Fratelli tutti – Të gjithë vëllezër VI – Perspektivat dhe vështrimi kritik

Nov 15 • Kisha në botë, Res socialis

Nga Don Mikel Sopi 

 

Në shtojcë, duke iu referuar problematikës së kohës dhe elementeve të cilat janë duke krijuar antagonizëm mes interesave socio-politike dhe mesazhit fetar, Papa vë në dukje faktin se Hyji i Gjithpushtetshëm nuk ka nevojë që askush ta mbrojë atë, dhe është më se e sigurt se Hyji nuk dëshiron që emri i tij të përdoret për të terrorizuar njerëzit (aq më tepër njerëzit e pafajshëm). Andaj papa Bergoglio ripërsërit thirrjen për paqe, drejtësi dhe vëllazëri,vlera këto – siç shprehet ai – të cilat së bashkui kemi ndërtuar, këtë thirrje Papa e bazon në saje të elementeve që pasojnë:

  • Në emër të Zotit, që krijoi të gjitha qeniet njerëzore të barabarta në të drejta, detyra dhe dinjitet duke i thirrur ata të jetojnë së bashku si motra dhe vëllezër, të banojnë tokën dhe t’i transmetojnë asaj vlerat e mirësisë, të dashurisë dhe të paqes;
  • Në emër të shpirtit të pafajshëm njerëzor, të cilin Hyji ka ndaluar të vritet, duke pohuar se ai që vret një person është në të vërtetë sikur të kishte vrarë tërë njerëzimin dhe kushdo që e shpëton atë sikur të kishte shpëtuar gjithë njerëzimin;
  • Në emër të të varfërve, të mjerëve, nevojtarëve dhe të margjinalizuarve, për të cilët Hyji na ka urdhëruar që t’iu ndihmojmë, duke i detyruar kështu të gjithë njerëzit për këtë lloj ndihme dhe veçanërisht ata që janë të pasur;
  • Në emër të jetimëve, të vejave, refugjatëve dhe atyre që dëbohen nga shtëpitë dhe vendet e tyre, në emër të të gjitha viktimave të luftës, persekutimit dhe padrejtësisë, në emër të të dobëtve, atyre që jetojnë në frikë, robër lufte dhe të abuzuar kudo në botë, pa dallim. Në emër të popujve që kanë humbur sigurinë, paqen dhe mundësinë e të jetuarit së bashku, duke u bërë viktima të shkatërrimit, tragjedisë dhe luftës;
  • Në emër të vëllazërisë njerëzore që përfshin të gjithë njerëzit dhe që i bashkon ata dhe i bën të barabartë;
  • Në emër të kësaj vëllazërie të shkatërruar nga politika e ekstremizmit dhe përçarjes, dhe sistemeve të përfitimeve të pangopura dhe tendencave të ideologjive të urrejtjes që manipulojnë me veprime dhe me të ardhmen e njerëzve;
  • Në emër të lirisë që Zoti u ka dhënë të gjitha qenieve njerëzore, duke i bërë ata të lirë dhe duke i dalluar me këtë dhuratë (nga krijesat e tjera); në emër të drejtësisë dhe mëshirës, që paraqet ​​themel të përparimit dhe gurin e këndit (themel) të besimit;
  • Në emër të të gjithë njerëzve vullnetmirë të pranishem në çdo cep të globit; në emër të Zotit dhe në emër të gjithë asja që u tha më sipër, të pranojmë miratimin e një kulture të dialogut si rrugë të bashkëpunimit të ndërsjellë, si një kod të sjelljes, të mirëkuptimittë ndërsjellë dhe si metoda dhe kritere. (FT 285)

Nëvazhdim dokumenti Fratelli tutti për një vëllazëri ndërnjerëzore fokusohet në artin e rregulltarit Charles de Foucauld, i cili e ka zhvendosur idealin e tij të përkushtimit total ndaj Zotit drejt identifikimit me më të vegjëlit, me të braktisur në thellësitë e shkretëtirës afrikane. Në këtë kontekst, de Foucauld shprehu dëshirën e tij për ta ndjerë çdo njeri si vëlla/moter duke iu drejtuar një mikut të tij me këto fjalë dhe me këtë kërkesë: “Lutjuni Zotit që të jem vërtet vëlla për të gjithë”. Në fund të fundit, thekson Papa, ai donte të ishte “vëllai i gjithë botës”, ndërsa vetëm duke u identifikuar me më të vegjëlit ai u bë vëllai i të gjithëve. Ati i Shenjtë, duke e vlerësuar lart këtë ideal të mishëruar në jetën e këtij shenjti (Ch. de Foucauld) lut mëshirën e Hyjit që ta frymëzojë këtë ideal në secilin prej nesh (FT 287) drejt një bote më të mirë dhe më paqësore/më vëllazërore.

