Përvoja e sigurtë e njohjes së dashurisë së Zotit

Dec 8 • Meditimi i ditës

8 dhjetor 2020 – E martë, Zoja e Papërlyer (e kremte), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 3,9-15.20; Ps 98,1-4; Ef 1,3-6.11-12; Lk 1,26-38)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke u përgatitur për këtë tërheqje të shkurtë shpirtërore, pusho një moment.

Merr disa herë frymë thellë dhe lejoji vetes të rritesh në heshtje.

Ji i/e vetëdijshëm/e për praninë dashuruese të Zotit në ty.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Po i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Po të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Sot është e kremtja e Zojës së Papërlyer (Ngjizjes së Zojës në kraharorin e nënës së vet). Maria gjithnjë, plotësisht, i përkiste Zotit. Ajo ishte gjithmonë plot hir. Prej nga e dalloj besimin tim në këtë mësim të fesë? Gjatë kohës që e dëgjoj ungjillin do ta pyes veten: Si e kuptoj unë këtë grua të re që do të bëhet Nënë e Zotit?

 

Lk 1, 26-38

 

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:

“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”

29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

30 Por engjëlli i tha:

“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”

34 Atëherë Maria i tha engjëllit:

“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”

35 Engjëlli iu përgjigj:

“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!

38 Atëherë Maria tha:

“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”

Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Një mënyrë e lutjes është të përpiqesh ta përjetosh një pjesë të shkrimit të shenjtë përmes shqisave. Ne e takojmë Zotin në frymën çlirimtare të imagjinatës, fantazisë sonë. Ky lexim nga Luka është aq joshës, saqë është rikrijuar në art qindra herë.
  • Ku do ta vendosja Marinë?… Çfarë ka veshur ajo…? … A është ajo në një cep të rehatshëm, duke u lutur mbi shkrimet e shenjta, duke i kërkuar Zotit të jetë me të ndërsa e pret martesën e vet të ardhshme. A është ajo e përgatitur për kërkesën që engjëlli do t`ia bëjë asaj? A jam i/e përgatitur, në jetën time të përditshme, ta takoj hyjnoren?
  • Si vjen engjëlli Gabriel te Maria? Si një qenie e qartë, e mbinatyrshme, që shkëlqen me dritë qiellore dhe krahë shqiponjash? … Duke u shfaqur thjesht, sikur pa prit pa kujtuar? Si takim me një të huaj me një kërkesë edhe më të huaj?… Si i njoh takimet hyjnore në jetën time?… A kam pritje të asaj që është e shenjtë?
  • ‘Të falëm, o Hirplote’, o e favorizuara. Kur Gabrieli e siguron Marinë se Zoti e ka shikuar me pëlqim, a mund ta përjetosh përgjigjen e saj? A mund ta paramendoj se Zoti më shikon me të njëjtin pëlqim mua? Për t`u mbushur me hirin që vjen nga Zoti.
  • ‘S’ka gjë të pamundshme për Hyjin’. A mund ta paramendoj atëherë, siç bën Maria, përvojën e njohjes së dashurisë së Zotit me kaq siguri? Në mënyrë aq intime saqë një shkëndijë e Jetës krijohet thellë në hije, në hapësirën e shenjtë jetëdhënëse brenda meje?

 

Bashkëbisedimi 

Maria gjeti hir para Hyjit, e megjithatë do të jetë e përfshirë në rrjedhën e ngjarjeve që do të mund të hidhnin hije mbi dinjitetin e saj. A e rrezikoj ndonjëherë reputacionin tim për shkak të asaj që Hyji kërkon prej meje?

‘S’ka gjë të pamundshme për Hyjin’. A duhet të kërkoj ndihmën e Gabrielit për të besuar në këtë?

A kam guxim të them: “Më ndodhtë sipas fjalës sate”? Me hirin e Hyjit do të përgjigjem kur Hyji do të më kërkojë ndonjë gjë.

 

Përmbyllja 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Edhe unë, si Maria, kam ardhur me një qëllim në këtë botë. Ky qëllim nuk do të dëftohet në mënyrë dramatike siç i është dëftuar Marisë. Për shkak të të qenurit të papërlyer, të pa mëkat të saj, ajo e ka dëgjuar fjalën e Zotit shumë më qartë. E ka dëgjuar fjalën më qartë edhe për shkak të heshtjes – nuk ka pasur zhurmë që do ta mbyste.

Shpesh kam frikë nga zbrazëtia, errësira, heshtja në mua. Dhe pikërisht aty jeton dhe vepron Shpirti Shenjt, edhe në qoftë se lutja më duket e thatë, e paushqyer. O Zot, më ndihmo që të zhytem në heshtjen e zemrës sime, që të takoj atje, në dashuri dhe adhurim.

Të falemi, Mari…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »