“Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje”

Nov 20 • Meditimi i ditës

20 nëntor 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 10, 8-11; Ps 119, 14.24.72.103.111.131; Lk 19, 45-48)

 

Prania e Hyjit

“Ja, para derës qëndroj dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur se çfarë kërkon Zoti prej meje, që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mund ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Zotit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 19, 45-48

 

45 Kur hyri në Tempull, zuri t’i dëbojë jashtë shitësit. 46 U tha:

“Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje

e ju e bëtë shpellë cubash!’“

47 Çdo ditë mësonte në Tempull.

Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta vritnin, gjithashtu edhe krerët e popullit 48 por s’i gjetën assesi mënyrën, sepse mbarë populli e dëgjonte i rrëmbyer prej fjalëve të tij.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në Ungjillin e Gjonit, kjo ngjarje vjen në fillim të shërbesës së Jezusit. Te Marku dhe Mateu, Jezusi është disi i dhunshëm kur i përmbys tryezat e këmbyesve të parave dhe vendet e atyre që shesin pëllumbat. Sipas rrëfimit të Lukës, Jezusi nuk i bën këto gjëra kur e pastron tempullin. Në vend që të përqendrohemi te ndryshimet, ndoshta mund të reflektojmë pse ndodh ky incident në të katër ungjijtë? Çfarë është ajo që e bën Jezusin të reagojë në këtë mënyrë?
  • Megjithëse ai po flet për korruptimin e një vendi fizik, tempullin, ai gjithashtu po flet për korruptimin, prishjen e shpirtrave dhe mënyrat në të cilat mendjet dhe zemrat e njerëzve kanë filluar t’i shërbejnë një perëndie tjetër: zotit të parave dhe lakmisë . Vjedhja që po ndodhte ishte grabitja e shpirtit.
  • Megjithëse donin, autoritetet nuk mund ta arrestonin Jezusin. Turma ishte e rrëmbyer prej çdo fjale të tij. Megjithatë, sa herë që flet, ai e merr jetën e vet në duar e veta. Dëgjoje përsëri leximin.

 

Bashkëbisedimi

Kërkoji Zotit guximin që mos të të duhet kurrë të kesh turp të tregosh se kush je dhe kujt i shërben.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt. Kurrë nuk e imagjinojmë Jezusin se si e humb durimin, por pikërisht këtë e ka bërë kur hyri në Tempull dhe pa se kishte marrë pamjen e një tregu. Zemërimi nuk është gjithmonë një gjë e keqe – me rëndësi është ajo që bëjmë me zemërimin që shkakton dhimbje dhe shqetësim.

O Zot, na ndihmo që të kthehemi tek ti sa herë që ndihemi se jemi jashtë kontrollit. Qëndro me ne dhe na ndihmo të bëjmë atë që është e drejtë. Ati ynë..

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«