Thirrja e zotit më jep zemër

Nov 26 • Meditimi i ditës

26 nëntor 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 18, 1-2.21-23; 19, 1-3.9a; Ps 100, 1b-5; Lk 21, 20-28)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.

Si është duke kaluar dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Zoti na flet përmes Fjalës së Tij, Shkrimit Shenjt. Fol, o Zot, shërbëtori yt dëgjon!

 

Lk 21, 20-28

 

20 “Kur të shihni se ushtria e rrethoi Jerusalemin, dijeni se shkatërrimi i tij është afër! 21 Kush të gjendet atëherë në Jude, le të ikë në male! Kush të gjendet në Jerusalem, le të dalë prej tij! Kush të ndodhë në fushë, të mos kthehet në qytet! 22 Sepse ato do të jenë ditë hakmarrjeje që të plotësohet gjithçka tha Shkrimi i shenjtë. 23 Vaj në ato ditë për gratë shtatzëna e me fëmijë në gji, sepse do të jetë mjerim i madh mbi tokë dhe hidhërim kundër këtij populli! 24 Do të bien të vrarë nga tehu i shpatës, do t’i çojnë skllevër ndër të gjithë popujt. Kurse Jerusalemin do ta shkelin paganët derisa të zgjasë koha e paganëve.”

25 “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tij. 26 Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse ‘trupat qiellorë do të lëkunden’ 27 e atëherë ‘do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri.

28 Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kokën lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Duke i dëgjuar këto fjalë, është e vështirë të mos mendosh për ndikimin e COVID-19 në botën tonë gjatë këtij viti. Por edhe të miliona njerëzve që janë skllavëruar nga varfëria dhe sëmundjet. Jezusi nuk premton se jeta jonë do të jetë pa dhimbje ose luftë. Leximi përfundon me një thirrje nxitëse për të qenë të guximshëm: drejtohuni dhe çojeni kokën lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!Ku mund të të duhet të jesh më i/e guximshëm/e? Si do të dukej kjo?
  • E dimë nga historia e Kishës se ka pasur misionarë të përkushtuar të moshave të ndryshme. Ndër ta kishte shenjtër që vdiqën në moshë të re pasi punuan aq shumë sa u dobësuan fizikisht dhe disa edhe u infektuan duke iu shërbyer të sëmurëve. Pavarësisht nga këto sprova, shenjtërit zbuluan se Jezusi nuk na lë vetëm për t’u përballur me to. Si të ndihmon Jezusi t`i përballosh sprovat në jetën tënde?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, a mund ta ndjesh Krishtin duke të të forcuar? Nëse nuk mundesh, ku ke nevojë për të?

 

Bashkëbisedimi

Bisedo me Zotin tani për atë që ke në mendje dhe kërkoja hirin që të të përgjigjet me bujari dhe me dashuri.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. O Zot, vizionet apokaliptike s`po më prekin më. Por po e dëgjoj paralajmërimin tënd që zemra të mos më rëndohet në shthurje, dehje dhe brengat e kësaj jete. Nëna e të gjitha shthurjeve nuk është gëzimi, por humbja e gëzimit.

Te Ti, Zot unë e gjej bazën e paqes sime, kur Ti më forcon që të drejtohem dhe ta çoj kokën lart.

Në jetën time të deritanishme, nuk kam vërejtur ndonjë fenomen në diell a yje. Duket se jemi të qetë në mijëvjeçarin e hershëm të jetës në këtë planet të bekuar, larg nga apokalipsi që po e përshkruan. Duket se do të të takoj personalisht para se kjo të ndodhë. Në ndërkohë, qëndroj i/e përgatitur, por i/e pa shqetësuar. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »