Ejani të bekuarit e Atit tim!

Nov 21 • Opinion

Çdo gjë që fillon, një ditë duhet edhe të përfundojë. Kështu sot i erdhi fundi edhe vitit liturgjik kishtar – të ciklit A. Çka do të thotë kjo? Viti liturgjik kishtar quhet koha brenda një viti e kremtimit të festave kishtare dhe të shërbesave tona publike ndaj Zotit, gjatë të cilave shpirtrat dhe ndjenjat e besimtarëve freskohen me mesazhin që ato përçojnë dhe me hiret sakramentale që i prodhojnë në ne, veçanërisht përmes rrëfimit dhe të kungimit, si dhe mendjet tona frymëzohen nga fjala e Zotit e përcaktuar në liturgji. Viti liturgjik fillon të dielën e parë të Ardhjes dhe përfundon me festën e Krishtit Mbret, e cila i bashkon, i kuptimëson dhe kurorëzon të gjitha ato lutje dhe kremtime tona, të kushtuara gjatë vitit, sikur një det që i bashkon përroskat, përrenjtë dhe lumenjtë që derdhën në të.

Si festat tjera, ashtu edhe kjo e sotmja kishte për qëllim t’i përgjigjej njerëzimit në nevojat e tyre urgjente. Për ta krijuar një pasqyrë, e cila na ndihmon t’i kuptojmë arsyet që e nxitën Papën për ta shpallur solemnisht këtë festë, le të kthehemi në kontekstin kohor të ngjarjeve. Lufta e Parë Botërore pasi e goditi Evropën në mënyrë ma mizore, la pas vetes vdekje dhe shkatërrime të shumta. Rendi botëror u shkatërrua. Perandorët dhe mbretërit u rrëzuan nga fronet e tyre. Laicizmi i nënshtroi besimtarët dhe autoriteti i Kishës u vu në pikëpyetje nga masa e gjerë. Komunizmi dhe ateizmi po merrte hov në Rusi, ndërsa në Itali dhe Gjermani fashizmi dhe nazizmi famëkeq po forcohej. Gripi spanjoll, i njohur si pandemia e shekullit 20-të, mori me vete miliona jetë njerëzish dhe e gjitha kjo situatë e çoi në varfëri të tejskajshëm një pjesë të madhe të popullsisë dhe në një pasiguri të paparë.

Këto dhe shumë arsye tjera në fillimet e viteve të njëzeta të shekullit të kaluar rënduan mbi supat e pasardhësit të Shën Pjetrit, Papës Piut XI, gjatë kohës që Kisha po kremtonte një vit jubilar shumë të rëndësishëm: 1.600 vjetori i Koncilit të Parë ekumenik, që u mbajt në vitin 325, në Nike të Bitanisë (Turqia e sotme). Papa duke parë brishtësinë  e mbretërve dhe të pushtetarëve të kësaj bote dhe paaftësinë e tyre për t’i sjellë botës paqe e prosperitet, dhe duke e ditur se një gjë të tillë mund ta bënte vetëm Krishti, më 11 dhjetor 1925, me enciklikën „Quas primas“ (shqip: „Në të parën“ (qarkore)) shpalli solemnisht për mbarë Kishën katolike festën kushtuar “Krishtit Mbret”. Fillimisht kjo festë u vendos të kremtohej të dielën para festës së Të Gjithë Shenjtërve, apo të dielën e fundit të muajit tetor, për t‘u spostuar pastaj në fund të vitit liturgjik kishtar, si kurora e të gjitha festave liturgjike të vitit kishtar.

Problemi i parë teologjik që u diskutua në Koncilin e Parë në Nike lidhej me çështjen doktrinare të hyjnisë së Jezu Krishtit. A është Jezu Krishti me të vërtetë Zot apo vetëm një krijesë tejet e veçantë e Zotit dhe a i takon Atij hyjnderimi? Në koncil ishte i pranishëm edhe Arie, i cili mësonte së Biri nuk është i amshuar dhe si i tillë nuk është Zot, por i nënshtruari i Zotit. Etërit e koncilit u ngritën ashpër kundër mësimit të tij dhe me vetëm dy vota kundër shpallën Besojmën e madhe, në të cilën u vendos njëherë e përgjithmonë, se Jezu Krishti është: “Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë. I lindur, jo i krijuar, i njëqenëshëm me Atin.” Dhe disa rreshta më poshtë lexojmë: “E mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.”

Krishti si person historik mbetet personaliteti më i kontestuar në historinë e njerëzimit si e paralajmëroi Isaia profet në kreun 8, 14: „Ai duhet të jetë shenjtërorja, guri ku merret në thua, qeta nga thyhet qafa për dy shtëpitë e Izraelit, lak e kurth për banorët e Jerusalemit“, profeci që u citua më vonë edhe në Letrën e Parë të Shën Pjetri 2, 8: „Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa“. Ajo që e bën Krishtin aq të veçantë dhe të kontestueshëm nuk është natyra njerëzore e tij, as mësimet apo mrekullitë që i bëri, por natyra hyjnore, që e barazon me Atin dhe me Shpirtin Shenjt. Një teori të tillë të hyjnisë së Krishtit ende e kundërshtojnë dy nga tri fetë monoteiste të njohura në botë. Sot kur kremtojmë një festë të tillë, egziston rreziku të kalojmë pa e theksuar dimensionin njerëzor të pushtetit mbretëror të Jezusit.

Mësimi i Krishterë e quan Jezusin Zot të vërtetë dhe njeri të vërtetë. Si është e mundur një gjë e tillë? Është e mundur sepse Krishti si persona e dytë e Trinisë së Shenjtë, për dallim nga Ati dhe Shpirti i Shenjtë, ka dy natyra: natyrën hyjnore dhe natyrën njerëzore. Të parën e posedon nga amshimi, ndërsa e dyta iu dhurua me qëllim që ta kryente larjen e mëkateve dhe të arrinte shëlbimin e njerëzimit.

Kështu edhe dinjiteti mbretëror i Krishtit mund të shihet nga një këndvështrim i dyfishtë: si Zot i vërtetë dhe si njeri i vërtetë. Si Zot, pa asnjë dyshim zotëron në mënyrë absolute mbi gjithçka dhe të gjitha krijesat, si ato racionale ashtu edhe ato irracionale, janë në lidhje të plotë dhe absolute me Të dhe në varësi nga qenia e tij, nga ligjet e tija dhe nga provania e tij. Ky karakter i varësisë absolute nga Krishti si Zot, duhet të theksohet veçanërisht në lidhje me njerëzimin, sepse pushteti i Krishtit ka karakter universal.

Ja se si shprehet Papa Pio XI në enciklikën „Quas primas“: „Dinjiteti princëror i Shëlbuesit tonë përfshin të gjithë njerëzit dhe në këtë drejtim ne me gëzim i përvetësojmë fjalët që zgjojnë kujtimet e pavdekshme të shqiptuara nga paraardhësi ynë, Papa Leoni XIII: ‚Pushteti i Krishtit nuk shtrihet vetëm mbi popuj me emër katolik, as vetëm mbi ata që, të larë në Kryqin e shenjtë, me të drejtë i përkasin Kishës, e që më vonë të mashtruar u larguan dhe ranë në urrejtje: pushteti i tij përfshin edhe të gjithë ata që janë jashtë besimit të krishterë, sepse, pa dyshim, nën autoritetin e Jezu Krishtit gjendet e gjithë raca njerëzore‘“. (Enciklika „Annum Sacrum“, 25 maj 1899)

Arsyeja kryesore për themelimin e festës së Krishtit Mbret, siç theksuam më sipër, duhet të kërkohet në rrethanat moderne shoqërore të njerëzimit. Kjo arsye përmendet qartë në enciklikën e Papës. Shkaku kryesor sipas Papës është sekularizmi me të gjitha gabimet e tija teorike dhe krimet praktike. Laicizmi, siç thotë enciklika, „konsiston në faktin që njerëzit filluan të mohonin pushtetin e Krishtit mbi të gjitha kombet. Ata, gjithashtu, filluan të mohonin atë që buron nga ligji i Krishtit: të drejtën e Kishës për ta mësuar gjininë njerëzore, për të dhënë ligje dhe për të udhëhequr kombet drejt rrugës së lumturisë përjetshme. Pastaj, pak nga pak, filluan ta barazonin besimin e Krishtit me doktrinat e rreme dhe, pa farë turpi, t’i vendosnin në të njëjtin nivel, në mënyrë që më vonë Kisha t‘i nënshtrohej autoritetit civil dhe të lihej në mëshirën e fatit të qarqeve dhe të sundimtarëve të kësaj bote. Më së largu shkuan ata që mendonin që në vend të fesë hyjnore duhet të vihej një fe natyrore dhe një ndjenjë natyrore e zemrës. Kishte madje edhe shtete të tilla, të cilat mendonin se mund të jetonin pa Zot dhe se vendi i besimit mund t‘i jepej paudhësisë dhe neglizhencës ndaj Zotit.“

Kështu laicizmi u shkëput nga sovraniteti i Krishtit si individ dhe si komunitet njerëzor. Ideja e Krishtit si mbret dhe sundimtar i popullit, që ishte aq e gjallë në Mesjetë, u errësua plotësisht nga sekularizmi. Është krejtësisht e kuptueshme që sekularizmi lindi në praktikë të këqijat më të mëdha si në jetën individuale ashtu edhe në atë shoqërore. Pa Ligjdhënësin Suprem, i lëshuar vetvetes, njeriu mbushet plot epsh për thesare, pasuri dhe pushtet. Dashuria ndaj vetvetes është burimi i çdo të keqeje, ku komoditeti dhe përfitimi vetjak bëhet normë e njeriut. Me këtë lidhet zilia, mosmarrëveshja dhe ngatërresat, të cilat parandalojnë pajtimin e popujve dhe të shteteve. Kështu sekularizmi, duke shkatërruar të gjitha vlerat etike, e çoi shoqërinë njerëzore në prag të degjenerimit.

Kundër këtyre keqkuptimeve teorike dhe praktike të sekularizmit, i cili mohon të drejtën e Krishtit për shpirtrat njerëzorë dhe krijon një braktisje nga Krishti, jo vetëm të individit, por edhe të shoqërisë si një e tërë, duhet të theksohet e drejta sovrane e Krishtit. Krishti duhet të sundojë me të gjitha të drejtat sovrane në Kishën e tij. Ligji i Krishtit duhet të përshkojë të gjithë jetën private, publike, individuale dhe shoqërore në të gjitha format e saja, duke mos përjashtuar as përpjekjet dhe veprimet politike.

Laicizmi e përmbyti autoritetin e Zotit dhe i shkatërroi bazat për çdo urdhër dhe bindje të vërtetë. Pa urdhrin dhe detyrimin e duhur për t‘u bindur, nuk ka një rend të fortë shoqëror dhe prandaj themelet e shteteve janë të lëkundura. Vetëm besimi praktik dhe rrëfimi i së drejtës mbretërore sovrane të Krishtit e forcon këtë autoritet.

Në dritën e mësimit të Krishtit, autoriteti i udhëheqësve laikë nuk bazohet në të drejtën e tyre, as në atë të popullit, por mban vulën e burimit hyjnor. Nuk ka pikë dyshimi se një kuptim i tillë mund ta lindë paqen shoqërore dhe mund të sigurojë një bazë për zhvillimin e lumtur të individit dhe shoqërisë. Dhe sa më shumë të përhapej njohja dhe zbatimi i ligjeve, si thesare të Mbretërisë së Krishtit, aq më shumë do të afrohet ora kur, siç thotë Papa Leon XII, „bukuritë e paqes do të kthehen, shpatat do të lihen anësh dhe armët do të shmangen prej duarve të tyre“.

Laicizmi ka kryer dhe po kryen braktisje individuale dhe shoqërore nga Zoti dhe ka zhvilluar shfrenime të pasioneve njerëzore, të cilat në fushën e jetës individuale, familjare dhe shtetërore kanë krijuar një gjendje të trishtuar, nën të cilën sot psherëtijnë dhe rënkojnë të gjitha kombet dhe shtetet e botës. Vetëm një autoritet i fortë mund t‘i forcojë bazat e lëkundura, i cili në fushën e ideve mund të arrijë mbjelljen e pakundërshtueshme të rendit moral, ndërsa në atë praktike është në gjendje t‘u dhurojë forcë individëve përmes ndikimit të tij dhe të futë idealizëm të fortë në luftë për ndershmëri. Ky është autoriteti sovran i Krishtit Mbretit, i cili është sovran në fushën e ideve. Përderisa jashtë urdhërave shkencorë katolikë nuk ka asnjë sistem, që të paktën në një farë mase do të mund t‘i bashkonte shpirtërat në kuptimin e pyetjeve themelore të botës, të jetës, të mrekullive, etj., Krishti mbetet e vërteta absolute, e cila në dritën e parimeve të përjetshme u përgjigjet të gjitha pyetjeve të jetës së mendjes dhe të zemrës sonë.

Përderisa të gjitha sistemet e mundëshme sigurojnë mjete lehtësuese, për të gdhendur një karakter të fortë nga njeriu, sipas parimeve të pedagogjisë moderne dhe kështu krijojnë një personalitet të fuqishëm monstruoz; përderisa edukimi ndërtohet vetëm mbi parimet natyraliste, e fryti i një edukimi të tillë të njerëzimit është zbehja në rritje e vetëdijes etike dhe përthellimi i dekadencës praktike, Krishti mbetet pedagogu absolut dhe i pazëvendësueshëm, sepse siç thotë vetë Ai tek Gjn 15, 5: „pa mua s‘mund të bëni asgjë!“. Krishti është Jeta, e cila frymëzon fuqinë e mrekullueshme të botës nga fuqia e autoritetit të tij absolut dhe me fuqinë e hirit, e cila në edukimin e njerëzimit nuk mund të injorohet, ndahet vetëm nga Krishti, sundimtari sovran dhe mbreti i njerëzve. Ja pse njohja praktike e mbretërisë së Krishtit është një faktor i domosdoshëm për të rivendosur fuqinë e mrekullueshme të njerëzimit!

Kur sekularizmi mohoi të drejtat e Krishtit në botë, ligjin dhe hirin e tij, festa e Krishtit Mbret do të prezantohej, për të zgjuar në mendjen e të gjithëve sovranitetin legjislativ dhe gjyqësor, nga i cili askush nuk mund të privohet.

Festa e Krishtit Mbret duhet të jetë një qortim i vazhdueshëm për kombet, për të rregulluar të gjithë jetën publike sipas urdhërimeve të Zotit: legjislacionin, arsimin, gjyqësorin, etj. Sovraniteti i Krishtit shtrihet në të gjitha pushtetet njerëzore dhe asnjë aftësi njerëzore nuk përjashtohet nga ai pushtet. Prandaj, Krishti duhet të sundojë në mendjen njerëzore, në vullnetin njerëzor dhe në trupin njerëzor, e ky trup duhet t’i shërbejë shenjtërisë së brendshme të shpirtit.

Këtu kemi të bëjmë me Krishtit Mbret në natyrën njerëzore. Karakteristikat e Krishtit mbret, jo vetëm si Zot, por edhe si njeri, i hasim me bollëk si në Besëlidhjën e Vjetër, ashtu edhe në atë të Re. Shkrimi i shenjtë, para së gjithash, në mënyrë të qartë ia atribuon nderin mbretëror Krishtit njeri. Në librat e Besëlidhjës së Vjetër një gjë e tillë dëshmohet veçanërisht në psalme dhe tek profetët (shiko Ps 2. që dëshmohet edhe në Vap 4, 25-29; Heb 1, 5. dhe 5, 5; Ps 109, këtë e konfirmoi edhe Krishti në takimin me farisenj në Mt 22, 42-46; Ps 71, 9-11; Ps 88, 28-31. 37. 38; Is 9, 6; Jer 23, 5; Dan 2, 44. 7, 13-14; Zak 9, 9-10 etj.).

Kjo e vërtetë e pamohueshme e Besëlidhjes së Vjetër paraqitet në një dritë edhe më të shkëlqyeshme në Besëlidhjen e Re, kryesisht kur Krishtit si njeri në përgjithësi i jepet nderi dhe dinjiteti i një mbreti. (shiko Lk 1, 31-33; Mt 28, 18-19; Zb 1, 4-5; Zb 19, 14-16; 1 Kor 15, 23; Heb 2, 5. 8.)

Krishti, pra, siç na mësojnë burimet e padyshimta të zbulesës hyjnore, është Mbret i vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Por, për dëshmi dhe provë të autoritetit të vërtetë mbretëror të Krishtit, Shkrimet na japin jo vetëm ato burime, ku Krishtit shprehimisht dhe me theks të veçantë i përshkruhet dinjiteti mbretëror, por edhe ato vende të shumta, ku Atij i atribuohet pushteti i lartë shoqëror, të cilin e ushtron çdo mbret tokësor: pushteti legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv.

1. Si ligjdhënës, Krishti është profetizuar nga Isaia në kreun 33, 22 ku lexojmë: „Sepse Zoti është gjykatësi ynë, sepse Zoti është ligjdhënësi ynë, Mbreti ynë është Zoti vetë; prej Tij ne presim shpëtimin“.

Sipas plotësisë së pushtetit që e ka marrë, Krishti krijon ligjet e veta. Këtë e shohim te Gjn 14, 15: „Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Pak më poshtë në kapitullin 15, 10 shkruan: „Nëse i mbani urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse edhe unë i mbajta urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në të“. Para se t‘i dërgonte apostujt në botë, Jezusi i porosit: „Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të  botës!“ (Mt 28, 20) Në predikimin në mal, Jezusi vazhdimisht thekson pozicionimin e tij duke iu referuar ligjit të vjetër: „unë po ju them“. Ndërsa Pali apostull në letrën drejtuar Galatasve shkruan: „Mbartni njëri-tjetrit barrën e kështu do ta plotësoni Ligjin e Krishtit.“ (Gal 6, 2).

Krishti e tregoi plotësinë e pushtetit ligjdhënës kur e themeloi Kishën e vet, duke përcaktuar ligjet themelore që duhet ta përshkojnë rendin shoqëror dhe jetën e saj të brendshme. Kjo e vërtetë e zbulesës hyjnore dëshmohet gjithashtu edhe në mësimet e Kishës. Koncili i Trent-os përcaktoi kundër Protestantëve: „Kush thotë se Jezu Krishti na është dhënë nga Zoti si Shëlbues, tek i cili duhet të kemi besim, dhe jo gjithashtu si ligjdhënës, të cilit duhet t‘i bindemi, qoftë i mallkuar“.

2. Sa i përket pushtetit gjyqësor të Krishtit, ai theksohet qartë në Shkrimin shenjt. Në Ungjillin e Gjn 5, 22 lexojmë: „Ati në të vërtetë nuk gjykon askënd, pse krejt gjykimin ia la në dorë të Birit“. Ky pushtet gjyqësor vlen edhe për njerëzit në këtë jetë. Në letrën e Romakëve 14, 9 Pali shkruan: „Për këtë arësye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve“. Është e qartë, se veçanërisht tek Gjn 5, 22 bëhet fjalë për pushtetin gjyqësor universal të Krishtit njeri. Ai mund të gjykojë vetëm nga pushteti i tij si njeri, sepse si Zot e zotëron të gjithë pushtetin së bashku me Atin.

Shën Toma i Akvinit, duke iu referuar fragmentit të sipërpërmendur nga Gjn 5, 22, dëshmon se aty bëhet fjalë për pushtetin gjyqësor të Krishtit si njeri. Shpjegimi i tij mbështetet në faktin se: „Vetëm shikimi i Zotit përbën lumturinë tonë. Nëse Zoti do të paraqitej në natyrën e tij para mëkatarëve më qëllim që t‘i gjykojë, mëkatarët vetëm duke e parë Atë, do të lumturoheshin. Andaj, vetëm Biri do të paraqitet në gjyq, kur edhe vetë do ta marrë natyrën njerëzore (In Joan. Lect. 4).

3. Së fundmi, pushteti gjyqësor i Krishtit ka fuqi përmbaruese. E lexuam në Ungjillin e Mateut si ditën e gjykimit „Mbreti do t‘u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‚Ejani të bekuarit e Atit tim!‘“ (Mt 25, 34). „Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‚Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur‘“ (Mt 25, 41). Dhe siç dëgjuam në fund, ky dënim do të ekzekutohet menjëherë: „Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur“ (Mt 25, 46).

Këto dhe shumë citate tjera, që për arësye kohore nuk u përmenden këtu, mjaftojnë për të krijuar një bindje të fortë se Jezusi njeri, vërtet, ka pushtet të trefishtë mbretëror.  Krishti nuk ka vetëm një të drejtë indirekte për gjërat tokësore, për aq sa është e nevojshme për të arritur qëllimin që ka mbretëria shpirtërore e Krishtit – Kisha e tij, por gjithashtu edhe një të drejtë të drejtpërdrejtë, në mënyrë që Krishti ka mundur dhe mund ende, pa i shkel të drejtat e askujt, t‘i përvetësojë të gjitha mbretëritë e botës, t‘i rrëzojë të gjithë mbretërit, me një fjalë, të disponojë me të gjithë botën dhe me të gjitha gjërat e saja, me anë të fuqisë së pushtetit dhe të së drejtës që posedon mbi të gjitha gjërat. Prandaj, Krishti edhe si njeri është zotërues i botës dhe mbreti i mbretërve. Ai është koka dhe zotëruesi i të gjitha gjërave. „Unë konsideroj – vë re me lehtësi teologu i famshëm mesjetar, Luis de Molina – që, siç është Zoti, nëse është Zot, zotërues universal i të gjitha gjërave, ashtu edhe Krishtit si njeri ia ka dhënë Zoti të drejtën dhe fuqinë absolute mbi të gjitha gjërat“.

Krishti edhe pse me ligj natyror kishte pushtetin suprem mbi të gjithë botën, nuk u shërbye me të, por i la mbretërit edhe më tutje në pushtetin e tyre, ndërsa për vete e zgjodhi vetëm pushtetin shpirtëror.

Të gjitha cilësitë dhe të drejtat që i ushtroi Krishti në natyrën e tij njerëzore, ndoqën një synim, për të arritur qëllimin e mishërimit sa më të përsosur. Qëllimi i mishërimit, në radhë të parë, është plotësisht shpirtëror: e vërteta e Krishtit duhet t‘i ndriçojë shpirtërat njerëzorë, të shpenguar nga robëria e Djallit. Vullneti njerëzor, i forcuar dhe i ushqyer me hirin e Krishtit, është të arrijë mbretërinë e përjetshme në qiell me luftën kundër mëkatit. Duke pasur parasysh këtë qëllim shpirtëror të mishërimit të tij, Krishti mori vetëm ato cilësi dhe të drejta që mund të përparonin më tej në zgjerimin dhe vendosjen e mbretërisë shpirtërore në zemrat e njerëzve. Kjo është arësyeja pse Krishti hoqi dorë nga të drejtat e tija mbi gjërat tokësore. Ai donte të ishte i përulur, i varfër, i përbuzur, për të na dhënë një shembull dhe inkurajim për të qenë në gjendje të përbuzim gjithçka që është tokësore, në luftën për të mirën e Mbretërisë shpirtërore. Ai deshi në këtë mënyrë të identifikohej me njeriun që vuan dhe me atë që nuk ka kush ta dëgjojë. Prandaj edhe thotë në Ungjill: „Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua“ (Mt 25, 45).

Këtë e ka kuptuar më së miri krenaria e kombit tonë shqiptar, Shën Nënë Tereza, e cila në çdo nevojtar e shikonte Krishtin e vuajtur dhe të braktisur. Ja një nga lutjet e saja: „O Zot, hapna sytë tanë, që të mund të shohim Ty në vëllezërit e motrat tona. Hapna veshët tanë, që t’i dëgjojmë thirrjet e atij që ka uri, që ka të ftohtë e frikë, të atij që është i shtypur dhe i përbuzur. Hapna zemrën tonë, o Zot, që të mund të mësojmë ta duam njëri-tjetrin ashtu si na do Ti. Përtërije vazhdimisht në ne, Shpirtin tënd, o Zot, që të jemi të lirë e të bashkuar në emrin Tënd të shenjtë. Amen!”

