Ku është Zoti në gjithë këtë?

Dec 4 • Meditimi i ditës

4 dhjetor 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 29,17-24; Ps 27,1.4.13-14; Mt 9,27-31)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj. Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

Një këtë thotë: ‘T`kërkojm` do nisemi natën burimin në terr ta gjemë. Rrugën veç etja do na e ndris, rrugës veç etja do na prij`.

Kjo kohë e lutjes është një mundësi për të shuar këtë etje pak – etjen time për Zotin, burimin e jetës – një shans për të pirë nga burimi, nga burimi i ujit të gjallë, dhe për t`u rifreskuar.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e për të gjitha të mirat që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Ky ka qenë (s`ka nevojë të ta them) një vit shumë i çuditshëm; dhe nganjëherë mund ta kesh ndier se kurrë s`po i vjen fundi. Nganjëherë mund ta kesh parë veten të zemëruar duke pyetur: “Ku është Zoti në gjithë këtë?” Leximi i sotëm është një pasazh i bukur, i caktuar për t’u lexuar të premten e parë në Advent, Kohën e Ardhjes, dhe mund të jetë duke të drejtuar në drejtimin e duhur. Vjen nga një kohë kur banorët e Judës u dukej sikur Jerusalemi ishte gati për t’u pushtuar nga Asirianët; por mesazhi që u jepet atyre është se gjithçka do të jetë mirë. Çka mendon, si e përhap profeti këtë mesazh? Dëgjoje tekstin biblik me mend e zemër.

 

Is 29,17-24

 

17 Vallë është pak, krejt edhe pak kohë,

e Libani a s’do të kthehet në pemishte,

e pemishtja a s’do të mbahet për pyll?

18 Atë ditë të shurdhët do t’i dëgjojnë fjalët e librit,

të çliruar nga errësira e terri, do të shohin sytë e të verbërve.

19 Gëzim mbi gëzim do të kenë në Zotin të varfërit,

në Shenjtin e Izraelit do të gëzojnë më skamnorët,

20 sepse mujshar më s’do të ketë,

përqeshësit do të zhduken,

sendërtuesit e së keqes do të zhduken:

21 ata që me fjalë fajtorë qesin të tjerët,

që e shtrembërojnë në pleqëri gjyqin

e për asgjë poshtë e hedhin të drejtin.

22 Prandaj kështu i thotë Shtëpisë së Jakobit

Zoti që e shpërbleu Abrahamin:

“Tani e tutje s’do të turpërohet më Jakobi,

askurrë më fytyra s’do t’i skuqet,

23 sepse, me të parë veprën time mes tij,

të Shenjtë do ta shpallin Emrin tim,

të Shenjtë do ta shpallin Shenjtin e Jakobit,

frikë do ta kenë Hyjin e Izraelit,

24 shpirtrat e gabuar do ta njohin urtinë

e ata që murmurisin do të bien në fije.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Edhe një herë sot kemi fjalë profecie nga Isaia që flasin për disa nga dëshirat më të thella brenda nesh. Nga të gjitha këto fjalë, çfarë dëgjove vërtet? Çka të kujtohet tani?
  • Profeti flet për Libanin që bëhet tokë pjellore. Cilave nevoja në ty, ose në botën përreth teje, u flet kjo profeci e pjellorisë?
  • Të shurdhët do të dëgjojnë, na thuhet dhe sytë e të verbrit do të shohin. Si lidhen këto fjalë me nevojat ose dëshirat për të cilat je i/e vetëdijshëm/e te vetja jote ose te bota përreth teje?
  • Na është thënë gjithashtu se “mujshar s`do të ketë më”. Çfarë do të thotë kjo për ty? A të vjen në mendje ndonjë mujshar? A është kjo një profeci që dëshiron ta shohësh të përmbushur?
  • Paragrafi përfundon duke na thënë, “shpirtrat e gabuar do ta njohin urtinë e ata që murmurisin do të bien në fije”. Si të flet ky imazh – kjo pamje e njerëzve që mbase nuk rezistojnë më dhe mësojnë gjëra që duhet t`i mësojnë?
  • Ndërsa fragmenti lexohet edhe një herë, dëgjoji përsëri fjalët që të prekin, që lidhen me dëshirat dhe përdëllimet e tua, dhe të lënë më së shumti mbresa.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Flit me Hyjin tani se ku të ka prekur fjala e tij, ku të ka lëvizur, ka nxitur diçka brenda teje. Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika? Pyete Zotin, mbase, çfarë të thonë këto ndjenja për dëshirat e tua, për veten tënde dhe për botën tënde.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Ti na takon në mënyrë personale dhe nëpërmjet bashkësisë. sa ishe në tokë, Turma e njerëzve të kanë rrethuar shpesh, kurse të verbrit ishin të rrëmbyer nga ndjenja e turmës. Kanë bërtitur pas teje duke përdorur një shprehje të thjeshtë ‘Biri i Davidit’, sepse besonin se ti, o Krisht, ishe një njeri i fortë mesianik që u ofron shëndetin turmës së njerëzve. Ti ke ditur edhe të presësh në shtëpi ku njerëzit e verbër mund t`i takoje personalisht dhe ta shqyrtoje besimin e tyre.

O Zot, ti nuk më takon si pjesë e turmës së njerëzve, por ballë për ballë – e provon vërtetësinë e fjalëve të mia dhe më çliron nga iluzioni i ndjenjave të turmës. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »