Gruaja në Bibël  

Nov 30 • Opinion

Gruaja, qenie njerëzore, e lirë dhe me përgjegjësi

 

Nga Don Lush Gjergji

 

 

Gruaja në Bibël  

Ky titull është mjaft i përgjithshëm dhe ka nevojë për ndonjë shpjegim paraprak, sepse siç dihet Bibla është burim i zbulimit hyjnor për hebrenjët dhe për të krishterët dhe ndahet në dy njësi themelore: Besëlidhja e Vjetër, para Krishtit, dhe Besëlidhja e Re, pas Krishtit. 

Bibla është në rend të parë libër i shenjtë, që flet dhe na mëson për Zotin, na zbulon dhe dhuron të vërtetën themelore të një Zoti, krijues dhe sundues i gjithësisë, si dhe mbi njeriun, krijesën më të çmuar të tij mashkull dhe femër. Për ta kuptuar porosinë biblike, së pari na duhet ta njohim mirë kontekstin historik, kulturor, shpirtëror, pastaj edhe llojet apo gjinitë e ndryshme letrare, që na dhurojnë të vërtetën hyjnore.

Si pikë të parë mund të cekim këtë: konteksti hapësinoro – kohor biblik ishte shoqëria e atëhershme patriarkale, ku vend të posaçëm kishte mashkulli, si në anën njerëzore dhe kombëtare, ashtu edhe në anën fetare. Shoqëria hebrenje bazohej kryesisht në familje dhe mashkulli ishte shtylla e saj, kurse gratë mvareshin pothuaj tërësisht, së pari prej babait, më vonë prej burrit.

Në Bibël e vërteta themelore është feja në një Zot të vetëm dhe bashkësia familjare mes njerëzve, familja, ku burri dhe gruaja janë qenie njerëzore të krijuara në përgjasimin e Hyjit “i krijoi mashkull dhe femër” (Zan 1, 27). Gruaja është për mashkullin ndihmë, bebraisht eser – ndihmë që i përngjan (Khs. Zan 2, 18). Dhe Bibla vazhdon kështu: “Kjo tash është ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim. Le të quhet Grua, sepse kjo u mor nga njeriu” (Zan 2, 23).

Kjo lidhje, mvarësi, dashuri mes burrit dhe gras shprehet edhe me këto fjalë: “Për këtë arsye njeriu do ta lerë të atin dhe t’ ëmën e vet dhe do te jetojë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm” (Zan 2, 24).

Në disa segmente shoqëria hebreje ishte edhe matriarkale, e mbështetur në nënën, si p. sh. Zoti i urdhëroi Abrahamit që ta dëgjonte gruan e tij Sarën në çdo gjë: “Gjithçka të thotë Sara dëgjoje zërin e saj, sepse nëpër Izakun breznitë do të mbajnë emrin tend” (Zan 22, 12). Gruaja hebreje e lejonte shërbëtoren që t’i lindë fëmijë adoptive me burrin e saj (khs. Zan 16, 2-30, 4-31).

Në këtë kontekst historik matriarkal, Izaku martohet me Rebekën pa pëlqimin e tij, por me pëlqimin e saj (khs. Zan 24, 57-58), Jakobi shërbeu 14 vjet për t’u martuar me Rebekën (khs. Zan 29, 20-30).

Gjatë robërisë në Egjipt ishin dy gra mami egjiptiane, Sefra dhe Pua, të cilat kishin urdhëra për t’i mbytur fëmijtë meshkuj hebrenjë në lindje (khs. Dal 1, 15-20), kështu që gruaja e shpëtoi Moisiun nga lumi (khs.  Dal 2, 1-10).

Në Besëlidhjen e Vjetër kemi shumë fytra të spikatura femrore, si profetesha Deborah, pastaj Ruta, Estera e shumë të tjera.

Dekalogu – dhjetë urdhërimet e Zotit dhënë nëpërmjet Moisiut vlejnë për të gjithë, veçmas urdhëri i katërt i cili thotë kështu: “Ndero babën tend e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt”(Dal 20, 12), ku kërkohet nderimi dhe dëgjesa e dyanshme ndaj prindërve. Mbajtja apo nderimi i së shtunës vlente edhe për gra, bija, shërbëtorë dhe shërbëtore (khs. Dal 20, 10).

Sipas Biblës gruaja gjatë ciklave mujore, si dhe pas tyre, pas lindjes së fëmijës, ishte e lirë nga marrëdhëniet seksuale, gjë kjo që në një mënyrë e mbronte atë nga keqpërdorimet apo shfrytëzimet epshore duke ia njohur disi dinjitetin e saj njerëzor (khs. Lev 15, 19-30, 12, 2-8).

Detyrimet fetare nga Bibla, Talmudi dhe Kodet e të drejtës hebrenje e detyrojnë gruan rreth fesë dhe moralit hebrenj, si edhe në paraqitjen e flijimeve në tempull për faljen e mëkateve (khs. Nr 5, 4-10).

Në Bibël, as në traditën rabinike, s’ka gjurma rreth udhëheqjes së kultit, sepse në kultet pagane rreth trupave qiellore, si dhe rreth plleshmërisë, kishte priftëresha prostitute që punonin pranë tempujve paganë. Gratë nuk ishin të detyruara në lutje të përbashkëta të bashkësisë fetare, nëse kishin detyrime familjare me fëmijë, me të moshuar apo të sëmurë.

Kohëve të fundit të shekullit 20 ka mjaft gra që janë rabine në botën perëndimore hebraike. Hebraizmi është përhapur në botë si fe familjare, ku rol të spikatur ka edhe gruaja – nëna.

Megjithatë, ka ende diskriminime të cilat mbështeten në traditën fetare hebreje, si p. sh. gruaja nuk mund të jetë dëshmitare as gjykatëse pranë gjyqit rabinik, shkurorëzimet mvaren kryesisht prej vullnetit të burrit dhe të familjes etj. Sa u përket fëmijëve, ata janë më shumë të nënës, kështu që nëse nëna e fëmijëve është e martuar me ndonjë hebrenj, fëmijtë nuk janë hebrenjë, nëse ajo nuk kthehet në hebraizëm.

Prandaj, duke u nisur nga botëkuptimi biblik, burri dhe gruaja janë pikësëpari njerëz, e pastaj ndahen në gjini, mashkull apo femër. Ajo kishte së pari rëndësi në familje, si nënë, edhe pse mvarej krejtësisht prej burrit. Poligamia ishte e lejuar në botën hebreje, dhe kjo pa dyshim e nënçmonte dhe nënshtronte gruan si gjini. Rreth krijimit të femrëes (Khs. Zan 1, 26-28, 2, 18-25), deri diku theksohet barazia gjinore, mirëpo kjo barazi i mohohet me poligami dhe me të drejtë të shkurorëzimit vetëm nga ana e burrit, sidomos në rastin e kurorëthyerjes dhe në ndonjë gjë të turpshme (khs. Lp 24, 1-4).

Gruaja deri diku kishte të drejtë në besnikëri martesore, në pronë private dhe në trashëgimi, por në mënyra të kufizuara.

 

Gruaja në Krishterim

Besëlidhja e Re dhe krishtërimi ka qëndrime të ndryshme rreth femrës, gruas, nënës, mirëpo ne mund t’i nxjerrim disa elemente bazore dhe kështu mund të krijohet një lloj teologjie ndaj botës femrore.

Parimi themelor është ky: “Nuk ka më: hebe-grek! Nuk ka më: skllav-i lirë! Nuk ka më: mashkull-femër! Të gjithë ju jeni Një në Jezu Krishtin” (Gal 3, 28). Zbatimi i këtyre parimeve nuk ishte i lehtë për shkaqe të ndryshme.

Krishtërimi nuk pranon dallime dhe diskriminime kombëtare: hebre – grek, shoqërore: skllav – i lirë, as gjinore: mashkull – femër, dhe mu fuqia e bashkësisë së krishterë, dashuria universale, bëri që të krishterët ta përfitojnë mbarë botën e atëhershme romake, pas përndjekjeve të rrepta dhe të egra deri në vitin 313 – Edikti i Milanos, kur u dha liria e plotë fetare edhe për të krishterë.

Qysh në fillim të Biblës paralajmërohet Shëlbuesi dhe shëlbimi nëpërmjet gruas me këto fjalë: “Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës  së saj: fara e saj do të ndrydhë kokën, kurse ti do t’ia sulmosh thembrën” (Zan 3, 15).

Vetë fakti se Zoti është mishëruar dhe bërë Njeri në Jezu Krishtin nëpërmjet Zojës Mari, duke nderuar lirinë e saj dhe duke kërkuar pëlqimin dhe bashkëpunimin me përgjegjësi, gjë kjo që dukshëm e lartëson rolin e gruas dhe të nënës në historinë e shëlbimit, edhe më gjerë, në historinë e mbarë njerëzimit.

Jezu Krishti deri diku i përmbahet traditës hebreje dhe shoqërore të asaj kohe, por në shumë raste atë e tejkalon. Shembuj të tillë kemi mjaft: ai shoqërohej me të gjithë, edhe me kategoritë e nënçmuara dhe të përjashtuara, si fëmijtë, gratë, të sëmurët, mëkatarët, të varfërit.

Ja disa dëshmi konkrete: “E përcillnin të Dymbëdhjetët dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria – e quajtur Magdalenë…, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë gra të tjera, që me pasuritë e veta i dihmonon Jezusit e nxënësve” (Lk 8, 1-3).

Jezusi po ashtu vendosmërisht e mbron pandasinë e martesës: “Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër të parës. Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje” (Mk 10, 11-12). Dhe prapë vazhdon: “Prandaj çka Hyji bashkoi, njeriu të mos  guxojë të ndajë!” (Mk 10, 9).

Jezusi ishte i guximshëm dhe i jashtëzakonshëm edhe në faljen e mëkatares botore, të cilën e kishin zënë në flligështi, dhe si e tillë duheshin ta vritnin me gurë sipas Ligjit të Moisiut. Ai jo vetëm e shpëtoi dhe mbrojti nga vdekja  poshtërsuese, por edhe ia fail mëkatin, duke i turpëruar paditësitë e saj me këto fjalë: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të” (Gjn 8, 7).

Përfundimi ishte shpresëdhënës: “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por  mbas tashit mos mëkato më! “(Gjn 8, 11).

Jezusi i zgjodhi disa gra për dëshmitare te ngjalljes së tij: Marinë Magdalenë, Marinë e Jakobit dhe Salomën, duke iu thenë kështu: “Shkoni dhe thoni nxënësve të mi, veçanarisht Pjetrit : Po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni, sikurse u pat thënë” (Mk 16, 7. Mt 28, 1-8. Lk 24, 1-22. Gjn 20, 1-10).

Jezu Krishti Samaritanës, një gruas mëkatare të njohur, si dhe pjesëtare e popullit armik, ia zbuloi misionin e tij mesianik si dhe veprën e shëlbimit për mbarë njerëzimin, e jo vetëm për popullin e zgjedhur hebre (Lexo: Gjn 4, 1-42).

Gratë ishin dëshmitaret e para të varrit të zbrazët të Jezusit, e pastaj edhe të ngjalljes së tij, të vërtetës themelore të krishtërimit (khs. Mk 16, 9-11. Gjn 20, 11-18. Mt   28, 1-10).

Dhe së fundi Jezu Krishti i thërret grate, botën femrore në bashkëpunim, në partneritet, për krijimin e bashkësisë së re të krishterë, e cila do ta jetësonte dhe dëshmonte dashurinë ndaj Zotit, të afermit, bile edhe ndaj armiqve, pa dallime gjinore, kombëtare, fetare duke e njësuar vetveten me çdo njeri të vuajtur apo nevojtar (Lexo: Mt 25, 31-46).

Nga kjo analizë e shkurtër biblike, ne mund t’ i nxjerrim disa përfundime lidhur me të drejtat themelore të femrës, si qenie personale, familjare dhe shoqërore. Jezusi komunikonte, shoqërohej dhe bashkëpunonte me të gjithë njësoji, përdoronte në shembëlltyra figurën e femrës, si për shembull dhjetë virgjërat të ftuara në dasmë (Lexo: Mt 25, 1-13), veja që kërkon mbrojtjen e gjykatësit (Lk 5, 1-18), apo gruaja që e humbi drahmën (Lk 15, 4-10). Po ashtu ai e lavdëroi gruan veje, që kishte dhënë pak, sa i përket anës financiare, për të cilën thotë: “Kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën në arkë. Sepse të gjithë qitën nga teprica, kurse ajo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet” (Mk 12, 43-44).

Edhe mrekullia e parë në Kanë të Galilesë ndodhi me ndërmjetësimin e nënës së tij Zonjës Mari (khs. Gjn 2, 1-12).

Rast i bukur është edhe miqësia e Jezusit me Lazrin nga Betania, dhe me dy motrat e tija Marinë dhe Martën, të cilat ishin dëshmitare të ngjalljes së vëllait – Lazrit, si dhe të porosisë së jetës aktive –Marta, dhe asaj meditative – Maria (Lexo: Lk 10, 38-42. Gjn 11, 1-49).

Këto dhe shumë fakte tjera bindshëm dëshmojnë se Jezu Krishti në asnjë mënyrë nuk i pranonte paragjykimet e kohës së tij ndaj femrës, por atë e mbrojti, lartësoi, në shumë raste e zgjodhi edhe si bashkëpunëtore të privilegjuar.

Në bashkësinë e parë të krishterë gratë kishin role të rendësishme dhe tejet aktive. Ja vetëm disa dëshmi: Lidia ishte bashkëpunëtorja e pare e apostujve (khs. Vap 16, 11-15), si në veprimtari bamirëse (khs. Vap 9, 36), sidomos në përkujdesje të veçantë ndaj grave veja (khs. Vap 6, 1-7).

Në kohët apostolike kishte veja, si kategori e posaçme e grave të kushtuara Zotit, lutjes dhe bamirësisë, pastaj diakonesa, për shërbime kishtare të caktuara si p. sh. i përcjellnin gratë apo femrat në pagëzim, kujdesoheshin për botën femrore në raste të sëmundjeve…

Qysh nga shekulli i katërt pas Krishtit fillon edhe jeta e kushtuar në virgjëri, si bashkësi, si fillimi i rregulltarisë.

Shembulli  më tipik i femrës së kushtuar Zotit, Kishës, popullit, çdo njeriut me frymëzimin e fesë dhe të dashurisë, është NËNA TEREZE, “Gruaja më e forte e shekullit  XX”, siç pati thenë Peres De Cuelari, Sekretari i Kombeve të Bashkuara.

Ja disa parime themelore nga Bibla: 

Edhe mashkulli edhe femra janë krijesa të Zotit, para së gjithash njeri, e pastaj ndahen në gjini, si mashkull apo femër. Të dytë, Adami dhe Eva, çifti i pare martesor, familja e parë njerëzore, janë të krijuar prej Zotit si përplotësim për njëri-tjetrin,  si bashkëpunëtorë të Zotit në krijimin e jetës së re.

Me anën e mëkatit të rrjedhshëm apo burimor të Adamit dhe të Evës, të padëgjesës apo të ngrënjes nga pema e ndaluar, rrënohet drejtpeshimi, harmonia mes Adamit dhe Evës, humbet parajsa tokësore, miqësia mes Zotit dhe atyre, si dhe mes vete. Dhe e keqja i përfshiu edhe pasardhësit e tyre: Kaini e mbyti vëllaun e vet Abelin, vëllavrasja e parë në botë, deri te përmbytja e gjithmbarshme – Arka e Noes.

Shpirti i njeriut nuk është as mashkullor as femror, por njerëzor, me prejardhje hyjnore, dhe si i tillë i pavdekshëm. Para Zotit njeriu, mashkull apo femër, është i njëjtë  dhe përgjegjës për çdo mendim, fjalë dhe veprim. Të njëjtë janë sa i përket krijimit, të rikrijuar prej Zotit prej dashurisë dhe për dashuri, si dhe në veprën e shëlbimit, amshimit, pavdeksisë. Të njëjtë janë edhe në pranimin e sakramenteve, mjeteve të shëlbimit.

Nëse nëpërmjet Evës hyri e keqja në botë, nëpërmjet Evës së re – Virgjërës Mari, erdhi Shëlbuesi, Mesia, Jezusi.

Gratë e përshpitrshme ishin më besnike në çastet më të rënda të kryqëzimit dhe të vdekjes së Jezusit, ku përpos Zojës Mari, ishin pranë kryqit edhe Maria e Kleofait, Maria Magdalenë, si dhe testamenti shpirtëror i Jezusit:

Grua, qe, yt bir” (flitet për Gjonin, vr. ime).

Mandej i tha nxënësit (Gjonit, vr. ime): Qe nëna jote!” (Gjn 19, 26-27).

Promovimi i femrës kërkon së parti ndërrimin rrenjësor të botëkuptimit të njeriut, të jetës, të veprimtarisë, ku vend të theksuar duhet të ketë personi, individi, njeriu, mashkull apo femër, si tërësi e përbërë prej trupit, psikës dhe shpirtit, për t’i ikur mentalitetit tonë turmor apo grumbullor: si të tjerët, si të gjithë!

ZOTI PERSON, KRIJON NJERIUN PERSON me aftësi mendimore për të njohur, me liri për t’u përcaktuar, me zemër për të dashuruar. Bashkimi në dallime apo përplotësime, kërkon prej të gjithëve përgjegjësi dhe bashkëpërgjegjësi, bashkëjetesesë dhe bashkëpunim.

Nëse dy gjinitë, ajo mashkullore dhe femrore, krahasohen vetëm nga një pikëpamje, ajo e fuqisë fizike, atëherë mashkulli dukshëm ka përparësi dhe privilegje, ndërsa femra del e dobët, e pambrojtur dhe e mvarur, disi qenie e dorës së dytë. Padrejtësia më e madhe, dhuna e vazhdueshme ndaj botës femrore, lind nga botëkuptimi kryesisht mashkullor dhe patriarkal, ku femrës i mohohet e drejta bazë, ajo është së pari NJERI, ka dinjitet dhe personalitet  njerëzor, mendje, vullnet, liri, aftësi për t’u përcaktuar dhe për të vendosur për vete, për familje dhe për shoqëri.  Pa e kuptuar dhe pranuar këtë të vërtetë, së pari bota mashkullore, dukshëm dëmtojmë vetveten, pastaj edhe femrat, pra, tërësinë njerëzore, sepse në vend të bashkëpunëtoreve dhe bashkëshorteve, ne krijojmë shërbëtore, vegla e jo pjesëmarrëse të jetës dhe të veprimit të përbashkët.

Kur SUBJEKTI – NJERIU OBJEKTIVIZOHET, vegëlsohet, atëherë asgjë më nuk është në rregull, jeta shndërophet në robërim dhe asgjësim sistematik në çdo lëmi.

Për krijimin e kulturës së jetës dhe qytetërimin e dashurisë, nevojitet emancipimi i njeriut mashkull dhe femër, për krijimin e shoqërisë më njerëzore, e cila nuk do të anësojë askend, por do t’ iu mundësojë të gjithëve të jenë vetvetja në krijimin e bashkimit në dallime. Barazia gjinore parimore duhet të shnërrohet në mundësi përplotësimi në çdo fushëveprim. Kjo nuk është humbje e gjinisë mashkullore, as fitore e gjinisë femrore, antagonizmi dhe rivaliteti apsurd, por thjesht e drejta dhe detyra njerëzore.

Rruga për të arritur këtë është shkollimi, arsimimi dhe qytetërimi, si proces i vetëdijësimit tonë, dhe punësimi, si pjesëmarrje dhe angazhim shoqëror, për dhënien e kontributit të saj si personal, ashtu edhe familjar dhe shoqëror.

Nëse femra nuk ka identitet dhe personalitet, nuk e di se kush është, çka do dhe si do të realizohet, atëherë objektivizohet, vegëlsohet, bëhet lënd në duar  të mashkullit, si objekt zbavitës-seksual, si materie konsumiste dhe hedoniste.

Unë këtë e kam sintetizuar kështu: Të jetosh domethënë të komunikosh e të komunikosh domethënë të dashurosh.

Liria në kuptimin bibliko-krishterë është aftësia e njeriut për ta njohur të Vërtetën, për ta dashur të Mirën dhe të Drejtën, për ta zbatuar dhe dëshmuar Dashurinë – ZOTIN, nëpërmjet të afërmit, njeriut.

Pa liri dhe përgjegjësi të plotë dhe dinamike të femrës, nuk ka as liri dhe përgjegjësi, as për familje as për shoqërinë tonë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«