Jezusi nuk mund të hiqte dorë nga e drejta e tij supreme në rrënjë (jus radicale) mbi të gjitha gjërat tokësore, sepse kjo e drejtë është e lidhur me një lidhje të pathyeshme me dinjitetin e Zotit njeri, por ai hoqi dorë nga ushtrimi i kësaj të drejte, sepse në këtë mënyrë misioni i tij origjinal u pasqyrua në një shkëlqim më të lavdishëm: duke përgatitur shpirtrat njerëzorë për zotërimin e mbretërisë shpirtërore të qiellit.

Kështu, pra, Krishti hoqi dorë nga autoriteti politik për të arritur qëllimet e tija në mënyrë sa më të përsosur dhe të lirë në fushën shpirtërore. Por, duke hequr dorë nga të drejtat politike të kohës moderne, ai nuk hoqi dorë nga e drejta e mbretërisë së tij shpirtërore për të depërtuar në të gjitha mbretëritë e botës, sepse kjo është përmbajtja e Ungjillit të tij dhe fushështrirja e Mbretërisë së tij në tokë.

Meqë asnjë vepër njerëzore nuk ka tjetër gjykatës, përveç Krishtit, është e qartë se gjithçka do të shqyrtohet para fytyrës së tij, jo vetëm veprimi individual, por edhe puna kolektive shoqërore dhe veprimet politike. Kështu, karakteri universal i gjykimit të Krishtit justifikon kërkesën tonë që Krishti të njihet dhe të nderohet si Mbret nga të gjithë: jo vetëm nga individët, por edhe nga bashkësitë.

Prandaj, Krishti duhet të përshkojë tërë mendimin dhe veprimin njerëzor. Ndikimi i Krishtit Mbret është aq i gjerë sa është e gjerë jeta e shpirtit njerëzor. Në këtë fushë të jetës shpirtërore, ndikimi i Krishtit është absolut dhe prej andej duhet të derdhet në të gjitha format e jetës: „Unë jam Rruga, e Vërteta dhe Jeta“ – thotë Zoti për veten e tij (Gjn 14, 6). Krishti është Rruga, e cila shënon kuptimin, përmbajtjen, qëllimin dhe shtegun, në të cilin duhet të ecë jeta e secilit individ dhe e mbarë njerëzimit, po deshi të arrijë qëllimin e tij më të lartë. Jashtë kësaj Rruge, nuk ka qasje drejt një qëllimi. Krishti është e Vërteta absolute, e cila me përmbajtjen e saj i tejkalon të gjitha shkencat kalimtare të sistemeve indoktrinare, që e vetmja jep një pamje të saktë të të gjithë jetës, burimit, detyrës dhe qëllimit të saj. Krishti është Jeta dhe vetëm nën ndikimin dhe nën derdhjen e hireve të tij është e mundur të jetohet jeta e bijve të Zotit, që si shpërblim presin shijimin e jetës së përjetshme në lumturinë e qiellit. Kjo derdhje e hirit është e nevojshëm për të gjithë dhe me mbushulli derdhet në Kishën katolike, sidomos përmes sakramenteve, të cilat në shpirtra këtu në tokë ndërtojnë bashkimin fillestar të jetës hyjnore.

Fusha e veprimtarisë dhe e ndikimit të Krishtit si një Mbret shpirtëror janë ndërgjegjet njerëzore, të cilat në fakt janë burimi i të gjithë punës dhe i përpjekjeve njerëzore. Në këtë mënyrë, përmes shpirtrave njerëzorë, Krishti bëhet sundimtar dhe mbret suprem i të gjithë jetës njerëzore në të gjitha lëvizjet dhe veprimet e tija. Prandaj, Krishti njihet si Mbret nga ai që në burimin e gjithë jetës ka sjellur shpirtin, mendimin dhe vullnetin e tij, në përputhje me vullnetin, ligjet dhe rregulloret e Krishtit. Në këtë frymë, Zoti i qorton farisenjt, që prisnin ardhjen e Mbretërisë së Krishtit: „Mbretëria e Hyjit është mes jush!“ (Lk 17, 21).

Në Ungjillin e Gjn 14, 2-3, lexojmë mbi atë që Jesusi u tha apostujve: „Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’ju thosha: ‚Po shkoj t’ju bëj gati vendin‘? Kur t’shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju“. Në librin e Zbulesës së Shën Gjonit apostull lexojmë mbi Krishtin: „Kur e pashë, rashë para këmbëve të tija porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: ‚Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Mbrami, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!‘“ (Zb 1, 17-18).

Themeli dhe arsyeja e parë e këtij nderimi të Krishtit është bashkimi hipostatik i natyrës së tij njerëzore me personin hyjnor të Birit të Zotit. Ky bashkim hipostatik i jep Krishtit si njeri një të drejtë të lindur të pushtetit absolut mbretëror, për arsye se buron nga qenia e brendshme dhe nga natyra e Krisht njeri. Është një e drejtë, e cila në Krishtin është e pavarur nga çdo e drejtë e fituar. Kjo është arsyeja pse Shën Çirili i Aleksandrisë shkruan: „Ai ka, më lejoni ta them këtë fjalë, sundim mbi të gjitha krijesat, të cilat as nuk i ka zaptuar me forcë dhe as nuk i ka marrë nga një tjetër, por i posedon në qenien dhe në natyrën e vet“ (In. Luc. X.).

Por, përpos kësaj të drejte natyrore, Krishti si njeri ka edhe të drejtën e fituar të pushtetit mbretëror mbi njerëzimin. Kjo e drejtë bazohet në shëlbim.

Shtrohet pyetja: A mbretëron Krishti në emrin e vet apo në emër të Atit? Krishtit, nga natyra e tij njerëzore, i është dhënë e drejta për të sunduar dhe qeverisur botën sipas ligjeve të tij, për ta gjykuar dhe për të kryer dënimin e botës. Zoti, që është zotëruesi i të gjitha të drejtave tona dhe i të gjithë qenies tonë, ia ka besuar në kohë Krishtit zotërimin e botës, duke ia dhënë pushtetin e plotë mbi të. Në Ungjillin e Mateut 28, 18 Jezusi thotë: „Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë“. Shën Pjetri e shpreh këtë me fjalët: „Dinie mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë send të shkatërrueshëm – argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë“ (1 Pj 1, 18-19).

Kështu, pra, duke pasur parasysh këtë, i krishteri duhet të bëjë shumë kujdes se si sillet dhe si jeton. Për këtë na qorton Shën Pali apostull në 1 Kor 6, 19-20: „Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju që e keni prej Hyjit dhe se nuk i përkitni më vetvetes? Sepse jeni blerë me çmim të lartë“. Shkrimi shenjt dëshmon qartë se Krishti erdhi me lavdi dhe nder përmes flisë shëlbimprurëse: „Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi, që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve“ (Heb 2, 9).

Jezusi vullnetarisht dhe më vetëdije të plotë i ra mohit pushtetit mbretëror këtu mbi tokë dhe mbeti i dëgjueshëm ndaj Atit qiellor, i cili e dërgoi për t’i shëlbuar shpirtërat dhe për t’i përfituar zemrat e njerëzve: „E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër që në emër të Jezusit të përkulet çdo gjuhë e atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‚Jezu Krishti është Zot!‘ në nder të Hyjit Atë“ (Fil 2, 8-11). Me flinë e larjes së mëkateve, Krishti, para së gjithash, meritoi ta themelonte Kishën, mbretërinë e tij shpirtërore, ku jeton dhe sundon përmes zëvendësve të vet: papës dhe ipeshkvit.

Duke medituar mbi të gjitha këto që u thanë, lirisht mund të konkludojmë se: Jezusi është Mbret me zemër dhe se Jezusi është Mbret i zemrave. Kjo më së miri shihet në momentin e kryqëzimit, kur Jezusi pak pa dhënë shpirt i drejtohet cubit të penduar me fjalët premtuese, duke ia treguar nga kryqi derën e parajsës, derë kjo nëpër të cilën mund të hyjnë vetëm ata që pendohen me gjithë zemër dhe kthehen e i besojnë Fjalës së Mishëruar, Ungjillit, Krishtit: „Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë“ (Lk 23, 42). Kjo derë që në fillim u mbyll në Kopshtin e Edenit u rihap në kryq. Prandaj Jezusi u na mëson: „Nëse ndokush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë“ (Lk 9, 23). Krishti është dera e qiellit.

Thuhet për Shën Elisabeta e Thüringen, në kundërshtim me zakonin e kohës saj, sa herë që hynte në kishë e hiqte kurorën e saj. Ajo e dinte se egziston vetëm një Mbret i vërtetë, mbi supat e të cilit rëndojnë mëkatet e gjinisë njerëzore, i kurorëzuar me ferra, ndryshe nga kokat e kurorëzuara të mbretërve të vetëshpallur.

Si po shohim, koha në të cilën po jetojmë, në gjithçka i përngjan asaj të para 100 viteve, që nxiti Papën për ta shpallur solemnisht festën e Krishtit Mbret. Mendoj se është koha e skajshme për t’u përcaktuar për Krishtin dhe Mbretërinë e tij, Kishën. Se në çfarë rreziku jetojmë, po e shohim të gjithë, por se çka do të vijë akoma, mund ta imagjinojmë kur shohim si po manipulohet me ne. E gjithë bota është në pritje të vaksinës kundër pandemisë COVID-19. A është vaksina shpëtimi i njerëzimit? Ja se si Bill Gates e parashikon botën pas coronavirusit: “…E gjashta. Më në fund, themeluesi i Microsoft konsideron se megjithëse mund të ketë një pandemi tjetër, ajo nuk duhet domosdoshmërisht të jetë aq e ashpër sa ishte COVID-19. Mbi të gjitha, ai beson se bota do të jetë më e përgatitur ta përmbajë atë” (Telegrafi, më 18.11.2020). Pra, akoma pa ditur se si mund të dalim nga njëra pandemi, paralajmërohet e tjetra.

Në Luftën e Dytë Botërore, një kapiten francez po e kërkonte një ushtar të plagosur rëndë në një hendek zjarri. Papritmas e dëgjoi një britmë: „Ndihmë!“. Ai nxitoi dhe gjeti një ushtar të plagosur rëndë midis dy të vdekurve. I plagosuri e pyeti: „Zoti kapiten, a mos jeni ndoshta meshtar?“ „Jo – tha kapiteni – por unë do t‘ju sjell në dhomën e veshjeve, ku mund ta takoni meshtarin“. „Zotëri kapiten – vazhdoi ushtari – unë për një kohë të gjatë nuk besoja në asgjë dhe, ja, tani m‘u rikthye feja e fëmijërisë sime. Atë ma riktheu shoku i vdekur, i cili e thirri priftin dhe meqë ai nuk ishte këtu, e zhyti penën në gjakun e tij dhe më të i shkroi fjalët: „Unë jam një i krishterë dhe i qëndroj besnik Zotit deri në frymën e fundit“.

Kjo është përgjigjja e martirëve të Kishës, kështu i përgjigjën Krishtit edhe Martirët tanë të Shqipërisë duke e përqafuar vullnetarisht vdekjen me brohoritje: „Rr‘noftë Shqipëria! Rr‘noftë Krishti Mbret!“. E ne sot si do t‘i përgjigjemi Krishtit, i cili duke parë të gjithë këtë katrahurë, të gjithë këtë apostazi, të gjitha këto shkanduj, të gjithë këtë braktisje të idealeve kombëtare, të gjithë këtë mashtrim dhe të gjithë këtë dhënie pas hedonizmit, pushtetit, pasurisë, drogës, prostitucionit, besëtytnisë, korrupsionit, ideologjisë, indoktrinizmit, dhe të gjithë këtë degjenerim familjarë, pa frikë se do të mbetet i vetmuar, na pyet: „A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?“ (Gjn 6, 67)

Ja një mësim nga Libri i parë i Samuelit 12, 20-25, ku mbreti Samuel, i frymëzuar nga Zoti, i përgjigjet popullit të vet mëkatarë: „Mos kini frikë! Vërtet që ju i bëtë të gjitha këto të këqija, por megjithatë, tashmë mos u largoni prej Zotit e shërbeni Zotit me gjithë zemrën tuaj dhe mos shkoni idhujve të kot, të cilët nuk do t’ju ndihmojnë as nuk do të mund t’ju shpëtojnë, sepse janë të kotë. Me siguri Zoti nuk do ta lëshojë dore popullin e vet për nder të emrit të vet të madhërueshëm, sepse ai vetë u denjua t’ju bëjë popull të vetin. E qoftë larg meje të mëkatoj kundër Zotit që të pushoj të lutem për ju e të mos jua mësoj rrugën e mirë e të drejtë. Prandaj, druani Zotin dhe shërbeni atij me besnikëri e me gjithë shpirt, sepse i patë veprat e madhërishme që i kreu në mesin tuaj! Por, përkundrazi, nëse do të qëndroni duke bërë keq, ju, dhe me ju së bashku mbreti juaj, do të sharroni“.

Kështu na këshilluan edhe të parët tanë. Kështu na këshilloi edhe princi ynë i madh, Gjergj Kastrioti; kështu jetuan të gjitha ata që ranë në altarin e lirisë për t’i dal zot Atdheut; kështu jetojnë të gjithë ata që sot janë të thirrur ta mbrojnë pafajësinë e tyre para gjykatave të inkriminuar të kësaj bote dhe para gjykatësve, të cilët mendojnë se e vërteta është në duart e tyre dhe se më të mund të manipulojnë si donë vetë. Por, mos të harrojmë së Jezu Krishti është Mbret mbi të gjithë mbretërit, Gjykatës mbi të gjithë gjykatësit dhe shërbëtor i të gjithë shërbëtorëve.

Të bindur se nuk mund t’i ikim gjyqit të tij, t’i përgjigjemi edhe ne Krishtit, siç i përgjigji dikur Shën Pjetri apostull: „Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti i ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!“ dhe të përfundojmë me himnin që i kushtohet Atij: Christus vincit! Christus regnat! Christur imperat! (Krishti fiton! Krishti mbretëron! Krishti urdhëron!)

Krishti fitoftë, mbretëroftë dhe urdhëroftë mbi ne, mbi familjet tona, mbi kombin tonë shqiptar! Krishti mbretëroftë mbi mbarë botën!

 

E përshtati dhe e zgjeroi:

Don Marjan Sh. Uka, misionar katolik shqiptar në Düsseldorf

 

Shënim i autorit:

Një sintezë e imja bazuar në një shkrim në gjuhën kroate, i vitit 1925, i autorit Dr. Stjepan Bakšić, me titull: „Kraljevstvo Kristovo i svetkovina Krista kralja“, me shtesë dhe aktualizim të kohës së sotme.

Shpërndaje

Comments are closed.

«