‘Bëni gati udhën e Zotërisë’

Dec 7 • Meditimi i ditës

7 dhjetor 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 35,1-10; Ps 84; Lk 5, 17-26)

 

Prania e Hyjit

Gjëja që përpiqem të bëj këtu është që kohën ta lë më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Mundohem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje
dhe bisedoj me të mbi gjithçka që është duke më ndodhur në jetë.
Mundohem ta kuptoj që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkimi dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Ndërgjegjësohem për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur përballë asaj se çfarë dëshiron të më thotë prania e Tij.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë gjë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Të falënderoj për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë si dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Që ta sodis bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë nevojitet të jem i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;
ke ecur dhe punuar përmbi këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.
Koha që e ke kaluar mbi tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Is 35,1-10

 

1 Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme,

le të galdojë shkretëtira e të lulëzojë si lili!

2 Le të bulëzojë e le të lulëzojë,

le të gazmojë, në hare të shpërthejë!

Iu dhurua lavdia e Libanit,

e Karmelit stolia dhe e Saronit!

Do ta shohin lavdinë e Zotit,

shkëlqimin e Hyjit tonë!

3 Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura,

fuqi jepuni gjunjëve të marrakotur!

4 Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra:

“Mbahuni! Frikë mos kini!

Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja!

Ia behu shpagimi i Hyjit!

Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!”

5 Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve,

veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë;

6 atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri

gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare,

se në shkretëtirë do të burojnë ujërat,

përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkretëtirë.

7 Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet,

vendi i thatë mbushur me burime!

Në strofull ku strukej çakalli,

do të rritet kallam e xunkth.

8 Do të ketë shteg e do të ketë udhë,

do të quhet Udha e shenjtë:

i papastërti n’për të s’do të kalojë,

për ta do të jetë udhë e drejtë,

që të marrët të mos enden nëpër të.

9 Luanë në të nuk do të ketë,

bishë grabitqare n’për të s’do të kalojë

as në të kurrë më s’do të gjendet,

andej do të bien vetëm të çliruarit,

10 do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit.

Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi,

do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm,

do t’i shoqërojë gëzimi e hareja,

do të zhduket trishtimi e dënesa.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në javën e dytë të Ardhjes, imazhet që na flasin këtë javë janë përgatitja, udha. Leximi i Ungjillit na jep Gjonin që na thërret: ‘Bëni gati Udhën e Zotërisë’. Isaia gjithashtu e përgatit popullin e tij për udhëtimin që ai e quan ‘Udha e Shenjtë’. Në një kohë pasigurie të vazhdueshme, si t’i qasem kësaj pjese të udhëtimit? Çfarë përgatitje mund të jetë e nevojshme? A jam bërë gati?
  • Isaia paraqet një pamje të mrekullueshme, plot shpresë dhe shërim. Një ripërtëritje, rikthim i shëndetit dhe një bollëk i gjërave të mira, ja, për njerëzit e Zotit. Për ata që janë shpenguar, çliruar me bujarinë e Zotit tonë që dëbon frikën dhe dobësinë. Sa më duhet ajo ripërtëritje në shpirtin tim?
  • Kur ta dëgjoj përsëri gjysmën e dytë të leximit, mund të më ngrit, të më lartësojë vizioni që Isaia më vë përpara. A mund t`i dëgjoj zogjtë duke kënduar dhe ta ndiej shpresën dhe paqen që e zëvendësojnë ankthin ndërsa shfaqen uji dhe jeta e re. Lejoj të më kujtohet aftësia e Zotit për të rivendosur dhe ripërtërirë atë për çka kam nevojë brenda meje.

 

Bashkëbisedimi

“Andej do të bien vetëm të çliruarit, do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit.” Le të më mbaj ky vizion gjatë gjithë ditës. I kërkoj Shpirtit të Shenjtë të më udhëzojë se ku duhet të shkoj.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Zoti dëshiron të na shërojë në shpirt e në trup. A jam ndoshta edhe unë i/e paralizuar shpirtërisht? Çka më bën invalid, cilat janë aftësitë e mia të kufizuara shpirtërore në ndjekjen time të Zotit? Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lutem. Urata e mrekullueshme Ati ynë përmban  gjithçka dua të them. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »