Shpresa – virtyti që i jep kuptim jetës

Nov 19 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Dëgjojmë shpesh të flitet për virtytin e fesë (besimit) dhe dashurisë, por, për çudi flitet pak për virtytin e shpresës, që në realitet nuk ka më pak rëndësi se feja (besimi) dhe dashuria. Siç dihet, për të krishterët këto janë tri virtytet teologale për të cilat shkruan edhe Shën Pali tek letra e parë drejtuar Korintianëve (1 Kor 13, 1-13). Nuk mund të mendohet një dashuri pa shpresë dhe një besim pa shpresë. Këto janë tri shtyllat që mbajnë njerëzimin: Feja, Shpresa dhe Dashuria. 

Meqë rreth virtytit të shpresës flitet pak, është e dukshme që shoqëria nuk i jep rëndësinë e duhur dhe nuk e vlerëson. Kjo reflektohet nga bisedat pesimiste, nga gjendja e lodhur psikologjike që shfaqet tek njerëzit si mbyllje përballë vetes e tjetrit, depresion, vetëvrasje e shumë sëmundje të tjera mendore me të cilat po përballet shoqëria. E gjithë kjo mund të thuhet se vjen si pasojë e nënvlerësimit të virtytit të shpresës. Por, pavarësisht mungesës dhe mospërfilljes së saj, ajo është dhe mbetet një virtyt i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për njeriun, sepse i është rezervuar dhe i është dhuruar vetëm qenies njerëzore, ashtu si besimi e dashuria.

Ndoshta ç’vlerësimi i shpresës ndodh për arsye se nuk bën zhurmë, është një virtyt i heshtur, që vepron në heshtje dhe qetësi. Por edhe pse është e tillë, nuk do të thotë se është më pak e rëndësishme. Papa Françesku thotë: “Shpresa është virtyt i padukshëm. Por është ai virtyt që fsheh veten në jetë.” Pra, nuk duhet kërkuar gjëkundi, sepse ajo është brenda nesh, brenda secilit person. Por, kërkohet nga secili që të mos lihet në harresë, sepse është virtyt, që i jep kuptim jetës dhe e motivon personin.

Për fat të keq, njeriu i sotëm këtij virtyti po mundohet t’ia zërë frymën me shumë gjëra të tjera, duke u dhënë më shumë hapësirë dhe përparësi veseve e situatave të ndryshme, që kanë të bëjnë me zhgënjim, ankth, frikë, dëshpërim, përtaci, krenari, ankim, demoralizim, mungesë pritjeje e durimi, e shumë gjëra të tjera të cilat e çojnë personin deri tek mosbesimi dhe e pengojnë në shijimin e virtytit të shpresës. Po citoj përsëri Papa Françeskun, i cili na fton duke thënë: “Mos lejoni t’ ju vidhet shpresa.” Pra mos lejoni që gjërat e situatat e ndryshme t’ia zënë frymën shpresës, por ruajeni dhe kujdesuni për të si për një gjë të çmuar.

Hapjani zemrën shpresës e mos lejoni t’ ju bëhet asgjë pengesë në kultivimin dhe rritjen e këtij virtyti në jetën tuaj. Sepse, aty ku është shpresa, nuk ka vend zhgënjimi, ankthi, frika, dëshpërimi, përtacia, krenaria, mosbesimi, dyshimi etj. Gjithashtu ai, i cili jeton me shpresë arrin t’i japë kuptim jetës e të vlerësojë çdo moment.

Shpresa është virtyti që shtyn personin të ec përpara edhe përballë situatave jo të favorshme apo të pakëndshme. Ndriçon jetën e çdo personi, e bën personin të jetë i thyeshëm (fleksibël), motivon e nxit në veprim, nuk lejon që personi të qëndrojë duarkryq, por i jep vullnet për të jetuar. E lejon të guxojë. Ka fuqi shpëtuese. Është forca e padukshme që i bën të gjitha gjërat e mundshme dhe luan një rol të rëndësishëm në ekuilibrimin emocional.

Mbi të gjitha, është dhuratë e çmuar në jetë, të cilën Zoti ia ka dhuruar vetëm njeriut, e pa diskutim është e pranishme tek të gjithë njerëzit, pa dallim moshe, race e besimi. Këtë e vërteton edhe Viktor Hugo që shkruan: Shpresa është fjala që Zoti ka shkruar në ballin e çdo njeriu. Që do të thotë ajo nuk i mungon askujt, por varet sa angazhohet secili në edukimin e kultivimin e saj. Kush shpreson asnjëherë nuk demoralizohet. Ajo i referohet personit që është plot me guxim dhe besim e që këto i merr si shpërblim vetëm tek Zoti. “Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! I lumi ai që shpreson në të!”( Ps 34, 9)

Shpresa është si rreze drite që hyn për të ndriçuar anët më të errëta të personit. Ajo shndërron jetën në optimizëm dhe qëndrueshmëri. Vazhdimisht thotë: ka një mundësi që jeta të bëhet më e mirë, pavarësisht rrethanave. Mirëpo, ky besim e kjo shpresë duket se po i mungon shoqërisë sonë. Sepse kërkohet që çdo gjë të bëhet shpejt dhe të jetë e pashme për syrin.

Mirëpo Shën Pali në letrën drejtuar Romakëve na bën të kuptojmë se: “Shpresa që shihet nuk është shpresë. Sepse çka dikush e sheh si mund ta shpresojë? Nëse pra shpresojmë çka nuk shohim atë gjë e presim me qëndresë.”(Rom 8, 24-25.) “Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për vuajtje, sepse e dimë mirë që vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnik të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, e shpresa nuk turpëron.” (Rom 5,3-4).  Pra shpresa është një qëndrim i hapur si ndaj Zotit ashtu edhe ndaj tjetrit. Është pritje me durim, e jo një pritje fataliste. Pra, pritje me besim, duresë e gëzim. Shën Pali vazhdon të na ftojë: “Në shpresë jini të gëzueshëm..”.(Rom 12,12)

 

Mungesa e  edukimit të shpresës

Siç u tha edhe më sipër, nuk ekziston njeri që brenda vetes të mos e ketë virtytin e shpresës, pavarësisht në kë dhe në çka beson. Mirëpo, shpesh ndeshim  njerëz që nuk angazhohen në edukimin dhe kultivimin e këtij virtyti.  E njeriu që nuk angazhohet për të kultivuar shpresën duket qartë, sepse nuk ka ëndrra, e ka të vështirë të përdorë edhe imagjinatën, madje mund të thuhet se për të, imagjinata duket si një element i parëndësishëm. Mirëpo, ajo ka një rëndësi dhe rol të veçantë, jo vetëm në terapi psikologjike, por edhe në të përditshme.

 Imagjinata është më e rëndësishme se dituria. Dituria është e kufizuar. Imagjinata rrethon botën. (Albert Einstein).

Nëse një njeriu i mungon imagjinata dhe ëndrra, ai është shumë i ngurtë dhe jo elastik (fleksibël). Kurse kur shfaq mungesë  shprese, ai person është i çorientuar, pa guxim, i dobët, nuk njeh fjalën besim, dashuri, besnikëri, guxim, ndershmëri, mirënjohje, respekt, mirësi, falënderim,  etj.

Pastaj arrihet deri tek përfundimi se, personi që nuk angazhohet në kultivimin e shpresës, që nuk i jep hapësirë asaj, është i mbushur me frikë, ankth, dyshim, mosbesim, ankime, zhgënjim e gjithashtu synon drejt parashikimeve katastrofike. Por, nëse jeni duke u përballur me këto, ndaluni dhe reflektoni, sepse po jetoni një jetë pa shpresë, ose ia keni nxënë frymën shpresës. Kështu që, njerëzit që neglizhojnë shpresën, kanë pak besim në vetvete, vazhdimisht dyshojnë në aftësitë e veta e shpesh kjo mund të shfaqet me probleme psikologjike dhe shpirtërore.

 

Shpresa, virtyti i domosdoshëm

Njeriu mund të jetojë, por nuk mund të funksionojë pa virtytin e shpresës, ashtu si nuk mund të funksionojë pa besim e dashuri. Ajo është një nevojë për njeriun. Secili në vetvete e ka virtytin e shpresës, nuk i mungon askujt, askush nuk mund të na e marrë, por jemi ne, që nuk e lejojmë të veprojë e të kryejë misionin që ka.

Pra, angazhohuni të kultivoni  gjithmonë shpresë. Asnjëherë mos lejoni të zbehet ajo në ju, asnjëherë mos u bëni pengesë në misionin që ka, por gjithmonë të jeni njerëz të shpresës, besimit dhe dashurisë, sepse do të jetë më lehtë si për ju ashtu edhe për ata me të cilët jetoni e bashkëpunoni. Vetëm duke u bazuar në to, mund të shpëtojmë botën. Sepse, aty ku është shpresa besimi dhe dashuria, reflektohet një atmosferë paqeje, mirëkuptimi dhe sigurie. Gjithashtu, njerëzit që mbajnë veshur mantelin e virtytit të shpresës janë bamirës, janë të hapur përballë çdo lloj nevoje e dëshire dhe as edhe një herë nuk u mungon mirësia. Është një nga forcat më të fuqishme të jetës.

Psalmisti shkruan: Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij. Shpirti ynë shpreson në Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë. Zemra jonë në të e ka shpresën, shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë. Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot sikur ne shpresojmë në ty. ( Ps 33, 18-22). Shpresa është një komponent i domosdoshëm për jetën. Është virtyti, i cili ndihmon për të përballuar të tashmen. Është një dritë në mes të errësirës.

Goethe thoshte:  Shpresa është si agimi, për natën me stuhi.

Duhet kuptuar se pavarësisht rëndësisë dhe funksionit që ka virtyti i shpresës, nuk mund të kuptohet e ndarë nga besimi dhe dashuria. Sepse shpresa, besimi dhe dashuria siç u tha edhe në fillim, janë tri shtylla që ndihmojnë personin për të ecur përpara, e për t’u përballur me çdo gjë që ofron jeta.

Njeriu që jeton në mënyrë të shëndoshë, në aspektin psikologjik ashtu dhe shpirtëror, asnjëherë nuk i mungon besimi dhe shpresa, por përkundrazi i forcon këto virtyte në mënyrë të vazhdueshme, pa marrë parasysh uljet dhe ngritjet me të cilat ndeshet gjatë jetës.

Pra, jini njerëz që dëshmoni virtytin e shpresës. “Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës sepse ai që i dha premtimet është besnik.” (Heb 10, 23) “Shpresoj në ty, o Zot shpirti im shpreson në premtimin e tij.” (Ps 130, 5) “Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin, Zoti do të jetë shpresa e tij.” (Jer 17, 7).

Shpresoni gjithmonë e kurrë mos lejoni të zbehet në ju ky virtyt i çmuar, shpresa!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«