Kështjella dardane e Sukës së Cërmjanit

Dec 7 • Histori, Kulturë

Nga Haxhi MEHMETAJ

 

Zbulimi i sistemit të fortifikimit dhe i gjetjeve arkeologjike dëshmuan që kështjella kulmin e zhvillimit e arrin në antikitetin e vonë të shekujve IV – IV pas Krishtit. Në antikitetin e vonë kështjellat mbroheshin nga ushtar të mobilizuat nga popullata dardane, të cilët kishte motive të dyfishta, mbronte familjet dhe merrte pagë nga shteti.

 

Kështjella ngrihej në veri të fshatit Cërmjan të komunës së Gjakovës, në pjesën qendrore të Rrafshit të Dukagjinit. Është ndërtuar mbi majën e sheshtë të një kodre shkëmbore në formë të rregullt trungkonike. Quhet më emrin Suka e Cërmjanit dhe ndodhet në lartësinë mbidetare 737m. Kodra e kështjellës me faqe shpatesh të pjerrëta ka një pozitë mahnitëse strategjike natyrore. Nga maja e saj kontrollohet thuajse tërë Rrafshi i Dukagjinit dhe një pjesë bukur e madhe e Rrafshit të Kosovës. Në jug e jugperëndim shikimi arrin deri të fushat e Gjakovës dhe të malet e Pashtrikut, rrëzë të cilave kundrohen kështjella Qyteza e Vogël e fshatit Botushë, Kështjella Kalaja e Lekës mbi fshatin Popoc, Kështjella Arat e Shemna mbi fshatin Babaj i Bokës dhe Kështjella Gjyteti e fshatit Greqinë. Në veri shihet Kështjella e Jerinës e fshatit Dollc dhe Kështjella Kulla e Jerinës mbi fshatin Pogragjë të Komunës së Klinës. Në veriperëndim fushat e Pejës, Gryka e Rugovës dhe kështjellat e Radacit dhe e Jabllanicës së Madhe.

Kështjella ka formë jo të rregullt eliptike. Muret mbrojtëse janë ngritur përgjatë izohipsës më të lartë të përthyer të kodrës duke përkufizuar e mbyllur sipërfaqe prej 1.3 hektarë. Në lindje dhe juglindje duken gjurmët e tri kulla më planimetri drejtkëndore, kurse në skajin verilindorë gjurmët e një hyrje. Nga kërkimet e vitit 1981 në tarracën e sheshtë verilindore brenda kështjellës kanë mbetur gjurmët e mureve të disa banesave të periudhës së antikitetit më planimetri drejtkëndore, trashësia e të cilave sillet nga 60 – 70cm.

Në kështjellë paraprakisht janë kryer gërmime arkeologjike në vitin 1975, me ç‘rast është dëshmuar përfaqësimi i një shtrese të periudhës dardane të epokës së hekurit. Zbulimi i sistemit të fortifikimit dhe i gjetjeve arkeologjike dëshmuan që kështjella kulmin e zhvillimit e arrin në antikitetin e vonë të shekujve IV – IV pas Krishtit. Në antikitetin e vonë kështjellat mbroheshin nga ushtar të mobilizuat nga popullata dardane, të cilët kishte  motive të dyfishta, mbronte familjet dhe merrte pagë nga shteti. Në Sukën e Cërmjanit gjendeshin edhe gërmadhat e një kishe, e cila gjatë sundimit turk është shndërruar në tyrbe. (Nga libri : H. Mehmetaj, Trashëgimia arkeologjike e komunës së Gjakovës, Prishtinë 2019, f. 109 – 111.)/drita.info

 

Fotografia në ballinë: Planimetria e kështjellës së Cërmjanit (Dizajni: Dukagjin Mehmetaj)

Comments are closed.

« »