhe falje? Edhepse kemi pas mjaft ngacmime, jemi munduar t’i tejkalojmë ato raste jo të mira. Gjatë kësaj periudhe shpesh me ato shprehje të mia, ndoshta të varfëra, i kami lutur njerëzit pa dallim moshe, gjinie, profesioni dhe pozitës fetare apo shtetërore të angazhohen në këtë drejtim. Mjerisht, prej disa njerëzve që kemi pritur rezultate, në të shumtën e rasteve kemi patur sabotim apo ftesë të përkeqësimit të situatës. Por megjithatë të shpresojmë se nuk është vonë të angazhohemi për një Platformë Paqeje. Sepse asgjë nuk është e pamundur për Hyjin dhe për njerëzit e vullnetit të mirë. Të shpresojmë se ASHAK, nuk do të hezitojë që mos ta jep kontributin e vet.   

 

Lutje për paqe

Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, pikërisht më 2 shkurt 1990, kur rinia jonë shqiptare e frymëzuar nga ndjenja fisnike e paqes dhe e dashurisë, me zgjimin e vetëdijes kombëtare, u organizua për shërimin e plagëve shekullore ndër shqiptarë, që na përcillte përçarja dhe hakmarrja – vëllavrasja. Këtë farë të keqe e kishin mbjellur armiqtë për të vetmin qëllim: përçaj dhe sundo. Dhe pas shumë përpjekjeve, disa intelektual të atyre viteve largoheshin nga puna prej pushtuesit, prej vendeve udhëheqëse dhe nga procesi edukativo-arsimor, për shkak të diferencimit ideo-politik. Mirëpo pati edhe të tilla që janë tërhequr duke përbuzur karrierën, vetëm që mos ta dëmtojnë të afërmin.

Ky veprim i printe procesit paqësor. Një udhëheqës larghet nga pozita edhe pse i premtonin oferta të tjera në vende të ndryshme. Kështu ishte larguar nga vendi për të kërkuar punë. Me që nuk gjeti kurrfarë pune fizike, gjatë kthimit, pati vendosur ta bënte një shtegtirm në Megjugorje. Vite më parë pati dëgjuar se po lajmërohet Zonja e Bekuar – Mbretëresha e Paqes. Ky  shtegtar më tepër e kishte bërë kurreshtar se sa që besonte. Arritja në Megjugorje ishte rreth orës 12, më 2 shkurt 1988. Meshët e paraditës kishin përfunduar dhe Mesha në mbrëmje ishte në orën 18.00, ku pritej sipas paralajmërimit edhe dëftimi i Zonjës së Bekuar – Mbretëresha e Paqes. Shtegtari informohet se që nga pranvera e vitit ’81, në vazhdimësi Mbretëresha e Paqes ftonte njerëzimin për paqe. Kjo pranverë lidhej edhe me pranverën e zgjimit kombëtar në Kosovë, por ky aktivitet pengohej në Kosovë nga Serbia, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Gjithashtu pengoheshin dhe keqtrajtoheshin edhe pjesëtarëve që u dëftohej Mbretëresha e Paqes. Atëherë zgjohet kureshtja e këtij vizitori edhe më tepër. Shtegtari takohet para Meshës Shenjte me një anëtare të grupit të dëftuesve, Vicka, me që tani nuk kishte dyshime, asaj i bën këtë kërkesë: lute Mbretëreshën e Paqes, për mua, familjet tona dhe për popullin tim shqiptar. Kisha mbushej, para meshës, fillon lutja e Rruzares së Zojes. Në këtë kremte të kësaj dite Kisha na e përkujtojnë leximet liturgjike. Kushtimi i Jezu Krishtit në Tempull të Jerusalemit (khs Lk 2, 22 – 38).  Pas lutjes së Ruzarës na lajmëruan që në ato momentet kur po dëftohej  Mbretëresha e Paqes, secili për vete mund ta formulante ndonjë lutje personale.

Atëherë shtegtari drejtohet me këte lutje: “O Mbretëreshë e Paqes, Nëna e Jezu Krishtit dhe Nëna ime. Sot po të kushtohem krejtësisht. Unë, në moshën 36 vjeçe, po të lëshohem sot e deri në amshim në dorën tënde, ashtu sikur të Birin tënd që ia kushtove Hyjit në Tempull, mua sot më lësho në duar të Atit Qiellor. Me këtë rast po të lutem për paqe në zemrën time, në familje, në fshat, në Komunën tonë, në Kosovë, në Jugosllavi dhe në mbarë botën.”

Shtegtari, pas kësaj lutjeje, ndjeu njëlehtësim dhe e pati pushtuar paqja. Pas meshe, natën mori rrugën e kthimit. Duke u larguar nga ajo Shenjtërore e përjetonte rënd këtë ndarje: prandaj mendonte me vetvete se kur do t’i jepet rasti të takohem me këtë Nënë, që ta ndiej dhe ta ripërtërij këtë kënaqësi. Gjatë kthimit e ndjente se Jezusi banonte në te. Tani shtegtari kishte nevojë për një meshtar që ta ndihmonte për vendimet e ardhme, sepse ia shtronte vetvetes shumë pyetje: çfarë do të bëj që nga sot? Si të kthehem në vendlindje? Me kë të këshillohem për vendimet e mëtejme jetësore? Kush do të më ndihonte në këtë rrugëtim? Nuk dëshiroj më të kthehem në shtëpi pa vendime të prera…

Gjatë natës shtegtari pati udhëtuar që të këshillohet me ish famullitarin, që ato ditë ndodhej në Kroaci. Gjatë ditës nuk u takua me ish famillitarin, por në mbrëmje u takuan, ku i shpjegoi të gjithë ngjarjen. Në mëngjesin e 4 shkurtit, pas Meshës Shenjte, me meshtarin, vazhdon dëshminë e tij duke u endur nëpër rrugicat e kuvendit, i rrëfente përshtypjet bindjet dhe vendimet që kisha dëshironte t’i ndërmarr:

Troku i ndërgjegjës nuk ia duronte më duron dyfytyrësinë. Nuk mundem ta mohoj më Jezu Krishtin. Nga frika sikur Shën Pjetri edhe unë e kam mohuar Krishtin. Kështu pati bërë edhe Pjetri duke mohuar tre herë. Por unë e kam mohuar ndoshta treqind herë. Mësimet ungjillore na e përkujtojnë thënien e Jezusit (khs Mt  10, 32-33) dhe se: “Askush s’ mund t’u shërbejë dy zotërinjve…” (Mt 6, 24a). Më 2 shkurt i kam dhënë fjalën se jam krejtësisht i Zojës. Natën e kaluar  për derisa flija në ëndërr më vjen një femër erdhi të më provokonte, nuk e njoha, më thotë se është dashuruar në mua, përderisa më tundonte jam shtrënguar dhe thash: jo, sepse unë i jam kushtuar Zojës. Ajo nuk dëshiron të jam i tillë. Nga frika se po mëkatoj, jam zgjuar nga gjumi. Të falënderoj o Zot që më shpëtove. Tani unë ndiej një përgjegjësi ndaj Jezusit që gjatë mundimeve në kryq i pati thënë Gjonit apostull, por edhe mua dhe mbarë njerëzimit: “Qe Nëna jote” – por edhe Asaj i tha: “Qe yt bir!” (Gjn 19, 26 – 27). Nuk dua më ta mohoj Krishtin, sepse me ndihmën e Hyjit dhe Zojës së bekuar, do të largohem nga të gjitha dobësit njerëzore. Do ta mohoj çdo pasuri dhe çdo karrier, por Jezu Krishtin jo më. Herë pas here për t’u shërbyer atyre, më propozojnë poste të ndryshme, por më tepër ishin ato kundër klerit katolik, por edhe kundër bashkëpunëtorëve. Në kapelën e Kuvendit ku ishte truporja e Zojës Fatime, ishte një tubë me ikona të Zemrës së Papërlyer të Zojës, me dy lutje dhe 11 kushte premtuese, për t’i realizuar në jetë. Aty ai mori disa kopje më tepër dhe pasi i pati lexuar mendonte: ja këto janë kushtet e mia. Atëherë në shpirt ndien një kënaqësi dhe me nënshkrimin i pranonte që të gjitha detyrimet për t’i zbatuar.

Pas kthimit në shtëpi, në atë fundjavë, pati shkuar në Meshë të dielën e parë të shkurtit haptazi, pas një dekade, sepse gjatë kësaj periudhe ai shkonte fshehurazi që mos ta sheh kush në sakristi, apo në Kishën e fshatrave fqinj. Prania e udhëheqësit haptazi për të gjithë ishte e habitshme! Madje edhe babai më tha:

  • Pse shkove? Të gjithë fjalën tënde po e bëjnë.
  • Çfarë të keqe bëra? – i përgjigjet babait.
  • Dikush të lajmëron.
  • Nuk ka nevojë të më lajmëron askush – përgjigjet djali.

Me kaq mbyllet dialogu me babain dhe ai doli në oborr. Shtegtari pas kthimit shkruan këtë deklaratë:

KOMITETIT KOMUNAL  TË  LKJ-së

N Ë  …….

Unë i quajturi … në vendin e punës drejtor lëshoj këtë:

N J O F T I M

Kaherë kam menduar për situatën politike e të sigurisë, dhe pas shumë netëve pa gjumë, kam ardhur në përfundim se: unë si njeri, duke vërejtur një situatë të krijuar, nuk mundem ta jap kontributin tim të dëshiruar, prandaj kam vendosur që prej sot e tutje do të shkoj në kishë për t’u lutur, sepse vetëm Perendia mundet të na shpëton. Prandaj, do të lutem për paqe në fshat, komunë, Kosovë, Jugosllavi dhe në mbarë botën.

Unë jam i gatshëm të vazhdoj punën në procesin edukativo-arsimor, nëse nuk ka pengesa me këto qëndrime. U falënderoj nëse ma vazhdoni besimin ne këso kushte, por u falënderoj edhe në heqjen e këtij besimi.

Me 7 shkurt 1988

M e   r e s p e k

Nënshkrimi

 

Diçka e çuditshme! Si mund të fliste një intelektual për paqe, kur nuk kishte “luftë”? Vijnë gazetarë të ndryshëm për tek I. D. që ta intervistojnë. Ata japin vlerësime të ndryshme. Hapet lajmi se drejtori ishte në depresion, një tjetër shprehet është i çmendur dhe i treti fliste mirë ka vepruar. Në fund, drejtori shprehet: po, ka kohë që jam i çmendur në dashuria ndaj Hyjit, por edhe ndaj të afërmit. Jam i çmendur që e hodha maskën e partisë, sepse nën maskën e saj fshiheshin shumë të këqija, gënjeshtra dhe mashtrime. Jam i çmendur se nuk dua askush të pëson prej meje, sepse pranova më mirë të ma bën dikush mua të keqën se sa unë dikujt. Jam i çmendur, sepse e kam përbuzur karrierën. Jam i çmendur se lutëm për paqe, edhe pse nuk kishte luftë frontale, por për provokimet e një lufte psikologjike, e cila i ndërronte format dhe strategjinë. Në ato ditë karriera kërkonte t’i gjykosh të afërmit: ta dëmtosh vendin duke i akuzuar më të dashurit e tu. Në të vërtetë provokimet për luftë Serbia i pati filluar menjëherë pas vdekjes së Titos, por edhe rinia shkollore e kishin kuptuar këtë projekt, prandaj u organizuan demostratat e vitit 1981, për një shkëputje – ndarje nga Serbia.

Me rastin e 1-vjetorit, më 2 shkurt 1989, shtegtari përsëriti vizitën, ku shkon për t’u lutur dhe për ta falënderuar Zojën e Bekuar për hiret që i kishte pranuar dhe për ndërmjetësinë e saj. Ai rishtegtim e përforconte paqen. Lutja, sakrifica dhe falënderimi, shënuan lëvizje pozitive në drejtim të paqes. Protestat dhe demonstratat paqësore kishin marr hov. Edhe shtegtim i dytë ishte i përmallshëm, gjatë largimit nga Nëna Qiellore, sepse përjetohet sikur largimin nga Nëna biologjike, kur larghet prej familjes.

Të nesërmën zgjohet shtegtari dhe vazhdoj lutjen. Ishte një statujë e Znjës në Sakristi. Aty hyjnë njerëz për të lutur. Gjunjëzohet para saj, për derisa lutej Zoja e Bekuar ia fillon të qajë. Gjatë asaj kohe derisa ajo po qante, shtegtari i tmerruar nuk i përmbante lotët. Në ato momente kosovari mendonte: çfarë të zezash po e presin popullin tonë, që Nëna Qiellore po parashikonte, e cila qante për të bijtë e saj? Shtegtari me insistim edhe më të madh i lutej Nënës së Jezusit: lute Birin tënd Jezu Krishtin që të na shpëtojë nga këto rreziqe që po i kanosen vendit tonë. Pas pak kohësh fytyra e Zojës fillon të ndriçonte dhe iu kthye buzëqeshja. Me atë rast ai ndjeu një lehtësim, duke fituar besimin se lutja po i paranohet.

Koha kalon dhe kujtimet e shtegtarit edhe sot po i ngjallen. Shpesh ai mediton në misterin e kësaj ngjarjeje: lotët e Saj, m’i përkujton baticat dhe zbaticat e vendit gjatë dekadave që i kemi  përjetuar. Luftën e tmerrshme me ekzod, me krime, me dhunime, me burgime, me vrasje dhe me zhdukukje të viktimave. Ishte tmerri i hakmarrjes – vëllavrasjes ndër ne shqiptarët. Ai duke u thelluar në dhimbjen e Nënës, se ajo qante për padrejtësitë që po i shkaktojnë armiqtë ndër shekuj, që pa kurrfarë mëshire e përsekutojnë me egzod dhe e detyrojnë t’i lëshon trojet e veta populli shqiptar, që t’i grabisin pushtuesit ardhacak. Në planin e shfarosjes në mënyrë djallëzore, që për një standard “më të mirë” të jetës, na “këshillojnë”, ta planifikojmë familjen. Prandaj në atë dekadë populli ynë e pati kuptuar mirë intrigën e armikut dhe arriti shkallën më të lart të lindjeve. Kjo kohë ishte fitore e paqes, sepse nuk pati vrasje të fëmijve nga ana e prindërve. Buzëqeshja e Zojës m’i përkujton rezultatet dhe frytet e lutjeve.   

Atë mall e dashuri vizitori e përsëriti edhe me shtegtimin e tretë më 2 shkurt 1990, që të çmallet dhe falënderonte për herë të tretë. Situata e sigurisë ishte dramatike, kronikat e zeza për burgosjet, vrasjet e rinisë kosovare ishin bërë përditshmëri. Vicka, që ishte në oborrin e Zyres së Famullisë, i afrohet shtegtari, duke iu prezentuar se jam prej Kosove, i kërkon që gjatë dëftimit të Zojës të lutej: lute Zojën sepse dua t’i kushtohem krejtësisht Mbretëreshës së Paqes, por ia paraqes edhe popullin tim dhe Kosovën. Para se të nisej Mesha Shenjte shtegtari kosovar i afrohet Vick-ës, për ta përkujtuar. Ajo me që ishte me At Leone, që po e udhëhiqte Meshën. Ajo kur e pa se po i afrohet kosovari, e prezenton para At Leonit: Ky është një kosovar, ia kushton Mbretëreshës së Paqes Kosovën dhe popullin e vet. Ai  emocionohet për kujdesin dhe kujtesën e saj.

 

Fara e lutjes dhe e sakrificës

Gjatë kohës kur flitej se po dëftohej Zoja, shtegtari me lotë për fytyrë lutej për fatin e popullit që të na shpëton nga shfarosja. Gjatë Meshës Shenjte At Leoni pati formuluar këtë lutje: “Të lutemi për paqe në botë, në veçanti atje ku po shtiejnë me armë. Të gjithë: Dëgjoje o Zot lutjen tonë”. Atëherë kosovari ia plasi vajit, kur dëgjon se të gjithë të pranishmit po luteshin dhe po solidarizoheshin me popullin tonë. Dhe  vërtetë Zoti, e dëgjoi këtë lutje dhe pati mëshirë për ne. Sepse lutja u shndërrua në dhimbje dhe mëshirë të Hyjit që kishin për ne, që atëherë kur të gjithë besimtarët u lutën për viktimat e Kosovës. Prandaj mëshira dhe dashuria e Hyjit ishte frymëzuese dhe frytdhënse, sepse atë ditë në Lum Bardh shënohen frytet e lutjes, sepse populli shqiptar fillon aksionin më të vlefshëm, shërimin e plagës së hakmarrjes.

Hapat tanë të sigurt drejt paqes ndodhi në dhjetor të vitit 1989 me rastin e SHSHK, shkëputet nga Serbia. Gjatë këtij viti u përkujtua 300 – vjetori i Pjetër Bogdanit. Në ato ditë kleri katolik i Kosovës, me në krye me Imzot Nikë Prelën, pati rastin ta njoh më për së afërmi një njeri të besueshëm, që mund ta përfaqsonte Kosovën dhe popullin e saj. Serbia dita – ditës vinte duke shtuar dhunën, në veçanti ishte rasti i rënd dhe i padurueshëm, atëherë kur ndodhi me helmimin e rinisë shkollore. Kisha me njerëzit e saj u angazhua me murgesha, infermiere dhe të gjitha objektet kishtare i pati vënë në dispozicion, duke i improvizuar në ambulanca emergjente për t’i mjekuar shkollarët. Okupatori shpesh i kërcnojnë meshtarët, për t’i frikësuar e keqtrajtuar në forma të ndryshme. Mirëpo Imzot Nikë Prela ishte i vendosur për ta kundërshtuar të keqën.

Në ato ditë ipeshkvi i Kosovës, Nikë Prela, së bashku me sekretarin e tij Don Lush Gjergjin, ia mësyjnë Vatikanit, për ta njohur botën me gjenocidin që po e ushtron Serbia ndaj një populli të pa mbrojtur. Kur dëgjon Serbia reagimin e Papës Gjon Palit II, me dinakëri hap propagandën se Kosova separatiste ka ndër mend  ta themelon një Republikë “islamike.” Këte terren ata e kishin përgatitur ndër shekuj duke zbeh ndjenjen kombëtare me misionarët sllav nga Serbia dhe Rusia. Në ato ditë këtë propagandë e demantojnë para Atit të Shenjt ipeshkvi dhe sekretari i Kishës së Kosovës. Madje Karol Wojtila, e njihte mirë politikën ruse, sepse kishte qenë i përndjekur nga regjimi i tyre. Aktiviteti i kishës vazhdonte në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe për prijës të vendit do ta marrin njeriun e urtë, Ibrahim Rugovën. Në Vatikan shkon me një strategji për ta çliruar vendin me programin paqësor, i cili bëri bum. Ky njeri i madh, fillon ta lut Hyjin duke uruar dhe lutur: Zoti e bekoftë Kosovën dhe njerëzit e saj. Me atë plan e strategji paraqitet në Bruksel dhe Amerikë, i shoqëruar nga  dy krerët e Kishës së Kosovës. Emri i Nënë Terezës, si bijë shqiptare i dha edhe një shtytje drejt afirmimit të Kosovës. Atëherë fillon të shkruhet Libri i Bardhë i Kosovës. “Kossovo un popolo che perdona”, autor ishin: Giancarlo e Valentino Salvoldi e Lush Gjergji. Nëpërmjet këtij libri Kosova afirmohej në mbarë Evropën deri në Amerikë duke u përkthyer në shumë gjuhë botërore. Strategjia paqësore rugoviane apo si thoshte presidenti historik tereziane, zgjonte ndjenjen e ndërgjegjës së Kombeve të Bashkuara dhe forcave të NATO – s, për ta marr nën mbrojtje një popull të pambrojtur. Nga ushtria jugosllave, të rijnët kosovarë kthehen nëpër arkivole, nga skenarët e përgatitur se kinse kishin bërë “vetvrasje” e tjetri i shpalli luftë një ushtrie të tërë, për t’u plaguar ushtarët e të gjitha kombeve. Qëllimi ishte të zgjohet urrejtja e të gjitha republikave kundër Kosovës. Ishte ky rasti i Aziz Kelmendit, që kjo propagandë ishte realizuar në në një rrëmujë që e kishin programuar në kazermë të Serbisë.

Në këto kushte e rrethana  shpërthen greva e minatorve në “Trepça”. Demonstratat paqësore janë shuar me dhunë nga policia dhe ushtria edhe me viktima në njerëz. Jo vetëm kaq, populli vetëdijsohet dhe vazhdon iniziativa për sherimin e plagës shekullore të hakmarrjes. Kështu, me 2 shkurt 1990 të rinjët fillojnë aksionin për pajtimin e gjaqeve. Ky akcion përkrahet nga të gjitha shtresat e popullit dhe i pati pri pajtimit plaku i  urtë Anton Çetta. Kjo ishte mrekullia e popullit, sepse u falen me qindra gjaqe. Ndër më të famshmet ishin tubimet e pajtimeve në Vera të Llukes.

Mërgata kudo demonstronte nëpër Evropë dhe Amerikë. Duke shfrytëzuar autoritetin e Don Lush Gjergjit, në Zyrën e Famullisë në Binçë, një përfaqësues i shqiptarëve në Lombardi patën hartuar planin e demonstratave në Itali. Me rastin e rezistencës së familjes së Jasharajve në Prekaz nga forcat serbe, në vikendin pas rënies së dëshmorit me familjeje, janë organizuar demonstrata të famshme. Para fillimit të demonstratës së të shtunes që ishte shumë masive, organizatori i pati shkruar Radio Vatikanit dhe Papës Gjon Palit të II. Të nesërmën Papa, në Sheshin e Shën Pjetrit e dha mesazhin për gjithë botën: Ta mbrojmë Kosovën dhe popullin e saj të pa mbrojtur. Fjala e tij autoritative zgjon ndërgjegjën e fuqive të mëdha se duhet të ndërmarrin hapa konkret që në mënyrë paqësore t’i bëjnë presion Serbisë që ta ndërpren terrorin ndaj kësaj popullate. Pastaj vazhduam me demonstratat në Milano dhe Firencë, ku morën pjesë edhe miqët e Kosovës dhe të Don L. Gjergjit, vëllezrit Salvoldi, autorët e Librit të Bardhë për Kosovën.  

 

Shenjtërit janë modele të jetës 

Me që jemi në fund të muajit tetor, muajit të misioneve, dita e parë e muajit 1 Nëntor, Kisha Katolike përkujton TË GJITHË SHENJTËRIT. Në këtë ditë çdo kush mund ta kremton edhe ditën e emrit. Ky përkujtim, lidhet se çdo njeri është i ftuar për shenjtëri. Pra shenjtërit nuk ka nevojë ne t’i lavdojmë apo t’i nderojmë, sepse ata e kanë marr shpërblimin e kurores, por ata ne duhet t’i kemi model të jetës sonë.

Më kujtohet një predkë i Imzot Nikë Prelës, ku me rastin e kremtës së Gjithë Shenjtërve, theksoi: Kisha nuk ka patur mundësi t’i shpall të gjithë shenjtërit, por ka caktuar këtë ditë t’i përkujtojmë edhe dëshmorët e Zotit që për ne janë të panjohur. Dita e dytë e nëntorit, na fton t’i përkujtojmë purgatorët, që mund të jenë në pastrim e sipër për Parajsë, dhe lutjet tona mund ta ndihmojnë shpëtimin e tij edhe më herët. Përveç tjerash duhet t’i përtërijmë veprat e mira të të dashurve tanë që kanë kaluar në amshim. Këta shembuj e begatojnë jetën me shembuj të mirë, sepse është edukatë të shëndosh për shoqërinë njerëzore.

Populli ynë ka figura të ndritshme, që mund t’i kosiderojmë për njeri të shenjtë ndonjë individ. Kontribut të rëndësishëm në misionin e paqes dhe pajtimit me ndikim të shquar ishte prof. Anton Çetta, ku ky përvjetor i shumëfishtë, na fton dhe na motivon t’i përtërijmë këto veprime sa të lavdishme aq edhe fisnike e kombëtare. Për veprimtari të jashtëzakonshme që kanë ndihmuar, ndikuar kombin tonë në momentet më kritike kemi vetëm dy shenjtër që i shpalli Kisha dhe që i njeh bota: janë Shën Nënë Tereza dhe Shën Gjon Pali II, por kemi shumë shenjtër, dëshmorë shqiptarë, që mund t’i kemi model dhe t’i lusim që të ndërmjetësojnë për ne para Hyjit, sepse Zoti i do dhe dëgjon kërkesat e bashkëpunëtorëve të paqes dhe të mirësisë. Pra t’i kujtojmë misionarët e pajtimit si personalitetet shtetërore fetare dhe publike.

     Sot është rast i mirë që para përgatitjes së PLATFORMËS SË PAJTIMIT, ta bëjmë një testim për vetveten:

  1. A kemi nevojë për pajtime në trojet shqiptare?
  2. Kush na ka ruajtur identitetin tonë kombëtar?
  3. Si dhe kush na ka mbrojtur gjuhën tonë?
  4. Kush e ka penguar shkollimin dhe përhapjen e shkollimit në gjuhën shqipe?
  5. Pse dhe nga kush i parashtrohen këto pengesa për shkrimin e gjuhës tonë?
  6. Çfarë janë qëndrimet e shteteve në respektimin e gjuhës tonë amtare?
  7. Kë po e pengon vetëdija kombëtare dhe drita e diturisë që pengohet shkollimi gjatë shekujve?
  8. Pse kjo mjegulli rreth identitetit fetar dhe kombëtar?
  9. A është edukata fetare për dashuri apo për urrejtje ndaj qenies njerëzore?
  10. A jemi të edukuar për falje apo për fyerje?
  11. Kush po na mëson të vërtetën dhe kush po e mjegullon situatën me mashtrime?
  12. Ndaj kujt ta lidhim besimin dhe ndaj kujt të shprehim dyshime?
  13. Në kë ta lidhim shpresën, apo kemi të drejtë të dëshprohemi?
  14. Kush po na e dhuron dritën dhe kush po na orienton në errësim?
  15. Kush po na dhuron gëzim dhe kush po na shkakton pikëllim?
  16. Kujt i konvenon që ta mbjellin farën e përçarjes në popullin tonë?
  17. Cilat janë interesat e tyre që po orientojnë popullin në rrugë pa krye?
  18. A jemi ankuar deri dje se të huajt na kanë shfrytëzuar dhe na kanë përçarë?
  19. E sot kush po na shfrytëzon dhe kush po na përçan?
  20. A mundem t’i besoj një Hyji që kërkon prej meje ta urrej tjetrin, që nuk mendon si unë?
  21. Pse ta marr jetën e tjetrit, sepse nuk i përket besimit tim?
  22. Cili Zot më arsyeton të lëshohem në shërbim të vdekjes?
  23. Mos ndoshta me dhunë e me frikë duhet ta pranoj një besim, kaq të dyshimt?
  24. A është më mirë t’i besoj një Hyjit – Dashuri, apo një Hyjit – vrastar?
  25. A duhet që nënën, bashkëshortën dhe bijën time ta mbyll, ta maskoj dhe ta dënoj që është femër?
  26. A nuk duhet ta konsideroj fëmijë të barabartë si djalin, ashu edhe vajzën?
  27. A duhet të jam vegël e paqes dhe e dashurisë?
  28. A duhet t’i ndihmoj nevojtarët vetëm nëse mendojnë dhe besojnë si unë?
  29. A nuk duhet të jetojnë edhe njerëzit e tjerë?
  30. A duhet t’i përbuzi bëmirësat tanë?

Të mundohemi unë ti dhe ai, ta japim secili prej nesh kontributin e mirëqenies për popullin shqiptar që të jetojmë në paqe, harmoni dhe dashuri të ndërsjell. Të jemi më të kujdesshëm ndaj miqëve tanë që luftuan për lirinë e vendit tonë dhe mos ta përbuzim as sakrificën e dëshmorëve tanë që kanë rënë për liri, por edhe të jemi më të kujdeshëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare që na ndihmuan dhe luftuan për lirinë e Kosovës… Kështu do të lobojmë për njohjen dhe lirinë e Ventit tonë.

Është koha dhe momenti i duhur që t’i mbledhim të gjitha forcat, t’i lëmë përçarjet dhe pa kurrfarë     dallimesh në moshë, gjini dhe rol udhëheqës në qeveri, në parti, në besim t’i pertërijmë veprat madhore të dashurisë, të paqes dhe të pajtimit./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«