Papa Françesku: Shën Jeronimi, dashuruesi i Biblës

Nov 17 • Kisha në botë, Kulturë, Teologji

Letra Apostolike

e Papës Françesku

“Scripturae Sacrae Affecus”

në 1600-vjetorin e vdekjes së Shën Jeronimit

 

Shën Jeronimi përmes jetës dhe veprave të tij, Kishës ia ka lënë një përzemërsi për Shkrimin e  Shenjtë, të shkruar dhe trashëguar, një dashuri të gjallë dhe të ëmbël për Fjalën e Zotit,. Shprehjet të nxjerra nga kujtimi liturgji liturgjik i Shenjtit[1], na japin çelësin e leximit të nevojshëm për njohje – në 1600 vjetorin e vdekjes së tij – figurën e tij madhore në historinë e Kishës, si dhe dashurinë e madhe për Krishtin. Kjo dashuri, si lumi në shumë degë, përhapët në veprimtarinë e tij  si studiues i palodhshëm, përkthyes dhe ekzeget  i Shkrimit të Shenjtë; shpjegues i stërholluar i teksteve biblike; mbrojtës i flakët, ndonjëherë edhe i pamëshirshëm i së vërtetës së krishterë; asketit të rreptë dhe vetmitarit, përpos kësaj, udhëheqësit të regjur shpirtëror, me shpirtmadhësinë dhe mallëngjimin e tij. Sot – 1600 vjet pas – figura e tij ka një aktualitet të madh për ne të krishterët e shekullin XXI.

 

Hyrje

Me 20 shtator 420, Jeronimi përfundoi jetën e tij tokësore në Betlehem, në bashkësinë që e kishte themeluar pranë shpellës së Lindjes së Jezusit. Kështu ia dorëzoi Zotërisë, të cilin e kishte kërkuar dhe njohur gjithnjë në Bibël, të njëjtin si Gjyqtar e kishte takuar në një vegim, me ethe, ndoshta për Kreshme të vitit 375. Në këtë ngjarje, që kishte shënuar një kthesë vendimtare në jetën e tij, çast kthimi dhe ndryshim perspektive, atë e kishte tërhequr prania e Gjykatësit “i cili më pyeti rreth gjendjes time, thashë se isha i krishterë. Mirëpo, kryesuesi shtoi: “Ti gënjen! Je ciceronian, jo i krishterë”. [2] Vërtet, Jeronimi që nga rinia i kishte dashur bukuritë e kulluara të teksteve klasike latine, në krahasim me shkrimet e Biblës, që në fillim i dukeshin të pagdhendura dhe me gabime gramatikore, tepër të ashpra për shijen e tij të hollë letrare.

Kjo ngjarje e jetës së tij, kishte favorizuar vendimin e tij që t’i kushtohej tërësisht Krishtit dhe Fjalës së tij, duke kushtuar jetën e vet për t’i bërë sa më të përshtatshme shkrimet hyjnore për të tjerët, me punën e tij të palodhshme të përkthyesit dhe komentuesit. Kjo ngjarje ia dha jetës së tij një orientim më të vendosur: Të bëhet shërbëtor i Fjalës së Hyjit, si i dashuruar në “trupin e Shkrimeve.” Kështu, në kërkimin e vazhdueshëm të jetës së tij, ai rivlerësoi studimet e rinisë dhe formimin në Romë, duke i riorientuar njohuritë e tij kah shërbimi më i pjekur ndaj Hyjit dhe bashkësisë së krishterë.

Për këtë, Shën Jeronimi me të drejtë të plotë është një ndër figurat e Kishës së lashtë, në periudhën që përcaktohet shekulli i artë i Patristikës, urë e vërtetë mes Lindjes dhe Perëndimit; është mik i rinisë së Rufinit të Kavilesë, takohet me Ambrozin dhe ka një letërkëmbim të shpeshtë me Augustinin. Në Lindje njeh Gregorin Nazianzenas, Didimin e Verbër, Epifanin e Salamisë. Tradita ikonografike e krishterë e paraqet së bashku me Augustinin, Ambrozin dhe Gregorin e Madh, mes katër dijetarëve të mëdhenj të Kishës së Perëndimit.

Qysh paraardhësit e mi kanë dashur ta përkujtojnë figurën e tij në rrethana të ndryshme. Para një shekulli, me rastin e 1500 vjetorit të vdekjes, Benedikti XV ia kishte kushtuar atij Letrën enciklike Spiritus Paraclitus (15 shtator 1920), duke ia paraqitur atë botës si “doctor maxime explandis Scripturis” (doktorin më të lartë në shpjegimin e shkrimeve).[3] Në kohë më të afërt, Benedikti XVI e ka paraqitur në dy katekeza në vijim personalitetin dhe veprat e tija.[4] Tash, në 1600 vjetorin e vdekjes, dëshiroj edhe unë ta përkujtoj Shën Jeronimin dhe ta propozoj aktualitetin e porosisë së tij dhe të mësimeve të tij, duke u nisur nga dëshmia e tij e madhe për Shkrimet.

Në këtë kuptim, ai mund të ndërlidhet në mënyrë ideale, si prijës i sigurt, dhe dëshmitar i privilegjuar me Asamblenë XII-të të Sinodit Ipeshkvor, kushtuar Fjalës së Zotit,[5]si dhe me Nxitoren Apostolike të paraardhësit tim Benedikti XV “Verbum Domini” – Fjala e Zotit, që është botuar mu në festën e Shenjtit, me 30 shtator 2010.[6]

 

Prej Romës në Betlehem

Jeta dhe rrugëtimi personal i Shën Jeronimit ngjan nëpër rrugët e perandosrisë romake, mes Europës dhe Lindjes. I lindur rreth vitit 345 në Stridon, mes Dalmacisë dhe Panonisë, në territorin e Kroacisë ose Sllovenisë së sotme, mori një edukim solid në një familje të krishterë. Sipas traditës së asaj kohe, pagëzohet në moshën e pjekurisë, në vitet e studimit në Romë, mes viteve 358 dhe 364. Shi në këtë periudhë, ai bëhet lexues i pangopshëm i klasikëve latinë, që studionte nën udhëheqjen e mësuesve të ndritur të retorikës së kohës.

Pas përfundimit të studimeve, ndërmori një udhëtim të gjatë në Gali, që e solli në qytetin perandorak të Trierit, sot në Gjermani. Aty për herë të parë erdhi në lidhje me përvojën rregulltare lindore, që e kishte përhapur Shën Atanazi. Kështu ishte pjekur në të një dëshirë e thellë që e përcolli  në Akvile, ku filloi jetën e përbashkët me disa miq, “një kor i të lumturve.”[7]

Rreth vitit 374, duke kaluar për Antioki, vendosi të tërhiqet në shkretëtirën Kalcida, për të realizuar në mënyrë më rrënjësore një jetë pendestarë, në të cilën i jepte shumë hapësirë studimit të gjuhëve biblike, së pari greqishtes, pastaj hebraishtes. Mësimin e gjuhës hebraishte ia besoi një hebreu, që ishte bërë i krishterë, e i cili e udhëzonte në shqiptimin që e përcaktonte si “të mprehtë apo cingërues dhe frymor. [8]

