Sa ndihesh se i përket jezusit?

Nov 21 • Meditimi i ditës

21 nëntor 2020 – E shtunë, Kushtimi i Virgjërës Mari, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zak 2,14-17; Ps: Lk 1,46-55; Mt 12,46-50)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment
dhe mendoj për praninë jetëdhënëse të Hyjit
në çdo pjesë të trupit tim, në gjithçka që më rrethon,
në tërë jetën time.

 

Liria

E lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat vetjake,

që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Si jam duke e ndjerë veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?

Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur se ekzistoj.

Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur apo i/e zemëruar.

E pranoj atë çfarë jam duke ndier përnjëmend.

Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mt 12, 46-50

 

46 Ndërsa ai ende po i predikonte popullit, përjashta prisnin nëna e tij e vëllezërit dhe po e kërkonin të flisnin me të. 47. Dikush i tha: [“Shih! Nëna jote dhe vëllezërit e tu presin jashtë dhe dëshirojnë të flasin me ty.”]

48 Ai iu përgjigj atij që e lajmëroi:

“Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?”

49 E shtriu dorën e vet drejt nxënësve të vet e tha:

“Ja, nëna ime e vëllezërit e mi! 50 Sepse vëllai im, motra ime e nëna ime është ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • A mund ta imagjinoj këtë skenë? Familja dhe të afërmit e Jezusit kishin ardhur ndërsa ai fliste. Jezusi e përdor këtë rast për të zgjeruar grupin e fatlumëve. Ai s`i zvogëlon lidhjet familjare, por i zgjeron.
  • A mund ta imagjinoj se jam duke qëndruar në mesin e dishepujve të Jezusit ndërsa është duke treguar me dorë drejt tyre?
  • Kjo pjesë e ungjillit mund të duket mjaft e ashpër, por, në fakt, Jezusi e lavdëron Marinë, “fiat“-i (“më ndodhtë”) i së cilës ishte akti më i madh i të gjithëve. Kush më shumë se Maria, si një vajzë e re, e kreu vullnetin e Atit? Kush iu përgjigj me aq bujari, dinjitet dhe hir një gjëje që dukej si një detyrë e pamundur? Zemra e së cilës do të shporohet nga një shpatë, dhimbja e së cilës ishte aq e madhe?

 

Bashkëbisedimi

Ky tekst jep shkas për të kritikuar Jezusin për mosrespektimin e nënës dhe vëllezërve të tij (të afërmve). Sidoqoftë, duhet ta lexojmë nën dritën e dëshirës së Jezusit – ai dëshiron ta zgjerojë familjen e tij në mënyrë që të gjithë të jemi anëtarë të një familjeje. Në atë familje, Zoti është Ati ynë.

Familjet që kanë birësuar bijtë dhe bijat e tyre mund ta kuptojnë mirë këtë. Prindërit në këto familje i trajtojnë të gjithë anëtarët në mënyrë të barabartë – të gjithë janë e njëjta familje.

Kjo është edhe një kujtesë për ne që duhet ta duam Zotin dhe të afërmin tonë me një dashuri të njëjtë dhe të barabartë. Dhe të them të drejtën, nuk është gjithmonë e lehtë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa momente vetëm me ty. Faleminderit, Mari, për “më ndodhtë” tënde, për “po”-në tënde me të cilën iu përgjigje Atit që na ka sjellë të gjithë ne jetën e re. Na ndihmo t’i përgjigjemi vullnetit të Atit me bujarinë tënde dhe zemrën tënde të qetë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

«