 

Veçoria e perceptimit të vëllazërisë së krishterë

Themeli i konceptimit të vëllazërisë në këtë enciklikë shoqërore të papa Bergoglios, sipas shumë studiuesve, qëndron në aspektin teologjik dhe specifikisht në atë “Trinitar”. Kështu që koncepti i “vëllazërisë”, sipas tyre, është i rrënjosur në një themel të fortë teologjik dhe që pasojat shoqërore nxirren nga një vizion thellësisht ungjillor. Ky dokument (se paku pjesërisht) mund të definohet si një lloj përkthimi i Ungjillit për botën e sotme, përkthim ky në “teologji të popullit” dhe nga ana tjetër pasqyrohet një artikulim i qartë i bamirësisë krishterë për botën e globalizuar të mijëvjeçarit të tretë.

Dokumenti Fratelli tutti saktësisht paraqet një mohim shumë të qartë të disa paragjykimeve, sepse në enciklikë ideja kryesore e vëllazërisë, qartë është e rrënjosur në themelin e saj teologjik dhe jo në formulimet juridike apo politike të bashkësisë ndërkombëtare apo lëvizjeve të ndryshme sociale. Përsisatjet e këtij dokumenti kanë për bazë figurën e Atit Qiellor, para të cilit ne jemi të gjithë vëllezër, pastaj në atë të misionit të Birit, i cili na bën vëllezër në të si fëmijë të birësuar dhe më pas në veprimin e Shpirtit Shenjt, i cili forcon dhe shenjtëron.

Duhet pra të vëhet në pah fakti se thirrja e enciklikës në vëllazëri ka për qëllim shpalljen e Ungjillit, e lajmit të gëzueshëm, se Zoti është ndër ne. Domethënë nuk kemi të bëjmë vetëm me doktrinën shoqërore si të tillë, por me pasojat shoqërore të një shndërrimi të zemrës në atë vëllazëri që është dhuratë e Zotit, dhuratë kjo e njerëzve për t’i bërë ata të aftë të duan dhe të mirëpresin njëri-tjetrin, duke ndërtuar kështu një botë më të drejtë për të gjithë.

Konceptimin e vëllazërisë krishterë, bukur e ka prezentuar atëherë teologu i ri në atë kohë, Joseph Ratzinger. Në një libër broshurë të tij, të botuar në vitin 1960, me titull:“Vëllazëria e krishterë” (titulli origjinal: Die christliche Brüderlichkeit), në këtë libër shumë të çmuar, Ratzinger thekson se si ideja e vëllazërimit në krishterim ndryshon nga dy konceptimet e tjera, ndryshon pra: si nga koncepti botëror, sipas të cilit vëllazëria do të themelohej vetëm në të drejta të barabarta, domethënë në vizionin e Revolucionit Francez dhe nga ana tjetër, ndryshon edhe nga konceptimi elitar, autoreferentë dhe i mbyllur, i cili shpesh është thirrur si një lloj alternative ndaj korrupsionit në botë.

Ndërkaq, duhet të ceket se në teologjinë e krishterë, vëllazëri nuk është asnjëri nga këto dy vizione sipër të cekura, pra as botëror dhe as elitar. Vëllazëria në perceptimin dhe shpalljen e Ungjillit paraqet dhuratë të Hyjit, dhe mbi këtë dashuri shoqërore bazohet mundësia e ndërtimit të një bote më të drejtë për të gjithë. Këto janë tema mbi të cilat papa Françesku iu rikthehet për t’i shqyrtuar më gjatë, duke nënvizuar aspekte të ndryshme, në zhvillimin dhe paraqitjen e enciklikës së tij. Nga ana tjetër, vazhdojnë zërat tjerë dhe skeptik, duke vlerësuar se etika që papa Bergoglio propozon me këtë enciklikë shoqërore i ka humbur rrënjët dhe identitetin e saj të krishterë…, duke presupozuar se jemi përballë një vizioni të thjeshtë botëror!

 

Ndikimet dhe vështrimi kritik

Në këtë enciklikë mësojmë gjëra që janë thelbësore për të gjithë në “fshatin global” (njerëzimin), por është gjithashtu e vërtetë që ajo fuqishëm mban identitetin e thellë shpirtëror dhe teologjik të personit Jorge Bergoglio. Duhet patur para sysh se papa Françesku jetën e tij e kaloi në Argjentinë, në Buenos Aires ku ekziston praktikimi i një “teología del pueblo” (teologjie të popullit), por deri diku edhe ndikimi tërthor i levizjes “teología de la liberatión” (teologjia e çlirimit), e cila e ka përshkuar teologjinë dhe kishën në mbarë territorin e Amerikes Latine pas Koncilit  II të Vatikanit.

Si të tillë, ky stil dhe kjo lëvizje teologjike në Amerikën Latine, pranë të tjerëve, ka nxjerrur edhe emra të ekuilibruar teologjik (siç janë: Lucio Gera, Juan Carlos Scannone, Rafael Tello, etj.). Është më se e natyrshme që në pika të caktuara papa Françesku të jetë ndikuar nga autorë të ndryshëm, sidomos nga ata të cilët edhe më saktësisht e kanë theksuar themelin teologjik të krishterë dhe angazhimin teologjik për një drejtësi më të madhe sociale dhe për vëllazëri apo dashuri konkrete ndërnjerëzore.

Themeli i asaj që papa Françesku presupozon në këtë enciklik megjithäte vlerësohet se është teologjik dhe në mënyrë implicite “Trinitar”. Kurse pasojate këtij konceptimi shprehen në idenë e një zemre të hapur ndaj botës, të një bote më të drejtë, ku vlerësohet dinjiteti i personit duke e vendosur ate në qendër, të një bote që i thotë jo dënimit me vdekje dhe i thotë jo luftës. Duke filluar nga lart, pra nga themeli teologjik i një Hyji që dërgon Birin dhe Shpirtin midis njerëzve për të kuptuar midis tyre vëllazërinë dhe për t’i treguar se pasojat e kësaj vëllazërie drejtpërsëdrejti reflektohen në jetën shoqërore, në drejtësinë sociale dhe si rrjedhojë e kësaj në një shoqëri paqësore.

Vizioni i Papës mbi politikën i paraqitur në kapitullin e pestë, bënë të kuptojmë akcentin teologjik edhe në zhvillimet politike, teologji, e cila duhet të vihet në shërbim të së mirës së vërtetë të përbashkët. Temat themelore, siç janë: problematika rreth punës njerëzore, ajo rreth drejtësisë dhe paqes si dhe dënimi i sistemeve të padrejta botërore, janë tema që ndriçohen në Fratelli tutti, nga thellësia e rrënjës teologjike nga e cila është frymëzuar Ati të Shenjtë. Gjithsesi, pozicione dhe perspektiva këto që dëshmojnë mësimin dhe frymëzimin primar ungjillor.

 

Përfundim

Papa Françesku enciklikën Fratelli tutti e përmbyllë me dy lutje të veçanta. Njëra i drejtohet Hyjit Krijues dhe tjetra është me karakter ekumenik për vëllezërit e krishterë. Këto dy lutje shumë përmbajtësore dhe aktuale për kohën tonë, po i sjellim në vazhdim:

 

Lutje Krijuesit

O Hyj dhe Ati i njerëzimit, që ke krijuar të gjitha qeniet njerëzore me të njëjtin dinjitet, derdhe në zemrat tona frymën vëllazërore. Na përmbush me besim në ëndrrën e një takimi të ri, të dialogut, të drejtësisë dhe të paqes. Na inkurajon në krijimin e një shoqërie më të shëndetshme dhe një botë më të vlefshme, pa uri, pa varfëri, pa dhunë, pa luftëra.

Le të hapen zemrat tona për të gjitha kombet dhe shtetet e botës, në mënyrë që ne të njohim bukurinë dhe mirësinë që e ke mbjellur në secilin prej tyre, dhe të jemi në gjendje të krijojmë lidhje uniteti, projekte dhe shpresa të përbashkëta. Amen

 

Lutja ekumenike e krishterë

Hyji ynë, Trini e dashurisë, nga bashkësia e fuqishme e misterit tënd hyjnor, derdhe midis nesh lumin e dashurisë vëllazërore. Na jep dashurinë që u tregua në gjestet e Jezusit, në familjen e tij nga Nazareti dhe në bashkësinë e parë të krishterë.

Na jep të krishterëve që të jetojmë Ungjillin dhe ta njohim Krishtin në çdo njeri, ta shohim të kryqëzuar në ankthin e të braktisurve dhe të harruarve nga kjo botë dhe ta shohim të ringjallur në çdo vëlla që ngrihet.

Eja, Shpirt Shenjt! Na trego bukurinë tënde dhe shkëlqe në të gjithë njerëzit në tokë, për të zbuluar se të gjithë janë të rëndësishëm, që të gjithë janë të nevojshëm, se ato janë fytyra të ndryshme të të njëjtit njerëzim të dashur nga Hyji. Amen/drita.info

 

– f u n d –

Shpërndaje

Comments are closed.

«