A i nënvleftësoj përpjekjet e përvuajtura të të tjerëve

Dec 11 • Meditimi i ditës

11 dhjetor 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 48,17-19; Ps 1,1-4.6; Mt 11,16-19)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, relaksohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim të zhvillimit dhe zbulimit.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat,
që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala e Zotit

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Is 48,17-19

 

17 Kështu thotë Zoti, Shpërblyesi yt,

Shenjti i Izraelit:

Unë jam Zoti, Hyji yt,

që të mësoj për të mirën tënde,

të drejtoj të shkosh udhës që ecën.

18 Oh, sikur të kishe pasur kujdes për

urdhërimet e mia!

Do të kishte qenë si lumi mirëqenia jote,

kurse drejtësia jote, porsi valët e detit!

19 Fara jote do të kishte qenë si rëra,

bami i barkut tënd si kokrrat e saj;

emri i tij nuk do të ishte shuar,

s’do të ishte shlyer kurrë përpara meje!

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Në tekstin e sotëm hasim në një profeci; një profeci e cila mund të përmbahet në frazën edhe më të shkurtër: ‘Oh, sikur?’ Ndërsa përgatis zemrën dhe mendjen time për të hyrë në festën e madhe të Mishërimit (Krishtlindjes), sa shpesh e kam lejuar po atë mendim në mendjen time gjatë këtij viti të kaluar? Sa jam i/e kënaqur me situatën time aktuale?
  • Nuk ka dyshim te Isaia, që Izraeli me siguri meriton ndëshkimin e tij. Por, çka nëse ai do t’i kishte kushtuar vëmendje? Po sikur Izraeli të kishte qëndruar besnik? Profecia nuk ka për qëllim dëshpërimin. Izraeli ende i përket Zotit, Zoti është akoma duke e mësuar, Zoti është akoma udhëheqës. Ka akoma kohë. Zoti do të kujdeset për këtë. Adventi, Koha e Ardhjes na siguron – të gjitha ato profeci ende mund të bëhen të vërteta.
  • “Unë jam Zoti, Hyji yt”. Ndërsa i dëgjoj përsëri shkrimet e shenjta, pyes veten. Nëse besoj se Zoti është Zoti ynë, atëherë mund të kem besim në udhëtimin që ndodhet para meje? A mund ta pranoj atë që kam dhe të jem mirënjohës?

 

Bashkëbisedimi

A mund të ndjehem i/e bekuar? Në vend të ‘Po sikur?’ do të kisha mundur të them ‘Edhe pse’? Në lutjen time për sot, a mund t’ia dorëzoj vetveten qëllimit, planit të Zotit dhe ta falënderoj Zotin për bekimet që më janë dhënë?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Jezusi i vërente ata që rrinin duarkryq dhe s`bënin asgjë, vetëm kritikonin të tjerët. Gjon Pagëzuesi iu dukej i çuditshëm, ndërsa Jezusi (“shumë”) normal. Po e pyes veten, a mos jam edhe unë cinik dhe kritik? A i nënvleftësoj përpjekjet e përvuajtura të të tjerëve ndërsa janë duke u përpjekur për të bërë atë më të mirën që munden?

A u jap veprave të mira dëshmi të denjë besimi në Krishtin? Vepra të tilla mund edhe të kushtojnë, por në fund të fundit do të provohen se kanë qenë vendime të mençura.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »