Zoti kujdeset për ne

Dec 3 • Meditimi i ditës

3 dhjetor 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 26,1-6; Ps 118,1.8-9.19-21.25-27a; Mt 7,21.24-27)

 

Prania e Hyjit

Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat. Merr frymë mirë thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.

 

Liria

Përpiqem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet që ndoshta më mundojnë në këtë moment. Të gjitha brengat i vendosi në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

“Mbi muret e tua, o Jerusalem, i kam vënë rojtarët; as ditën as natën, kurrë s’duhet të heshtin.” Këto fjalë nga Isaia Profet flasin për kujdesin që Zoti ka për njerëzit e tij, duke i mbikëqyrur ata në çdo moment, për t’i ruajtur ata, për t’i udhëzuar dhe për t’i mbrojtur ata. Ndërsa ke hyrë në lutje, mendo një moment për kujdesin që Zoti ka për ty, se si Zoti, edhe tani, po të mban në pëllëmbën e dorës së tij.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e mbledhë veten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe dëgjo, lutu.

 

Is 26,1-6

 

1 E atë ditë do të këndohet kjo këngë në tokën e Judës:

“Qytezën e kemi të fortë,

na e ndërtoi Ai për shpëtim,

ndërtoi mure e paramure.

2 Hapni dyert:

le të hyjë populli i drejtë

që e mban besën.

3 Shpirti i të cilit s’ka luhatje;

ruaja paqen,

sepse në ty e ka vënë shpresën.

4 Kini shpresë në Zotin gjithherë,

sepse Zoti është Qeta e amshueshme;

5 sepse i shkatërroi banorët e lartësisë,

e rrënoi qytezën e paafrueshme,

e rrafshoi me tokë,

e copëtoi e bëri pluhur.

6 E shqelmon këmba,

e shkelin këmbët e skamnorëve,

e rrahin gjurmët e të vobektëve.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Një imazh tjetër i fuqishëm nga Isaia sot – për ndarjen midis të pasurve dhe të varfërve që hiqet nga Hyji, i cili ‘i rrëzon princat prej froneve të tyre‘, në mënyrë që bën që shtëpitë e tyre të shemben dhe të shkelen nga të varfrit. Si e sheh këtë perspektivë? Emocionuese? Të frikshme? Ndoshta jorealiste? Çfarë reagimesh ngjall në ty?
  • Ekzistojnë gjithashtu imazhe të forta mbrojtjeje dhe sigurie në këtë paragraf – qyteti i fortë, muri dhe paramuri për të na ruajtur – siguria për ata që janë besnikë dhe jetojnë në paqe. Si ndikon ky imazh në ty? – imazhi i një vendi sigurie, ku njerëzit jetojnë të lirë nga frika?
  • Sipas gjitha gjasave ekziston dëshira tek të gjithë ne për një kthesë, ndryshim rrënjësor, për të kërkuar drejtësi, që njerëzit e pushtetshëm të marrin ndëshkimin e merituar dhe ata që e kanë mbajtur besën, të shfajësohen. Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, vë re nëse kjo ta kujton ndonjë situatë në jetën tënde, ose në botën përreth teje, që të bën të dëshirosh që kjo lloj drejtësie të përmbushet?

 

Bashkëbisedimi

Edhe një herë, përmbylle këtë kohë të lutjes duke vërejtur se cilat ndjenja t`i ngjalli, cilat ëndrra dhe dëshira të tua të mëdha i ke bërë më të vetëdijshme – ëndrra dhe dëshira të mëdha që normalisht më mirë i largon dhe shpejt i harron. Por në vend që t’i largosh dhe t`i harrosh, në vend që t’i shmangësh, qiti ato mu në qendër dhe paraqitja Zotit. Flit me Zotin, si shoku që i flet shokut, për atë që vërtet dëshiron.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. I shikon predikuesit karizmatikë që mund të frymëzojnë turmën e mbledhur duke i lartësuar duart, flasin me gjuhë të huaja dhe këndojnë në ekstazë. Ky është një bekim, një dhuratë nga Hyji që na lartëson. E gjithë kjo, megjithatë, është e zbrazët dhe e gabuar nëse jetët tona s`e pasqyrojnë ungjillin, në qoftë se s`i dëgjojmë fjalët e Jezusit dhe s`veprojmë në përputhje me to. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës.  Amen.

Comments are closed.

« »