Promovohet kompleti i veprave të Prof. Anton Çettës

Nov 26 • Kulturë

Prishtinë, 26 nëntor 2020: Në 100 vjetorin e lindjes së Anton Çettës, në 25 vjetorin e vdekjes së tij, në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në organizim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Kosovës, është promovuar botimi i kompletit të veprave të  prof. Anton Çettës (13 vëllime).

Siç dihet tashmë, muaji nëntor 2020 është shpallur muaji i Anton Çettës, sipas propozimit të ministres së MKRS znj. Vlora Dumoshi. Në këtë promovim  ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, z. Avdullah Hoti, drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, bijat e Anton Çettës, Donika dhe Agata, si dhe shumë personalitete tjera të kulturës.

Kryeministri Avdullah Hoti, duke vlerësuar lartë kontributin e Çettës, tha se ai së bashku me ish-presidentin Ibrahim Rugova kanë bërë histori moderne.

“Përgëzojmë punën që kanë bërë këta hulumtues për personalitetin me emrin e të cilin identifikohen epokat. E ka ndarë historinë para dhe pas ngjarjes me të cilën Çetta identifikohet, pra me pajtimin e gjaqeve. Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërrimin e kulturës. Ai dhe Rugova kanë bërë histori moderne”, tha Hoti.

Ndërsa Ministrja e Rinisë Kulturës e Sportit Vlora Dumoshi, tha se ky aktivitet po shënohet në kuadër të muajit të Anton Çettës, të shpallur nga kryeministri Hoti. Duke e vlerësuar profesorin Çetta, si një nga studiuesit më serioz të folklorit shqiptar, theksoi ajo, është themeluar edhe çmimi Anton Çeta. Ajo i falënderoi të gjithë ata që kanë bërë të mundur botimin e kompletit të veprave të profesor Çettës, si dhe pjesëmarrësit, që kështu nderojnë jetën dhe veprimtarinë e tij.

Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanogjik, tha se kompleti i veprave të Çettës përmban 13 vëllime, dhe shumica prej tyre janë të njohura për lexuesin e vëmendshëm.

Donika Çetta, bija e profesor Antonit. tha se ky përvjetor i përkujtimit për Babanë u erdhi më ndryshe, me gëzim dhe veprimtari, edhe pse në kushte të pandemisë. Ajo shprehu  mirënjohjen në emër të familjes Çetta për të gjithë ata që mundësuan botimin dhe promovimin promovimin e veprave të tij, si dhe më 25 nëntor, në 76 vjetorin e themelimit të BKK “Pjetër Bogdani”, hapjes së ekspozitës fotografike të Sali Cacës kushtuar Anton Çettës.

Gjithë pjesëmarrësit ishin të lumtur për këtë sukses në fushën e kulturës dhe veprimtarisë botuese. Dikush tha: “Tash e kemi më afër Prof. Anton Çettën, sepse ai gjallëron nëpërmjet veprave të tij ndër ne”./drita.info

Comments are closed.

« »