Kushtet e përjetshme të m. Niketa Krasniqi dhe m. Gjoana Bisaku

Nov 24 • Kisha në Kosovë

Më 21.11.2020, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, m. Niketa Krasniqi dhe m. Gjoana Bisaku me kushtimin e tyre të përjetshëm premtuan se tërë jetën e tyre do të jetojnë sipas kushteve ungjillore: në varfëri, dëgjesë dhe pastërti. Tri kushte këto që e karakterizojnë jetën rregulltare në Kishën Katolike.

Meshën solemne e udhëhoqi ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, me të cilin bashkëmeshuan disa meshtarë të Dioqezës.

Hyji është udhëheqësi i njerëzve dhe i kohërave. Në këtë kohë të rëndë pandemie me Covid-19, m. Niketa dhe m. Gjoana u detyruan që në mënyrë të thjeshtë, pa solemnitet të pranisë së motrës sonë provinciale, m. Valeria Shiroki, motrave të tjera që do të vinin nga Kroacia dhe Mali i Zi (Tivari) dhe të ftuarve të tyre: meshtarë dhe motra të nderit, si dhe familjarë dhe shoqëri, të bëjnë kushtimin e tyre të përjetshëm, ashtu si thotë edhe motoja e tyre e kushtimit: “Nevoja e kohës është vullneti i Zotit!”(Atë Teodoz Florentini).

Papa Françesku shpjegon: “Jeta e kushtuar është të lësh gjithçka e/i rrëmbyer nga vështrimi i Jezusit” dhe vazhdon: “T’i kërkojmë Zotit sy të rinj, që dinë ta shikojnë hirin, të kërkojnë të afërmin, të shpresojnë. Mandej Papa u thotë rregulltarëve prapë: Për të lanë gjëra më të rëndësishme: pasuritë,  krijimin e familjes suaj. E pse e bëtë këtë? Sepse u dashuruat me Krishtin. Jeta rregulltare është ky vizion: të shikosh çka vlen më shumë! I shuguruar është ai, që çdo ditë shikon vetveten e thotë: ‘Gjithçka  është hir, gjithçka është dhuratë, që e marrim nga dora e Zotit’”. “Sot shumëkush shikon në të tjerët vetëm  pengesa e ndërlikime… Ndërsa rregulltarët e rregulltaret, burra e gra që jetojnë për t’i përngjarë Krishtit, janë të thirrur ta shikojnë botën me sytë e Tij, sy plot me mëshirë, sy që nuk dënojnë, por inkurajojnë, çlirojnë, ngushëllojnë”. Prej këndej, Papa përmend sekretin e jetës rregulltare: “Mos u largoni kurrë nga Zoti. Gurrë shprese. Verbohemi, nëse nuk  shikojmë Zotin çdo ditë, nëse nuk e adhurojmë çdo ditë!”.Me këto fjalë u drejtua Papa rregulltarëve gjatë Meshës së Ditës XXIV botërore të Jetës rregulltare.

Kurse ipeshkvi ynë, mons. Dodë Gjergji, në mes tjerash gjatë predikimit tha: “Vërtetë është një moment tepër i madh për Kishën, sepse dy të pagëzuara, në kulmin e pjekurisë së vet shpirtërore, dëshirojnë të lidhin një besë të përhershme përpara Hyjit, që ta vejnë jetën e vet në shërbim dhe të sakrifikojnë gjithçka që kanë, në mënyrë që jeta e tyre të digjet si një qiri i cili e ndriçon botën, Kishën dhe zemrën e shumëkujt! Ne të gjithë në Kishën e Krishtit përpiqemi të zbulojmë brenda vetes hirin që na është dhuruar, dhuntitë që i kemi dhe ta dëgjojmë thirrjen që na është ba prej Zotit tonë. Këto dy bija tona, sot definitivisht e zbulojnë përvojën e Samuelit. Pas atyre tri herëve që e thirri Samuelin, Zoti sot thërret: Niketë, Gjoana dhe këto kanë vendosë që sot t’i përgjigjen: JA KU JAM! Jam gati për ta kryer vullnetin tënd. E kam kuptuar gjatë tërë jetës sime se kjo është thirrja ime. Jemi ushqyer me fjalën e Ungjillit dhe e kemi dëgjuar një pëshpëritje në zemër. Secili prej nesh ka përvojë të thirrjes në formën e vet. Prandaj Shën Pali sot na thotë: po ua tregoj një rrugë krejt të shkëlqyeshme – rrugën e dashurisë. Motra të dashura, vazhdoi ipeshkvi, ju sot po e dorëzoni vullnetin tuaj në duar të eproreve dhe në duar të Kishës. Ju sot i përgjigjeni një thirrjeje që e keni dëgjuar në zemrën tuaj EJA, e në të vërtetë siç e thotë leximi i parë në këtë kohë dëgjohet shumë pak zëri i Zotit, aq më pak janë djem apo vajza të reja që e hapin zemrën e vet për të dëgjuar thirrjen e tij. E shumë pak janë sish që thonë: JA KU JAM. Sepse jetojmë në një botë ku është përmbysur pothuaj se gjithçka që vlen. Prandaj përgjigja e juaj JA KU JAM është përgjigje e fuqishme ndaj kësaj bote. Për këtë arsye, motra fort të dashtuna, unë sot ju ftoj të ofroni virgjërinë tuaj si dëshmi të dashurisë ndaj njeriut, ndaj jetës, sepse kjo botë duhet ta kuptoj se trupi i njeriut nuk është vegël kënaqësie as mjet për të shfrenuar epshet, është burim jete. Është dhuratë e madhe që buron prej zemrës së Hyjit. Andaj kushtimi i jetës tuaj duhet të kuptohet si dëshmi që jeta dhe dashuria e Zotit të vazhdon. Kur të bëni kushtin e varfërisë mos mendoni se duhet të jetoni në skamje sepse kjo është një gjë më e lehtë. Kuptojeni se kushti i varfërisë është burimi i pasurive shpirtërore në jetën e njeriut. Ne që japim dhe ai që merr duhet ta ndjejmë të njëjtin gëzim. Kushtin e dëgjesës e jetojmë duke qenë të dëgjueshëm Shpirtit Shenjt, mësimit të Krishtit, Kishës. Kushtet janë një mjet e jo qëllimi.”

Në fund ipeshkvi ju drejtuat të gjithëve me fjalë inkurajimi: “Të gjithëve juve vëllezër e motra ju dëshiroj që të mbështesim njëri tjetrin në dashuri, të angazhohemi me gjithë shpirt për të nxitur njëri tjetrin në shenjtëri. E ju, Motrat e Shën Kryqit e kongregatat tjera, ju lus që të mos përpiqeni vetëm të jetoni bashkë, por të jetoni një bashkësi shprese ku vërtetë shpërthen dhe lulëzon dashuria për njëri tjetrin, për Kishën edhe për botën. Amen.

I falënderojmë Hyjit për këtë dhuratë që ua bëri së pari këtyre dy motrave tona, mandej Bashkësisë sonë dhe Kishës! E lusim Zotin t’ua dhurojë hirin, që gjatë krejt jetës së tyre të jetojnë atë që sot premtuan!/drita.info

 

Përgatiti për Dritë: M. Zoja Komani

Shpërndaje

Comments are closed.

«