Shkretëtirën, me jetën vetmitare që karakterizon, Jeronimi e kishte zgjedhur dhe jetuar në kuptimin e saj më të thellë: si vend të zgjidhjeve jetësore dhe themelore, të intimitetit dhe takimit me Hyjin, nëpërmjet kundrimit, sprovave të brendshme, me një vetëdije të kufijve personal dhe të tjerëve, duke pranuar rëndësinë e lotëve.[9] Kështu, në shkretëtirë, hetoi praninë konkrete të Hyjit, marrëdhënien e domosdoshme të qenies njerëzore me Të, ngushëllimin e mëshirshëm. Më pëlqen të përkujtoj një anekdotë të traditës apokrife. Jeronimi e pyeti Zotërinë: “Çka do prej meje?”. Ai i përgjigjet: “Ende nuk m’i ke dhënë të gjitha.” “Zotëri, unë të kam dhënë këtë, këtë dhe këtë.” “Mungon edhe një gjë” – “Çka” – “M’i jep mëkatet e tua, që unë të mund të japë prapë gëzimin e faljes. [10]

E gjejmë në Antioki, ku u shugurua meshtar nga ipeshkvi Paulini, pastaj në Kostandinopojë, rreth vitit 379, ku njihet me Gregorin Naziancenin, dhe ku i vazhdoi studimet e tij, i kushtohet përkthimit në latinisht të disa veprave të rëndësishme nga greqishtja (homelitë e Origjenit dhe kronikën e Eusebit), merr frymën e Koncilit që ishte kremtuar në atë qytet në vitin 381. Në këto vite do t’ia kushtojë studimeve në të cilat zbulohet pasioni dhe zemërgjerësia e tij. Një shqetësim i bekuar e udhëhiqte dhe e bënte të palodhshëm dhe të flakët në kërkim: “herë pas here dëshpërohesha, shpesh dorëzohesha; mirëpo, më vonë e rifilloja me vendimin e këmbëngultë për mësim, i udhëhequr nga “fara e hidhët” e këtyre studimeve për të mbledhur “frytet e shijshme.”[11]

Në vitin 382, Jeronimi kthehet në Romë, duke u vu në shërbim të Papës Damasit, i cili, duke çmuar cilësitë e mëdha të tij, e bëri bashkëpunëtor të ngushtë. Këtu Jeronimi angazhohet në veprimtari të pandërprerë, por pa harruar jetën shpirtërore: në Aventino, falë përkujdesjes së grave aristokrate romake, që dëshironin zgjidhje themelore ungjillore, si Marçela, Paola dhe bija e saj Eustakio, e krijon një oazë shpirtërore të bazuar në leximin dhe studimin e Shkrimit të Shenjtë. Jeronimi është ekzeget, mësimdhënës, udhëheqës shpirtëror. Në këtë periudhë, ai ndërmori dhe filloi rishqyrtimin e përkthimeve të mëparshme latine të Ungjijve, ndoshta edhe të pjesëve tjera të Besëlidhjes së Re; vazhdoi punën si përkthyes i homelive dhe komenteve biblike të Origjenit, radhit një veprimtari letërkëmbimi, publikisht ballafaqohet me autor heretik, nganjëherë me teprime dhe i papërmbajtur, por gjithmonë i udhëhequr nga dashuria e sinqertë për ta mbrojtur fenë e vërtetë dhe thesarin e Shkrimeve.

Kjo periudhë e frytshme dhe e thellë ndërpritet me vdekjen e Papës Damasit. Ishte i detyruar ta lëshonte Romën, dhe në përcjellje të disa miqve dhe grave që donin ta vazhdonin përvojën shpirtërore dhe studimet biblike që kishin filluar, niset për Egjipt, ku takohet me teologun e madh Didimin e Verbër – dhe pastaj në Palestinë, për t’u vendosur përfundimisht në Betlehem, në vitin 386. Merret përsëri me studimet filologjike, të ndërlidhur me vendet fizike që kishin qenë skenarë të tregimeve biblike.

Rëndësia e vendeve të shenjta vjen në spikamë jo vetëm me zgjedhjen e jetës në Palestinë, prej vitit 386 deri në vdekje, por edhe në shërbim të shtegtarëve. Pikërisht në Betlehem, vend i privilegjuar për të, në afërsi të shpellës së Lindjes së Zotërisë, themeloi dy kuvende “binjake”, mashkullor dhe femëror, me bujtinë për mikpritje të shtegtarëve që vinin ad loca sancta (në vendet e shenjta), duke e treguar bujarinë e tij ndaj mysafirëve, të cilët vinin në atë kohë për të parë dhe për të prekur vendet e historisë së shëlbimit, duke e bashkuar në këtë mënyrë kërkimin kulturor dhe shpirtëror.[12]

Në dëgjimin e Shkrimit të Shenjtë Jeronimi e gjen vetveten, fytyrën e Zotit dhe të vëllezërve, dhe e përsosë dashurinë e tij për jetën në bashkësi. Prej këtu lind dëshira e tij për të jetuar me miq, si në kohën e Akvilesë, dhe për të themeluar bashkësi rregulltarë, duke vazhduar idealin cenobitik të jetës rregulltare, që e trajton kuvendin si “palestër” (shkollë) për formimin e personave “që e mbajnë vetveten më të vegjël se të gjithë, për të qenë të parët mes të gjithëve”, të lumtur në varfëri dhe të aftë për të mësuar me stilin e jetës së tyre. Vërtet, e konsideronte si gjë formative të jetosh “nën udhëheqjen e një të vetmit epror dhe në shoqërinë e të shumtëve”, për të mësuar përvujtërinë, duresën, heshtjen dhe butësinë, me vetëdije që “e vërteta nuk i do këndet e errëta, nuk kërkon pëshpëritës.” [13] Përpos kësaj, ai rrëfente se “dëshironte me gjithë shpirt qelitë e kuvendit, (…) dëshironte vetminë e milingonave, ku punohet së bashku dhe asgjë nuk është pronë e dikujt, por gjithçka është për të gjithë.” [14]

Jeronimi në studim nuk gjen kënaqësi të përkohshme, si qëllim në vete, por si një ushtrim të jetës shpirtërore, një mjet për të arritur te Zoti, kështu që edhe formimi i tij klasik rregullohet në shërbim të pjekur të bashkësisë kishtare. Ta kujtojmë ndihmën që ia kishte dhënë Papës Damasit, në mësimin kushtuar grave, veçmas për gjuhën hebraishte, që nga rrethi i Aventinos, aq sa bënte të hynin Paola dhe Eustakio “në gardën e përkthyesve”,[15] gjë e paparë për atë kohë, e t’iu sigurohej atyre që të mund te lexonin dhe këndonin Psalmet në gjuhën burimore.[16]

Një kulturë, siç ishte e tija, e vënë në shërbim dhe e riafirmuar si e nevojshme për çdo ungjillizues. Kështu ia kujton mikut Neposian: “Fjala e meshtarit duhet të ketë shijen nga leximet e Shkrimeve. Nuk dua që ti të jesh një recitues ose një sharlatan me shumë fjalë, por një që e kupton doktrinën e shenjtë (mysterii) dhe i njeh deri në fund mësimet (sacramentorum) e Hyjit tënd. Është tipike për ata që nuk kanë njohuri, që të sjellin fjalët për të shkaktuar admirimin e popullit pa dije, me të folurit në shpejtësi. Kush është i paturpshëm, shpesh shpjegon atë që nuk e kupton dhe pretendon të mbahet ekspert i madh vetëm sepse arrin t’i bindin të tjerët.” [17]

Jeronimi jetoi në Betlehem deri në vdekje, në vitin 420, periudhë kjo më e frytshmja dhe më e thella e jetës së tij, tërësisht i përkushtuar studimit të Shkrimeve, i angazhuar në përkthimin monumental të tërë Besëlidhjes së Vjetër, duke u nisur prej tekstit origjinal hebraik. Njëkohësisht komenton librat profetike, psalmet, veprat paliane, shkruan tekste ndihmëse për ta studiuar Biblën. Puna e tij e çmueshme, që përmblidhet në veprat e tij, është fryt i ballafaqimit dhe bashkëpunimit, kopimit dhe krahasimit të dorëshkrimeve, për përsiatje dhe diskutim: “Kurrë nuk jam mbështetur në aftësitë e mia për të studiuar vëllimet hyjnore (…) zakonisht shtoj pyetje edhe për çështje të njohura, aq më tepër çka nuk isha i sigurt.” [18] Prandaj, i vetëdijshëm për kufizimet personale, vazhdimisht kërkon përkrahje në uratë ndërmjetësuese për suksesin e përkthimeve të teksteve të shenjta, “me të njëjtin Shpirt me të cilin ishin shkruar”,[19] pa harruar edhe përkthimin e autorëve tjerë të domosdoshëm për punën ekzegetike, si Origjeni, në mënyrë që “të vinte në dispozicion për atë që dëshiron të thellohet në studime shkencore të kësaj lënde.” [20]

Studimi i Jeronimit tregohet si përpjekje e kryer në bashkësi dhe në shërbim të bashkësisë, model i sinodalitetit – bashkëpunimit edhe për ne, për kohën tonë, për institucionet e ndryshme kulturore të Kishës, që të jemi gjithmonë“vend ku njohuria bëhet shërbim, sepse pa njohuri, e cila lind nga bashkëpunimi, nuk ka zhvillim të mirëfilltë dhe integral njerëzor.” [21] Themeli i kësaj bashkësie është Shkrimi, që s’mund ta lexojmë të vetëm: “Bibla është shkruar prej Popullit të Zotit dhe për Popullin e Zotit, i frymëzuar prej Shpirtit Shenjt. Vetëm në këtë bashkësi me Popullin e Zotit, mund të hyjmë me “ne” në bërthamën e së vërtetës që vetë Hyji do me na thënë.” [22]

Përvoja e fortë e jetës, e ushqyer prej Fjalës së Hyjit, bën që Jeronimi, nëpërmjet korrespondencës së dendur të letrave, të bëhej udhëheqës shpirtëror. Ai bëhej shok në udhëtim, i bindur që “s’ka art që mund të mësohet pa mjeshtër”, si shkruante Rustikut: “ajo që dëshiroj që ta kuptosh, duke të marrë për dore, si të isha unë ndonjë detar, që tashmë ka përvojën e shumë anije-mbytjeve, tenton të mësojë një detar pa përvojë.”[23] Nga ky kënd qetësie, ai e përcjell njerëzimin në një periudhë të ndryshimeve të  mëdha, shënuar nga ngjarjet si, rrënimi i Romës në vitin 410, gjë kjo që e kishte prekur thellësisht.

Letrave iu kishte besuar polemikat doktrinale, gjithmonë në mbrojtje të fesë së vërtetë, duke u paraqitur si njeri i marrëdhënieve, me fuqi dhe me ëmbëlsi, me pjesëmarrje të plotë, pa trajta mëlçuese, duke përjetuar që “dashuria nuk ka çmim.”[24] Kështu i jetonte ndjenjat e tij me vrull dhe sinqeritet. Pjesëmarrja në gjendje në të cilat jetonte dhe vepronte, hetohet edhe në faktin se, ai ofronte punën e përthimeve dhe komentimeve si munus amicitiae – dhunti miqësie. Para se gjithave është një dhuratë për miq, adresarë dhe atyre që iu përkushtonte veprat e tij, prej të cilëve kërkonte që t’i lexonin me sy miqësor, më shumë se kritik, pastaj edhe për lexues, bashkëkohorët si dhe edhe ata të çdo kohe.[25]

Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në lexim me urat të Shkrimit, personale dhe në bashkësi, ne kundrim, shërbim të vëllezërve nëpërmjet veprave të tij. Gjithë kjo ndodhte në Betlehem, afër shpellës ku Fjala kishte lindur prej Virgjërës, i vetëdijshëm që ishte i “lumtur ai që bartë në brendi kryqin, ngjalljen, vendin e lindjes dhe të ngjiturit në qiell të Krishtit. I lumi ai që e ka në zemër Betelhemin, në zemrën e të cilit çdo ditë lind Krishti.” [26]

 

Çelësi i urtisë së portretit të tij

Për kuptim të plotë të personalitetit të Shën Jeronimit, duhet bashkuar dy dimensione karakteristike të jetës së tij prej besimtari: nga njëra anë, përkushtimi i plotë dhe radikal ndaj Hyjit, me flijim të çfarëdo kënaqësie, për dashuri të Krishtit të kryqëzuar (khs. 1 Kor 2, 2; Fil 3, 8-10); dhe nga ana tjetër, angazhimi në studim të zellshëm, me qëllim të kuptimit gjithnjë më të plotë të misterit të Zotërisë. Shi kjo dëshmi e dyfishtë, që mrekullisht e ka dhuruar Shën Jeronimi, propozohet si model: për rregulltarë, para së gjithave, sepse kush jeton në askezë dhe në uratë, të nxitet që të kushtohet vazhdimisht në mundimin e kërkimit dhe të meditimit;  pastaj për studiues, që duhet të përkujtojmë se njohja është e vlefshme në aspektin fetar, vetëm nëse themelohet në dashuri të veçantë për Hyjin, mbi zhveshjen e çdo ambicioni njerëzor dhe çdo synimi të botës.

Këto dimensione janë pranuar në fushën e historisë së artit, ku Shën Jeronimi paraqitet shpesh: mjeshtrit e mëdhenj të pikturës perëndimore na kanë lënë portretet e tyre. Ne mund t’i organizojmë tipologjitë e ndryshme ikonografike në dy drejtime të caktuara. Njëra e definon mbi të gjitha si murg dhe pendestar, me trup të munduar prej agjërimit, në paraqitje në shkretëtirë, në gjunjë ose i shtrirë për dhe, në shumë raste duke e mbajtur në dorën e djathtë një guri për ta rrahur gjoksin, me sy të drejtuar kah i Kryqëzuari. Në këtë drejtim është kryevepra e Leonardo Da Vincit, që ruhet në Pinotekën e Vatikanit. Mënyra tjetër e portretizimit e paraqet atë si studiues, të ulur në tryezë shkrimi, i gatshëm për përkthimin dhe komentimin e Shkrimit të Shenjtë, i rrethuar me vëllime dhe pergamene, me detyrë për ta mbrojtur fenë nëpërmjet mendimit dhe shkrimit. Albrecht Dürer, për ta cituar një shembull tjetër të shquar, e paraqet disa herë në këtë qëndrim.

Dy aspektet e përmendura janë në pëlhurat e Caravaggio-s, në Gallerinë Borgeze të Romës: në një skenë, ai vërtet paraqitet si plak asket, kryesisht i veshur me një petk të kuq, me një kafkë në tavolinë, shembulli i kotësisë së botës tokësore; por së bashku është i paraqitur në cilësinë e studiuesit, me sy të fiksuar mbi libër, ndërsa dora e tij me pendë në dorë,  për ta ngjyrë  në formë tipike të shkrimtarit.

Në mënyrë analoge – një mënyrë që do ta quaja urtësie – duhet ta kuptojmë profilin e dyfishtë të ecjes biografike  të Jeronimit. Atëherë kur “Luani i Betlehemit” e tepronte në theksime, e bënte në kërkim të një të vërtete të cilën ishte i gatshëm ta shërbente. Dhe si shpjegim, ai vetë në shkrimin e tij te Jeta e Shën Palit, eremitit të Tebit, luanët janë të aftë “me ulërimë të fuqishme”, por edhe me lot.[27] Për këtë arsye, në paraqitje të dy figurave të ndryshme, vërtet paraqiten elementet me të cilat Shpirti Shenjt ka premtuar ta pjekë bashkimin e tij të brendshëm.

 

Dashuria për Shkrimin e Shenjtë

Karakteristikë e veçantë e figurës së Shën Jeronimit, pa dyshim, mbetet dashuria e tij e theksuar për Fjalën e Zotit, të cilën e ka pranuar Kisha prej Shkrimit të Shenjtë. Nëse të gjithë Mësuesit e Kishës – e në veçanti ata të kohës së parë të krishterimit – kanë marrë sidomos prej Biblës përmbajtjen e mësimeve të tyre, Jeronimi e ka bërë këtë në mënyrë më sistematike dhe në një mënyrë unike.

Ekzegetët në kohën e fundit e kanë zbuluar gjenialitetin narrativ dhe poetikën e Biblës, të  lartësuar mu për cilësinë shprehëse; Jeronimi, përkundrazi, ka theksuar karakterin e thjeshtë të Shkrimeve dhe të zbulimit të Hyjit, që shprehet me natyrën e ashpër dhe gati primitive të gjuhës hebraishte, krahasuar me latinishten ciceroniane. Prandaj, ai nuk i kushtohet Shkrimit të Shenjtë për shkak të ndonjë shije estetike, por – siç është e njohur mirë – vetëm se ajo dërgon te njohja e Krishtit, pasi që mosnjohja e Shkrimeve është mosnjohja e Krishtit.[28]

Jeronimi na mëson se nuk duhet studiuar vetëm Ungjilli, si dhe jo vetëm tradita apostolike, që paraqitet në Veprat e Apostujve dhe në Letra, që lypset komentuar, sepse e tërë Besëlidhja e Vjetër është e domosdoshme për të hyrë në të vërtetën dhe në pasurinë e Krishtit.[29] Këtë e vërtetojnë faqet ungjillore: ato flasin për Jezusin si Mësues, i cili, për të shpjeguar misterin e tij, thirret në Moisiun, në profetë  dhe në Psalme (khs. Lk 4, 16-21; 24, 27, 44-47). Edhe predikimi i Pjetrit dhe Palit në Veprat e Apostujve, themelohet emblematikisht në Shkrimet e vjetra;  pa ato nuk mund të kuptohet plotësisht figura e Birit të Hyjit, Mesia Shëlbues. Besëlidhja e Vjetër nuk duhet të konsiderohet si ndonjë regjistër citimesh që dëshmojnë plotësimin e profecive në personin e Jezusit të Nazaretit; më thellë, vërtet, vetëm në dritën e “fytyrave” të Besëlidhjes së Vjetër, mund ta njohim në plotësi ngjarjen e Krishtit, që është plotësuar në vdekjen dhe ngjalljen e tij. Nga kjo rrjedhë nevoja për të zbuluar në praktikën katekistike dhe në predikime, si dhe në trajtimet teologjike, kontributin e domosdoshëm të Besëlidhjes së Vjetër, që duhet lexuar dhe përvetësuar si ushqim i çmueshëm (khs. Ez 3, 1-11; Ap  10, 8-11).[30]

Përkushtimi i tërësishëm i Jeronimit për Shkrimet tregohet në formën e shprehjeve të tij pasionante, e ngjashme me ato të profetëve të vjetër. Prej tyre, Mësuesi ynë nxjerr zjarrin e brendshëm, që bëhet fjalë e pamëshirshme dhe shpërthyese (khs. Jer, 5, 14; 20, 9; 23, 29; Mt 3, 2; Sir 48, 1; Mt 3, 11; Lk 12, 49), e nevojshme për ta shprehur zellin e zjarrët të shërbëtorit për çështjen e Hyjit. Në vijën e Elisë, Gjon Pagëzuesit, si dhe të Palit apostull, zemërimi ndaj gënjeshtrës, dyfytyrësisë dhe mësimeve të rrejshme, ndezin fjalën e Jeronimit, duke e bërë atë provokues dhe haptazi të ashpër. Dimensioni polemik i shkrimeve të tij, kuptohet më mirë nëse lexohet si ndonjë matricë e zbatimit të traditës më të lashtë profetike. Prandaj, Jeronimi është model i paepur i dëshmisë të së vërtetës, që bëhet e rreptë në qortime, për të sjellë te kthimi. Në thellësinë e fjalëve dhe të figurave tregohet guximi i shërbëtorit, i cili nuk do t’iu pëlqejë njerëzve, por vetëm Zotërisë (khs. Gal 1, 10), për të cilin ai ka shpenzuar çdo energji shpirtërore.

 

Studimi i Shkrimit të Shenjtë

Dashuria e madhe e Shën Jeronimit për Shkrimet hyjnore është ngjizur me dëgjesë. Para se gjithave ndaj Zotit, i cili ka komunikuar në fjalë që kërkojnë dëgjim me plot nderim, [31] dhe si pasojë dëgjesë edhe ndaj atyre që në Kishë përfaqësojnë traditën e gjallë interpretuese të porosisë së zbuluar. “Dëgjesa e fesë” (Rom 1, 5; 16, 26), nuk është thjeshtë pranimi pasiv i asaj që është e njohur; ajo kërkon, përkundrazi, angazhimin aktiv të kërkimit personal. Shën Jeronimin mund ta konsiderojmë shërbëtor të Fjalës, besnik dhe punëtor të kushtuar tërësisht në dobi të vëllezërve të vet të fesë, për kuptimin sa më të përshtatshëm të “begatisë” së shenjtë, të besuar atyre (khs. 1 Tim 6, 20; 2 Tim 1, 14). Pa mençurinë e asaj që e kanë shkruar autorët e frymëzuar, vetë Fjala e Zotit nuk ka forcë (khs. Mt 13, 19), dhe dashuria për Hyjit nuk mund të lind.

Faqet biblike nuk janë fill të kapshme. Siç thotë Isaia (29, 11), edhe ata që “dinë” lexim – që kanë pasur një formim të mjaftueshëm intelektual – libri i shenjtë ju duket “i vulosur”, i mbyllur hermetikisht për interpretim. Prandaj, nevojitet ndërhyrja e dëshmitarit kompetent, që ta sjellë çelësin çlirues, atë të Krishtit Zot, i vetmi i aftë për zgjidh vulat dhe për ta hapur librin (khs. Zb 5, 1-10), për të zbuluar përhapjen e mrekullueshme të hirit (khs. Lk 4, 17 -21). Shumë, edhe në mesin e të krishterëve praktikant, thonë haptas se nuk janë të aftë të lexojnë (khs. Is 29, 12), jo se janë analfabetë, por të papërgatitur për gjuhën biblike, mënyrën e të shprehurit dhe traditën e vjetër kulturore, kështu që teksti biblik iu duket i padëshifruar, si të ishte i shkruar në një alfabet të panjohur dhe në një gjuhë të pakuptueshme.

Prandaj, nevojitet ndërmjetësimi i interpretit që e ka detyrën “diakonale” (të shërbimit), duke u vënë në shërbim të atij që nuk arrin kuptimin e asaj çka është shkruar në mënyrë profetike. Figurën që mund ta thërrasim në ndihmë është Filipi diakon, që e kishte dërguar Zoti për ta takuar eunukun, i cili ishte në karrocën e tij duke lexuar një pjesë të Isaisë (53, 7-8), pa mund ta kapte kuptimin. “A kupton çka lexon?”, e pyeti Filipi; eunuku përgjigjet: E si mund ta kuptoj nëse askush nuk më udhëheq?” (Vap 8, 30 – 31). [32]

Jeronimi është udhëheqësi ynë, qoftë sepse, siç ka bërë Filipi (khs. Vap 8, 35), e prinë çdo lexues kah misteri i Jezusit, qoftë sepse ai merr mbi vete ndërmjetësimin ekzegjetik dhe kulturor në mënyrë të përgjegjshme dhe sistematike, të nevojshme për një lexim të mirëfilltë dhe të dobishëm të Shkrimit të Shenjtë.[33] Kompetenca në njohjen e gjuhëve në të cilat është trashëguar Fjala e Zotit, analiza e kujdesshme dhe vlerësimi i dorëshkrimeve, hulumtimi i saktë arkeologjik, përpos njohjes së historisë së interpretimeve, të gjitha mjetet metodologjike, që ishin të mundshme në kohën e tij, ai i shfrytëzon, në mënyrë të njëzëshme dhe urtësisht, për të drejtuar kah kuptimi i drejtë i Shkrimit të frymëzuar.

Rëndësia shembullore e veprimtarisë së Shën Jeronimit është shumë e domethënëse edhe në Kishën e sotme. Nëse, Bibla është “shpirti i teologjisë së shenjtë”, [34] siç na mëson Dei Verbum, dhe si shtylla shpirtërore e jetës fetare të krishterë,[35] është e domosdoshme që vepra interpretuese e Biblës të mbështetet nga kompetencat specifike.

Me siguri për këtë qëllim shërbejnë qendrat e shkëlqyeshme të hulumtimeve biblike (si Instituti Papnor Biblik në Romë, në Jerusalem l’Ecole Biblique dhe Studium Biblicum Francescanum) dhe patristika (si Augustinianum i Romës), por edhe çdo Fakultet Teologjik, ku duhet angazhuar që mësimdhënia e Shkrimit të Shenjtë të jetë e programuar ashtu, për t’iu siguruar studentëve një aftësi interpretative, qoftë në ekzegezën e teksteve, qoftë në sintezën e teologjisë biblike. Pasuria e Shkrimit fatkeqësisht prej shumtëve injorohet, ose e minimizohet, sepse atyre nuk ju janë dhënë bazat themelore të njohurisë. Prandaj, përkrah rritjes së studimeve kishtare, për ata që synojnë meshtarinë dhe për katekistë, që duhet ta vlerësojnë në mënyrë më të përshtatshme autoritetin e Shkrimit të Shenjtë, le të promovohet edhe formimi për të gjithë të krishterët, që secili prej tyre të bëhet i aftë për hapjen e librit të shenjtë dhe t’i nxjerrë frytet e paçmueshme të urtisë, shpresës dhe jetës. [36]

Dua ta përkujtoj këtu atë çka ka thënë Paraardhësi im në Nxitjen Apostolike Verbum Domini: “Sakramentaliteti i Fjalës  lejon që të kuptohet kështu në analogji me praninë reale të Krishtit nën dukën e bukurës dhe të verës të shuguruar […] Mbi qënrimin që duhet të kemi qoftë ndaj Eukaristisë, qoftë ndaj Fjalës së Hyjit, Shën Jeronimi pohon: “Ne e lexojmë Shkrimet e shenjta. Unë mendoj se Ungjilli është Trupi i Krishtit; unë mendoj se Shkrimet e shenjta janë mësimi i tij. Dhe kur ai thotë: Nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij (Gjn 6, 53), megjithëse këto fjalë mund të kuptohen edhe për Misterin Eukaristik, trupi i Krishtit dhe gjaku i tij është vërtet fjala e Shkrimit, është mësimi i Hyjit.” [37]

Fatkeqësisht në shumë familje të krishtera askush nuk është i aftësuar – si është e caktuar në Torah (khs. Lp 6, 6), që, t’ua bëjë të njohur fëmijëve Fjalën e Zotërisë, me tërë bukurinë e saj dhe me tërë fuqinë shpirtërore. Për këtë e kam caktuar të Dielën e Fjalës së Hyjit,[38] duke dhënë zemër leximit me lutje të Biblës dhe familjaritetin me Fjalën e Hyjit.[39] Çdo lloj tjetër i shprehjes fetare do të jetë e pasuruar me kuptim, do të udhëhiqet në shkallën e vlerave dhe do të jetë e drejtuar kah ajo që përbën kulmin e fesë: Pranimi i plotë i misterit të Krishtit,

 

Vulgata

Jeronimi e kishte kryer studimin e greqishtes dhe hebraishtes “fryti më i ëmbël i mbjelljes së vështirë”[40], që ishte përkthimi i Besëlidhjes së Vjetër në gjuhën latine, duke u nisur nga teksti origjinal hebraisht. Deri në atë çast, të krishterët e perandorisë romake mund ta lexonin në tërësi Biblën vetëm në gjuhën greke. Derisa librat e Besëlidhjes së Re qenë të shkruar në gjuhën greke, për librat e Besëlidhjes së Vjetër, ishte një version  komplet, i ashtuquajtur Septuaginta (ose versioni i Shtatëdhjetëve), që e kishte përgatitur bashkësia hebraike e Aleksandrisë rreth shekullit II para Krishtit. Për lexuesit e gjuhës latine, përkundrazi, nuk kishte ndonjë version të plotë të Biblës në gjuhën e tyre, por vetëm disa përkthime të pjesshme dhe të paplota prej greqishtes. Jeronimi – pas tij edhe vazhduesit e tij – e kanë meritën e ndërmarrjes për një version të ri të përkthimit të tërë të Shkrimit të Shenjtë. Jeronimi kishte filluar në Romë korrigjimin e Ungjijve dhe të Psalmeve, me përkrahje të Papës Damasit, kishte vazhduar gjatë tërheqjes së tij në Betlehem me përkthimin e të gjitha librave të Besëlidhjes së Vjetër, drejtpërdrejt prej hebraishtes: një vepër, që kishte vazhduar përgjatë viteve të tëra.  

Për ta përfunduar punën e përkthimit, Jeronimi ka shfrytëzuar njohjen e greqishtes dhe hebraishtes, formimin e tij solid në latinisht, si dhe është shërbyer edhe me mjetet filologjike që i kishte në dispozicion, në veçanti me Hexapla-n e Origjenit. Teksti përfundimtar ndërlidhte vazhdimësinë në formulim, tashmë që përdorohej nga të gjithë, me një dëshirë të zjarrtë të diktatit hebraik, pa e flijuar elegancën e gjuhës latine. Rezultat i kësaj është monumenti i vërtetë që ka shënuar historinë kulturore të Perëndimit, duke e modeluar gjuhën teologjike. Përkthimi i Jeronimit, duke tejkaluar disa kundërshtime në fillim, u bë së shpejti trashëgimi e përbashkët, si për të dijshmit, ashtu edhe për popullin e krishterë, duke ia dhënë edhe emrin  Vulgata. [41] Europa e mesjetës ka mësuar leximin, uratën dhe arsyetimin nga faqet e Biblës që e ka përkthyer Jeronimi. Kështu “Shkrimi i Shenjtë është bërë në një lloj  “fjalori i pamatshëm” (P. Claudel) dhe “atlas ikonografik” (M. Chagall), prej të cilit kanë marrë kultura dhe arti i krishterë.”[42] Letërsia, artet,  si edhe gjuhët popullore kanë marrë vazhdimisht nga versioni jeronimian i Biblës, duke na lënë thesare të bukurisë dhe të përshpirtërisë.

Ky fakt nderohet dhe është i pamohueshëm, ndaj Koncili i Trentos vendosi karakterin “autentik” të Vulgatës në dekretin Insuper, në shenjë nderimi për përdorimin shekullor të Kishës dhe duke vërtetuar vlerën si vegël për studim, predikime dhe diskutime publike.[43] Megjithatë, përkthimi nuk kërkonte minimizimin e rëndësisë së gjuhëve burimore, siç përkujtonte gjithnjë Shën Jeronimi, aq më pak për të ndaluar në të ardhmen ndërmarrje të përkthimeve integrale. Shën Pali VI, duke e përcjell dëshirën e Etërve të Koncilit II të Vatikanit, deshi që puna e rishqyrtimit të përkthimit të Vulgatës të përfundonte dhe të vihej në shërbim të gjithë Kishës. Kështu, Shën Gjon Pali II, në Kushtetutën Apostolike Scripturarum thesaurus, [44] ka shpallur botimin tipik të quajtur Neovulgata, në vitin 1979.

 

Përkthimi si inkulturim

Më përkthimin e tij, Jeronimi ka arritur ta “inkulturojë” Biblën në gjuhën dhe kulturën latine, dhe ky veprim i tij është bërë paradigmë e vazhdueshme për veprimtarinë misionare të Kishës. Vërtet, “kur një bashkësi pranon shpalljen e shëlbimit, Shpirti Shenjt e bën të frytshme kulturën me fuqinë shndërruese të Ungjillit”, [45] dhe kështu vendoset një lloj qarkoreje: sikurse përkthimi i Jeronimit i detyrohet gjuhës dhe kulturës së klasikëve latinë, gjurmë e të cilës janë të dukshme, kështu edhe ajo, me gjuhën dhe përmbajtjen simbolike dhe imagjinare, është bërë element krijues i kulturës.

Veprimtaria përkthyese e Jeronimit na mëson se vlerat dhe trajtat pozitive të çdo kulture paraqesin një pasuri për mbarë Kishën. Mënyrat e ndryshme në shpalljen e Fjalës së Zotit, që kuptohet dhe jetohet në çdo përkthim të ri, pasurojnë vetë Shkrimin, pasi që ajo, sipas thënies së njohur të Gregorit të Madh, rritet numri i lexuesve, [46] duke pranuar gjatë shekujve theksime të reja dhe tinguj të ri. Përfshirja e Biblës dhe Ungjillit në kultura të ndryshme, bën që Kisha të tregohet gjithmonë e më shumë “sposa ornata monilibus suis” (Is 61, 10). Dihet që Bibla njëkohësisht ka nevojë që të jetë vazhdimisht e përthyer në kategori gjuhësore dhe mendore të çdo kulture dhe të çdo brezi, edhe në kulturë globale të shekullarizuar të kohës tonë. [47]

Me të drejtë kujtohet se është e mundshme një lloj analogjie mes përkthimit, si vepër e mikpritjes gjuhësore, si dhe formave tjera të mikpritjes.[48] Për këtë arsye, përkthimi nuk është një veprimtari së cilës i përket vetëm ana gjuhësore, por ndërlidhet, vërtet, një përcaktim etik më i gjerë, me tërë botëkuptimin e jetës. Pa përkthim, bashkësitë e ndryshme gjuhësore s’do të kishin mundësi për komunikim mes tyre; ne do t’ia mbyllnim njëri-tjetrit derën e historisë dhe do t’ia mohonim mundësinë për krijimin e një kulture të takimit.[49] Pa përkthim, vërtet, s’ka mikpritje, bile aktivizohet zbatimi i kundërshtimeve. Përkthyesi është ndërtimtar i urave. Sa vlerësime të pamenduara, sa dënime dhe konflikte lindin nga fakti që nuk e njohim gjuhën e tjerëve dhe nuk mundohemi në këtë drejtim, me fuqi dhe me shpresë në provë të paskajshme të dashurisë, që është përkthimi!

Edhe Jeronimi është dashur të kundërshtojë mendimin zotërues të kohës së tij. Nëse në agimin e Perandorisë Romake, njohja e greqishtes ishte relativisht e përgjithshme, në kohën e tij kjo ishte megjithatë gjë e rrallë. Ai u bë gjithsesi njëri ndër njohësit më të mirë të gjuhës dhe letërsisë greke të krishterë, ndërmori udhëtimin edhe më të vështirë në vetmi, kur u dha pas studimit të gjuhës hebraishte. Nëse, siç është shkruar, “kufijtë e gjuhës time janë kufijtë e botës time”[50],   mund të themi që falë poliglotit tejet të madh Shën Jeronimit, kemi njohjen e krishterimit më të përgjithshëm, dhe njëkohësisht, më koherent me burimet e tij.

Me kremtimin e qindvjetorit të vdekjes së Shën Jeronimit, shikimi drejtohet kah gjallëria misionare, që është shprehur në përkthimin e Fjalës së Zotit, në më se tremijë gjuhë. Janë shumë misionarë të cilëve duhet falënderuar për veprën e çmueshme të botimeve të gramatikave, fjalorëve dhe mjeteve tjera gjuhësore, që ofrojnë themelet e komunikimit njerëzor dhe janë një përçues  të “ëndrrës misionare për të arritur te të gjithë.” [51] Duhet vlerësuar gjithë këtë punë dhe të investohet mbi këtë, duke lehtësuar tejkalimin e kufijve  të jo-komunikimit dhe të takimit të munguar. Ende ka shumë punë për të bërë. Si është thënë, nuk ka kuptim pa përkthim[52]: Nuk do ta kuptojmë vetveten, por as të tjerët.

