Ringjallja në jetën tënde

Nov 27 • Meditimi i ditës

27 nëntor 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 20, 1-4.11 – 21, 2; Ps 84, 3-6a.8a; Lk 21, 29-33)

 

Prania e Hyjit

Gjatë kohës që po e fillon këtë meditim, bëhu i/e vetëdijshëm/e për frymëmarrjen tënde… gjërat përreth teje… zhurmat përreth teje… vëreji këto gjëra, dhe më pas lëri të shkojnë, duke lejuar që vëmendja jote të orientohet drejt Zotit.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj të gjitha brengat vetjake,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do

e shikoj këtë ditë,

duke filluar prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, nga çasti në çast.

I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.

I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim, shpresë.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çka po të flet ky tekst i sotshëm.

Dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çka po ngjanë në zemrën tënde.

 

Zb 20, 1-4.11 – 21, 2

 

1 Pastaj pashë: një engjëll tjetër po zbriste prej qiellit me çelësin e Humnerës dhe me hekura të mëdha në dorë. 2 Ai e kapi Dragoin – Gjarprin e vjetër – Djallin, Satanin – dhe e lidhi në hekura për një mijë vjet. 3 E plandosi në Humnerë, e mbylli dhe e vulosi derën mbi të që të mos i ngashnjejë njerëzit derisa të plotësohen një mijë vjetët.

Atëherë duhet të zgjidhet për pak kohë.

4 Pastaj pashë edhe fronet: Atyre që ndenjën në to u qe dhënë pushteti të gjykojnë.

11 Atëherë pashë një fron të madh dhe të bardhë edhe Atë që rri në të. Para tij u zhduk toka e qielli pa lënë farë gjurme.

12 Pashë edhe të vdekurit: të mëdhenj dhe të vegjël, në këmbë para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër: libri i jetës.

Të vdekurit u gjykuan sipas shkrimeve që ishin në libra – sipas veprave të tyre.

13 Deti i ktheu të vdekurit që ishin në të, po ashtu edhe Vdekja dhe Nëntoka i kthyen të vdekurit që ishin në to: të gjithë qenë gjykuar sipas veprave të veta.

14 Atëherë edhe Vdekja dhe Nëntoka qenë hedhur në liqenin e zjarrtë.

Liqeni i zjarrtë është vdekja e dytë.

15 Kushdo që nuk u gjet i shkruar në librin e jetës qe plandosur në liqenin e zjarrtë.

21 1 Atëherë pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më.

2 Pashë edhe qytetin e shenjtë – Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Këngëtarja franceze, Edith Piaf, këndoi në mënyrë të famshme: “Non, je ne sorry reen.” (Jo, nuk pendohem për asgjë). Megjithatë, shumë prej nesh shikojnë prapa duke dëshiruar që të mund të ndryshonim diçka në të kaluarën tonë. Në leximin e sotëm, na paraqitet një imazh i gjykimit përfundimtar kur libri i jetës hapet dhe jeta jonë zbulohet para Zotit. A ndjen keqardhje për jetën tënde të kaluar? Ndaji këto mendime e emocione me Zotin tani në lutje dhe kërkoji Zotit dritë dhe mençuri për të kuptuar se çka të bësh me këto ndjenja keqardhjeje …
  • Pasazhi përfundon me një ton shprese të lartë. Me ringjalljen e Jezusit, vdekja është mundur. Një qiell dhe tokë e re janë të mundshme. A e beson këtë edhe nëse të duket vetëm si një dridhje e lehtë e njohjes?
  • Dëgjoje përsëri leximin me mend e zemër …

 

Bashkëbisedimi

Mund të dëshirosh t`i kalosh momentet përmbyllëse të këtij meditimi, duke u lutur për një kuptim dhe njohuri më të thellë të ringjalljes së Jezusit në jetën tënde. Flit me Zotin si një mik që i flet një tjetri, për atë që të trazon…

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Është një material i vështirë për ta përvetësuar – që Mbretëria e Hyjit është afër kur jetët tona janë të shqetësuara dhe të pasigurta. Ai është i pranishëm në shenjat (misteret) tona të mundimit dhe ato të gëzimit. Shën Gjoni i Kryqit e kishte zakon të thoshte: dashuria është fryt i besimit, d.m.th.errësirës.

Në pasigurinë tonë po të drejtohemi ty, o Zot. Ti po na thua që të jemi gjithmonë të gatshëm për shkak se diçka do të ndodhë. Na ndihmo të qëndrojmë vigjilentë dhe të mençur. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »