Zoti ka dhembshuri kur ndihem i pambrojtur dhe i pafuqishëm

Dec 5 • Meditimi i ditës

5 dhjetor 2020 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 30,19-21.23-26; Ps 147,1-6; Mt 9,35-38; 10,1.6-8)

 

Prania e Hyjit

Zoti është me ne dhe kujdeset për ne.

Në këtë moment, vendosi të gjitha situatat që të shqetësojnë në kujdesin e Zotit.

Dije që Zoti i dashurisë udhëton me ty…

 

Liria

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem me ty,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Fjala

Tani e dëgjoj fragmentin biblik që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me mend e zemër

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë mbresa.

 

Mt 9, 35-10, 1.6-8

 

35 Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.

36 Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.”

1 Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të mund të shëronin çdo sëmundje e lëngatë.

6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’ 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Të dymbëdhjetët do të shërojnë, do të dëbojnë demonët. Në të vërtetë, diçka e re do të fillojë të ndodhë. Papritmas u shfaq një mbret-bari: Jezusi, plot dhembshuri dhe butësi, sjell qiellin në tokë. Njerëzimi është nisur në një trajektore të re, duke mësuar mënyrat e Mbretërisë së re. Njerëzit drejtohen përpara, nga problemet e së kaluarës në të ardhmen e përjetshme të dritës.
  • A di njerëz që janë të pambrojtur dhe të pafuqishëm si delet pa bari? Mendoj një moment për ta. A mund ta imagjinoj sesi i shikon Jezusi? Si i sheh ai ata?
  • Si më sheh Jezusi mua kur ndihem i/e pambrojtur dhe i/e pafuqishëm?
  • Gjatë kohës që e dëgjoj sërish fragmentin biblik, lutem për hir që botën rreth meje të mund ta shikoj me sytë e mëshirshëm të Jezusit.

 

Bashkëbisedimi

Të korrat janë të mëdha dhe gati për korrtarë. Mendoj për njerëzit rreth vetes dhe e lus Zotin që të më ndriçojë për të vërejtur ku ekziston rasti për korrje, mbledhje dhe pranim të mirësisë. Para Zotit vendosi të gjitha ato gjëra që janë të mira, duke i dhënë lavd dhe duke e falënderuar.

Ekzistojnë aq shumë të mira që mbetet pa rënë në sy, aq shumë bekime të papranuara. Do të lus për një falënderim më të madh për shkak të fryteve që ndodhen rreth meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Jezus, ti veten shpesh herë e quaje “Biri i njeriut”. Titulli në vete përmban mundin dhe kthimin e tënd në lavdi. Të gjithë njerëzit e përjetojnë vuajtjen dhe vdekjen si ti, o Zot. E pra, për shkak tënd edhe ne do ta përjetojmë lavdinë e ngjalljes. Po të falënderoj, o Zot, që këtë e ke realizuar për ne.

Gjoni sikurse Elia ishte serioz, jetoi në shkretëtirë dhe ishte profet i patrembur. Jezus, ti e admiroje. Gjoni po ashtu të admironte ty dhe veten e quante mik të Dhëndrit. Edhe unë jam mik i Dhëndrit – miku yt, Jezus – dhe i gëzohem kësaj. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »