Zemër vigjilente
28 nëntor 2020 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zb 22, 1-7; Ps 95, 1-7; Lk 21, 34-36)
Prania e Hyjit
Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.
Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.
Liria
S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.
E lus Zotin që nëpërmjet lirisë sime
t`i bëj dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.
Ndërgjegjësimi
Ku, në çka në jetën time jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe rritjen?
Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,
a jam i/e aftë të vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të pasur?
Nëse i kam vërejtur këto fusha,
do të vendosi që në të ardhmen do të sigurojë për to hapësirë dhe kohë.
Fjala
Kaloje këtë kohë duke e mbledh veten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment (nëse je në dhomë). Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.
Lk 21, 34-36
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:
34 “Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës që ajo Ditë të mos ju vijë papritmas, 35 sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. 36 Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.”
Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
· A dyshoj ndonjëherë se jeta ime është sipërfaqësore? Se s` jam në kontakt me pjesën më të thellë të vetes sime? Se më shumë “fiksohem” sesa jetoj duke reflektuar?
· Lutja, natyrisht, më ndihmon të rritem në njohjen e vetes sime dhe Zotit. Lutja më fton të udhëtoj përbrenda, deri në “pikën e qetë“ të shpirtit. A e pranoj gjithmonë atë thirrje apo më ngujon frika? Apo ndoshta mungesa e besimit?
· Është e habitshme se sa e rëndësishme është këshilla e Jezusit lidhur me përgatitjen për Ardhjen e Dytë për jetën tonë të përditshme. Për shembull: “Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës.” A ka ndonjë gjë në këtë moment që më shmang nga Hyji? A është ajo ndoshta diçka mëkatare, ndoshta jo? A dua që të jem i/e lirë nga kjo barrë? A do ishte Jezusi i gatshëm të më ndihmojë?
· E dëgjoj edhe një herë pjesën e ungjillit dhe lejoj që Fjala e Zotit të gjejë jehonë në zemrën time.
Bashkëbisedimi
Një shprehje e çuditshme, por përshtatet: të të kalamendet zemra prej grykësisë, prej shfrenisë. Pija është një lëndë narkotike, kalamend zemrën dhe mbyt oreksin. E sa i përket shfrenimit, ai mund të shitet nën maskën e argëtimit, por ditën tjetër do të mund të biesh dakord me Nietzsche-n (Niçe) që thelbi i shfrenisë nuk qëndron te vetë gëzimi, por te mungesa e gëzimit të vërtetë.
Gëzimi dhe përmbajtja shkojnë së bashku. Ne e ndiejmë veten mirë në lëkurën tonë kur zemrat tona janë të gëzuara. Truri ynë s`ka nevojë të shkatërrohet nga alkooli ose droga të tjera.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Të krishterët e parë për shkak të përndjekjeve, varfërisë dhe trazirave politike e kanë pasur një jetë të vështirë. Do të lus për ndëmjetësinë e tyre që të më ndihmojnë kur shfaqen halle në jetën time. Do ta lus Jezusin që të më dhurojë më shumë besim, shpresë dhe dashuri në mënyrë që mos të kalamendem në trazirat e përditshme të jetës.
“Të rrish zgjuar në çdo moment” do të thotë vazhdimisht ta vështrosh Jezusin. Bashkësia e “Momentit të Shenjtë” orvatet ta bëjë këtë për çdo ditë dhe kështu bëhet bekim për botën e shkujdesur.
“Ata që lusin e mbajnë botën bashkë”, thotë papa Benedikti XVI. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Nesër përurohet Busti i Gjergj Kastrioti – Skënderbeut në Katedralen e Prizrenit