Imzot Dodë Gjergji: Mungesa e dashurisë – shkretëtirë e zemrës

Dec 7 • Kisha në Kosovë

Fort të dashtun vëllezër dhe motra, ju vëllezër meshtarë, motra të nderit, vëllezër dhe motra në të pagëzuar me ujë dhe Shpirtin Shenjt, ju që jeni këtu në kishë dhe të tjerët që na dëgjoni ose merrni pjesë nëpërmjet mjeteve të komunikimit shoqëror.

Jemi në të dielën e dytë të kohës së Ardhjes, ose të kthimit tonë të përvjetshëm, në zanafillën e fesë dhe të besimit. Këndej edhe kisha na ka ofruar sot, që të lexojmë Ungjillin sipas Markut, i cili thotë se është duke shkruar fillimin e ungjillit për Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin e Hyjit.

Në kuptimin biblik, ne e dimë që Shën Gjoni ishte profeti i fundit, ai i cili e përmbylli një periudhë të jetës së Zotit me popullin e vet, dhe ja dorëzoj këtë përvojë dhe këtë përpjekje të popullit të zgjedhur Mesisë, duke thënë se pas meje do të vijë një më i madh se unë,  se nuk është i denjë t’ia zgjedh rripat e sandales, dhe se Ai do të pagëzojë me Shpirtin e Zotit; Ai është i zgjedhuri, Mesia, Qengji i Hyjit, Ai që shlyen mëkatet e botës. Dhe që prej asaj kohe, ne të gjithë, e sidomos ata të cilët janë pagëzuar e kanë marrë urtinë e Zotit, dhe me urtinë e Zotit e kanë orientuar jetën e tyre, me urtinë e Zotit kanë kuptuar rolin mesianik të Kishës. Me këtë urti të qiellit, që vjen nëpërmjet Shpirtit Shenjt, me të cilën na ka pagëzuar Krishti në Kishën e tij, ne të gjithë përpiqemi të kuptojmë rolin e jetës, kuptimin e jetës, të shpresojmë shpërblimin me ngjallje, të besojmë në mëshirën e tij se do të na i falë mëkatet. Prandaj, Shën Pjetri në leximin e dytë, guxon të  thotë, vëllezër dhe motra ju duhet ta dini se nga ju varet koha kur do të vijë Mesia përsëri, siç e presim me fe. Sepse nëse ju do të jeni më të shenjtë, nëse ju do të jeni më të drejtë, nëse ju do të jeni bartës më të fuqishëm të dashurisë së Zotit mbi tokë, nëse ju do të jeni më të zottë në implementimin e vullnetit të Hyjit mbi sipërfaqen e dheut, atëherë ju do ta përshpejtoni, sepse Zoti e ka durimin e vet, deri sa t’i mundësohet secilit që të kthehet, të besoj, e të pagëzohet me ujë dhe me Shpirt Shenjt.

Unë dëshiroj me të vërtetë të falënderoj Zotin për shumë burra dhe gra, djem e vajza, por edhe të moshuar, sikurse e kemi këtu Gjonin dhe Marinë, të cilët në moshën e thyer e kanë zbuluar Krishtin dhe janë kthyer tek ai, dhe me një dashuri të vonuar, por të rilindur në zemrën e tyre e kanë ndezur qiriun e dytë të Kohës së Ardhjes, me të cilën duan të dëshmojnë se drita e Krishtit ka rishkëlqyer në zemrën e tyre, dhe me lutjet e veta dëshirojnë të ngrisin zërin e shpirtit tyre që çdo njeri në këtë botë, çdo njeri i vendit tonë ka të drejtë, ka mundësi ta zgjedh dhe ta pranoj Krishtin, të pagëzohet e të kthehet, të merr shpërblimin dhe t’i afrohet gurrës së shpëtimit të shpirtit vet. Sa bukur e sa mirë, sa punë e denjë dhe e drejtë, sepse Kisha e Krishtit në vendin tonë dhe në popullin tonë, në veçanti e ka misionin profetik, që sikur Isaia profet të shpallë dhe të dëshmojë. Kthimi është zgjidhja më e bukur që njeriu mund ta bëjë, sepse kthimi është për ta përqafuar Zotin dashuri, kthimi është për të lanë mëkatin dhe errësirën e tij, kthimi është për të zgjedhur jetën në vend të vdekjes, kthimi është për të zgjedhur dashurinë në vend të urrejtjes, kthimi është për të zgjedhur, kthimi është jo vetëm për të zgjedhur, por kthimi është edhe për tu nisur, edhe për të ecur drejt Krishtit, bashkë me Kishën.

Vëllezër dhe motra fort të dashtun,

unë sot do të doja të definoja Kishën si Gjon Pagëzuesi i shkretëtirës së botës së sotme. Sepse ne jemi dëshmitarë, se sa shumë i mungon dashuria njeriut tonë sot. Këndej, nuk duhet të dëshpërohemi dhe të lëshohemi edhe ne në fatalitet, në dëshpërimin e mungesës së dashurisë, por duhet të rizgjohemi, të ripërtrihemi gjatë kësaj kohe të ardhjes, në mënyrë që të mund të dëshmojmë se dashuria e Zotit, e jetuar në jetën e njeriut, është shpresa më e madhe për njerëzimin.

Njeriut tonë, sot i mungon dashuria, vërtetë ju ka bërë zemra shkretëtirë. Këndej, Kisha nuk duhet dhe nuk do të pushojë të bërtas në këtë situatë të shkretimit të zemrave të njerëzve, nga mungesa e dashurisë, nga rritja e lakmisë, nga paaftësia për të sakrifikuar për të afërmin dhe për ta dashur atë. Nuk do të pushojë Kisha duke thirrur njeriun tonë që të kthehet e ta mbushë zemrën me dashuri, ta rehatojë shpirtin e vet me paqe, t’i gëzohet të mirave që Zoti ja ka dhënë, dhe jo të dëshpërohet për ato gjëra që nuk i ka.

Është pra zëri i Kishës, ai i cili dëshiron të ftojë të gjithë njerëzit, jo vetëm katolikët, të gjithë njerëzit që jetojnë në këtë vend, ta ujisin shkretëtirën e zemrës dhe të fillojnë ta duan më shumë njëri-tjetrin, t`i besojmë më shumë njëri-tjetrit, të rrisim zotësinë për të shpresuar, ta nxisim entuziazmin e jetës dhe të duam më shumë shtëpinë tonë, vendin tonë, tokën tonë. Sepse, e dimë se sa e shkretë është kjo zemra jonë, e sa është shkretuar shpirti i njerëzve tanë, duke mos besuar askush në askënd, duke folur gjithë për të gjithë, duke marrë rolin e gjykatësit, rolin e së vërtetës gjyqtare e të së mirës, e nuk e di se çfarë. Duhet të kemi urtinë e shpirtit, duhet ta lusim Zotin tonë Jezu Krishtin, që të na jep urtinë e zemrës, dijen e shpirtit, që të mundemi në të vërtetë, jo vetëm të kthehemi, por edhe me entuziazëm të ecim me Krishtin ditëve tona./drita.info

(Homelia e plotë e Imzot Dodë Gjergjit, në të dielën II të Ardhjes në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, më 6 dhjetor 2020)

Comments are closed.

« »