 

Jeronimi dhe Katedra e Pjetrit

Jeronimi ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë me qytetin e Romës. Roma është limani shpirtëror te i cili kthehej vazhdimisht; në Romë është formuar humanisti dhe është farkuar i krishteri; ai është homo romanus. Kjo lidhje ekziston në mënyrë krejt të veçantë, në gjuhën e Qytetit, latinishtën, mjeshtër dhe lëvrues i së cilës ishte, por mbi të gjitha ishte i lidhur me Kishën e Romës,  sidomos me katedrën e Pjetrit. Tradita ikonografike, në mënyrë anakrostike, e ka paraqitur me veshjen e kardinalit, për ta paraqitur atë si pjesë të presbiterit të Romës, afër Papës Damasit. Në Romë e kishte filluar rishikimin e përkthimit. Edhe atëherë kur zilia dhe mosmarrëveshjet e kanë detyruar ta braktiste Qytetin, ka mbetur thellë i lidhur me katedrën e Pjetrit.

Për Jeronimin, Kisha e Romës është ara e frytshme ku fara e Krishti sjell fryt të bollshëm.[53] Në një periudhë të trazuar, në të cilën pëlhura e Krishtit ishte shpesh e shqyer prej njerëzve të paepur, me ndarje mes të krishterëve, Jeronimi e shikon katedrën e Pjetrit, si pikë orientimi të sigurt: “Unë nuk eci pas akujt përpos Krishtit, lidhëm në bashkim me katedrën e Pjetrit. E di që mbi këtë shkëmb është ndërtuar Kisha”. Në diskutime të rrepta kundër arianëve, i shkruan Damasit: “Kush nuk mbledh me ty, tretë, kush nuk është i Krishtit, është i antikrishtit. [54] Prandaj edhe mund të pohonte: “Kush është i bashkuar me katedrën e Pjetrit, iu përket njerëzve të mi.” [55]

Jeronimi shpesh ishte i kyçur në diskutime të rrepta për çështjen e fesë. Dashuria e tij për të vërtetën dhe mbrojtjen e zellshme të Krishtit, ndoshta e ka shtyrë që ta tepronte në fjalë të dhunshme në letrat dhe shkrimet e tij. Mirëpo, ai jeton i orientuar ka paqja: “Paqen e dua edhe unë; jo vetëm e dëshiroj, por e kërkoj! Por mendoj për paqen e Krishtit, paqen burimore, një paqe pa ndonjë pjesë të armiqësisë, një paqe autentike, e cila në vete nuk ushqen luftën; jo paqen e cila i nënshtron kundërshtarët, por ajo që bashkon në miqësi.”  [56]

Bota e jonë ka nevojë, më shumë se kurrë, për mjekim të mëshirës dhe të bashkimit. Më lejoni që ta përsëris edhe një herë: ta japim dëshminë e bashkimit vëllazëror që të jetë tërheqëse dhe ndriçuese.[57] “Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin  se jeni nxënësit e mi” (Gjn 13, 35). Këtë ia ka kërkuar me lutje të thellë Jezusi Atit: “Që të gjithë të jenë një […] në ne […], që bota të besojë” (Gjn 17, 21).

 

Të duam atë që deshi Jeronimi

Në përfundim të kësaj Letre, dua ta drejtoj një thirrje të mëtejme të gjithëve. Mes shumë lëvdatave që ia kanë dhënë njerëzit Shën Jeronimit, është edhe ajo që ai nuk ishte vetëm një ndër kultivuesit më të mëdhenj të “bibliotekës”, me të cilën ushqehet krishterimi në kohë, duke u nisur prej thesarit të Shkrimeve të Shenjta; atij mund t’i zbatohet ajo që ai i shkruante Neposianit: “Me leximin e zellshëm dhe meditimin e vazhdueshëm e pat bërë zemrën e tij një bibliotekë të Krishtit.” [58] Jeronimi nuk kurseu përpjekje për ta pasuruar bibliotekën e tij, në të cilin shihte një punëtori të nevojshme për inteligjencën e fesë dhe të jetës shpirtërore; në këtë ai ka krijuar një shembull të admirueshëm edhe për të sotmen. Mirëpo, ai nuk u ndal me kaq. Për atë studimi nuk ishte i kufizuar vetëm për vitet e rinisë dhe të formimit, por ishte një përpjekje e vazhdueshme, një përparësi për çdo ditë të jetës së tij. Mund të themi se, ai përvetësoi një bibliotekë të tërë dhe u bë shpërndarës i njohurisë për shumë njerëz. Postumiani, që kishte ndërmarrë udhëtimin i tij në shekullin IV në Lindje, për të zbuluar lëvizjet rregulltare, ishte dëshmitar okular i stilit të jetës së Jeronimit, te cili kishte qëndruar disa muaj, duke e përshkruar kështu: “Ai është tërësisht i zhytur në lexim, i tërë në libra; nuk pushon as ditë as natë; gjithmonë lexon apo shkruan diçka.” [59]   

Lidhur me këtë mendoj shpesh për përvojën që mund ta ketë një i ri duke hyrë në një librari të qytetit të vet, apo në ndonjë faqe të internetit, duke kërkuar sektorin e librit fetar. Kur ekziston,  në shumicën e rasteve, është një pjesë vetëm anësore, por pa ndonjë vepër themelore. Duke shqyrtuar raftet e tilla, apo faqet në internet, vështirë ndonjë i ri do të mund të kuptonte që hulumtimi fetar mund të jetë një aventurë pasiononte që bashkon mendjen dhe zemrën; sikurse etja për Hyjin ka ndezur mendjet e ndritura gjatë gjithë shekujve deri me sot; sikurse pjekuria e  jetës shpirtërore i pati infektuar teologë dhe filozofë, artistë dhe poetë, historianë dhe shkencëtarë. Një ndër problemet e sotme, jo vetëm për anën fetare, është analfabetizmi: Mungojnë kompetencat hermeneutike që do të na bënim interpretuesit dhe përkthyesit e besueshëm të traditës sonë kulturore. Dua ta hedh një sfidë, sidomos për rini: Nisuni prej kërkimit të trashëgimisë tuaj. Krishterimi ju bënë trashëgimtarë të një trashëgimie të patejkalueshme kulturore, të cilën duhet ta keni. Jepuni me zemër pas kësaj historie e cila iu përket juve. Keni guxim ta fiksoni shikimin tuaj mbi Jeronimin e shqetësuar dhe të ri, si personazhi i tregimit të Jezusit, i cili shiti gjithçka për të “blerë atë perlë” (Mt 13, 46).

Vërtet, Jeronimi është “biblioteka e Krishtit”, një bibliotekë e përjetshme, e cila shtatëmbëdhjetë shekuj më vonë vazhdon të na mësoi çka domethënë dashuria e Krishtit, dashuria që është e pandashme prej takimit me Fjalën e tij. Për këtë arsye, ky përvjetor paraqet thirrjen për të dashur atë çka deshi Jeronimi, duke i zbuluar shkrimet e tij dhe duke u prekur nga ndikimi i përshpirtërisë e cila mund të përshkruhet, në thelbin e saj jetësor, si dëshirë e shqetësuar dhe me shpirt për njohjen më të madhe të Hyjit dhe të Zbulimit. Si mos të dëgjohet, në të sotmen tonë, ajo që Jeronimi vazhdimisht i nxiste bashkëkohësit e tij: “Lexo shpesh Shkrimet Hyjnore, edhe më tepër, duart e tua mos ta lëshojnë kurrë librin e shenjtë.”[60]

Shembull i ndritshëm është Virgjëra Mari, që Jeronimi e përkujton sidomos për virgjërinë, por edhe për qëndrimin e lexueses së uratë të Shkrimit. Maria meditonte në zemrën e saj (khs. Lk 2, 19. 51), “sepse ishte e shenjtë dhe kishte lexuar Shkrimin e Shenjtë, i njihte profetët dhe e kujtonte atë që engjëlli Gabriel  ia kishte kumtuar dhe ajo që ishte parathënë prej profetëve […], e shihte të paralindurin që ishte biri i saj, biri i saj i vetëm, që ishte vënë në grazhd dhe qante, por kë vërtet e shihte në atë grazhd, ishte Biri i Hyjit, atë që e shihte e krahasonte me atë çka kishte lexuar dhe dëgjuar.”[61] T’ia besojmë asaj, që më mirë se kushdo tjetër, mund të në mësojë si të lexojmë, meditojmë, lutemi dhe kundrojmë Hyjin, që bëhet i pranishëm në jetën tonë pa u lodhur kurrë.

Romë, Shën Gjoni i Lateranit, 30 shtator, kujtimi i Shën Jeronimit, viti 2020, viti i tetë i pontifikatit tim.

 

                                                                                                                                    Françesku

                                                                                 

(Përktheu nga italishtja: Don Lush Gjergji)

 

——————————————————————–

[1] «Deus qui beato Hieronymo presbitero suavem et vivum Scripturae Sacrae affectum tribuisti, da, ut populus tuus verbo tuo uberius alatur et in eo fontem vitae inveniet», Collecta Missae Sancti Hieronymi, Missale Romanum, editio typica tertia, Civitas Vaticana 2002.

[2] Epistula (në vazhdim Ep.) 22, 30: CSEL 54, 190.

[3] AAS 12 (1920), 385 – 423.

[4] Khs. Audienca Gjenerale 7 dhe 14 nëntor 2007, në: Insegnamenti, III, 2 (2007), 553-556; 586-591.

[5] Sinodi i Ipeshkvijve, Mesazhi drejtuar Popullit të Zotit nga Asambleja XII gjenerale e zakonshme (24 tetor 2008).

[6] AAS 102 (2010), 681 – 787.

[7] Chronicum 374: PL 27, 697-698.

[8] Ep. 125, 12: CSEL 56, 131.

[9] Khs. Ep. 122, 3: CSEL 56, 63.

[10] Khs. Meditazione mattutina, 10 dicembre 2015. L’aneddoto è riportato in A. Louf, Sotto la guida dello Spirito, Qiqaion, (BI), 1990, 154 – 155.

[11] Khs.. Ep. 125, 12: CSEL 56, 131.

[12] Khs. VD, 89: AAS 102 (2010), 761-762.

[13] Khs. Ep. 125, 9. 15. 19: CSEL 56, 128. 133-134.139.

[14] Vita Malchi monachi captivi 7, 3: PL 23, 59-60; Opere storiche e agiografiche, a cura di B. Degorski, Opere di Girolamo XV, Città Nuova, Roma, 2014, 196-199.

[15] Praef. Esther 2: PL 28, 1505.

[16] Khs. Ep. 108, 26: CSEL 55, 344 – 345.

[17] Ep. 52, 8: CSEL 54, 428 – 428; khs. VD, 60: AAS 102 (2010), 739.

[18] Praef. Parlipomenon LXX, 1, 10-15: SCh 592, 340.

[19] Praef. In Pentateuchum: PL 28, 184.

[20] Ep. 80, 3: CSEL 55, 105.

[21] Mesazh me rastin e Mbledhjes së XXIV solemne publike të Akademisë Papnore, 4 dhjetor 2019: L’Osservatore Romano, 6 dhjetor 2019, f. 8.

[22] VD, 30: AAS 102 (2010), 709.

[23] Ep. 125, 15. 2: CSEL 56, 133. 120.

[24] Ep. 3, 6: CSEL 54, 18.

[25] Khs. Praef. Josue, 1, 9-12: SCh 592, 316.

[26] Homilia in Psalmun 95: PL 26, 1181; Khs. S. Girolamo, 59 Omelie sui Salmi (1-115), a cura di A. Capone, Opere di Girolamo IX/1, Città Nuova, Roma, 2018, 357.

[27] Khs. Vita S. Pauli primi eremitae, 16, 2: PL 23, 28; Opere storiche agiografiche, cit., 111.

[28] Khs. In Isaiam Prol.: S. Girolamo, Commento a Isaia (1-4), a cura di R. Maisano, Opere di Girolamo IV/1, Città Nuova, 2013, 52-53.

[29] Khs. Koncili II i Vatikanit, Kushtetura Dogamtike  Dei Verbum, 14.

[30] Khs. Ibid.

[31] Khs. Ibid. 7.

[32] Khs. S. Girolamo, Ep. 53, 5; CSEL 54, 451: Le lettere, a cura di S. Cola, II, Città Nuova, Roma, 1997, 54.

[33] Khs. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta Dogmatike Dei Verbum, 12.

[34] Ibid., 24.

[35] Khs. Ibid., 25.

[36] Khs. Ibid., 21.

[37] N. 56; cfr In Psalmum 147CCL 78, 337-338; S. Girolamo, 59 Omelie sui Salmi (119-149), a cura di A. Capone, Opere di Girolamo IX/2, Città Nuova, Roma 2018, 171.

[38] Khs. Letër apostolike në formën e Motu Proprio Aperuit illis, 30 shtator 2019.

[39] Khs. Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 152, 175: AAS 105 (2013), 1083-1084. 1093.

[40] Khs. Ep. 52, 3: CSEL 54, 417.

[41] Khs. VD, 72: AAS 102 (2010), 746-747.

[42] Shën Gjon Pali II, Letra drejtuar artisëve (4 prill 1999), 5: AAS 91 (1999), 1159-1160.

[43] Khs. Denzinger-Schobmetzer, Enchiridion Symbolorum, 1506.

[44] 25 prill 1979: AAS LXXI (1979), 557-559.

[45] Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 116: AAS 105 (2013), 1068.

[46] Homilia in Ezech. I, 7: PL 76, 843D.

[47] Khs. Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 116: AAS 105 (2013), 1068.

[48] Khs. P. Ricoeur, Sur la traduction, Bayard, Paris 2004.

[49] Khs. Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 24: AAS  105 (2013), 1029-1030.

[50] L. Wittgenstein, Tractatus logico-philosophicus, 5. 6.

[51] Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 31: AAS 105 (2013), 1033.

[52] Khs. G. Steiner, After Babel, Aspects of Languange an Translation, Oxfor University Press, New York 1975.

[53] Khs. Ep. 15, 1: CSEL 54, 63.

[54] Ibid., 15,2: CSEL 54, 62-64.

[55] Ibid., 16, 2: CSEL 54, 69.

[56] Ibid., 82, 2: CSEL 55, 109.

[57] Khs. Nxitja apostolike Evengelii gaudium, 99: AAS 105 (2013), 1061.

[58] Ep. 60, 10: CSEL 54, 561.

[59] Sulpicius Severus, Dialogus I, 9, 5: SCh 510, 136-138.

[60] Ep. 52, 7: CSEL 54, 426.

[61] Homilia de nativitate Domini IV: PL suppl. 2, 191.

Shpërndaje

Comments are closed.

«